1 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do ta provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi».
Shndërrimi i Jezuit
(Mt 17.1-13Lk 9.28-36)2 Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një mal të lartë, në një vend të veçuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre 3 dhe rrobat iu bënë vezulluese e aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t'i zbardhte aq shumë. 4 Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun që po flisnin me Jezuin. 5 Pjetri i tha Jezuit: «Mësues , sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». 6 Në të vërtetë nuk dinte ç'të thoshte, se u kishte hyrë tmerri. 7 Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!». 8 Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta.
9 Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve. 10 Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç'do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve? 11 Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». 12 Ai u tha: «Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse është shkruar se Biri i njeriut do të vuajë shumë e do të përçmohet? 13 Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur e me të bënë çfarë deshën, siç është shkruar për të».
I pushtuari nga një shpirt i ndyrë
(Mt 17.14-20Lk 9.37-43a)14 Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe shkruesit që po diskutonin me ta. 15 Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën. 16 Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?». 17 Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë. 18 Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu t'ia dëbojnë, por nuk mundën». 19 Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». 20 Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe e u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja. 21 Jezui e pyeti të atin e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?». Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri. 22 Disa herë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne e na ndihmo!». 23 Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson». 24 Menjëherë i ati i fëmijës thirri: «Besoj. Ndihmomë në besimin tim të pakët !». 25 Kur Jezui pa se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë e i tha: «Shpirt memec e shurdh, po të urdhëroj: dil prej tij e mos hyr më kurrë!». 26 Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur». 27 Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë.
28 Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?». 29 Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje ».
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mt 17.22-23Lk 9.43b-45)30 Pastaj u larguan që aty e kaluan nëpër Galile. Jezui nuk donte ta merrte vesh njeri. 31 Ai po mësonte dishepujt e tij e u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, ata do ta vrasin dhe, pas tri ditësh, ai do të ngjallet». 32 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë e kishin frikë ta pyesnin.
Kush është më i madhi
(Mt 18.1-5Lk 9.46-48)33 Arritën në Kafarnaum e kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, i pyeti: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin gjatë rrugës?». 34 Ata heshtën, se gjatë rrugës kishin biseduar se cili prej tyre ishte më i madhi.
35 Pasi u ul, i thirri të dymbëdhjetët e u tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve e shërbëtor i të gjithëve».
36 Pastaj mori një fëmijë, e vuri mes tyre e duke e marrë në krahë, u tha: 37 «Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar».
Me ne, jo kundër nesh
(Lk 9.49-50)38 Gjoni i tha Jezuit: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk vinte pas nesh».
39 Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se askush nuk mund të flasë keq për mua sapo bën një vepër të fuqishme në emrin tim. 40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne. 41 Nëse dikush do t'ju japë të pini një gotë ujë për shkak se jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij».
Shkaktar për mëkat
(Mt 18.6-9Lk 17.1-2)42 «Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det. 43-44 Nëse dora jote të bëhet pengesë, prije! Është më mirë të hysh i gjymtuar në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dyja duart e të shkosh në Gehenë, në zjarrin që nuk shuhet. 45-46 Dhe nëse këmba jote të çon në mëkat, prije! Është më mirë të hysh i çalë në jetë, sesa t'i kesh të dyja këmbët e të të hedhin në Gehenë . 47 Nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre! Është më mirë të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenë, 48 atje ku tenja nuk ngordh e zjarri nuk shuhet.
49 Në të vërtetë, gjithçka do të kripet me zjarr .
50 Kripa është e mirë, por nëse e humbet shijen, si do t'ia ktheni? Kini kripë në veten tuaj e jetoni në paqe me njëri-tjetrin».
Krie e nëntëtë
1 E u thosh ature: Me të vërteta u thom juvet, se janë ca nga këta që rrinë këtu, që ata do të mos shohënë vdekëjë ngjera sa të shohënë mbretërin’ e Perndisë t’ardhurë me fuqi të saj.
