1 Më shkërbeni mua, sikurse unë shkërbej Krishtin.
Sjellja gjatë adhurimit
2 Ju përgëzoj, se më kujtoni në çdo rast dhe i ruani traditat ashtu siç jua kam dhënë. 3 Por dua ta dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri dhe kreu i Krishtit është Perëndia. 4 Çdo burrë që lutet apo profetizon me kokë mbuluar, turpëron kryet vet.
5 Çdo grua që lutet apo profetizon me kokë zbuluar, turpëron kryet e vet, sepse është njësoj si të kishte rruar kokën. 6 Nëse gruaja nuk mbulon kokën, atëherë le të qethet. Por, nëse për të është turp të qethet a të rruajë kokën, atëherë le ta mbulojë kokën.
7 Burri nuk duhet ta mbulojë kokën, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, ndërsa gruaja është lavdia e burrit. 8 Nuk u krijua burri nga gruaja, por gruaja nga burri. 9 Burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. 10 Prandaj, për shkak të engjëjve, gruaja duhet të mbajë mbi kokë një shenjë varësie.
11 Megjithatë në jetën tonë me Zotin as burri nuk është i pavarur nga gruaja dhe as gruaja nga burri. 12 Sikurse gruaja u krijua nga burri, ashtu edhe burri lindet nëpërmjet gruas dhe gjithçka vjen nga Perëndia. 13 Gjykoni vetë: a i ka hije gruas t'i lutet Perëndisë pa mbuluar kokën? 14 A nuk na mëson vetë natyra se për burrin është çnderim nëse i mban flokët të gjatë, 15 ndërsa për gruan është nder? Flokët i janë dhënë asaj si mbulesë. 16 Por, nëse ndokush mendon ndryshe për këtë çështje, duhet ta dijë se një zakon të tillë nuk e kemi as ne, as kishat e Perëndisë.
Parregullsi në Darkën e Zotit
17 Megjithatë, për këto që do t'ju them tani, nuk mund t'ju përgëzoj. Kur mblidheni bashkë, është për më keq e jo për mirë. 18 Së pari, dëgjova se kur mblidheni së bashku në kishë, mes jush ka përçarje dhe pjesërisht e besoj. 19 Njëmend që duhet të ketë edhe ndasi ndër ju, që të dalin në pah të sprovuarit.
20 Dëgjoj se kur mblidheni në një vend, nuk mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit. 21 Secili nga ju ha më përpara darkën që ka sjellë me vete dhe, kështu, njëri mbetet i uritur, ndërsa tjetri dehet. 22 A nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo doni të përbuzni kishën e Perëndisë e të turpëroni ata që nuk kanë? Çfarë t'ju them? T'ju përgëzoj? Për këtë nuk ju përgëzoj.
Themelimi i Darkës së Zotit
(Mt 26.26-29Mk 14.22-25Lk 22.14-20)23 Ajo që mora prej Zotit dhe jua dhashë edhe juve është kjo: Zoti Jezu atë natë që po tradhtohej mori bukën, 24 tha lutjen e falënderimit, e theu e tha: «Ky është trupi im për ju . Bëjeni këtë në përkujtimin tim». 25 Po ashtu, pas darkës, mori edhe kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim. Sa herë që të pini prej saj, bëjeni këtë në përkujtimin tim».
26 Sa herë që hani nga kjo bukë dhe pini nga kjo kupë, ju lajmëroni vdekjen e Zotit derisa të vijë ai.
Padenjësisht në Darkën e Zotit
27 Prandaj ai që ha bukën e Zotit, apo pi kupën e tij padenjësisht, është fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit. 28 Kështu, secili të shqyrtojë më parë veten dhe pastaj të hajë nga buka e të pijë nga kupa. 29 Kush ha e kush pi pa e dalluar trupin e Zotit, ha e pi dënimin e vet. 30 Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët, të sëmurë dhe mjaft kanë vdekur. 31 Sepse po të shqyrtojmë veten, nuk do të dënohemi. 32 Kur na gjykon Zoti, na gjykon për të na ndrequr e jo për të na dënuar bashkë me botën.
33 Kështu, o vëllezër, kur të mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit, prisni njëri-tjetrin. 34 Kush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për të marrë gjykimin e Zotit.
Të tjerat do t'i rregulloj kur të vij vetë.
Krie e njëmbëdhjetëtë
1 Të bëni të gjajturë mbë mua, sikundrë gjava edhe unë Krishtit.
2 U mburr juvet, vëllazër, sepse më kujtoni mua mbë çdo punë, e sepse mbai ato që u paradhosa unë, sikundr’ ua dhaçë.
3 Ndashti dua të diji juvet se çdo njeriut krie është Krishti. E krie pa e gruasë është burri. E krie e Krishtit, është Perndia.
