Udhëtimi për në Romë
1 Kur u vendos të lundronim për në Itali, Palin dhe disa të burgosur të tjerë i çuan te një njeri me emrin Jul, kryeqindës i kohortës perandorake. 2 Ne hipëm në një anije nga Adramiti, që do të kalonte nga portet përgjatë brigjeve të Azisë, dhe u nisëm. Me ne ishte edhe Aristarku, një maqedonas nga Selaniku.
3 Të nesërmen mbërritëm në Sidon. Juli u soll me dashamirësi me Palin dhe e lejoi të shkonte te miqtë e vet, që ata të kujdeseshin për të. 4 Prej aty u nisëm e lundruam përgjatë Qipros, se e kishim erën kundër. 5 Pasi kaluam detin gjatë brigjeve të Kilikisë e të Pamfilisë, arritëm në Mirë të Likisë. 6 Aty kryeqindësi gjeti një anije nga Aleksandria që lundronte për në Itali dhe na hipi në atë anije.
7 Për disa ditë lundruam ngadalë dhe me vështirësi arritëm përballë Knidës. Meqë kishim erën kundër, lundruam poshtë Kretës, përbri Salmonit. 8 Lundruam me shumë vështirësi përgjatë bregut dhe arritëm në një vend që quhej «Portet e Mira», pranë qytetit të Laseas.
9 Kishte kaluar shumë kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse kishte kaluar edhe koha e agjërimit të vjeshtës. Atëherë Pali i këshilloi 10 e u tha: «Burra, unë mendoj se lundrimi do të jetë i rrezikshëm e do të humbasim jo vetëm ngarkesën dhe anijen, por edhe jetët tona». 11 Por kryeqindësi dëgjoi timonierin dhe të zotin e anijes dhe nuk u vuri vesh fjalëve të Palit.
12 Meqë ai port nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica ishte e mendimit të largoheshin prej aty dhe mundësisht të arrinin në Fenikë, ku do të kalonin dimrin. Ky ishte një port i Kretës që shihte nga jugperëndimi dhe veriperëndimi.
Stuhia në det
13 Kur filloi të frynte një erë e lehtë, ata menduan se do t'ia arrinin qëllimit. Kështu ngritën spirancat e lundruan afër brigjeve të Kretës. 14 Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore që quhet Eurakilon. 15 Ajo e rrëmbeu anijen dhe ishte e pamundur të lundronim kundër erës. Nuk kishim ç'të bënim dhe e lamë erën të na hidhte sa andej-këtej.
16 Kur po kalonim poshtë një ishulli të vogël që quhet Kauda, me shumë vështirësi arritëm të kapnim varkën e shpëtimit. 17 Pasi e ngritën lart varkën e shpëtimit, përdorën litarë për ta lidhur anijen e për ta bërë më të fortë. Nga frika se mos ngecnin në rërë pranë Sirtit, hodhën spirancën pluskuese dhe e lanë anijen ta lëvizte era.
18 Meqenëse stuhia po na përplaste furishëm sa andej-këtej, të nesërmen hodhën në det ngarkesën, 19 ndërsa ditën e tretë hodhën në det me duart e tyre gjithë pajisjet e anijes. 20 Për shumë ditë nuk pamë as diell, as yje. Stuhia sa vinte e bëhej më e fortë dhe kështu na humbi çdo shpresë shpëtimi.
21 Pasi nuk kishin ngrënë për shumë kohë, Pali u ngrit e tha: «Burra, duhej të më kishit dëgjuar dhe të mos ishim nisur nga Kreta. Kështu do ta kishim shmangur këtë rrezik e këtë dëm. 22 Tani ju këshilloj që të mos ju lëshojë zemra, sepse asnjëri prej jush nuk do ta humbë jetën, por anija do të shkatërrohet.
23 Mbrëmë m'u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit i përkas dhe të cilin adhuroj 24 e më tha: “Mos ki frikë, o Pal! Ti duhet dalësh para Cezarit dhe prandaj Perëndia ua ka falur jetën të gjithëve atyre që po lundrojnë me ty”. 25 Kështu, merrni zemër, se unë kam besim në Perëndinë se do të bëhet ashtu siç më tha engjëlli. 26 Ne do të përfundojmë në një ishull».
27 Ishte nata e katërmbëdhjetë dhe, ndërsa po lundronim në detin Mesdhe , rreth mesnatës detarët menduan se po i afroheshin tokës. 28 Atëherë lëshuan matësin e thellësisë dhe panë se thellësia ishte rreth tridhjetë e shtatë metra. Pak më vonë e matën përsëri thellësinë dhe ajo ishte njëzet e tetë metra. 29 Nga frika se mos përplaseshim me ndonjë shkëmb, hodhën katër spiranca nga kiçi dhe uronin që të zbardhte sa më shpejt.
