Krishti, mbrojtësi ynë
1 Bijtë e mi, këto gjëra jua shkruaj që të mos mëkatoni. Por edhe nëse dikush mëkaton, mbrojtës tek Ati kemi Jezu Krishtin, të drejtin. 2 Ai u flijua për mëkatet tona, e jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për mëkatet e gjithë botës.
3 Nëse zbatojmë urdhërimet e tij, atëherë e dimë se e kemi njohur atë. 4 Ai që thotë: «Unë e kam njohur Perëndinë», por nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. 5 Por tek ai që e zbaton fjalën e tij, dashuria e Perëndisë është me të vërtetë e përsosur. Kështu mund ta dimë se jemi në Perëndinë. 6 Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë në të njëjtën udhë nëpër të cilën eci Jezu Krishti.
Urdhërimi i ri
7 Fort të dashur , nuk po ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, të cilin e kishit që nga fillimi. Urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat . 8 Megjithatë, po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë për Krishtin dhe për ju, se errësira po shkon dhe tashmë po ndrin drita e vërtetë.
9 Ai që thotë se është në dritë, por urren vëllanë e vet, ai është ende në errësirë. 10 Ai që do vëllanë e vet, qëndron në dritë e nuk bëhet pengesë. 11 Por ai që urren vëllanë e vet, është në errësirë. Ai ecën në errësirë e nuk sheh ku shkon, se errësira ia ka verbuar sytë.
12 Po ju shkruaj, o bij,
se mëkatet tuaja u falën
me anë të emrit të tij.
13 Po ju shkruaj, o etër,
se e keni njohur atë
që është që nga fillimi.
Po ju shkruaj, o të rinj,
se e keni mundur të ligun.
14 Ju shkrova, o bij,
se e keni njohur Atin.
Ju shkrova, o etër,
se e keni njohur atë
që është që nga fillimi.
Ju shkrova, o të rinj,
se jeni të fortë;
fjala e Perëndisë banon në ju
dhe e keni mundur të ligun.
15 Mos e doni botën dhe as gjërat e saj. Nëse dikush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të. 16 Gjithçka që është në botë, epshet trupore, lakmia e syve dhe mburrja për gjërat e kësaj jete, nuk janë nga Ati, por nga bota. 17 Bota me gjithë kënaqësitë e saj shkojnë, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në amshim.
Antikrishti
18 Bijtë e mi, po vjen ora e fundit! Siç keni dëgjuar, antikrishti po vjen. Tani ka shumë antikrishtë dhe nga kjo e dimë se po vjen ora e fundit. 19 Nga ne dolën, por nuk ishin nga tanët. Po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne, por ikën prej nesh që të duket qartë se të gjithë ata nuk janë nga tanët.
20 Ju jeni vajosur nga i Shenjti, prandaj të gjithë e dini të vërtetën . 21 Nuk ju shkrova ngaqë nuk e njihni të vërtetën, por sepse e njihni dhe e dini se asnjë gënjeshtër nuk vjen nga e vërteta. 22 Kush është gënjeshtari, pra? A nuk është ai që mohon se Jezui është Krishti? Ai është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin. 23 Ai që mohon Birin, nuk e ka as Atin. Ai që e rrëfen Birin, e ka edhe Atin. 24 Le të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi. Po të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi, atëherë edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin. 25 Dhe ky është premtimi që na ka bërë ai: jeta e amshuar.
26 Këto gjëra jua shkrova për shkak të atyre që kërkojnë t'ju mashtrojnë. 27 Sa për ju, vajosja që morët prej Krishtit qëndron në ju dhe nuk ka nevojë t'ju mësojë kush. Vajosja e tij ju mëson për gjithçka. Krishti është i vërtetë dhe nuk është i gënjeshtërt. Prandaj qëndroni në të ashtu siç ju mësoi.
Bij të Perëndisë
28 Dhe tani, bijtë e mi, qëndroni në të, që kur ai të shfaqet në ardhjen e tij, të kemi siguri të plotë dhe të mos turpërohemi para tij. 29 Përderisa e dini që Krishti është i drejtë, atëherë duhet të dini edhe se kushdo që vepron me drejtësi ka lindur prej tij.
Krie e ditë
1 Djelmthit’ e mi, u shkruaj juvet këto punëra, që të mos fëjeni. E ndë pastë ndonjë fëjierë, kemi kush të lutetë mbanë babait, Iisu Hristonë të drejtinë.
