Shërbesa për kombet
1 Për këtë arsye unë, Pali, i burgosuri i Krishtit Jezu për ju kombet, i lutem Perëndisë. 2 Me siguri ju keni dëgjuar për hirin që më ka dhënë Perëndia për t'ju shërbyer juve 3 dhe për shestimin e tij të fshehtë që ma ka bërë të njohur me anë të një zbulese. Për këtë ju kam shkruar shkurtimisht edhe më parë. 4 Kur t'i lexoni ato që ju shkrova do të mund të kuptoni sesa thellë e njoh të fshehtën për Krishtin 5 që nuk iu bë e njohur njerëzve të breznive të shkuara. Por tani Perëndia përmes Shpirtit, ia zbuloi këtë apostujve e profetëve të tij të shenjtë: 6 përmes ungjillit kombet do të bëhen bashkëtrashëgimtarë me judenjtë, gjymtyrë të një trupi dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të Perëndisë përmes Krishtit Jezu.
7 Unë u bëra shërbëtor i këtij ungjilli falë hirit që m'u dhurua nga Perëndia e që m'u dha falë veprimit të fuqisë së tij. 8 Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m'u dha ky hir për t'u predikuar kombeve pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit 9 dhe për të nxjerrë në dritë sesi Perëndia që krijoi gjithçka do të vinte në jetë shestimin e tij që e kishte mbajtur të fshehur prej shekujsh. 10 Kështu tani, nëpërmjet kishës, sundimtarëve e pushteteve në vendet qiellore u bëhet e njohur urtia e shumëfishtë e Perëndisë.
11 Këtë Perëndia e bëri sipas qëllimit të tij të amshuar që ai e përmbushi përmes Krishtit Jezu, Zotit tonë. 12 Të bashkuar me Krishtin dhe përmes besimit në të, mund t'i afrohemi Perëndisë me liri e siguri të plotë. 13 Prandaj ju lutem të mos dëshpëroheni prej vuajtjeve që po kaloj për ju, përkundrazi ta keni për nder.
Njohja e dashurisë së Krishtit
14 Prandaj unë bie në gjunjë para Atit , 15 prej të cilit merr jetë çdo krijesë në qiej e në tokë. 16 Perëndia ju dhëntë, sipas pasurive të lavdisë së tij e përmes Shpirtit të tij, ju bëftë më të fortë shpirtërisht . 17 Krishti banoftë në zemrat tuaja përmes besimit, në mënyrë që të rrënjosur e të themeluar në dashuri, 18 të mund të kuptoni bashkë me të gjithë të shenjtët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia e thellësia 19 e dashurisë së Krishtit. Lutem që të njihni dashurinë e Krishtit, e cila tejkalon çdo dije, që të mbusheni me gjithë plotësinë e Perëndisë.
20 Perëndisë, që mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë ose mendojmë, falë fuqisë që vepron në ne, 21 atij i qoftë lavdia përmes kishës e përmes Krishtit Jezu për të gjitha breznitë, në shekuj të shekujve! Amen!
Krie e tretë
1 Për këtë punë unë Pavllua (jam) i hapsosurë i Krishtit Iisuit për juvet Ethnikotë.
2 Ndë digjuatë shërbesën’ e dhurëtisë Perndisë që m’është dhënë mua për juvet.
3 Sepse me anë të cbuluarit më bëri mua të njohë këtë të fshehurë (sikundr’ ua kam shkruarë me pak fjalë më sipër.
4 Mb’atë mundni tuke dhiavasurë të kupëtoni urtëcinë që kam unë mbë mistirio të Krishtit).
5 Atë mistirio që nukë qe njohurë ndë të tjera kohëra ndë bij të njerëzet, sikundr’ është çfaqurë ndashti ndë Shënjtorët’ Apostoj të tij, e Profitëvet me anë të Shpirtit.
6 Që filit’ e tjera të jenë klironomë bashkë, e me një kurm, e me një pjesë mbë të taksurë të tij mbë Krishtinë Iisunë, me anë të Ungjillit.
7 Mb’atë Ungjill jam bërë unë shërbëtuar me të dhënë të dhuratësë Perndisë, që është dhënë mbë mua sikundrë qe e zonja fuqi e tij.
8 Mbë mua më të vogëlinë nga gjithë Shënjtorëtë qe dhënë këjo dhurëti, të vangjelisjë ndë fili të tjera gjën’ e pakupëtuarë të Krishtit.
9 E të çfaq mbë të gjithë cila është pjesa e mistirioit së fshehurë jetë mbë jetë mbë Perndinë, që ka bërë gjithë punëtë me anë të Iisu Hristoit.
10 Që ndashti me anë të Qishësë të njihetë nga arhitë e nga eksusitë që janë ndër Qiell, sofi e Perndisë e shumë e lejmosimea.
11 Sikundrë qe kshilli i lashtë, që kish bërë ai mbë Krishtinë Iisunë Zotnë tënë.
12 Mb’atë kemi parisi e të hijturë (mbë Perndinë) me tharos, me anë të besësë tij.
13 Andaj u lutem të mos lodhi, për shtrëngime që kam unë për juvet, që ato janë nderi juaj.
14 Andaj unj gjunjët’ e mia përpara Babait Zotit sonë Iisu Hristoit.
15 Që nga ai merr ëmër gjithë fëmija që është ndër Qiell edhe ndë dhe.
16 Që të ju apë juvet sikundrë ka nder’ e tij të madhnë që të jini forcuarë ndë të mirë, sikundr’ është njeriu i brëndëshm me anë të Shpirt(it) së tij.
17 Që të rrijë Krishti ndë zëmëra tuaj me anë të besësë.
18 Tuke qënë juvet rrënjosurë e themeliosurë ndë dashuri, që të mundni me gjithë Shënjtorë të kupëtoni ç’është të gjerëtë, e të gjatëtë, e të thellëtë, e të lartëtë.
19 E të kupëtoni edhe atë që tepëron të dijturë, dashurin’ e Krishtit, e të mbushi nga gjithë të mbushurit’ e Perndisë.
20 E mb’atë që është i fuqiçim të bëjë gjithë punëtë më të shtuara fort më të shumë nga ajo që i kërkojmë, a vëmë ndër mënd, si ka fuqinë që bën mbë nevet.
21 Mb’atë qoftë lëvdim brënda ndë Qishë mbë Krishtinë Iisunë, për gjithë breza ndë jetë pas jetet. Kështu qoftë!