Larja e këmbëve
1 Ishte para festës së Pashkës. Jezui e dinte se kishte ardhur ora të shkonte nga kjo botë tek Ati. Ai i kishte dashur të vetët që ishin në botë dhe i kishte dashur deri në fund.
2 Gjatë darkës djalli kishte futur tashmë tradhtinë në zemrën e Judës së Simon Iskariotit.
3 Jezui e dinte se Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë dhe se nga Perëndia kishte dalë e te Perëndia po kthehej. 4 Atëherë u ngrit nga darka, hoqi petkun, mori një peshqir dhe e lidhi në brez. 5 Pastaj hodhi ujë në një enë e filloi t'ua lante këmbët dishepujve e t'ua fshinte me peshqirin që kishte lidhur në brez. 6 Kur mbërriti te Simon Pjetri, ky i tha: «Zot, ti të më lash këmbët?». 7 Jezui iu përgjigj: «Tani ti nuk e kupton këtë që po bëj, por do ta kuptosh më vonë». 8 Pjetri i tha: «Nuk do të m'i lash kurrë këmbët!». Jezui u përgjigj: «Po nuk t'i lava, nuk ke pjesë me mua». 9 Simon Pjetri i tha: «Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart, edhe kokën». 10 Jezui i tha: «Kush është i larë, është krejt i pastër dhe nuk ka nevojë të lajë veçse këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë». 11 Jezui e dinte kush do ta tradhtonte prandaj tha: «Ju nuk jeni të gjithë të pastër».
12 Pasi u lau këmbët, Jezui veshi rrobat, u ul përsëri e u tha: «E kuptoni këtë që ju bëra? 13 Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sepse jam. 14 Nëse unë pra, Zoti dhe Mësuesi, ju lava këmbët, edhe ju duhet t'ia lani këmbët njëri-tjetrit. 15 Ju dhashë shembullin që të bëni siç bëra unë. 16 Me të vërtetë po ju them se asnjë shërbëtor nuk është më i madh se i zoti dhe asnjë i dërguar nuk është më i madh se ai që e ka dërguar. 17 Nëse i keni kuptuar këto gjëra dhe nëse i zbatoni, do të jeni të lumë.
18 Nuk po flas për të gjithë ju. Unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet Shkrimi: ai që ha bukë me mua ka ngritur thembrën kundër meje. 19 Po jua them që tani, përpara se të ndodhë, që kur të ketë ndodhur të besoni se unë jam. 20 Me të vërtetë po ju them se kush pranon atë që do të dërgoj unë, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi».
Parathënia e tradhtisë
(Mt 26.20-25Mk 14.17-21Lk 22.21-23)
21 Si tha këto, Jezui u trondit në shpirt e tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri prej jush do të më tradhtojë». 22 Dishepujt filluan të shikonin njëri-tjetrin, se nuk e dinin për kë e kishte fjalën. 23 Njëri prej dishepujve të tij, ai që Jezui e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezuit. 24 Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë ta pyeste Jezuin për kë e kishte fjalën. 25 Ai u përkul mbi kraharorin e Jezuit e i tha: «Zot, kush është?». 26 Jezui u përgjigj: «Është ai të cilit do t'i jap kafshatën që do të ngjyej». Pasi e ngjeu kafshatën, ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27 Si mori kafshatën, tek ai hyri Satani. Atëherë Jezui i tha: «Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!». 28 Asnjë nga ata që ishin ulur nuk e kuptoi përse i tha ashtu. 29 Meqenëse Juda mbante qesen e parave, disa nga ata kujtuan se Jezui i kishte thënë të shkonte e të blinte ç'nevojitej për festën apo ndonjë gjë për t'u dhënë të varfërve. 30 Juda mori kafshatën dhe doli menjëherë jashtë.
Ishte natë.
Urdhërimi i ri
31 Kur doli Juda, Jezui tha: «Tani u përlëvdua Biri i njeriut dhe Perëndia u përlëvdua në të. 32 Nëse Perëndia u përlëvdua në të, Perëndia do ta përlëvdojë në veten e tij dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
33 Bijtë e mi, edhe pak kohë jam me ju. Do të më kërkoni, por tani po ju them atë që u thashë judenjve: “Atje ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini”. 34 Po ju jap një urdhërim të ri: duajeni njëri-tjetrin sikurse ju kam dashur unë. 35 Të gjithë do t'ju njohin që jeni dishepujt e mi nëse keni dashuri për njëri-tjetrin».
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35Mk 14.27-31Lk 22.31-34)
36 Simon Pjetri i tha: «Zot, ku po shkon?». Jezui u përgjigj: «Atje ku po shkoj unë, tani ti nuk mund të më ndjekësh, por do të më ndjekësh më vonë». 37 Pjetri i tha: «Zot, përse nuk mund të të ndjek tani? Unë do të jepja edhe jetën për ty». 38 Jezui u përgjigj: «Ti do të japësh jetën për mua? Me të vërtetë po të them se gjeli nuk do të këndojë para se të më mohosh tri herë».
Krie e trembëdhjetëtë
1 E përpara së krëmptesë të pashkësë, si e dij Iisui që erdhi koha e tij të shkon nga këjo dinia te babai, sepse i deshi të tijtë që qenë ndë botë, e i deshi ngjera mbë të pastajmenë.
