Dy bishat
1 Pastaj pashë një bishë që doli nga deti. Bisha kishte dhjetë brirë dhe shtatë kokë. Mbi brirë kishte dhjetë kurora të vogla, ndërsa mbi koka kishte emra fyes. 2 Bisha që pashë ngjante me një leopard. Këmbët i kishte si të ariut, ndërsa gojën si të luanit. Dragoi i dha bishës fuqinë, fronin dhe pushtetin e tij të madh. 3 Njëra nga kokat e saj dukej si e plagosur për vdekje, por plaga vdekjeprurëse u shërua. Atëherë të gjithë njerëzit e tokës u mrekulluan pas bishës 4 dhe adhuruan dragoin që i kishte dhënë pushtetin bishës. Adhuruan edhe bishën e thanë: «Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?».
5 Bishës iu dha një gojë për të thënë fjalë të mëdha fyese dhe ky pushtet iu dha për dyzet e dy muaj. 6 Atëherë ajo hapi gojën për të fyer Perëndinë, emrin e tij, banesën e tij, si dhe të gjithë ata që banojnë në qiell. 7 Asaj iu dha pushteti të luftojë kundër të shenjtëve dhe t'i mundë ata. Iu dha pushteti edhe mbi çdo fis, popull, gjuhë e komb. 8 Bishën do ta adhurojnë të gjithë banorët e tokës, të cilët që nga krijimi i botës nuk e kanë emrin të shkruar në librin e jetës që i përket Qengjit të therur.
9 Kush ka veshë le të dëgjojë:
10 kush është për t'u zënë rob,
rob do të zihet.
Kush është për t'u vrarë me shpatë,
nga shpata do të vritet.
Këtu do të duket durimi dhe besimi i të shenjtëve.
11 Pastaj pashë një bishë tjetër që doli nga toka. Bisha kishte dy brirë si brirë qengji dhe fliste si dragua. 12 Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë para syve të saj dhe detyronte tokën me gjithë banorët e saj të adhuronin bishën e parë, së cilës i qe shëruar plaga vdekjeprurëse. 13 Bisha tjetër bënte shenja të mëdha, sa edhe e bënte zjarrin të zbriste nga qielli në tokë para njerëzve.
14 Ajo mashtronte banorët e tokës me shenjat për të cilat i ishte dhënë pushteti të bënte para syve të bishës së parë. Ajo u tha banorëve të tokës t'i bënin një shëmbëlltyrë bishës që jetonte ende, megjithëse ishte e plagosur nga shpata. 15 Asaj iu dha fuqi për t'i dhënë shpirt shëmbëlltyrës së bishës, që shëmbëlltyra të fliste dhe t'i bënte të vriteshin të gjithë ata që nuk e adhuronin. 16 Bisha i detyroi të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të lirë e skllevër, të merrnin një damkë në dorën e djathtë dhe në ballë. 17 Askush nuk mund të blinte apo të shiste pa pasur damkën me emrin e bishës apo me numrin e emrit të saj.
18 Këtu duhet urti! Kush ka mend, le ta përllogarisë numrin e bishës, sepse ai është numër njeriu. Numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.
Krie e trembëdhjetëtë
1 Edhe unë qëndrova mbi rërë të detit; e paçë që dil nga deti një bishë, që kish shtatë krerë, e dhjetë bri; e mbi bri të saj dhjetë korona, e mbi krerë të saj ëmërin’ e vllasfimisë.
2 E bisha që paçë qe mbë të gjarë posi pardhall; e këmbët’ e saj, posi këmbë ariut; e goja e saj, posi gojë liondarit; e dhrakoni i dha asaj fuqin’ e tij, edhe fron’ e tij, edhe urdhër të madh.
3 E paçë një nga krerët’ e saj si të therturë për vdekëjë; e plaga e vdekësë saj u shërua; e u çudit gjithë dheu tuke vaturë pas bishësë.
4 E ju falë dhrakonit që dha urdhër mbë bishë, e ju falë bishësë, e i thoshnë: Kush është si bisha? Kush mund të lëftojë me të?
5 E ju dha bishësë gojë për të folë vllasfimira e fjalëra të mëdha, e ju dha asaj urdhër të bëjë luftë dizet e di muaj.
6 E hapi gojën’ e saj për të sharë kondrë Perndisë, të vllasfimisjë ëmërin’ e tij, edhe fron’ e tij, edhe ata që rrinë ndër qiell.
7 E ju dha asaj urdhër të bën luftë me Shënjtorë, e t’i mund ata; e ju dha asaj urdhër mbi çdo fili, e gjuhë, edhe milet.
8 E do t’i falenë asaj gjith’ ata që rrinë mbi dhe, ëmëret’ e ature nukë janë shkruarë ndë kartë të jetësë të qengjit që është therturë që nga nisëja e jetësë.
9 Ai që ka vesh, le të digjojë.
10 Kush bie jetërinë ndë skllavi, ndë skllavi vete edhe ai; kush vret me thikë, duhetë të vritetë edhe ai me thikë; këtu qëndron durimi edhe besa e shënjtorëvet.
11 E paçë tjatër bishë që hin nga dheu, e kish di bri si të qengjit, ma kuvëndon posi dhrakon.
12 E bënte gjithë fuqin’ e bishësë parë përpara saj, e anangas dhenë edhe ata që rrinë mbë të, që t’i falishnë bishësë parë, asaj që ju shërua plaga e saj që qe për vdekëjë.
13 E bënte çudira të mëdha, kaqë sa të zbrit edhe zjar nga qielli përpara njerëzet.
14 E pllaneps ata që rrinë mbi dhe, për çudira që ju dha asaj urdhër të bën përpara bishësë; e thosh mb’ata që rrijnë mbi dhe, të bëijnë ikonë bishësë, asaj që kish plagën’ e thikësë, e rroi.
15 E ju dha asaj të ip Shpirt mbë Ikonë të bishësë, që të flasjë edhe Ikon’ e bishësë, e të bëjë që ata që nuk’ i falenë ikonësë bishësë të vritenë.
16 E do të bëjë që gjithë të vogjëjt’ e të mëdhinjtë, të pasuritë e të varfëritë, edhe zotërinjtë, edhe kopijtë që të kenë një nishan mbë dorë të ture të djathëtë, a ndë ballëra të ture.
17 E që të mos mundjë njeri të blejë a të shesë, përveçe atij që ka nishanë, a ëmërin’ e bishësë, a nemurin’ e ëmërit së saj.
18 Këtu është sofia, kush ka mënd le të llogarisjë nëmurin’ e bishësë; sepse është nemur njeriut, e nemuri i tij 666, Gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.