Punëtorët e vreshtit
1 «Mbretëria e qiejve është si i zoti i shtëpisë që doli në mëngjes herët për të gjetur punëtorë për vreshtin e vet. 2 Pasi u mor vesh me punëtorët që t'i paguante për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. 3 Kur doli rreth orës nëntë , pa disa të tjerë që po rrinin pa punë te tregu 4 e u tha: “Shkoni edhe ju në vresht e do t'ju jap aq sa është e drejtë”. 5 Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës dymbëdhjetë e rreth orës tre. 6 Doli edhe rreth orës pesë, gjeti të tjerë që po rrinin e u tha: “Përse rrini kot këtu gjithë ditën?”. 7 Ata i thanë: “Sepse askush nuk na ka marrë në punë”. Ai u tha: “Shkoni edhe ju në vresht ”. 8 Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha nëpunësit të tij: “Thirri punëtorët e jepu shpërblimin, duke filluar nga i fundit e deri te i pari”. 9 Kur erdhën ata që kishte thirrur rreth orës pesë, secili prej tyre mori nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, mendonin se do të merrnin më shumë, por edhe secili prej tyre mori nga një denar. 11 Kur e morën, iu ankuan të zotit të shtëpisë 12 e i thanë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe i pagove aq sa ne që kemi duruar mundin e ditës e të nxehtin”. 13 Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: “Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk u morëm vesh për një denar? 14 Merr atë që të takon e shko. Unë do t'i jap këtij të fundit sa ty. 15 A nuk më lejohet mua të bëj ç'të dua me gjënë time? Apo ke zili që jam i mirë?”.
16 Kështu, të fundit do të jenë të parët dhe të parët do të jenë të fundit ».
Paralajmërimi sërish i Pashkës
(Mk 10.32-34Lk 18.31-34)17 Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha: 18 «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 do t'ua dorëzojnë kombeve që ta tallin, ta fshikullojnë e ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet».
Mbretërimi si shërbim
(Mk 10.35-45)20 Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka. 21 Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde». 22 Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë ?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi». 23 Jezui u tha: «Kupën time do ta pini , por që të uleni në të djathtën e në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im». 24 Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit. 25 Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se krerët e kombeve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta. 26 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj 27 dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».
Shërimi i dy të verbërve
(Mk 10.46-52Lk 18.35-43)29 Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe. 30 Dy të verbër që rrinin ulur në anë të rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, bërtitën: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». 31 Turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtitën edhe më fort: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». 32 Jezui ndaloi, i thirri e u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». 33 Ata i thanë: «Zot, duam të na hapen sytë!». 34 Jezui ndjeu dhembshuri për ta e u preku sytë. Atyre iu kthye menjëherë shikimi e shkuan pas tij.
Krie e njëzetme
1 Se mbretëria e Qiellvet ka të gjarë me një njeri zot shtëpiet, që ai dolli që ndë mëngjes të zij punëtorë ndë vështë të tij.
2 E si bëri pazar me punëtorë nga një dhinar ditënë, i dërgoi ndë vështë të tij.
3 E pasi dolli ndë tre sahat, pa të tjerë që rrijnë ndë pazar pa punë.
4 Edhe ature u tha: Hajdeni edhe juvet ndë vështë, e ajo që të jetë e udhësë, do t’u ap edhe juvet.
5 Edhe ata vanë. E pameta si dolli ndë gjashtë e ndë nëntë sahat, bëri ashtu si tham.
6 E si dolli ndë të njëmbëdhjetëtinë sahat, gjeti të tjerë, që rrijnë pa punë e u thot’ ature: Pse rrini këtu gjithë ditënë pa punë?
7 I than’ atij, se nukë na mbloi njeri. U thot’ edhe ature: Haideni edhe juvet ndë vështë, e ajo që të jet’ e udhësë do të mirri.
8 E si u err thot’ i zoti vështit pitropit së tij: Thirrë punëtorëtë, e epu ature pagënë, e nis nga të pastajmëtë, ngjera ndë të parëtë.