30 Detarët donin ta braktisnin anijen dhe kishin ulur varkën e shpëtimit në det, gjoja për të vënë spirancat në bash. 31 Pali i tha kryeqindësit dhe ushtarëve: «Nëse këta njerëz nuk qëndrojnë në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni». 32 Atëherë ushtarët i prenë litarët e varkës së shpëtimit dhe e lanë të binte në det.
33 Ndërsa prisnin që të zbardhte, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka e u tha: «Sot është dita e katërmbëdhjetë që prisni të uritur e pa ngrënë asgjë. 34 Prandaj po ju këshilloj të hani diçka nëse doni të jetoni. Askush nga ju nuk do të humbë as edhe një fije floku».
35 Pasi tha këto, mori bukën, falënderoi Perëndinë para të gjithëve, e theu dhe filloi të hante. 36 Atëherë të gjithë morën zemër e hëngrën. 37 Të gjithë bashkë bëheshim dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta. 38 Pasi u ngopën, e hodhën drithin në det dhe e lehtësuan anijen.
Mbytja e anijes
39 Kur zbardhi, panë tokë, por nuk e dinin ku ishin. Atëherë vunë re një gji me një breg ranor dhe aty donin ta nxirrnin anijen, po të mundnin. 40 Kështu shkëputën spirancat nga anija dhe i lanë të binin në det. Në të njëjtën kohë liruan litarët e timonëve. Pastaj ngritën velin ballor që ta kapte era dhe u drejtuan drejt bregut. 41 Por hasën në një cekëtinë dhe anija ngeci në rërë. Bashi u ngul në rërë, ndërsa kiçi po copëtohej nga forca e dallgëve.
42 Ushtarët menduan t'i vrisnin të burgosurit, që asnjeri nga ata të mos ikte me not, 43 por kryeqindësi, që donte të shpëtonte Palin, i ndaloi ta bënin këtë. Ata që mund të notonin, i urdhëroi të hidheshin nga anija e të shkonin drejt tokës, 44 ndërsa të tjerët të kapeshin pas ndonjë dërrase apo ndonjë cope të mbetur nga anija. Kështu të gjithë arritën shëndoshë e mirë në breg.
Krie e njëzeteshtatëtë
1 E si u apofasis të armenisjëm nevet për Itali, e ipnë Pavllonë edhe ca të tjerë të hapsosurë njëit Ekatondarhut që quhej Iulio, nga spira e Avgustit.
2 E si him ndë një karav nga Adhramiti, e dojëm të shkojëm ndëpër brinjë Asiënë, vam hapëtë. E ish me nevet Aristarhoi Maqedhoniti nga Seleniku.
3 E tjatërënë ditë zum ndë Sidhonë. E Iulioi e mirr Pavllonë njerëzisht, e i dha urdhër të vij ndë miq e të prëhej.
4 E si u ngrem ateje, armenism ndënë Qipro, sepse qenë erëratë kondrë.
5 E si shkuam detn’ e Qiliqisë, e të Pamfilisë, erdhm ndë Mira të Liqisë.
6 E Ekatondarhu si gjeti atje një karav Aleksandhrino që vij për Itali, na hodhi mbë të.
7 E mbë shumë dit, sepse armenism kadalë, mezi arrijtim përpara Knidhosë, e sepse na mbodhis navet era, armenism përbrinjë Kritit nga an’ e Sallmonit.
8 E mezi e shkuam atë, e erdhm ndë një vënd që thuhej Limane të Mira, mb’atë afër ish quteti Llasea.
9 E si pat shkuarë shumë kohë, e më nukë qe siguro t’armenisuritë, sepse pat shkuarë ahiere edhe agjërimi, Pavllua i mpson.
10 E u thosh ature: O njerëz, unë shoh që t’armenisuritë do të bënetë me dëm edhe me humbëjë të madhe jo vetëmë të barrësë e të karavit, po edhe të jetësë sonë.
11 Ma Ekatondarhu beson më tepër te zoti i karavit edhe te navkliroi, se mb’ato që thosh Pavllua.
12 E si nukë qe edhe limani i mirë për të dimëruarë, më të shumëtë bënë kshill të ngriheshim edhe ateje, e të vejëm ndë mundjëm ndë Finiq të dimërojëm, liman të Kritit që vështron mbë di erë, Livënë edhe Horonë.
13 E tek frin notia leh, e pandehnë se qe koha e ture, u ngrenë nga Asua, e shkoijnë afër Kritit.
14 E për një çikëzë herë dolli një erë kundreq Kritit me thëllim që thuhetë evroklidhon.
15 E na u rrëmbie karavi, e më s’mund të qëndron karshi erësë, e e lam e vejëm rrotullë.
16 E tek shkojëm ndënë një nisiet, që quhetë Kllavdhi, mezi mundm të marëm varkënë.
17 Për të ngrijturë të varkësë bënë ndihmëra, e ngjeshjëm karavnë me tërkuzë, se trëmbishnë të mos bijnë ndë kserë, e si zbritnë plëhurëtë, kështu armenisnë.