2 E ai është një ndëjesë për faje tona, edhe jo për tonatë vetëmë, po edhe për të gjithë botësë.
3 E nga këjo e dimë që e kemi njohurë atë, ndë ruajtiçim porsit’ e tij.
4 Ai që thotë se e njoha atë, e porsit’ e tij nuk’ i ruan, është gënjeshtjar, e e vërteta nuk’ është mbë të.
5 Ma ai që ruan fjalën’ e tij, tek ai me të vërteta dashuria e Perndisë ësht’ e tërë. Mbë këtë njohëmë që jemi mbë të.
6 Ai që thotë se qëndron mbë të, duhetë që të ecëjë edhe ai kështu sikundr’ eci edhe ai.
7 Vëllazër, nuk’ u shkruaj juvet porsi të re, po porsi të lashtë, që e keshëtë që krie herësë. Porsia e lashtë është fjala që patë digjuarë që krie herësë.
8 Për së ditit porsi të re u shkruaj juvet, që është e vërtetë nde ai, edhe ndë juvet, se errëcira shkon, e drita e vërtetë ndashti feks.
9 Ai që thotë se është ndë dritë, e vëllan’ e tij nuk’ e do, është ndë errëcirë ngjera ndashti.
10 Ai që do vëllan’ e tij, gjëndetë ndë dritë, e nuk’ është skandallo mbë të.
11 Ma ai që nukë do vëllan’ e tij, është nd’errëcirë e nd’errëcirë ecën, e nukë di ku vete, sepse i verboi sit’ e tij errëcira.
12 U shkruaj juvet, o djelm, se u ndëjenenë fajetë tuaj për ëmër të tij.
13 U shkruaj juvet, o baballarë, që kini njohurë atë që ish që heriet; u shkruaj juvet, o trima, që kini mundurë dinaknë; u shkruaj juvet, o djelm, që kini njohurë babanë.
14 U shkrova juvet, o baballarë, sepse kini njohurë atë që qe që heret; u shkrova juvet, o trima, sepse jini të fortë, e fjal’ e Perndisë qëndron mbë juvet, e e kini mundurë dinaknë.
15 Mos doi jetënë, as punët’ e jetësë. Ndë do ndonjë jetënë, dashuria e babait nuk’ është mbë të.
16 Sepse gjith’ ajo që është ndë jetë, është dëshërim i kurmit, edhe dëshërim i sivet, edhe perifani e jetësë, ajo nukë vjen nga babai, po vjen nga jeta.
17 E jeta shkon, edhe dëshërimi i saj; ma ai që bën thelimën’ e Perndisë, duron për gjithë jetë të jetësë.
18 Djelm, këjo është kohë e pastajme, e sikundrë digjuatë, që Antihristoi vjen, edhe ndashti janë bërë shumë Antihristër. Këtej e kupëtojmë që është kohë e pastajme.
19 Prej nesh duallë, po s’qenë prej nesh, sepse të ishnë prej nesh, do të qenë mbeturë me nevet, po që të çfaqenë, që nukë janë gjithë prej nesh.
20 Ma juvet kini hrismë nga Shënjti, e i diji të gjitha.
21 Nuk’ u shkrova juvet si të padijturet të vërtetënë, po si të tillëvet që e dini atë, e që ndonjë gënjeshtrë nukë vjen nga e vërteta.
22 Cili është gënjeshtjar, përveçe atij që arnis se Iisui nuk’ është Krishti? Kij është Antihristoi, që arnis babanë, edhe të birë.
23 Cilido që arnis të birë, nukë ka as babanë.
24 Juvet adha, atë që e digjuatë që krie herësë, le të qëndrojë pa luajturë mbë juvet. Ndë qëndroftë mbë juvet ajo që e digjuatë që herën’ e parë, edhe juvet do të qëndroni pa luajturë ndë babanë edhe ndë të birë.
25 Këjo është ajo e taksurë, që u taksi juvet ai, jetën’ e pasosurë.
26 Këto ua kam shkruarë juvet, për ata që u pllanepsjënë juvet.
27 Po le të mbetetë mbë juvet ajo hrismë që kini marrë prej si, e nukë kini hri që t’u dhidhaksjë njeri juvet, ma sikundr’ u dhidhaks juvet ajo hrismë për të gjitha, edhe ësht’ e vërtetë e nuk’ është gënjeshtjare, e sikundr’ u ka dhidhaksurë juvet, qëndroni mbë të.
28 Ndashti, djelm, qëndroni mbë të, që kur të çfaqetë, të kemi tharos e të mos turpëronemi prej asaj, mbë t’ardhurë të saj.
29 Ndë diji që është i drejtë, dijnie se cilido që bën të drejtënë, është lerë prej si.