4 Çdo burrë kur faletë a kur profiteps, e ka gjë mbë krie, bie turp mbë krie të tij.
5 Edhe çdo grua kur faletë a kur profiteps me krie zbuluarë, bie turp mbë krie të saj, e andaj është një lloi sikur të qe rruarë.
6 Sepse ndë mos mbulonetë gruaja, edhe le të qethetë. Ma nd’është pun’ e shëmtuarë mbë gruanë të qethuritë a të rruaritë, le të mbulonetë.
7 Sepse burri nukë duhetë të mbulojë kokënë, sepse është konismë e nder’ e Perndisë. Ma gruaja është nder i burrit.
8 Sepse nuk’ është burri nga gruaja, po gruaja është nga burri.
9 Sepse nukë qe bërë burri për gruanë, po gruaja për burrënë.
10 Andaj duhetë, për Ëngjëj, të ketë gruaja nishan ndë krie, që është ndënë urdhër të burrit.
11 Ndonëse as burri pa grua, as gruaja pa burrënë janë mbë Zotnë.
12 Sepse sikundr’ është gruaja nga burri, kështu edhe burri me anë të gruasë, e të gjitha nga Perndia.
13 Bëhuni juvet gjukatas vetë, i ka he gruasë të faletë Perndisë pa mbuluarë?
14 A nukë ju dëfton juvet edhe fisi vetiut, që është turp për burrënë të rritjë çepenë.
15 Ma gruaja ndë pastë leshëra është nderi i asaj, sepse leshërat’ i janë dhën’ asaj ndë vënd të bulicësë.
16 Ma ndë dëfton ndonjë që do qartënë, navet s’kemi të tillë adet, as Qishët’ e Perndisë.
17 E këtë u porsit juvet e nuk’ u mbur, sepse nukë mbëjidheni mbë më të mirënë po mbë më të ligënë.
18 Sepse protoparë kur mbëjidheni juvet ndë qishë, digjoj që janë të përçqiera ndë juvet. E dica i besoj.
19 Sepse duhetë që të jenë edhe erese mbë juvet, që të dukenë ata që janë ndë mes tuaj të zgjedhurë.
20 Kur mbëjidheni dha juvet mbë një vënd, nuk’ është të ngrënë dark’ e Zotit.
21 Sepse cilido nxiton mbë të ngrënë darkën’ e tij, e njëit i vjen u, e tjatëri ësht’ i dejturë.
22 Mos nukë kini juvet shtëpira për të ngrënë e për të pirë? A ksenderoni qishën’ e Perndisë, e bëni të turpëronenë ata që s’kanë fare? Ç’t’u thom juvet? t’u lëvdoj juvet? Mbë këtë nuk’ u lëvdoj.
23 Sepse unë mora nga Zoti atë që u dhaçë juvet, se Zoti Iisu mb’atë natë që u paradhos mbë vdekëjë, mori bukë.
24 E si bëri efharisti, e theu, e tha: Merri, hai, kij është kurmi im, që do të ipetë (ndë vdekëjë) për juvet. Këtë bëni për të kujtuarë tim.
25 Ashtu edhe potirë si dërkujti e pastaje, tuke thënë: Kij potir është dhjata e re mbë gjaknë tim. Këtë bëni sa herë të piji, për të kujtuarë tim.
26 Sepse sa herë të hai këtë bukë, e të piji këtë potir, dëftoni vdekëjën’ e Zotit, ngjera mb’atë kohë që të vijë ai.
27 Për këtë punë cilido që të hajë këtë bukë, a të pijë këtë potir të Zotit pa qënë aksio (i qëruarë) do të jetë fajëtuar i kurmit edhe i gjakut së Zotit.
28 Andaj le të mendonetë njeriu vetëhen’ e tij, e kështu le të hajë nga ajo bukë, e le të pijë nga ai potir.
29 Sepse ai që ha e pi i paqënë aksio, ha e pi katadhiknë e dëmn’ e tij, sepse nukë zgjuadh kurmn’ e Zotit.
30 Pra andaj janë ndër ju shumë të pafuqiçim e të sëmurë, e vdesënë dica.
31 Sepse ndë gjukojëm nevet vetëhenë tënë, do të mos jeshëm të gjukuarë.
32 Ma kur jemi gjukuarë, mundonemi nga Zoti, që të mos gjukonemi bashkë me botë.
33 Pra andaj, vëllazërit’ e mi, kur mbëjidheni për të ngrënë, pritni njeri-jatërinë.
34 Ma nd’ i ardhtë u ndonjëit, le të hajë mbë shtëpi, që të mos mbëjidheni për të dëmëtuarë. E punërat’ e tjera kur të vij unë, do t’i vë mb’udhë.