Barrët e njëri-tjetrit
1 Vëllezër, nëse ndokush kapet në faj, ju që keni Shpirtin e shenjtë ndreqeni atë me shpirtbutësi, por ruhuni se mos tundoheni edhe ju vetë. 2 Mbajini barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.
3 Sepse, nëse ndonjëri mendon se është dikush, duke mos qenë askush, ai mashtron veten. 4 Secili të shqyrtojë veprat e veta e pastaj të krenohet vetëm me veten e jo me dikë tjetër. 5 Sepse çdonjëri do të mbajë barrën e vet.
6 Kush mëson fjalën e Perëndisë, le të ndajë me mësuesin e vet të gjitha të mirat e tij.
7 Mos t'ju gënjejë mendja: Perëndia nuk vihet në lojë. Ç'të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. 8 Kush mbjell sipas dobësisë së vet njerëzore, prej saj do të korrë shkatërrimin, ndërsa kush mbjell sipas Shpirtit, do të korrë prej tij jetën e amshuar. 9 Le të mos lodhemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos dorëzohemi, do të kemi edhe të korra në kohën e duhur. 10 Prandaj, sa të kemi kohë, të punojmë për të mirën e të gjithëve, sidomos të vëllezërve në besim.
Paralajmërimi i fundit
11 Shikoni me ç'shkronja të mëdha ju shkrova me dorën time.
12 Ata që ju detyrojnë të rrethpriteni duan të dalin mirë para njerëzve vetëm që të mos përndiqen për kryqin e Krishtit. 13 Madje as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që të mburren me ju. 14 Sa për mua, unë nuk dua të krenohem me asgjë tjetër, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, përmes të cilit jam i vdekur në kryq për sa i përket botës dhe bota për sa më përket mua.
15 Sepse nuk vlejnë gjë as rrethprerja, as parrethprerja, por vlen vetëm krijesa e re. 16 Të gjithë ata që do të ndjekin këtë rregull, paçin paqe e mëshirë, ata dhe Izraeli i Perëndisë.
17 Që tani e tutje asnjeri të mos m'i shtojë mundimet, sepse unë mbart shenjat e plagëve të Jezuit në trupin tim.
18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen!
Krie e gjashtëtë
1 Vëllazër, ndë qoftë zënë ndonjë njeri mbë ndonjë faj, juvet që jini të Shpirtit, dhidhaksni këtë të tilinë me Shpirt t’ëmblë, e vuri re vetëhenë mos ndodhetë e guciteç edhe ti vetë.
2 Mbai barrën’ e njeri-jatërit, e kështu do të paguani nomn’ e Krishtit.
3 Sepse nd’i duketë ndonjëit se është gjë, pagjene ai gënjen vetëhen’ e tij.
4 Ma cilido le të vështrojë punën’ e tij që bën, e atëherë do të ketë nder ndë vetëhe vetëmë, e jo mbë jetërinë.
5 Sepse cilido barrën’ e tij do të ngrërë.
6 E ai që dhidhaksetë fjalënë, le të bëjë pjesë mbë gjithë të mira atij që e mpson.
7 Mos gënjeni vetëhenë. Me Perndinë nukë bënenë lodrë, sepse atë që mbjell njeriu, atë edhe do të korrjë.
8 Andaj ai që mbjell për kurm të tij, nga kurmi do të korrjë kalbësirë. E ai që mbjell për Shpirt, nga Shpirti do të korrjë jetën’ e pasosurë.
9 Le të mos lodhemi tuke bënë të mirënë, sepse ndë mos u lodhçim, do të korrjëmë me kohë të saj.
10 Andaj adha ngjera sa kemi kohë, le të bëjëmë të mirënë mbë gjithë njerëz, ma më shumë mbë njerëz të besësë.
11 Shihni me çfarë kartëra u shkrova me dorë time.
12 Gjith’ ata që duanë të dukenë të mirë mbë kurm. Ata u anangasjënë juvet të peritemnisë, vetëmë të mos heqënë të ndjekurë për kruq të Krishtit.
13 Sepse as ata që bëjnë peritominë ruajnë nomnë, po duanë që të priteni juvet, që të mburrenë ata mbi kurm tuaj.
14 Ma nga meje qoftë larg të mburrem për jatërë, përveçe ndë Kruq të Zotit sonë Iisu Hristoit. Mb’atë jeta ime është kruqasurë mbë mua, edhe unë mbë jetë.
15 Sepse ndë Hristo Iisunë as të preritë vëjen gjë, as të papreritë, po të ktisurit’ e ri.
16 E sa të ecëjënë pas këtij zakonit, mb’ata (qoftë) paq, edhe ndëjesë, edhe mbi Israiln’ e Perndisë.
17 Sot di e parë le të mos më ngasë mua njeri, sepse unë mbaj plagët’ e Zotit Iisuit ndë kurm tim.
18 Dhurëtia e Zotit sonë Iisu Hristoit, bashkë me Shpirt tuaj, o vëllazër. Ashtu qoftë!
* Karta mbë Gallatiot u shkrua nga Romi.