Trazirë në Selanik
1 Sila e Pali, pasi kaluan nëpër Amfipojë e Apoloni, arritën në Selanik, ku gjendej një sinagogë e judenjve. 2 Pali hyri brenda, sikurse e kishte zakon, dhe për tri të shtuna u mësonte Shkrimet, 3 u shpjegonte e u provonte se Krishti duhej të vuante e të ngjallej prej të vdekurve. Ai u tha: «Ky Krisht, të cilin po jua shpall juve, është Jezui». 4 Disa prej tyre u bindën e shkuan pas Palit e Silës, sikurse edhe shumë helenë që ishin kthyer në besimin e judenjve dhe disa gra nga shtresat e larta.
5 Por judenjtë të nxitur nga smira, mblodhën disa njerëz të mbrapshtë nga ata që endeshin nëpër treg dhe pasi u bënë turmë, shkaktuan trazira në qytet. Ata sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe po kërkonin të gjenin Palin e Silën për t'i nxjerrë para popullit. 6 Pasi nuk i gjetën, e tërhoqën zvarrë Jasonin bashkë me disa vëllezër dhe i nxorën para krerëve të qytetit duke bërtitur: «Ata që kanë bërë rrëmujë gjithë botën kanë ardhur edhe këtu 7 e Jasoni i ka strehuar. Të gjithë këta veprojnë në kundërshtim me urdhrat e Cezarit e thonë se mbret na qenka tjetërkush, Jezui».
8 Kështu, me këto fjalë, i acaruan turmën dhe krerët e qytetit që po dëgjonin. 9 Krerët, pasi morën prej Jasonit e të tjerëve para si dorëzani, i lanë të shkonin.
Apostujt në Berea
10 Atë natë vëllezërit i nisën Palin e Silën në Berea. Kur arritën atje, shkuan në sinagogën e judenjve. 11 Këta judenj ishin më fisnikë se ata të Selanikut dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe. Çdo ditë shqyrtonin Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin kështu. 12 Prandaj shumë prej tyre besuan bashkë me disa gra helene fisnike, si dhe shumë burra.
13 Por kur judenjtë e Selanikut morën vesh se Pali e kishte predikuar fjalën e Perëndisë edhe në Berea, erdhën deri aty që të nxisnin turmat e të bënin rrëmujë.
14 Atëherë vëllezërit e nisën Palin në drejtim të detit, ndërsa Sila e Timoteu mbetën aty. 15 Ata që e shoqëruan Palin, e çuan deri në Athinë e pastaj u kthyen të porositur prej tij që Sila e Timoteu të shkonin tek ai sa më parë.
Pali në Athinë
16 Ndërsa po i priste në Athinë, Pali u mërzit shumë kur pa se qyteti ishte plot me idhuj. 17 Ai diskutonte në sinagogë me judenjtë dhe me të kthyerit në besimin e judenjve dhe çdo ditë fliste në sheshin e tregut me ata që ndodheshin aty. 18 Disa filozofë epikurianë e stoikë po diskutonin me të.
Disa thanë: «Çfarë po përpiqet të na thotë ky fjalaman?». Disa të tjerë thanë: «Duket se është lajmëtar hyjnish të huaja». Këtë e thanë sepse ai po predikonte ungjillin e Jezuit dhe ngjalljen.
19 Atëherë e morën, e çuan në Areopag dhe e pyetën: «A mund ta dimë çfarë është ky mësim i ri për të cilin po flet? 20 Na tingëllojnë si gjëra të çuditshme, prandaj dëshirojmë të dimë ç'kuptim kanë ato».