2 E pas gjashtë ditet merr Iisui me vetëhe Petronë, edhe Iakovonë, edhe Ioannë, e i hipën ata ndë një mal të lartë vetëmë, e metamorfosetë përpara ture.
3 E u bënë rrobat’ e tij të ndritura e të bardha shumë posi zbora, të tila që ai që zbardh mbi dhe nukë mund t’i zbardhjë kështu.
4 E u duk mb’ata Ilia bashkë me Moisinë, e kuvëndoijnë bashkë me Iisunë.
5 E u përgjegj Petrua, e i thot’ Iisuit: Dhaskal, mirë është të rrimë navet këtu, e të bëjëmë tri kasolle, një për ti, e një për Moisinë, edhe një për Ilianë.
6 Sepse nukë dij ç’të thosh; sepse qenë të gjithë tromaksurë nga frika.
7 E u ngre një mjergullë, e i mbuloi ata, e erdhi zë nga mjergulla që thosh: Kij është biri im i dashuri, atij t’i digjoni.
8 E atë çast kur vështruanë rrotull, nukë panë më ndonjë, po vetëmë Iisunë me ata bashkë.
9 E si zbritnë ata nga mali, i porsiti ata fort, që të mos rrëfejënë ndonjeit ato që panë, përveçme kur të ngjalletë i biri i njeriut nga të vdekuritë.
10 E ata e mbajtinë fjalënë fshehurë, e kërkoijnë ç’do me qenë të ngjallëtë nga të vdekuritë.
11 E e pietn’ atë, e i thoshnë: Pse thonë grammatejtë, se Ilia do të vijë protoparë?
12 Edhe ai u përgjegj, e u tha ature: Ilia vjen përpara, e vë gjithë punëratë mb’udhë, e sikundr’ është shkruarë për të bir’ e njeriut, do të pësojë shumë e do të ksenderonetë.
13 Po u thom juvet, që Ilia erdhi, e i bënë atij sa deshnë sikundrë qe shkruarë për atë.
14 E si erdhi ndë mathiti, pa rrotull ature shumë turmë njerëzet, edhe grammatej, që i pietn’ ata.
15 E atëherë poq’ e pan’ atë gjithë turma, u çuditnë, e veijnë me vrap, e i falejn’ atij.
16 E i pieti grammatejtë: Ç’kërkoni me ata?
17 E u përgjegj një nga turma, e i tha: Dhaskal, prura djalënë tim tek teje, që ka Shpirt të vuvosurë e të pafjalë.
18 E tekdo që ta gjejë atë, e shtie mbë dhe, e shkumon, e kërcëllin dhëmbët’ e tij, e i bie dhilë, e u thaçë mathitivet së tu, e nukë mundnë ta nxirë.
19 Edhe ai ju përgjegj atij, e i thotë: O filí e pabesë, ngjera kur do të jem unë me juvet bashkë? Ngjera kur do t’u duroj juvet? Birie atë tek meje.
20 E e prun’ atë nde ai, e si e pa atë, atë çast e drodhi atë Shpirti, e si pa mbë dhe, qilisej tuke shkumuarë.
21 E pieti jatn’ e tij: Sa mot ka që kur i gjau këjo atij? Edhe ai i tha: Që për së vogëlit.
22 E shumë herë e shtiu atë edhe mbë zjar, edhe mb’ujëra, që ta humbasë atë, po çdo që mund, ndihna navet, e le të të vijë keq për navet.
23 Edhe Iisui i tha atij: Ndë mund të besoç, të gjitha janë të kollajta nde ai që beson.
24 E atë çast thirri me të fortë i jati djalit, e thoshte me lot: Besoj, o Zot, ndihmë mua ndë pabesllëk tim.
25 E si pa Iisui që mbëjidhejnë shumë turmë, e foverisi Shpirtin’ e pëgërë, e i tha atij: Ti Shpirt i vuvosurë edhe i shurdhërë, unë të bëj porsi, dil nga ai njeri, e të mos hiç më nde ai.
