Adhurimi qiellor
1 Pastaj pashë një derë të hapur në qiell dhe zëri, që kisha dëgjuar më parë të më fliste si trumbetë, më tha: «Ngjitu këtu lart! Do të të tregoj ato që duhet të ndodhin më pas». 2 U rrëmbeva menjëherë nga Shpirti. Atje në qiell ndodhej një fron dhe mbi fron rrinte ulur dikush 3 që i ngjante nga pamja një guri diaspri e sardi. Fronin e rrethonte një ylber që ngjante nga pamja me gur smeraldi.
4 Rreth e qark fronit kishte njëzet e katër frone. Mbi këto frone rrinin ulur njëzet e katër pleq veshur me të bardha e me kurora të arta në kokë. 5 Nga froni dilnin vetëtima, zëra e bubullima. Para tij digjeshin shtatë shandanë të ndezur që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë. 6 Para fronit ishte diçka si det i qelqtë që ngjante si kristal.
Në qendër, rreth e rrotull fronit ndodheshin katër gjallesa plot me sy para e prapa. 7 Gjallesa e parë ngjante me një luan, e dyta me një viç, e treta e kishte fytyrën si fytyrë njeriu, ndërsa e katërta ngjante me një shqiponjë në fluturim. 8 Secila prej të katër gjallesave kishte nga gjashtë krahë. Përreth e nga brenda ishin plot me sy e nuk pushonin as ditën e as natën së thëni:
«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë
është Zoti, Perëndia i gjithëpushtetshëm,
ai që ishte, që është e që po vjen».
9 Ndërkohë që gjallesat lëvdonin, nderonin e falënderonin atë që rrinte ulur mbi fron, atë që jeton në shekuj të shekujve, 10 të njëzet e katër pleqtë binin përmbys para atij që rrinte ulur mbi fron dhe adhuronin atë që jeton në shekuj të shekujve, hidhnin kurorat e tyre para fronit dhe thoshin:
11 «I denjë je ti, Zoti e Perëndia ynë,
të marrësh lavdinë, nderimin e fuqinë,
sepse ti ke krijuar gjithçka
dhe me vullnetin tënd u bë e u krijua gjithçka».
Krie e katërtë
1 Pastaje paçë, e ja, një portë e hapëtë ndër qiell, e zëri i parë që digjova posi i zurnasë, që kuvëndon me mua, e më thosh: Hipë këtu, e do të të dëftoj tij punëtë që do të të gjajënë pastaje.
2 E me të shpejtë u rrëmbieç nga Shpirti, e ja, që një fron qe ngrehurë ndë qiell, e mbi atë fron rrij një.
3 E ai që rrij shëmbëllen mbë të parë si guri i Aspidit e Sardhësë; e rrotullë fronit qe një ilibé që shëmbëllen mbë të parë si Smaragdhi.
4 E rrotullë fronit njëzet e katër frone; e mbi frone paçë të njëzet e katër pleqtë që rrijnë, e qenë veshurë me rroba të bardha, e mbë krerë të ture kishnë korona t’arta.
5 E nga froni dilë vetëtimëra, e gjëmime, e zënjëra, e përpara fronit shtatë llambadha të dhezura, ato që janë të shtatë Shpirtëret e Perndisë.
6 E përpara fronit një det i qelqtë, që gjan me kristal; e ndë mes të fronit, e rrotullë fronit, katër kafshë plot me si përpara e prapa.
7 E kafsha e parë gjan me Leondar, e kafsha e ditë gjan me Viç, e kafsha e tretë kish suratnë posi Njeriut; e kafsha e katërtë gjan me Aeto që fluturon.
8 E të katër kafshëtë kish cilado mbë vetëhe të ture nga gjashtë krahë rrotullë, e brëndazi qenë plot me si; e s’kanë të prëjturë as ditë as natë tuke thënë: Shënjt, Shënjt, Shënjt, Zoti Perndia, ai q’i mban gjithë, ai që qe, ai që është, e ai që do të vijë.
9 E tek ipnë kafshëtë lëvdim, e nder, e efharisti atij që rrij mbë fron, e që rron mbë jetë të jetëvet.
10 Bijnë mbë dhe të njëzet e katër pleqtë përpara atij që rrij mbi fron, e i falishnë atij që rron ndë jetë të jetëvet, e vijnë mbë dhe koronat’ e ture përpara fronit, tuke thënë.
11 I zoti je ti, o Zot, të març lëvdim, edhe nder, edhe fuqinë; sepse ti bëre gjithë punëratë, e për thelimë tënde kanë ato të qënënë, e qenë bërë.