9 E si erdhë ata që kishnë ardhurë ndë të njëmbëdhjetinë sahat, muarrë nga një dhinar.
10 E si erdhë edhe të parëtë, pandehnë se do të mirrë më tepër, e muarrë edhe ata nga një dhinar.
11 E si e muarrë qaheshinë nga zoti shtëpisë.
12 E thoshnë, se këta të pastajmëtë një sahat punuanë, e bara me nevet i bëre ata, që duruam mundimn’ e ditësë, edhe vapënë.
13 Edhe ai u përgjegj, e i tha njëit nga ata: Mik, s’të dëmëtoj ti. Nukë bëtë me mua pazar për një dhinar?
14 Merr tëndenë e hajde, dua t’i ap edhe këtit së pastajmit si edhe ti.
15 A nukë mund të bëj unë atë që dua ndë të miatë, a siu it ësht’ i keq, sepse unë jam i mirë?
16 Kështu do të jenë të pastajmëtë të parë, e të parëtë të pastajmë. Shumë janë të thirturë, e të pakë janë të zgjedhuritë.
17 E kur hipi Iisui ndë Ierusalim, mori të dimbëdhjetë mathititë mbënjanë ndë udhë, e u tha ature:
18 Ja që hipëjëmë ndë Ierusalim e i biri njeriut do të paradhosetë ndë të parët’ e Priftëret, e ndë të Grammatepsuritë, e do ta gjukojënë atë për vdekëjë.
19 E do ta apënë ndë fili të tjera për të përqeshurë, e për të rrahurë me kamçi, e për të mbërthierë ndë kruq, e të tretënë ditë do të ngjalletë.
20 Ahiere erdhi pran’ atij ëmma e bijet së Zevedheosë, bashkë me djelmt’ e saj, t’i falej, e t’i kërkon ndonjë të kërkuarë prej sij.
21 Edhe ai i tha asaj: Ç’do? I thot’ atij: Porsit, që të rrinë këta djelmt’ e mi të di, njëri mb’anë të djathëtë tënde, e tjatëri mb’anë të mëngjërë, ndë mbretëri tënde.
22 Edhe Iisui u përgjegj, e i tha: Nukë dini se ç’kërkoni. Mundni të pini potirë që do të pi unë, edhe pagëzimnë, që do të pagëzonem unë, të pagëzoneni edhe juvet? I than’ atij: Mun(d)jëmë.
23 E u thot ature: Potirë tim do ta pini, edhe pagëzimnnë, atë që pagëzonem unë do të pagëzoneni, ma të rrini mb’anë të djathëtë time, edhe mb’anë të mëngjërë time, nuk’ është imea t’u ap, po është për ata që ju është bënë gati nga babai im.
24 E si digjuanë të dhjetë, u zëmëruanë për të di vëllazër.
25 E Iisui i thirri ata, e u tha: E dini që arhondëtë e së tjeravet fili, i urdhërojënë ata, e të mëdhinjtë i mundojënë ata.
26 Ma ndë juvet nukë do të jetë kështu, po ai që do të bënetë i madh ndë ju, le të jetë husmeqari juaj.
27 Edhe ai që do të jetë i parë, le të jetë kopili juaj.
28 Si edhe i biri i njeriut, që s’erdhi të shërbenetë, po të shërbejë, edhe të apë shpirtin’ e tij kseshpërblim për shumë.
29 E si duallë ata nga Ierihoja, vanë pas sij shumë turmë njerëzet.
30 E na di të verbërë rrijnë afër udhësë, e si digjuanë se Iisui shkon, i thirrë, e i thoshnë: Eleisna nevet, Zot, bir’ i Dhavidhit.
31 E turm’ e njerëzet i kërkoijn’ ata që të mos thërisnë, e ata më fort thërisnë e thoshnë: Eleisna nevet, Zot, bir’ i Dhavidhit.
32 E si qëndroi Iisui i thirri ata, e u tha: Ç’doni të ju bëj juvet?
33 E i than’ atij: Zot, të na hapenë sitë tona.
34 E si i erdhi keq Iisuit, zu me dorë sit’ e ture, e panë larg sit’ e ture, e vanë pas sij.