Vendimi për ta kapur
(Mt 26.1-5, Mt 14-16Mk 14.1-2, Mk 10-11Gjn 11.45-53)
1 Ndërkaq po afrohej festa e Bukëve të ndorme që quhet Pashkë. 2 Kryepriftërinjtë dhe shkruesit po kërkonin sesi ta vrisnin Jezuin, por kishin frikë nga populli. 3 Atëherë Satani hyri te Juda që quhej Iskariot e që ishte njëri prej të dymbëdhjetëve. 4 Ky shkoi për t'u marrë vesh me kryepriftërinjtë dhe rojat sesi mund t'ua dorëzonte Jezuin. 5 Ata u gëzuan shumë e ranë në një mendje për t'i dhënë para. 6 Kështu Juda pranoi dhe kërkonte rastin që t'ua dorëzonte pa qenë e pranishme turma.
Përgatitja e Darkës së Pashkës
(Mt 26.17-25Mk 14.12-21Gjn 13.21-30)
7 Kur erdhi dita e festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, 8 Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin e u tha: «Shkoni e bëni përgatitjet që të hamë Pashkën». 9 Ata e pyetën: «Ku dëshiron ta përgatisim?». 10 Jezui u tha: «Dëgjoni, kur të hyni në qytet do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Shkojini pas deri te shtëpia ku do të hyjë ai 11 e i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi na ka dërguar të të pyesim: ku është dhoma e pritjes ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”. 12 Në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty shtrojeni darkën».
13 Ata shkuan, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën.
Darka e Zotit
(Mt 26.26-30Mk 14.22-261Ko 11.23-25)
14 Kur erdhi koha, Jezui u ul për të ngrënë bashkë me apostujt. 15 Ai u tha: «Sa shumë kam dëshiruar ta ha këtë Pashkë me ju para se të vuaj, 16 sepse po ju them, nuk do të ha më nga kjo Pashkë, derisa ajo të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë».
17 Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit e tha: «Merreni e ndajeni këtë mes jush. 18 Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë».
19 Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Ky është trupi im që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim».
20 Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën e tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju. 21 Por ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë. 22 Biri i njeriut po shkon sikurse është caktuar, por mjerë ai njeri që e tradhton». 23 Atëherë ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin se cili prej tyre do ta bënte këtë gjë.
Kush është më i madhi
24 Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi. 25 Por Jezui u tha: «Mbretërit e kombeve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës. 26 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi ndër ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori. 27 Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben.
28 Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia 29 dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im, 30 që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit».
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35Mk 14.27-31Gjn 13.36-38)
31 «Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t'ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin, 32 por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu». 33 Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg e në vdekje». 34 Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh».
Para, trastë dhe shpatë
35 Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë e pa sandale, a ju mungoi gjë?». Ata i thanë: «Asgjë». 36 Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t'i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë gunën e vet e të blejë një shpatë. 37 Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet çka është shkruar: u radhit me të paudhët. Se çfarë është thënë për mua po përmbushet». 38 Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata». Ai u përgjigj: «Është mjaft».
Lutja në malin e Ullinjve
(Mt 26.36-46Mk 14.32-42)
39 Jezui doli e shkoi në malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij. 40 Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim». 41 Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë e u lut 42 kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!». 43 Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli e i dha forcë. 44 Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë . 45 Si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt e i gjeti duke fjetur nga trishtimi. 46 Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni e lutuni që të mos bini në tundim».
Tradhtia dhe arrestimi
(Mt 26.47-56Mk 14.43-50Gjn 18.3-11)
47 Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur, 48 por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?». 49 Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t'u biem me shpata?». 50 Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë, 51 por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi.
52 Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit e pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? 53 Unë isha çdo ditë me ju në tempull e nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës».
Mohimi i Pjetrit
(Mt 26.57-58, Mt 69-75Mk 14.53-54, Mk 66-72Gjn 18.12-18, Gjn 25-27)
54 Atëherë e kapën Jezuin, e morën dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit, ndërsa Pjetri e ndoqi nga larg. 55 Aty kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit, ishin ulur së bashku dhe Pjetri ishte mes tyre. 56 Kur një shërbëtore e pa Pjetrin të ulur pranë zjarrit, ia nguli sytë e tha: «Edhe ky njeri ishte me të». 57 Por Pjetri e mohoi e tha: «Grua, unë nuk e njoh atë». 58 Pak më vonë dikush tjetër e pa Pjetrin e tha: «Edhe ti je një nga ata». Por Pjetri tha: «Nuk jam, o njeri». 59 Pas rreth një ore, edhe një tjetër nguli këmbë e tha: «Është e vërtetë që edhe ky ishte me të, sepse është galileas». 60 Por Pjetri tha: «O njeri, nuk e di për çfarë po flet». Atë çast, ndërsa ai po fliste, këndoi gjeli.
61 Atëherë Zoti u kthye dhe vështroi Pjetrin. Pjetrit iu kujtuan fjalët e Zotit kur i kishte thënë: «Sot, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». 62 Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.
Tallja
(Mt 26.67-68Mk 14.65)
63 Njerëzit që e ruanin Jezuin e tallnin dhe e rrihnin. 64 Ata ia lidhën sytë dhe e pyesnin: «Gjeje kush të goditi?». 65 Dhe e fyenin me shumë fjalë të tjera.
Para sinedrit
(Mt 26.59-66Mk 14.55-64Gjn 18.19-24)
66 Kur u bë ditë, u mblodhën pleqësia e popullit, kryepriftërinjtë e shkruesit, dhe e çuan Jezuin në sinedrin e tyre 67 e i thanë: «Nëse je Krishti, na e thuaj».