21 Në të vërtetë, të gjithë athinasit e të huajt që jetonin aty, nuk e kalonin kohën ndryshe veçse duke treguar apo duke dëgjuar ndonjë të re. 22 Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha: «Athinas, unë po shoh se jeni njerëz shumë fetarë në gjithçka. 23 Duke ecur nëpër qytet e duke parë me vëmendje vendet e shenjta ku ju adhuroni, gjeta edhe një altar me mbishkrimin: “Perëndisë së panjohur”. Atë që ju e adhuroni si të panjohur, unë po jua shpall. 24 Perëndia që bëri botën dhe gjithçka gjendet në të, ai që është Zoti i qiellit e i tokës, nuk banon në tempuj të ndërtuar me duart e njerëzve. 25 Meqenëse ai vetë u jep njerëzve jetë, frymë e gjithçka, nuk pret t'i shërbejnë njerëzit, a thua se ka nevojë për ndonjë gjë. 26 Prej një njeriu të vetëm Perëndia i bëri të gjitha kombet që e mbushin tokën dhe u ka caktuar kohët e kufijtë e vendit ku duhet të banojnë. 27 Ai deshi që njerëzit ta kërkojnë e të përpiqen ta gjejnë duke kërkuar si në terr, ndonëse ai nuk është larg secilit prej nesh.
28 “Në të jetojmë, lëvizim e jemi,
sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj,
se edhe ne jemi bijtë e tij”.
29 E meqë jemi bijtë e Perëndisë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia është e ngjashme me arin, argjendin apo gurin, të punuar nga mjeshtëria dhe aftësia e njerëzve. 30 Por Perëndia nuk i mori parasysh kohët e padijes njerëzore, veçse tani i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo që janë, të pendohen, 31 sepse e ka caktuar ditën kur do të gjykojë me drejtësi botën përmes njeriut që po ai e ka caktuar. Dhe këtë e ka provuar duke e ngjallur atë prej të vdekurve».
32 Kur dëgjuan për ngjalljen e të vdekurve, disa filluan të talleshin, ndërsa të tjerët thanë: «Për këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër». 33 Atëherë Pali u largua prej tyre. 34 Por disa nga ata shkuan pas tij dhe besuan në Perëndinë. Ndër këta ishin Dionis Areopagiti, një grua me emrin Damara, si edhe disa të tjerë.
Krie e shtatëmbëdhjetëtë
1 E si shkuanë ndëpër Amfipoli e ndëpër Apolloni, erdhë ndë Selenik, tek qe sinagoji i Çifutet.
2 E sikundrë kish adetnë Pavllua vate mb’ata, e për tri të shëtuna kuvëndon me ata mbi kartëra.
3 E ua hap e ua dëfton se duhej të pëson Krishti, e të ngjallej nga të vdekuritë, edhe se kij është Hristoi Iisui, që unë rrëfej mbë juvet.
4 E ca prej suresh besuanë, e u bashkuanë me Pavllonë edhe me Sillënë, si edhe një turm’ e madhe prej Elinëvet që besuanë, edhe jo pak gra nga të paratë.
5 Ma çifutë që nukë besoijnë zilepsnë, e muarrë ca njerëz nga të pazarit të këqinj, e bënë turmë, e nakatosnë qutetnë. E si vanë ndë shtëpi të Iasonit, kërkoijnë t’i nxirë ata ndë llao.
6 E si nuk’ i gjenë ata, zbranisnë Iasonë edhe ca vëllazër të tjerë e i shpunë ndë të parët’ e qutetitë tuke thirrturë, se ata që trazuanë gjithë botënë, erdhë edhe këtu.
7 E këta i priti mbë shtëpi Iasoni. E ata të gjithë ecëjënë kondrë porsivet së Qesarit, e thonë, se është një tjatër mbret Iisu.
8 E të parët’ e qutetit edhe turma u nakatosnë si digjuanë këto.
9 E si u bënë hoshnuk nga Iasoni, edhe nga të tjerëtë, i lëshuanë ata.
10 E vëllazëritë sakaqëherë i përcuallë Pavllonë edhe Sillënë natënë për Verjë. E këta poqë arrijtinë atje, vanë ndë sinaguaj të çifutet.
11 Këta qenë më të mirë se ata çifut e Selenikut, e e dheksnë fjalënë me shumë të shpejtë, e ngaditë ksetaksnë ndë kartëra nd’është puna kështu.
12 E shumë nga ata besuanë, e nga gratë bujëresha Elinetë, edhe nga burratë jo pak.
13 E si kupëtuanë çifut’ e Selenikut se edhe ndë Verjë u qiriks fjal’ e Perndisë nga Pavllua, van’ edhe atje, që të nakatosnë botënë.