26 E si briti, e si e drodhi atë shumë, dolli e u bë posi i vdekurë, kaqë që thoshnë shumë se vdiqi.
27 Edhe Iisui si e zuri atë nga dora, e ngrijti atë, e u ngre.
28 E si hiri ai ndë shtëpi, e pietn’ atë mathitit’ e tij veçë: Pse navet nukë mundm ta nxjerëm atë?
29 E u tha ature: Kij siri të paudhit, me ndonjë tjatër nukë mund të dalë, veçme me të falë, edhe me agjërim.
30 E si duallë ateje, shkoijnë ndëpërmes të Galileësë, e nukë duaj ta njih atë njeri.
31 Se dhidhaks mathitit’ e tij, e u thosh ature, se: I biri i njeriut do të ipetë ndë duar të njerëzet, e do ta vrasënë atë, e si të vritetë, të tretënë ditë do të ngjalletë.
32 E ata nuk’ e kupëtoijnë fjalënë, e trëmbejnë ta pietn’ atë.
33 E erdhi ndë Kapernaum. E si hiri ndë shtëpi, i piet ata: Ç’mendoneshitë mb’udhë me vetëhe tuaj?
34 E ata nukë flisnë, sepse mb’udhë bëijnë kuvënd njëri me jatërinë, se cili është m’i madh.
35 E si ndënji, thirri të dimbëdhjetë, e u thot’ ature: Ai që do të jetë i parë, le të jetë m’i pastajmi nga të gjithë, edhe shërbëtor’ i së gjithëvet.
36 E si mori një djalë, e vuri atë shtruara ndë mes të ture; e si e angaliasi atë, u tha ature:
37 Ai që të dheksjë një nga të tillëtë për ëmër tim, mua më dheks; e ai që të dheksjë mua, nukë dheks mua, po atë që më dërgoi mua.
38 E u përgjegj nde ai Ioanni, e i tha: Dhaskal, pam një njeri që kren të paudhëtë me ëmër tënd, që ai nukë vjen pas nesh, e e mbodhism’ atë se nukë vjen pas nesh.
39 Edhe Iisui u tha: Mos e mbodhisni atë, se s’është ndonjë që të bëjë thavmë me ëmër tim, e të mundjë pastaj të flasë të keq për mua.
40 Se ai që s’është kondrë nevet, është për ndihmë tonë.
41 Se cilido që t’u apë juvet një kupë ujë mbë ëmër tim, sepse ini të Krishtit, me të vërteta u thom juvet, do të mos humbasë mundimn’ e tij.
42 Edhe cilido që të skandhalisjë një nga këta të vogjëjtë, që besojënë mua, është më mirë nde ai që t’i varetë një mokërë mullirit mbë qafë të tij, e të shtihetë mbë det.
43 E ndë të skandhalis ti dora jote, pree atë. Më mirë është për ti të hiç ndë jetë me një dorë, se të keç të di duartë, e të veç ndë pisë, ndë zjar të pashuarë.
44 Atje që krimb’ i ture nukë vdes, edhe zjari nukë shuhetë.
45 E nd’është që të pengon ti këmba jote, pree atë. Më mirë është për ti të hiç ndë jetë i çalë, se të keç të di këmbëtë, e të viheç mbë pisë, ndë zjar të pashuarë.
46 Atje që krimb’ i ture nukë vdes, edhe zjari nukë shuhetë.
47 E nd’është që të skandhalis ti siu it, nxire atë. Më mirë është për ti të hiç ndë mbretëri të Perndisë me një si, se të keç të di sitë, e të viheç ndë pisë të zjarit.
48 Atje që krimb’ i ture nukë vdes, edhe zjari nukë shuhetë.
49 Se cilido me zjar do të kripetë, edhe çdo kurban me kripë do të kripetë.
50 E mirë është kripa, po nd’është që të bënetë kripa e pabulmetme, me se do ta bulmitni juvet atë? Kini mbë vetëhe tuaj kripë, e kini paq njëri me jatërinë.