Timoteu udhëton me Palin e Silën
1 Pali arriti në Derbë e pastaj edhe në Listër. Atje jetonte një dishepull me emrin Timote. Nëna e tij ishte judease që kishte besuar në Jezuin, ndërsa i ati ishte helen. 2 Për të flisnin mirë vëllezërit në Listër e në Ikon. 3 Pali deshi që Timoteu ta shoqëronte, prandaj e mori me vete dhe e rrethpreu për shkak të judenjve që jetonin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se i ati ishte helen.
4 Ndërsa shkonin nga qyteti në qytet, i njoftonin njerëzit për vendimet që ishin marrë nga apostujt e pleqtë e kishës në Jerusalem dhe i porosisnin që t'i zbatonin. 5 Kështu kishat forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër çdo ditë.
Vegimi me maqedonasin
6 Ata kaluan nëpër krahinën e Frigjisë e të Galatisë, sepse Shpirti i shenjtë ua kishte ndaluar ta predikonin fjalën e Perëndisë në Azi. 7 Kur arritën afër Misisë, u munduan të shkonin në Bitini, por Shpirti i Jezuit nuk i lejoi, 8 prandaj kaluan nëpër Misi e shkuan në Troadë.
9 Gjatë natës Pali pa një vegim. Përpara i qëndronte një maqedonas, që i lutej e i thoshte: «Eja në Maqedoni e na ndihmo!». 10 Kur pa këtë vegim, menjëherë u përpoqëm të shkonim në Maqedoni, të bindur se Perëndia na kishte thirrur t'ua shpallnim ungjillin atyre.
Kthimi në besim i Lidisë
11 Pastaj lundruam nga Troada drejt Samotrakës e të nesërmen për në Neapojë 12 dhe që aty në Filipi që është qyteti kryesor i asaj krahine të Maqedonisë dhe koloni romake. Ne u ndalëm në këtë qytet për disa ditë.
13 Ditën e shtunë dolëm jashtë portës së qytetit përgjatë lumit, ku mendonim se ishte vendi i zakonshëm për lutje. Atëherë u ulëm dhe u folëm grave që ishin mbledhur aty. 14 Një grua me emrin Lidia, që ishte kthyer në besimin e judenjve, po na dëgjonte. Ajo ishte nga qyteti i Tiatirës dhe tregtonte rroba të purpurta. Zoti ia hapi zemrën që të dëgjonte me vëmendje çfarë thoshte Pali. 15 Kur u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë së saj, ajo na u lut: «Nëse mendoni se jam besimtare në Zotin, ejani e rrini në shtëpinë time». Dhe na detyroi të pranojmë.
Burgimi në Filipi
16 Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve. 17 Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë e ju shpallin udhën e shpëtimit».
18 Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë.
19 Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit. 20 Kur i sollën para gjykatësve, thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj 21 e po predikojnë doke që ne romakëve nuk na lejohet t'i mbajmë e t'i zbatojmë».
22 Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që t'u shqyenin rrobat e t'i rrihnin me shkopinj. 23 Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t'i ruante me kujdes. 24 Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri.
25 Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin. 26 Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27 Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur. 28 Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu». 29 Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës. 30 Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, ç'duhet të bëj, që të shpëtohem?». 31 Ata iu thanë: «Beso në Zotin Jezu e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë sate». 32 Ata i predikuan fjalën e Zotit atij e të gjithëve atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33 Po në atë orë të natës roja i mori e u lau plagët. Pastaj, pa u vonuar, u pagëzuan ai dhe tërë ata të shtëpisë së tij. 34 Ai i mori Palin e Silën në shtëpinë e tij, u shtroi për të ngrënë dhe u gëzua shumë bashkë me ata të shtëpisë së vet që kishin besuar në Perëndinë.