18 Ma si na rrahu furtuna nevet shumë, nesëret nism e derdhm gjënë.
19 E të tretënë ditë me duar tona e hodhm ndë det armatosin’ e karavit.
20 E për shumë dit as Dielli, as Ulltë dukishnë, e dimër i madh na vin sipër, e për këtë na ngrihej çdo omuth të shpëtojëm nevet.
21 E si kishnë shumë dit pa ngrënë, qëndroi Pavllua ndë mes të ture e thotë: O njerëz, duhej të digjojëtë mua, e të mos ngrihishtë nga Kriti, e të mos keshëtë hequrë këtë nakatosi e këtë dëm.
22 Po ndashti u mpsoj juvet të kini zëmërë të mirë, se do të mos humbasë ndonjë Shpirt nga ju, përveçe karavit.
23 Sepse m’u duk mua këtë natë Ëngjëll’ i Perndisë që jam, e që punoj.
24 E më tha: Mos u trëmb, o Pavllo, se duhetë të dalç ti përpara Qesarit. E ja, të dhëroi Perndia gjith’ ata që armenisjënë me tij.
25 Andaj bëni zëmërë të gëzuarë, o burra, sepse besoj te Perndia, që kështu do të jetë, sikundrë m’është thënë mua.
26 E do të biemë nevet mbë një nisi.
27 Ma si erdhi e katërmbëdhjeta natë, tek armenisjëm nevet ndë det të Adhriasë, ndë mes të natësë gjemëcitë mëndonishnë se u afëronej ature një vënd.
28 E si hodhë skandallë gjenë njëzet pash ujë. E si vanë më teje e hodhë pagjene skandallë, gjenë pesëmbëdhjetë pash.
29 E si trëmbishnë të mos bijnë ndë vënd t’ashprë, shtinë katër hekura, e lutejnë të bënej ditë.
30 E kur kërkoijnë Gjemëcitë të ikëjnë nga karavi, e shtinë varkënë ndë det me aformi sikur duajnë të shtijnë hekuratë nga prora.
31 I thotë Pavllua Ekatondarhut edhe trimavet: Ndë mos qëndrofçinë këta ndë karav, juvet nukë mundni të shpëtoni.
32 Atëherë trimatë prenë litarët’ e varkësë e e lanë atë të bij jashtë.
33 E ngjera sa nisi të bënej ditë, i paraqinis Pavllua të gjithë të haijnë bukë, e u thosh: Sot është e katërmbëdhjeta ditë që tuke priturë jini esëllë, pa vënë gjë ndë gojë.
34 E andaj u lutem juvet të mirri të hai, sepse këjo është për të shpëtuarë vetëhenë tuaj, se ndonjëit prej jush qime nga krietë do të mos pësojë gjë.
35 E si tha këto, mori bukë, e ju lut Perndisë përpara gjithëvet, e si e theu nisi të haij.
36 E si bënë të gjithë zëmërë të mirë, muarrë edhe ata të haijnë.
37 E jeshëm të gjithë ndë karav, diqind e shtatëdhjetë e gjashtë shpirt.
38 E si u ngosnë të ngrënë, e lehcoijnë karavnë tuke shtirë grurëtë ndë det.
39 E kur u bë ditë, vëndnë nuk’ e njihnë, po vijnë re një anë detit që kish një gji. E mb’atë u silloisnë ta shtijnë karavnë ndë mundnë.
40 E si hoqnë lart anguratë, e lijnë ndë det, e bashkë me këtë zgjidhnë edhe të lidhurat’ e temonit; e ngrijtinë artemonë sikundrë qe të frijturit’ e erësë, e vijnë prej anet së dheut.
41 Ma si ranë mbë një hundë që kish mbë të di anëtë det, e shtunë jashtë karavnë, e prora si u kumbis, mbeti e nukë tundej, ma primna ç(k)allëmonej nga të përpjekurat’ e tallazevet.
42 E trimatë bënë mushavere që të vritnë të hapsosuritë, se mos bjerë njeri mbë not e ikëjë.
43 Ma Ekatondarhu, si duaj të shpëton Pavllonë, i mbodhisi ata nga ajo mushavere, e dha urdhër që kush mund të bjerë mbë not, të hidhenë më protoparë e të dalënë mbë dhe.
44 E të tjerëtë i nxuarë ca mbi dhoga, e ca mbi ndonjë gjë nga të karavit, e kështu gjau të shpëtoijnë mbë dhe.