Nëpërmjet Birit
1 Në të shkuarën, Perëndia u ka folur etërve tanë shpeshherë dhe në mënyra të ndryshme nëpërmjet profetëve, 2 ndërsa këto kohët e fundit na foli nëpërmjet Birit. Nëpërmjet tij Perëndia ka krijuar gjithësinë dhe atë e ka caktuar trashëgimtar të gjithçkaje. 3 Biri është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, shprehja e plotë e qenies së tij dhe ai që mban gjithçka me fuqinë e fjalës së tij.
Pasi na pastroi nga mëkatet, ai u ul në qiell në të djathtë të Perëndisë së madhërishëm. 4 Ai u bë më i madh se engjëjt, aq sa ç'ishte më madhështor emri që trashëgoi nga Perëndia.
Biri më lart se engjëjt
5 Dhe vërtet, Perëndia nuk i ka thënë kurrë ndonjë engjëlli:
ti je Biri im,
të kam lindur sot.
As nuk ka thënë për ndonjërin:
unë do të jem për të Atë
e ai do të jetë për mua Bir.
6 Kur Perëndia do të dërgonte në botë Birin e tij të parëlindur, tha:
le ta adhurojnë
të gjithë engjëjt e Perëndisë.
7 Ndërsa për engjëjt tha:
Perëndia i bën engjëjt e tij
si era
dhe shërbyesit e tij
si flaka e zjarrit.
8 Për Birin ka thënë:
froni yt, o Perëndi,
mbetet në shekuj të shekujve
dhe skeptri i drejtësisë
është skeptri i mbretërisë sate.
9 E ke dashur drejtësinë
dhe e ke urryer paudhësinë.
Prandaj, Perëndia yt, o Perëndi,
të vajosi mes shokëve të tu,
me vajin e gëzimit.
10 Ka thënë edhe:
ti, o Zot,
në fillim e themelove tokën
dhe vepër e duarve të tua
janë qiejt.
11 Ata do të zhduken,
ndërsa ti do të mbetesh.
Të gjithë do të vjetrohen si rrobë.
12 Do t'i mbështjellësh si petk
e do t'i ndërrosh si rrobë,
ndërsa ti do të mbetesh po ai
dhe vitet e tua nuk do të perëndojnë.
13 Perëndia nuk i tha kurrë ndonjë engjëlli:
ulu në të djathtën time,
derisa t'i vë armiqtë e tu
si shtrojë të këmbëve të tua.
14 A nuk janë, pra, të gjithë engjëjt shpirtra shërbestarë që Perëndia i ka dërguar për t'u shërbyer atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?
Krie e parë
1 Perndia që shumë herë e shumë lloish foli njëherë baballarëvet, me anë të Profitëvet, më pastaje ndë këto dit na foli nevet me anë të Birit.
2 Atij që e bëri klironomn’ e gjithë punëravet, që me anë t’atij bëri edhe jetëtë.
3 Ai sepse qe drit’ e nderit e haraktiri i së qënit së tij, si pruri të gjitha me fjalën’ e fuqisë tij, tuke bërë me vetëhe të tij të qëruaritë e fajevet sona, ndënji mb’anë të djathëtë të madhëcisë mbë të larta.
4 E u bë kaqë më i lartë nga ëngjëjtë, saqë mori mbë pjesë ëmër më të cgjedhurë nga ata.
5 Sepse mbë cilinë nga ëngjëjtë tha kurrë: Biri im je ti, unë sot të polla ti? E përsëri: Unë do t’i jem atij baba, e ai do të më jetë mua bir?
6 E përsëri, kur të kllasë bir’ e vetëmë ndë jetë, thotë: Le t’i falenë atij gjithë ëngjëjt’ e Perndisë.
7 E sa për ëngjëj pa thotë: Ai që bën ëngjëjt’ e tij shpirtëra, e punëtorët’ e tij flakë të zjarit.
8 E mbë të birë pa (thotë): Froni it, o Perndi, mbë jetë pas jetet; shkop i së drejtësë, shkopi i mbretërisë sate.
9 Ke dashurë të drejtënë e ke urrierë të paudhënë, pra andaj të ka hrisurë Perndia, Perndia ote me vaj të gëzimit mbi shokë të tua.
10 E ti, o Zot, që herën’ e parë e shtive themelinë e dheut, e punët’ e duarvet së tua janë Qielltë.
11 Ata do prishenë, ma ti mbete, e gjithë posi një rrobë do të vjetëronenë.
12 E posi një rrobë do të përmbëjedhç ata, e do të ndërronenë, po ti je ai vetëvetiut, e motetë e tua do të mos lipsenë.
13 E mbë cilinë nga ëngjëjtë tha kurrë: Rri mb’anë time të djathëtë, ngjera sa të vë armiqt’ e tu ndënë këmbë të tua?
14 Nukë janë të gjithë Shpirtëra të shërbesësë, që dërgonenë për të shërbierë, për ata që duanë të klironomisjënë sotirinë?