35 Kur erdhi mëngjesi, gjykatësit dërguan rojat për t'i thënë: «Liroji ata njerëz». 36 Roja i burgut e lajmëroi Palin e i tha: «Gjykatësit kanë çuar fjalë t'ju lirojmë, prandaj dilni e shkoni në paqe». 37 Por Pali u përgjigj: «Ata na kanë rrahur para të gjithëve pa na dënuar me gjyq ne, që jemi qytetarë romakë, e na kanë futur në burg. Tani dashkan të na nxjerrin nga burgu fshehurazi? Jo! Le të vijnë e të na nxjerrin ata vetë».
38 Rojat ua çuan këto fjalë gjykatësve, të cilët i zuri frika kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë. 39 Atëherë erdhën e u kërkuan falje. Pastaj i nxorën nga burgu dhe u kërkuan që të largoheshin nga qyteti. 40 Pasi dolën nga burgu, Pali e Sila shkuan në shtëpinë e Lidisë. Aty u dhanë zemër vëllezërve dhe u nisën.
Krie e gjashtëmbëdhjetëtë
1 E arriu ndë Dhervë e ndë Austrë. E ja, ish atje një mathiti që quhej Timotheo, bir’ i një gruasë çifute të besësë, e nga jati Elin.
2 Këtij i ipnë martiri të mirë vëllazëritë që qenë ndë Listrë e ndë Konjë.
3 E Pavllua deshi që kij të vij me të bashkë, e si e mori atë e bëri sunet, për të dukurë ndë çifut që qenë mb’ato vënde, sepse e dijnë të gjithë baban’ e tij që qe Elin.
4 E tek shkoijnë qutet mbë qutet, porsitnë mb’ata të ruaijnë porsitë që qenë urdhëruarë nga apostojtë, e nga priftëritë që qenë nd’Ierusalim.
5 E qishëratë stereosishnë ndë besë, e shtonishnë ndë nëmurë ditë për ditë.
6 E si shkuanë Frigjinë edhe vëndn’ e Gallatisë, u mbodhisnë nga Shënjti Shpirt të dhidhaksnë fjalën’ e Zotit nd’Asi.
7 E si erdhë ndë Misi, dhoqimasnë të vijnë ndë Vithini, po nuk’ i la ata Shpirti të vijnë.
8 E si shkuanë ndëpër Misi, zbritnë ndë Troadhë.
9 E ju duk Pavllosë natënë një të dukurë: Ish një njeri nga Maqedhonia që i rrij përpara e i lutej atij, e i thosh: Shko ndë Maqedhoni e ndihna nevet.
10 E poqë pa këtë të parë, atë çast kërkuam të niseshim për Maqedhoni, se veveoseshim që Zoti na thirri navet, që t’i vangjelisjëmë ata.
11 E si bëm plëhurë nga Troadha, muarrm udhënë dreq për Samothraq, e ditën’ e nesërme ndë Neapol.
12 E ateje ndë Filippë, këta janë qutetit i pari të pjesësë Maqedhonisë, Kolloni. E mb’atë qutet qëndruam ca dit.
13 E ditën’ e shëtunësë duallm jashtë qutetit afër lumit, tek dukej se qe të luturë, e qëndruam e dhidhaksm gratë që qenë mbëjedhurë.
14 E një grua që quhej Lidhi nga qutet’ i Thiatiret që shit porfire, e frikuarë e Perndisë, rrij e digjon. Kësaj i hapi zëmërënë Zoti të mbaj vesh mb’ato që thosh Pavllua.
15 E si u pagëzua ajo edhe shtëpia e saj, u lutej, e thosh: Ndë më kini për të besësë edhe mua te Zoti, ejani ndë shtëpi time e qëndroni. E na shtrëngoi navet.
16 E gjau tek vejëm nevet të faleshim, një vashëzë që kish Shpirt të Pithonit, na dolli nevet përpara. Këjo bën shumë të mbrodhurë ndë zotërinj të saj tuke magjepsurë.
