Kupat e zemërimit
1 Pastaj nga tempulli dëgjova një zë të lartë që u tha shtatë engjëjve: «Shkoni e derdhni në tokë shtatë kupat e zemërimit të Perëndisë».
2 Engjëlli i parë shkoi dhe derdhi kupën e tij në tokë. Atëherë një plagë e keqe dhe e dhimbshme i zuri njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin shëmbëlltyrën e saj.
3 Engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det dhe uji i detit u bë gjak si gjaku i të vdekurit dhe të gjitha gjallesat e detit ngordhën.
4 Engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenjtë e në burimet e ujërave dhe ato u bënë gjak. 5 Pastaj dëgjova engjëllin e ujërave që tha:
«I drejtë je ti, o i shenjtë, që je dhe që ishe,
sepse gjykove drejt.
6 Ata derdhën gjak të shenjtësh e profetësh
dhe ti gjak u dhe për të pirë,
se e meritonin».
7 Pastaj dëgjova një zë nga altari që tha:
«Po, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm,
të vërteta e të drejta janë gjykimet e tua».
8 Engjëlli i katërt e derdhi kupën e tij mbi diell, të cilit iu dha pushtet të djegë njerëzit me zjarr. 9 Njerëzit u dogjën nga nxehtësia e madhe dhe fyen emrin e Perëndisë që ka pushtetin mbi këto plagë, por nuk u penduan për t'i dhënë lavdi atij.
10 Engjëlli i pestë e derdhi kupën e tij mbi fronin e bishës. Atëherë mbretëria e saj u mbulua nga errësira dhe njerëzit kafshonin gjuhën nga dhimbja. 11 Ata fyen Perëndinë e qiellit për dhimbjet e plagët, por nuk u penduan për veprat e tyre.
12 Engjëlli i gjashtë e derdhi kupën e tij mbi lumin e madh të Eufratit. Ujërat e lumit u thanë për të përgatitur udhën për mbretërit që vijnë nga lindja e diellit. 13 Pastaj nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë pashë të dilnin tre shpirtra të këqij që ngjanin me bretkosa. 14 Ata janë shpirtra djajsh, që bëjnë shenja dhe janë nisur për të mbledhur mbretërit e gjithë botës për betejën e ditës së madhe të Perëndisë së gjithëpushtetshëm.
15 «Ja ku po vij si vjedhës! Lum ai që rri zgjuar e i ruan rrobat, që të mos ecë i zhveshur e të turpërohet në sytë e të gjithëve».
16 Shpirtrat i mblodhën njerëzit në vendin që hebraisht quhet «Armagedon».
17 Engjëlli i shtatë e derdhi kupën e tij në ajër. Nga froni i tempullit doli një zë i lartë që tha: «U krye!». 18 Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima dhe ra një tërmet i madh. Një tërmet i tillë nuk kishte rënë kurrë mbi tokë që nga krijimi i njeriut. Kaq i fortë qe tërmeti! 19 Qyteti i madh u nda në tri pjesë, ndërsa qytetet e kombeve ranë. Perëndisë iu kujtua Babilonia e madhe dhe i dha asaj kupën e verës së zemërimit të tij të tmerrshëm. 20 Ishujt lëvizën nga vendi, ndërsa malet nuk u panë më. 21 Nga qielli filluan të binin mbi njerëzit kokrra të mëdha breshri të fortë që peshonin secila rreth dyzet kilogramë. Njerëzit fyen Perëndinë për plagën e breshrit, se ajo plagë ishte shumë e rëndë.
Krie e gjashtëmbëdhjetëtë
1 E digjova një zë të madh nga naoi, që u thosh të shtatë ëngjëjet: Hajdeni, e derdhni kupat’ e zëmërimit së Perndisë mbë dhe.
2 E vate i pari e derdhi kupën’ e tij mbi dhe; e u bë plagë e keqe e e ligë mbë njerëz, që kishnë nishan’ e bishësë, e mb’ata u falë mbë konismë të saj.
3 E i diti ëngjëll derdhi kupën’ e tij ndë det, e u bë posi gjaku i së vdekurit; e gjithë sa kishnë shpirt që rroijnë ndë det psofisnë.
4 E ëngjëlli i treti e derdhi kupën’ e tij ndë lumëra e ndë kronjëra të ujëravet, e u bënë gjak.
5 E digjova ëngjëllin’ e ujëravet, që thosh: I drejtë je, o Zot, që je, e që jeshe Shënjt, sepse kështu gjukove.
6 Sepse kanë derdhurë gjakn’ e Shënjtorëvet e të profitet, e u dhe ature të pijnë gjak; sepse kështu u duhej.
7 E digjova një tjatër nga thisiastiri, që thosh: Me të vërtetë, o Zot fuqimadh, të vërteta e të drejta janë gjuqërat’ e tua.
8 E i katërti ëngjëll derdhi kupën’ e tij mbi diellinë; e ju dha atij të digj njerëzitë me të ngrohëtë e me zjar.
9 E njerëzitë vuloijnë për të ngrohëtë të shumë, e shajtinë ëmërin’ Perndisë, që ka urdhër mbi këto plagë; e shumë metanoisnë, që t’i ipnë atij lëvdim.
10 E ëngjëlli i pesëti derdhi kupën’ e tij mbi fron të bishësë, e u errëcua mbretëria e saj; e nga të dhëmburitë brijnë vetë gjuhën’ e ture.
11 E shajtinë Perndinë e qiellit nga aformí e të dhëmburavet së ture edhe nga plagët’ e ture; e nukë hoqnë dorë nga punërat’ e ture.
12 E i gjashtëti ëngjëll derdhi kupën’ e tij mbi lumën’ e madh Efratnë; e shtërpoi ujët’ e tij, që të bënetë gati udh’ e mbretëret që janë nga del dielli.
13 E paçë (të dilë) nga goja e dhrakonit, edhe nga goja e bishësë, edhe nga goja e profitit gënjeshtjar tre shpirtëra të pëgëra, që gjaijnë me bretëkosa.
14 Sepse janë shpirtëre të dhemonëvet që bëjënë çudira, e venë ndë mbretërë të dheut, e të gjithë diniasë, të mbëjedhënë ata për luftë të asaj ditësë madhe të Perndisë fuqimadhit.
15 (Ja, që u vij sikundrë vjen kusari; lum ai njeri që rri cgjuarë e ruan rrobat’ e tij, që të mos ecëjë cveshurë e t’i shohënë turpn’ e tij).
16 E i përmbëjodhi ata nd’atë vënd që thuhetë ndë gjuhë të Çifutet Armagjedhon.
17 E ëngjëlli i shtati derdhi kupën’ e tij ndë erë; e dolli një zë i madh nga naoi i qiellit, nga froni, e thosh: U bë.
18 E u bënë zënjëra, e gjëmime, e vetëtimëra. E gjau tërmet i madh, që nuk’ u bë i tilli që kur janë njerëzitë mbi dhe, kaqë tërmet i madh.
19 E quteti i madh u nda ndë tri copë, e qutetet’ e miletevet së tjera ranë mbë dhe, e u bë kujtim përpara Perndisë për Vavillonën’ e madhe, që t’i ipej asaj potiri i verësë s’urgjisë tij.
20 E nisitë iknë gjithë, e maletë nuk’ u gjëndnë.
21 E breshër i madh posi një tallanto ra nga qielli mbi njerëz; e njerëzitë shajtinë Perndinë për plagë të breshërit; sepse ish fort e madhe plaga e atij.