Shpëtimi i madh
1 Prandaj duhet të tregojmë më shumë kujdes për gjërat që kemi dëgjuar, që të mos dalim nga udha. 2 Nëse fjala që u tha nëpërmjet engjëjve, u vërtetua dhe çdo shkelje e mosbindje ndaj saj mori ndëshkimin e drejtë, 3 si do të shpëtojmë po të lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Këtë shpëtim në fillim e shpalli Zoti dhe më pas na e vërtetuan ata që e dëgjuan. 4 Për të dëshmoi edhe vetë Perëndia me anë shenjash e mrekullish dhe me dhuratat e Shpirtit të shenjtë, të ndara sipas vullnetit të tij.
Prijësi drejt shpëtimit
5 Perëndia nuk e vuri nën pushtetin e engjëjve botën e ardhshme për të cilën po flasim. 6 Diku dëshmohet:
ç'është njeriu,
që të kujtohesh për të?
Ç'është biri i njeriut,
që të kujdesesh për të?
7 Për pak kohë
e bëre më të vogël se engjëjt
dhe e kurorëzove me lavdi
e me nder .
8 Gjithçka e nënshtrove nën këmbët e tij.
Kur i nënshtroi gjithçka, nuk la asgjë pa i nënshtruar. Por tani ne ende nuk e shohim që gjithçka i është nënshtruar atij. 9 Jezuin, që për pak kohë u bë më i vogël se engjëjt, tani e shohim të kurorëzuar me lavdi e me nder për shkak të vdekjes së tij. Kështu, me hirin e Perëndisë, ai provoi vdekjen për të gjithë njerëzit.
10 Perëndia, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha gjërat, çoi shumë bij drejt lavdisë. Ai, pra, duhej ta bënte të përsosur kreun e shpëtimit të tyre nëpërmjet vuajtjeve. 11 Meqenëse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë nga i njëjti Atë, Jezuit nuk i vjen turp t'i quajë vëllezër 12 kur thotë:
emrin tënd
do t'ua tregoj vëllezërve të mi
e do të thur himne për ty
në mes të kishës.
13 Thotë edhe:
unë do të kem besim tek ai,
si dhe:
ja unë dhe bijtë që më dha Perëndia.
14 Meqenëse bijtë janë njerëz prej gjaku e mishi, atëherë Jezui mori të njëjtin trup njerëzor si ata, që nëpërmjet vdekjes të shkatërronte atë që kishte pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, 15 dhe të çlironte të gjithë ata që, nga frika e vdekjes, i ishin nënshtruar për gjithë jetën skllavërisë.
16 Duket qartë se ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por pasardhësve të Abrahamit. 17 Prandaj, ai duhej t'u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të bëhej i mëshirshëm dhe kryeprift besnik në shërbim të Perëndisë dhe kështu të shlyente mëkatet e popullit. 18 Meqenëse edhe ai vetë vuajti e u tundua, mund të ndihmojë edhe ata që tundohen.
Krie e ditë
1 Andaje duhetë nevet kaqë më tepërë të vëmë veshnë mbë punëra që u digjuanë, mos ndodhetë e biemë nga të shkajturitë.
2 Sepse nd’është që fjala që u tha me anë të ëngjëjet qe e paluajturë, e çdo paravas, e çdo të padigjuarë mori pagënë që i duhej.
3 Qish do të shpëtojëmë nevet ndë mos silloiçim gjë për një kaqë të madhe sotiri? Që ajo nisi të rrëfenej nga Zoti, e na u veveos nevet nga ata që e digjuanë me veshë.
4 Sepse martiris Perndia me çuditë e me nishane, e me shumë lloi thavmëra, e me të ndarë të (dhurëtivet) të Shënjtit Shpirt, sikundr’ është thelim’ e tij.
5 Sepse nuk’ e vuri ndënë këmbë t’ëngjëjet Perndia jetënë që vjen, atë që flasëmë për të.
6 Edhe dicili e martirisi ndë një vënd, e tha: Ç’është njeriu, që ta kujtoç atë, a biri i njeriut, që vete ta shohç atë?
7 E ke vogëluarë atë pakëzë gjë nga ëngjëjtë, e ke koroniasurë me lëvdim e me nder, e e ke vënë atë sipër mbë gjithë punëra të tua.
8 Gjithë punëratë ja ke vënë ndënë këmbë të tij, sepse si ja vuri atij të gjitha ndënë këmbë, nukë la ndonjë farë kafshë pa vënë ndënë këmbë të tij. Po ndashti nuk’ i shohmë edhe të gjitha të bindura ndënë këmbë të tij.
9 Me atë Iisunë që qe pakëzë vogëluarë nga ëngjëjtë, për të pësuarë të vdekëjësë, e shohëmë koroniasurë me lëvdim e me nder, që për dhurëti të Perndisë të dhoqimasjë vdekëjënë për gjithë.
10 Sepse kish hie mbë të, që për atë (janë) gjithë punëtë, e me anë t’atij u bënë gjithë punëtë, ai që pru shumë bij ndë nder të teliosej me anë të pësimevet, udhëtori i sotirisë ture.
11 Sepse ai që Shënjtëron, edhe ata që Shënjtëronenë (janë) gjithë nga një punë vetëmë. Andaj nukë ka turp t’i quajë ata vëllazër.
12 Tuke thënë: Do të rrëfej ëmërinë tënd ndë mes të vëllazëret së mi, do të të këndoj lëvdim ti ndë mes të qishësë.
13 E përsëri: Unë do të kem tharos mbë të. E përsëri pa: Ja tek jam unë edhe djelmt’ e mi që më dha Perndia.
14 Sepse djelmtë e kanë bashkë kurmnë edhe gjaknë, edhe ai mori pjesë nga të tilatë si edhe ata, që me anë të vdekëjësë, të prishte atë që kish mbretërin’ e vdekëjësë, domethënë djallinë.
15 E që të shpëton këta, sa qenë për frikë të vdekëjësë ndë skllavi për gjithë jetë të ture.
16 Sepse nukë zihetë prej ëngjëjet, po zihetë prej farësë Avraamit.
17 Pra andaj duhej të gjan mbë të gjitha me vëllazër, që të bënej Arhieref lejmonjar, e i besësë mbanë Perndisë, që të qërojë fajet’ e llaoit.
18 Sepse mb’atë që besoi ai kur u piraks, mund t’u ndihjë ature që piraksenë.