1 Fort të dashur, meqë kemi marrë këto premtime, le të pastrohemi nga çdo ndyrësi e trupit dhe e shpirtit dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë duke iu druajtur Perëndisë.
Gëzimi për pendimin e kishës
2 Bëni vend për ne në zemrat tuaja. Ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi dëmtuar askënd dhe nuk kemi shfrytëzuar askënd. 3 Këtë gjë nuk e them për t'ju dënuar, sepse, siç ju kam thënë edhe më parë, ju jeni në zemrat tona dhe ne jemi të bashkuar me ju si në vdekje, edhe në jetë. 4 Unë flas hapur me ju dhe krenohem shumë me ju. Megjithëse kam shumë mundime, gjej shumë ngushëllim e mbushem plot me gëzim.
5 Edhe kur shkuam në Maqedoni, nuk na gjeti trupi prehje, hasëm vështirësi nga të gjitha anët, luftë jashtë e frikë përbrenda. 6 Por Perëndia që i ngushëllon të përulurit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit, 7 dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që kishte marrë prej jush. Ai na tregoi për mallin, për lotët dhe për dashurinë tuaj të zjarrtë për mua, prandaj u gëzova edhe më shumë.
8 Edhe nëse ju kam trishtuar me letrën time, tani nuk më vjen keq. Megjithëse në fillim më erdhi keq, sepse ajo letër ju trishtoi për ca kohë, 9 tani gëzohem jo se u trishtuat, por sepse ky trishtim, që e kaluat sipas vullnetit të Perëndisë, ju çoi në pendim. Kështu, ne nuk ju bëmë asnjë dëm. 10 Trishtimi që kalojmë sipas vullnetit të Perëndisë të çon në pendimin që sjell shpëtim, për të cilin njeriu nuk ndërron mendje. Përkundrazi, trishtimi që vjen nga shqetësimet e kësaj bote, të çon në vdekje.
11 Shikoni çfarë përkushtimi solli te ju trishtimi sipas vullnetit të Perëndisë! Ju solli dëshirën për të mbrojtur besimin tuaj, zemërimin ndaj së keqes, druajtjen, përmallimin, zellin dhe gatishmërinë për të ndëshkuar të keqen! E keni dëshmuar në të gjitha mënyrat se jeni të pastër në këto gjëra. 12 Edhe pse ju shkrova, nuk ju shkrova që të ndëshkoj atë që bëri padrejtësi e as për t'i dalë në mbrojtje atij që iu bë padrejtësi, por që të duket qartë mes jush përkushtimi që keni ndaj nesh, para Perëndisë. 13 Kjo gjë na ngushëllon.
Përveç ngushëllimit që na dhatë, u gëzuam edhe më shumë me gëzimin e Titit, sepse të gjithë ju ia qetësuat shpirtin. 14 Unë u krenova me ju para Titit dhe nuk kam mbetur i zhgënjyer për këtë, por, ashtu siç është e vërtetë gjithçka që ju kemi thënë, ashtu doli e vërtetë para Titit edhe krenaria që kemi për ju. 15 Atij i bëhet zemra mal kur i kujtohet bindja e ju të gjithëve dhe kur i kujtohet sesi e pritët me druajtje e drithërim. 16 Jam i gëzuar, se mund të mbështetem te ju për gjithçka.
Krie e shtatëtë
1 Kur kemi adha, o të dashurë këto të taksura, le të qërojëmë vetëhenë tonë nga çdofarë moli të kurmit edhe të Shpirtit, e le ta bëjmë mbë të sosurë Shënjtërinë tonë me frikë të Perndisë.
2 Epnani nevet vënd. Na nukë kemi dëmëtuarë ndonjë, nukë kemi prishurë ndonjë, nuk’ i kemi marrë gjë ndonjëit.
3 Nuk’ ua thom për dëm tuaj, sepse u thaçë më përpara, që juvet jini brënda ndë zëmëra tona, për të rruarë bashkë, e për të vdekurë bashkë.
4 Shumë tharos kam unë mbë ju. Shumë mburrem për ju. Jam plot me parigori, ndë gjithë shtrëngime tuaj gëzimi tepëron më shumë mbë mua.
5 Sepse kur vam ndë Maqedhoni nevet, nukë pati ndonjë të prëjturë kurmi inë, po helmoneshim për çdofarë punë. Përjashta luftëra, përbrëndazi frikëra.
6 Po Perndia që parigoris të unjëtitë, ai na parigorisi edhe nevet me t’ardhurë të Titosë.
7 E jo vetëmë me t’ardhurë të tij, po edhe me parigori të tij që pat marrë prej jush, si na tha nevet dëshërimnë tuaj, të qarëtë tuaj, dashurin’ e ngrohëtë tuajnë për mua, kaqë që si digjova ato u gëzuaçë më tepërë.
8 Sepse ndonëse u helmova juvet me atë kartë, nuk’ u bëçë pishman, ndonëse metanoisa më përpara, sepse shoh që ajo kartë, ndonëse për pakëzë kohë u helmoi juvet.
9 Ndashti gëzonem, jo sepse u helmuatë, po që u helmuatë ndë metani, sepse u helmuatë si do Perndia, që të mos dëmëtoneni prej nesh mbë ndonjë punë.
10 Sepse helmi që bënetë si do Perndia, bie ndë metani të patundurë për të sosurë, ma helmi i kësaj jetet pa bie vdekëjë.
11 Sepse ja këjo e tila që të jini ju helmuarë si do Perndia, sa spudhi pruri mbë juvet? E të përgjegjurë, e të zëmëruarë kondrë së keqesë, e frikë, e dashuri, e zili, e të bëni të munduritë? E mbë çdo anë e bëtë të duketë, që juvet jini të pafaj mbë këtë punë.
12 Adha edhe nd’u shkrova juvet, nuk’ e bëra për atë që bëri të sharitë, as për atë që u sha, po të bëj të duketë spudhia inë që kemi për juvet, përpara Perndisë.
13 Pra andaj u parigorism ndë parigori tuaj, e më të tepërë u gëzuam ndë gëzim të Titosë, sepse ju prë Shpirti i tij nga gjithë jush.
14 E ndë jam mburrturë pak gjë mbë të për juvet, nuk’ u turpëruaçë, po sikundrë u kam thënë të vërtetënë juvet ndë gjithë punëra, kështu edhe të mburrëtë që paçë dhënë unë për Titonë, u bë të vërtetë.
15 E ai u do juvet me gjithë zëmërë më tepërë, kur vë ndër mënd të gjegjuritë tuaj të gjithëvet, e qish e patë dheksurë atë me frikë e me të dredhurë.
16 Gëzonem dha që për çdo punë kam tharos mbë ju.