1 Çdo kryeprift merret nga njerëzit e caktohet t'i shërbejë Perëndisë në dobi të njerëzve. Ai kushton dhurata e fli për mëkatet. 2 Ai është në gjendje të ndiejë dhembshuri për të paditurit e të mashtruarit, sepse edhe ai është njeri i dobët. 3 Prandaj, atij i duhet të kushtojë fli jo vetëm për mëkatet e popullit, por edhe për të vetat. 4 Askush nuk e merr vetë këtë nder, por e merr kur thirret nga Perëndia, sikurse Aroni.
5 Kështu edhe Krishti nuk e mori vetë nderin për t'u bërë kryeprift, por ia dha Perëndia kur i tha:
ti je Biri im,
të kam lindur sot.
6 Po ashtu thotë:
ti do të jesh prift përjetë
sipas urdhrit të Melkisedekut.
7 Gjatë jetës së tij njerëzore, Jezui iu lut e iu përgjërua me klithma të forta e me lot atij që mund ta shpëtonte nga vdekja. Dhe Perëndia e dëgjoi për shkak të nënshtrimit të tij. 8 Ndonëse ishte Biri i Perëndisë, ai mësoi bindjen nga të gjitha ato që pësoi. 9 Pasi u bë i përsosur, ai u bë shkaktari i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden. 10 Perëndia e shpalli atë kryeprift sipas urdhrit të Melkisedekut.
Ushqimi i duhur shpirtëror
11 Lidhur me këtë, kemi shumë gjëra për t'ju thënë, por është vështirë t'jua shpjegojmë, se keni filluar të kuptoni me vështirësi . 12 Për nga koha që ka kaluar, duhej të ishit tashmë mësues, ndërsa ju ende keni nevojë t'ju mësojnë njohuritë fillestare të fjalëve të Perëndisë. Keni arritur deri aty, sa keni nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë. 13 Kush ushqehet me qumësht, është ende foshnjë dhe nuk ka përvojë për të dalluar të drejtën. 14 Ndërsa ushqimi i fortë është për të rriturit, për ata që nëpërmjet përvojës i kanë stërvitur shqisat për të dalluar të mirën nga e keqja.
Krie e pesëtë
1 Sepse çdo Arhieref që mirretë nga njerëzitë e vihetë (Arhieref) për të mirë të njerëzet mbë gjith’ ato punë që duhetë të bënenë mbanë Perndisë, që të bjerë dhurëtira, kurbane për faje.
2 Që mund të ketë simpathi mbë të padijturitë e mbë të pllanepsuritë, sikundr’ ësht’ edhe ai pështjellë me smundëjë.
3 E ndaje duhetë si për llaonë, kështu edhe për vetëhe të tij të bjerë kurban për faje.
4 E ndonjë të tillë nder nuk’ e merr nga vetiu, përveçme ai që thërritetë nga Perndia posi edhe Aaroni.
5 Kështu edhe Krishti nuk’ u nderua prej vetiut, me të bërë Arhieref, po (e nderoi) ai që i tha: Biri im je ti, unë sot të kam pjellë.
6 Sikundrë thotë edhe gjekët: Ti je Prift mbë gjithë jetë, sikundr’ është taksi i Melhisedhekut.
7 Ai (Krishti) ndë dit të kurmit së tij, si pat prurë të fala e të lutura me të thirrë të fortë e me lot mb’atë që mund ta shpëton atë nga vdekëja, e si u digjua për evllavi.
8 Ndonëse qe bir, mpsoi nga ato që pësoi të gjegjuritë.
9 E tuke sosurë u bë aformi shpëtimit së pasosurë mbë gjith’ ata që janë tek ai të digjuarë.
10 Sepse është thirrë nga Perndia Arhieref, sikundr’ është taksi i Melhisedhekut.
11 Për atë shumë punëra kemi për të thënë nevet, e të zahmeçime me të ksijisurë, sepse jini bërë të gurëtë ndë veshë.
12 Sepse tek dojëtë të jeshëtë dhaskalë sa për kohë, kini hri që t’u dhidhaksetë juvet përsëri cilatë janë stihitë e të nisurit së kuvëndevet së Perndisë; e jini të tillëtë që kini hri për qumështë, e jo për të ushqierë të shëndoshë.
13 Sespe ai që është mbë qumështë, nukë ka praks ndë fjalë të së drejtësë, sepse ai është foshnje.
14 Ma gjella e shëndoshë është për të tamamptitë, për ata që për të mpsuarë, kanë sitë të hapëta për të njohurë të mirënë e të ligënë.