14 E sakaqëher’ ahiere vëllazëritë dërguanë Pavllonë të vij ngjera mbë det. E mbetnë atje Silla edhe Timotheoi.
15 E ata që përcillë Pavllonë, e shpunë atë ngjera mb’Athinë. E si muarrë porsi prej si për Sillënë edhe për Timotheonë, që të vijnë shpejt tek ai, shkuanë e iknë.
16 E tek i prit ata Pavllua nd’Athinë, ju idhërua Shpirt’ i tij brënda, sepse shih qutetnë që ish plot me Idhollë.
17 E kuvëndon ndë Sinaguaj me çifut e me ata që besuanë, edhe ndë pazar ngaditë me ata që piqej.
18 E ca fillosofë nga t’Epikurit edhe nga Stoikotë zihishnë me të. E ca thoshnë: Ç’domethënë kij fjalëtuar? E ca pa: Ai duketë të jetë rrëfeës Perndivet së tjera; sepse u rrëfen ature Iisunë, edhe të ngjallturitë.
19 E si e muarrë atë, e shpunë nd’Ariopago, e i thoshnë: Mundjëmë të njohëmë ç’është këjo dhidhahi e re që dhidhaks ti?
20 Sepse tij ca punëra të ra na gjëmon ndë veshë tona. Duamë dha të dimë ç’do të jenë këto?
21 (Sepse Athinjotë edhe të huajtë që rrijnë atje nukë vështroijnë tjetër punë, po të thoshnë a të digjoijnë ndonjë të re).
22 E si qëndroi Pavllua mbë këmbë ndë mes t’Ariopagosë, u tha: O Athinjot, unë juvet u shoh që jeni më shumë se duhetë të besësë ndë gjithë punëra.
23 Sepse tek shkova, e paçë të falatë tuaj, gjeçë edhe një Vomo, që qe mbi të shkruarë: E Perndisë që z’dimë. Atë dha që i fali pa dijturë, këtë ua dëftoj unë juvet.
24 Perndia që bëri botënë, edhe sa janë mbë të, kij, sepse është Zoti i Qiellit edhe i Dheut, nukë rri ndë naora që bënenë me duar.
25 As shërbenetë prej duarvet së njerëzet, se s’ësht’ ihtjaç për ndonjë punë. Ajo ep ndë të gjithë jetënë, edhe frimënë edhe gjithë të tjeratë.
26 E bëri nga një gjak gjithë filit’ e njerëzet të rrinë mbi gjithë faqe të Dheut, e u dhiorisi kohëra me taks, edhe sinoretë të ndënjuravet së ture.
27 E të kërkojnë Zotnë, nd’është sikur ta zijnë me dorë, e ta gjejnë, ndonëse nuk’ është mërguarë ai prej cilitdo nga nesh.
28 Sepse mb’atë rrojëmë, edhe tundemi, edhe jemi, sikundrë thanë edhe ca piititë tuaj, se navet jemi fili prej atij.
29 Sepse jemi adha fili nga Perndia, nukë duhetë të silloisemi se të qënët’ e Perndisë ka të gjarë me ar, a me ergjënd, a me gur të peleqisurë nga zanati a nga mëndia e njeriut.
30 Sepse bëri Perndia sikur nukë pa kohët’ e së padijturit, ndashti porsit gjithë njerëzitë ndë çdo vënd të bëjënë metani.
31 Sepse ka urdhëruarë një ditë, që mb’atë do të gjukojë gjithë dinianë me të drejtë, me anë të njëit njeriut që është vënë prej si, e këtë e veveosi mbë gjithë kur e ngjalli atë nga të të vdekuritë.
32 E si digjuanë të ngjallturit’ e së vdekuret, ca përqeshnë, e ca pa thoshnë: Duamë të ndiejmë edhe një herë për këtë punë.
33 E kështu Pavllua iku nga mes’ i ture.
34 E ca njerëz pa, si u kolisnë me të bashkë, besuanë. Prej suresh, një qe edhe Dhionisioi Areopagjiti, edhe një grua që quhej Dhamare, edhe të tjerë me ata bashkë.