2 E kur u bë darkë (djalli pat vënë më përpara ndë zëmërë të Iudhësë së Simonit Iskariotit, që ta paradhos atë).
3 Sepse e dij Iisui që ja dha gjithë punëtë babai mbë duar të tij, e që kish ardhurë nga Perndia e te Perndia vij.
4 Ngrihetë nga darka e si nxori rrobat’ e tij, mori një futa e ngjeshi vetëhenë.
5 Pastaje vuri ujë ndë një magje, e zu të lan këmbët’ e mathitivet së tij, e t’i fshin me futa që ish ngjeshurë.
6 Vjen adha te Simon Petrua, e i thot’ atij ai: Zot, ti më lan mua këmbëtë?
7 Ju përgjegj e i thot’ atij Iisui: Atë që bëj unë, ti ndashti nuk’ e kupëton, po pasandaj do ta kupëtoç.
8 I thot’ atij Petrua: Do të mos laç këmbët’ e mia ndë jetë pas jetet. Ju përgjegj atij Iisui: Ndë mos të lafça, nukë ke pjesë me mua.
9 I thot’ atij Simon Petrua: Zot, jo vetëmë këmbëtë, po edhe duartë edhe kokënë.
10 I thot’ atij Iisui: I lari nukë ka hria të lahetë përveçme këmbëvet, po është gjithë i qëruarë. Edhe juvet të qëruarë jini, po jo gjithë.
11 Sepse e dij atë që e prodhos atë, e andaj tha, që: nukë jini gjithë të qëruarë.
12 E si u lau dha këmbët’ ature e veshi rrobat’ e tij, ndënji pa ndë mësallë, e u thot’ ature: Kupëtoni këtë që u bëra unë juvet?
13 Ju më thërritni mua: Dhaskal e Zot, e mirë thoi, sepse jam.
14 Nd’është adha që unë u lava këmbëtë tuaj, Zoti edhe Dhaskali, duhetë që të lani edhe juvet këmbët’ e njeri-jatërit.
15 Se u dhaçë unë juvet ksomblë që sikundrë bëra unë ndër juvet, të bëni edhe juvet.
16 Vërtet, vërtet u thom juvet, nuk’ është kopil m’i madh se zoti tij, as i dërguarë m’i madh se ai që e dërgoi atë.
17 Ndë kupëtuatë ju këto, do të jini të lumurë, ndë qoftë që të bëni ato.
18 Nukë thom për gjithë juvet, un’ i di ata që zgjodha, po duhetë që të dalë e vërtetë karta: Një që ha bukënë me mua ngrijti thundrën’ e këmbësë tij kondrë meje.
19 Që ndashti u thom juvet, pa gjarë, dhe që kur të gjajënë të besoni që unë jam.
20 Vërtet, vërtet u thom juvet, që ai që dheks atë që do të dërgoj unë, mua dheks. E ai që dheks mua, dheks atë që dërgoi mua.
21 E si tha këto Iisui, u nakatos brëndazi, e martirisi, e tha: Vërtet, vërtet u thom juvet, se një nga jush do të më paradhosjë mua.
22 E mathititë vështroijnë njeri-jatërinë, e nukë dijnë për cilinë thosh.
23 E një nga mathititë që qe i dashurë nga Iisui, qe kumbisurë ndë gji të tij.
24 E i bëri noimë Simon Petrua, që ta piet cili ësht’ ai, që thotë për të.
25 E si ra ai mbi gjoks të Iisuit, i thot’ atij: Zot, cili është?
26 Ju përgjegj Iisui, e i tha: Ai është, që si të ngjiej unë një copë bukë, do të ja ap. E si e ngjeu bukënë, ja ep Iudhësë birit së Simonit Iskariotit.
27 E pas asaj kapçatësë ahere hiri nde ai satanai, e Iisui i thot’ atij: Atë që ke për të bënë, bëne shpejt.
28 Po ndonjë nga ata që qenë ndë mësallë s’kupëtoi për se i tha atij.
29 E ca u silloisnë, që sepse kish Iudha kuletënë, i tha Iisui atij: Blena nga ato që na duhenë ndë të krëmptenë, a t’apë gjë të varfëret.
30 Ma ai poqë mori kapçatënë, atë çast iku, e qe dhe natë.
31 E poqë dolli dha ai, thotë Iisui: Ndashti u nderua i biri njeriut, edhe Perndia u nderua mbë të.
32 Nd’u nderua Perndia mbë të, edhe Perndia do ta nderojë atë mbë vetëhe të saj, e atë çast do ta nderojë atë.
33 Djelm, edhe pakëzë kohë jam me juvet. Do të më kërkoni, e (si)kundrë thaçë çifutet, që tek të vete unë, juvet s’mundni të vini, edhe juvet u thom ndashti.
34 Një porsi të re u ap ndashti juvet, që të doi njeri-jatërinë sikundr’ u desha unë juvet, ashtu edhe juvet të doi njeri-jatërinë.
35 Ndë këtë do t’u njohënë gjithë, që jini mathitit’ e mi, ndë paçi dashuri njeri me jatërinë.
36 I thot’ atij Simon Petrua: Zot, ku vete? Ju përgjegj atij Iisui: Tek vete unë, nukë mund të më viç pas ndashti, po pastaje do të më viç pas.
37 I thot’ atij Petrua: Zot, pse nukë mund të vij pas teje ndashti? Shpirtinë tim do ta vë për tij.
38 Ju përgjegj atij Iisui: Shpirtinë tënd do ta vëç për mua? Vërtet, vërtet të thom tij, do të mos këndojë kokoshi, ngjera sa të m’arniseç tri herë.