17 Këjo vin pas Pavllosë edhe nevet, e thërrit, e thosh: Këta njerëz janë ropt’ e Perndisë lartë, që na dëftojënë nevet udhën’ e shpëtimit.
18 E këtë e bën për shumë dit. Ma Pavllua, si u rëndua e u kthe, i thotë Shpirtit: Të porsit tij ndë ëmër të Iisu Hristoit, të dalç nga ajo. E dolli atë çast.
19 E si panë zotërinjt’ e saj, që vate omuthi i fitimit të ture, zunë Pavllonë edhe Sillënë, e i zbranisnë ndë foro mbë gjukatas.
20 E si i shpunë ata përpara gjukataset, thanë: Këta njerëz nakatosjënë qutetnë tënë, sepse janë Çifutër.
21 E dhidhaksjënë ca adete, që s’ësht’ e udhësë t’i dheksjëmë navet, as t’i bëjëmë, sepse jemi Romanë.
22 E menjëherë ra turma mbi ta, e gjukatasitë xuarë rrobat’ e ture, e porsitnë t’i rrihnë me shkop.
23 E si u bënë shumë të rrahurë ature, i vunë ndë hapsanë, e porsitnë atë që ruan të hapsosuritë, t’i ruan ata fort.
24 Kij si mori të tillë porsi, i vuri ata ndë hapsanë të thellë e u shtrëngoi këmbëtë mbë tombruk.
25 E prej mesit natësë Pavllua edhe Silla falishnë e lëvdoijnë Perndinë. E ata që qenë hapsosurë, i mbaijnë vesh.
26 E aksafna u bë një tërmet i madh, saqë u tundnë binat’ e hapsanësë, e atë çast u hapnë gjithë diertë e ranë lidhëjat’ e gjithëvet.
27 E si u zgjua ai që ruan hapsanënë e pa diert’ e hapsanësë hapëtë, nxori thikën’ e tij, e duan të vrit vetëhenë, sepse pandehu se iknë të hapsosuritë.
28 Ma Pavllua thirri me zë të madh, e i tha: Mos bën gjë të keq ndë vetëhe tënde, se këtu jemi të gjithë.
29 E si kërkoi dritë, hiri brënda, e tuke dredhurë ra mbë këmbë të Pavllosë e të Sillësë.
30 E si i nxori ata jashtë, u thotë: Ç’duhetë të bëj unë që të sosem?
31 Edhe ata i thanë: Beso mbë Zotnë Iisu Hristonë, e do të soseç ti edhe shtëpia ote.
32 E i dhidhaksn’ atij fjalën’ e Zotit, edhe gjith’ ature që qenë ndë shtëpi të tij.
33 E si i mori ata ahiere ndë kohë të natësë, u lau plagëtë. E u pagëzua ai edhe gjithë të tijtë atë çast.
34 E si i hipi ata sipër mbë shtëpi të tij, u vuri mësallë, e u gëzua me gjithë shtëpi të tij, sepse besoi te Perndia.
35 E si u kdhi dërguanë gjukatasitë çaushëtë, e u thanë: Lësho ata njerëz.
36 E ai që ruan të hapsosuritë rrëfeu këto fjalë te Pavllua, që dërguanë gjukatasitë të lëshonenë, e ndaje ndashti dili, e hajdeni ndë të mirë.
37 Edhe Pavllua u thot’ ature: Si na rrahnë navet faqeza, pa ndonjë faj, që jemi njerëz Romanë, e na vunë ndë hapsanë, e ndashti na nxjerënë navet fshehura? Jo, nukë bënetë, po le të vijënë ata vetë e le të na nxjerënë nevet.
38 E çaushëritë u shpunë këto fjalë gjukataset, e u trëmbnë si digjuanë që janë Romanë.
39 E erdhnë e i parakalesnë ata, e si i nxuarë, u lutishnë të dilë nga quteti.
40 E si duallë nga hapsana hinë ndë shtëpi të Lidhësë e panë vëllazëritë, i parigorisnë ata e iknë.