Cilësitë e peshkopëve
1 Kjo fjalë është e besueshme: nëse dikush kërkon të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë.
2 Peshkopi duhet të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje, i kthjellët, i matur, i sjellshëm, mikpritës, mësues i zoti, 3 jo pijanec, jo i dhunshëm , por i durueshëm, jo grindavec, jo lakmitar parash. 4 Ai duhet ta drejtojë mirë shtëpinë e vet e t'i ketë fëmijët të bindur e shumë të sjellshëm. 5 Nëse dikush nuk di sesi të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? 6 Peshkopi të mos jetë i ri në besim, që të mos i rritet mendja e të mos bjerë në të njëjtin dënim me djallin. 7 Ai duhet të gëzojë edhe respektin e atyre që janë jashtë kishës, që të mos përgojohet e të bjerë në kurthin e djallit.
Cilësitë e dhjakëve
8 Po ashtu edhe dhjakët duhet të jenë të denjë, jo me dy fytyra , jo të dhënë pas verës së tepërt, as lakmitarë fitimesh të pandershme. 9 Ata duhet ta mbajnë me ndërgjegje të pastër të fshehtën e besimit. 10 Këta le të vihen më parë në provë, pastaj nëse janë të paqortueshëm, le të shërbejnë. 11 Po ashtu gratë e tyre të jenë me dinjitet, të mos shpifin, të jenë të përmbajtura e besnike në gjithçka. 12 Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje, t'i drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre. 13 Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën fitojnë një emër të mirë për veten dhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jezu.
E fshehta e besimit
14 Këto gjëra po t'i shkruaj me shpresë se do të vij te ti së shpejti, 15 por nëse vonohem, të dish sesi duhet të sillet njeriu në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i së vërtetës. 16 Pa dyshim, e madhe është e fshehta e besimit:
Perëndia u shfaq në trup njerëzor,
u shpall i drejtë nga Shpirti,
u pa nga engjëjt,
u predikua mes kombeve,
u besua në botë,
u ngrit në lavdi.
Krie e tretë
1 Fjala është’ e vërtetë. Ndë do njeri Piskopnë, të mirë punë dëshëron.
2 Duhetë adha që Piskopi të jetë i pasharë, burrë i një gruasë, i cgjuarë, i esëlltë, i ujturë, i nderçurë, miku i së huajet, i zoti të dhidhaksjë.
3 Të mos jetë dhënë ndë verë, jo rrahës, të mos dojë të fituarit’ e lig, po të jetë i butë, pa gricmë, të mos jetë lakëmeës.
4 Të qivernisjë mirë shtëpin’ e tij, të ketë djelmt’ e tij ndënë vetëhe, me çdofarë urtëcie.
5 (Ndë mos dijtitë ndonjë të qivernisjë shtëpin’ e tij, qish do të ketë silloi për qishë të Perndisë)?
6 Të mos jetë i katiqisurë i ri, se mos mburretë, e bjerë ndë dëm të së paudhit.
7 E duhetë që të ketë ai edhe martiri të mirë nga të jashtësmitë, që të mos bjerë ndë dhunë, e ndë dhokan të së paudhit.
8 Ashtu duhetë të jenë edhe dhiakonët’ e tij, të nderçurë, jo me di faqe ndër fjalë, të mos kenë mëntë ndë shumë verë, të mos jenë dhënë ndë fitim të lig.
9 Të kenë mistir’ e besësë ndë fiqir të mirë.
10 Këta le të dhoqimasenë përpara, pra pastaje le të shërbejënë, ndë qofinë të pasharë.
11 Ashtu edhe gratë duhetë të jenë të nderçura, jo kallëzesha, t’esëlla, të besuara ndë çdofarë punë.
12 Dhiakonëtë të kenë marrë një grua vetëmë, e të qivernisjënë mirë djelmt’ e ture edhe shtëpit’ e ture.
13 Sepse ata që qivernisjënë mirë punën’ e ture, poktisjënë ndë vetëhe të ture një shkallë të nderçurë e një tharos të madh ndë besë të Krishtit Iisuit.
14 Të shkruaj këto punëra tij, se kam shpëresë të vij shpejt tek ti.
15 E ndë mënofça unë, të diç qish të rroç ndë shtëpi të Perndisë, që është qishë e Perndisë gjallë, kollonë e t’akumbisuritë të së vërtetësë.
16 E me të vërtetë pajetërë i madh është mistiri i besësë. Perndia u çfaq ndë kurm, u gjukua me anë të Shpirtit, u njoh nga Ëngjëjtë, u qiriks ndë filira të tjera, u besua ndë botë, hipi lart mbë nder.