Kundër kurvërisë
1 Kudo dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që nuk e gjen as ndër kombe. Njëri nga ju ka marrë gruan e të atit 2 e ju më krekoseni. A nuk do të ishte më mirë të vajtonit, që të shporret nga ju ai që ka bërë një vepër të tillë? 3 Megjithëse unë nuk jam aty me trup, jam aty me shpirt dhe tashmë e kam gjykuar atë që e ka bërë këtë gjë, si të isha aty. 4 Kur të mblidheni në emër të Zotit tonë Jezu do të jem edhe unë shpirtërisht me ju dhe atëherë me fuqinë e Zotit tonë Jezu 5 dorëzojani atë njeri Satanit për t'i shkatërruar trupin, që t'i shpëtojë shpirti ditën e Zotit.
6 Nuk është mirë të mburreni! A nuk e dini se pak tharm mbrun gjithë brumin? 7 Pastrohuni nga tharmi i vjetër, që të bëheni brumë i ri, ashtu siç jeni pa tharm, sepse Krishti, Pashka jonë, është flijuar. 8 Të mos kremtojmë me tharmin e vjetër, me tharmin e së keqes e të ligësisë, por me bukët e ndorme të pastërtisë e të së vërtetës.
9 Në letër ju shkrova që të mos përziheni me kurvarë. 10 Nuk bëhet fjalë për të gjithë kurvarët e kësaj bote, as për lakmitarët, zhvatësit apo idhujtarët, se do të duhej të iknit nga bota, 11 por tani po ju shkruaj që të mos përziheni me ndonjë që e quan veten vëlla, por është kurvar, lakmitar, idhujtar, shpifës, pijanec, apo zhvatës. Mos hani me të! 12 Ç'punë kam unë të gjykoj ata që janë jashtë kishës? A nuk i gjykoni ju ata që janë brenda saj? 13 Ata që janë jashtë kishës i gjykon Perëndia. Zhdukeni ligësinë nga mesi juaj!
Krie e pesëtë
1 Më të pastajmenë digjonetë ndër ju një kurvëri, që e tillë kurvëri as ndë fili të tjera zihetë ngoje, kaqë që një mban gruan’ e jatit së tij.
2 E juvet jini perifanepsurë, tek dojëtë më shumë të qajëtë, që të ngrihetë nga mesi juaj ai që bëri të tillë punë?
3 E unë ndonëse jam si larg me kurm, po jam ati me Shpirt, ndashti e gjukova sikur jam ati, atë që guxoi të bën të tillë punë, kështu.
4 Mbëjedhurë juvet, edhe Shpirti im, mbë ëmër të Zotit sonë Iisu Hristoit, me fuqi të Zotit sonë Iisuit Krishtit,
5 Le të ipetë një i tilli nde Satanai për vdekëjë të kurmit, që të sosetë Shpirti tij ndë ditë të Zotit Iisuit.
6 Nuk’ është të mirë të mbajturitë tuaj mbë të madh. Nuk’ e diji që pakëzë brumë mbrun gjithë të mbrumënë?
7 Qëroni adha brumët’ e vjetërë, që të jini një e mbrujturë e re, sikundrë jini pa brumë, sepse Krishti inë i pashkësë u ther për nevet.
8 Pra andaj le të lusëmë të krëmptenë jo me brumë të vjetërë, as me brumë të së keqesë e së ligësë, po me të ndorme të së qëruarësë e të së vërtetësë.
9 U shkrova juvet ndë kartë të mos përzihi me kurvjarë.
10 E nuk’ u thom që të mos përzihi fareseje me kurvjarë të kësaj jetet, a me tamahqarë, a me rrëmbeës, a me Idhollollatrë, se të qe ndrishe dojëtë pajetërë të dalëtë jashtë nga këjo jetë.
11 Po u shkrova juvet ndashti të mos përzihi ndë qoftë ndonjë që të quhetë vëlla, e është ja kurvjar, ja tamahqar, ja Idhollollatr, ja fjalëlig, ja i dejturë, ja rrëmbeës; me të tillinë as të mos hai bashkë me të.
12 Sepse ç’borç kam unë që të gjukoj ata që janë jashtë? Nukë gjukoni juvet për ata që janë brënda?
13 Sepse ata që janë jashtë do t’i gjukojë Perndia. Nxiri jasht’ adha të lignë nga mesi juaj.