Përshëndetje
1 Unë Pali, që përmes vullnetit të Perëndisë jam apostull i Krishtit Jezu për të predikuar jetën e premtuar, që është në Krishtin Jezu, 2 po i shkruaj Timoteut, birit tim të dashur: hiri, mëshira e paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, Zoti ynë, qofshin me ty!
Besnikëria ndaj ungjillit
3 Falënderoj Perëndinë që e adhuroj me ndërgjegje të pastër si të parët e mi ndërsa të kujtoj ty pa pushim në lutjet e mia natë e ditë. 4 Kur kujtoj lotët e tu, kam shumë dëshirë të të shoh, që të mbushem me gëzim. 5 Më kujtohet besimi yt i sinqertë, që përpara teje e kishte Loida, gjyshja jote, dhe Eunika, nëna jote. Jam i bindur se këtë besim e ke edhe ti. 6 Për këtë arsye po të kujtoj ta mbash gjallë dhuntinë që Perëndia të dha përmes vënies së duarve të mia. 7 Perëndia nuk na dha shpirtin e frikës, por të fuqisë, të dashurisë e të maturisë.
8 Prandaj mos ki turp as nga dëshmia për Zotin tonë, as nga unë, i burgosuri i tij, por vuaj bashkë me mua për ungjillin, i mbështetur në fuqinë e Perëndisë.
9 Perëndia na shpëtoi
e na thirri me një thirrje të shenjtë,
jo sipas veprave tona,
por sipas qëllimit të tij
e hirit që na u dha përmes Krishtit Jezu
përpara fillimit të kohëve.
10 Ky hir u bë i dukshëm tani
përmes ardhjes së shpëtimtarit tonë,
Krishtit Jezu,
i cili e shfuqizoi vdekjen
dhe nxori në dritë
jetën e pavdekësinë përmes ungjillit.
11 Për këtë ungjill unë u caktova predikues, apostull e mësues . 12 Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, se e di kujt i kam besuar e jam i bindur se ai është i aftë ta ruajë thesarin që më ka besuar, deri në atë ditë.
13 Ndiqe shembullin e mësimit të drejtë, që dëgjove prej meje, me besimin e me dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu.
14 Ruaje thesarin e mirë me ndihmën e Shpirtit të shenjtë që banon në ne.
15 Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më braktisën, ndër ta edhe Figeli e Hermogjeni.
16 Zoti tregoftë mëshirë për shtëpinë e Onesiforit, se më ngushëlloi shpesh e nuk pati turp nga prangat e mia. 17 Madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me ngulm e më gjeti. 18 Dhëntë Zoti që ai të gjejë mëshirë prej Zotit atë ditë. Ti e di shumë mirë sesa më shërbeu ai në Efes.
Krie e parë
1 Pavllua Apostolli i Iisu Hristoit me thelimë të Perndisë, sikundrë ish të taksuritë e jetësë që është mbë Iisu Hristonë.
2 Mbë Timotheonë djalën’ e dashurë, dhurëti, ndëjesë, paq nga Perndia Babai, e nga Krishti Iisui Zoti inë.
3 Lëvdoj Perndinë që llatreps që nga përint’ e mi të parëtë me fiqir të qëruarë, që të kujtoj tij ndë të fala të mia kurdo nat’ e ditë.
4 Kam mall që të të shoh ti, sepse kujtonem lot’ e tua, që të mbushem me gëzim.
5 Tuke kujtuarë besënë tënde të pagënjeshtrë, që pat qënë përpara ndë gjushenë tënde Lloidhënë, e ndë mëmënë tënde Evnikënë, e di me të vërteta që është edhe tek ti.
6 Pra andaj të kujtoj ti të bëç të ngjalletë dhurëtia e Perndisë që është tek ti me anë të vënit duart’ e mia.
7 Sepse nukë na ka dhënë nevet Perndia një Shpirt të frikësë, po (Shpirt) të fuqisë, e të dashurisë, e të urtëcisë.
8 Të mos duaç adha të të vijë turp për martiri të Zotit sonë, as për mua të lidhurinë për të, po tij kij pjesë ndë mundim t’Ungjillit sa është fuqi e Perndisë.
9 Që na ka lefterosurë nevet, e na ka thirrë me të thirrë të Shënjtëruarë, jo për punë tona, po sikundrë qe kshilli i tij, e sikundrë qe dhurëtia që na u dha nevet, me anë të Krishtit Iisuit pa dhe nisurë jetëtë.
10 E që u çfaq ndashti me të dashuritë të Iisu Hristoit, që na shpëtoi nevet, t’atij që prishi edhe vdekëjënë, edhe dëftoi jetënë, e të pavdekuritë me anë t’Ungjillit.
11 Për atë jam bërë unë dhidhaho, e Apostoll, e Dhaskal gjithë filivet.
12 Edhe për atë aformi pësoj unë këto punëra, po nukë më vjen turp, sepse e njoh mbi cilinë kam vënë tharosnë, e jam veveosurë që ai ësht’ i fortë që të ruajë amanetnë tim ngjera mb’atë ditë.
13 Mba ksomblën’ e fjalëvet së shëndosha, që qe digjuarë nga meje, me besë e me dashuri që është mbë Hristo Iisunë.
14 Ruaj amanetnë mirë me anë të Shënjtit Shpirt, që rri ndër juvet.
15 Ti e di që më lanë mua gjith’ ata që janë nd’Asi. Prej asuresh është Figjelloi edhe Ermogjeni.
16 Le të bëjë Zoti ndëjesë ndë fëmijë të Onisiforit, sepse shumë herë më kanë prëjturë, e nuk’ i ka ardhurë turp për zinçire të mia.
17 Po si erdhi ndë Rom me të shpejtë më kërkoi e më gjeti.
18 Zoti i dhashtë atij të gjejë ndëjesë mbanë Zotit mb’atë ditë. E sa punëra bëri për mua nd’Efeso ti i di fort mirë.