Por Jezui u tha: «Po t'jua them, nuk do të më besoni, 68 dhe po t'ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, 69 por që tani Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm ». 70 Atëherë të gjithë thanë: «A je ti, pra, Biri i Perëndisë?». Dhe Jezui u tha: «Ju po e thoni. Unë jam». 71 Dhe ata thanë: «Për çfarë dëshmie tjetër kemi nevojë? E dëgjuam vetë nga goja e tij».
Krie e njëzeteditë
1 E u afërua e krëmptea e lipsovet, që thuhetë pashkë.
2 E kërkoijnë të parët’ e priftëret edhe grammatejtë me çfarë lloi punë ta vrisnë atë, sepse trëmbishnë nga llaoi.
3 E hiri satanai nde Iudha, që quhej Iskariot, që ai qe një nga të dimbëdhjetë.
4 E vate e kuvëndoi me të parët’ e priftëret e me të parët’ e vëndit, me çfarë punë t’ua ip ai atë mbë dorë ature.
5 E u gëzuanë e bënë kuvënd t’i ipnë atij asprë.
6 E u sterks e kërkon kohë t’ua ip atë ature mbë dorë pa nakatosí.
7 E erdhi dita e lipsovet që mb’atë duhej të therë për pashkë.
8 E dërgoi Petronë edhe Ioannë, e u tha: Hajdeni, e bënani gati pashkënë, të hamë.
9 Edhe ata i than’ atij: Ku do të bëjëmë gati?
10 Edhe ai u tha ature: Ja, me të hijturë të parë tuaj ndë qutet, do të piqeni me një njeri që mban një stamnë me ujë, hajdeni pas atij nd’atë shtëpi që të hijë.
11 E do t’i thoi zotit së shtëpisë: Dhaskali të thotë tij, ku është të ndënjuritë tek do të ha pashkënë bashkë me mathitit’ e mi?
12 E ai do t’u dëftojë juvet një çardhak të madh, të shtruarë. Atje të bëni gati.
13 E si vanë, gjenë sikundrë ju tha ature; e bënë gati pashkënë.
14 E kur erdhi koha, ndënji ndë mësallë; edhe të dimbëdhjetë apostojtë bashkë me të.
15 E u tha ature: Me shumë dëshërim desha të ha këtë pashkë me juvet bashkë, më përpara të pësuarit sim.
16 Se u thom juvet, që nukë do të ha më nga ajo, ngjera sa të mbushetë ajo ndë mbretëri të Perndisë.
17 E si mori potirë, efharistisi e tha: Merri këtë, e ndanie njëri me jatërinë.
18 Se u thom juvet, që do të mos pi nga ç’pjell vështi, ngjera sa të vijë mbretëria e Perndisë.
19 E mori bukë, e si efharistisi, e theu, e ua dha ature, e u tha: Kij është kurmi im, që ipetë për juvet. Këtë bëni për të mbajturë mënd mua.
20 Ashtu edhe potirë si dërkujti, e tha: Kij është potiri i dhjatësë së re mbë gjak tim, që do të derdhetë për juvet.
21 Po ja, dor’ e atij që do të më paradhosjë me mua bashkë ndë mësallë.
22 E sa për të bir’ e njeriut, ai vete sikundr’ është thënë, po ve mb’atë njeri, që prej si paradhosetë.
23 E ata zunë të kërkoijnë njëri me jatërinë, vallë cili nga ata është kij që do ta bëjë këtë.
24 E u bë edhe qartë ndëpërmes të ture mbi këtë, cili prej ature duketë të jetë m’i madh.
25 Edhe ai u tha ature: Mbretërit’ e filivet së tjera i zapëtojënë me fuqi, e ata që i urdhërojënë ato thonë se u bëjënë të mirë.
26 E ndër ju nuk’ është kështu; po ai që është m’i madh ndër ju, le të bënetë posi më i vogëli, e i pari posi shërbëtori.
27 Sepse kush është më i madh, ai që rri ndë mësallë, a ai që shërben? Nuk’ është m’i madh ai që rri? E unë jam ndë mes tuaj posi një që shërben.
28 E juvet jini ata që kini mbeturë bashkë me mua ndë pirasmonje të mia.
29 E sikundrë më bëri mua gati babai im mbretërinë, ashtu edhe unë do t’ua bëj juvet.
30 Që të hai e të piji ndë mësallë time, ndë mbretëri time, e të rriji mbi dimbëdhjetë frone të gjukoni të dimbëdhjetë filit’ e Israilit.
31 E i tha Zoti Simonit: Simon, ja, satanai kërkon t’u shosjë juvet sikundrë shosjënë grurëtë.
32 E unë u lutçë për ti, që të mos të të lipsjë besa jote e ndonjëherë kur të ktheneç, stereos vëllazërit’ e tua.
33 Edhe ai i thot’ atij: Zot, jam gati të vete me ti bashkë edhe ndë hapsanë edhe ndë vdekëjë.
34 Edhe ai i thotë: Të thom ti, o Petro, do të mos këndojë kokoshi sot përpara se ti të m’ arniseç tri herë, që s’më ke njohurë.
35 E u tha ature: Kur u dërgova juvet pa kuletë, e pa torvë, e pa këpucë, u lipsi gjë kurrë? Edhe ata i thanë: Nukë na lipsi gjë.
36 E u tha ature: Po ndashti ai që ka një kuletë, le ta marrë, kështu edhe torvë; e ai që nukë ka, le të shesë këmishën’ e tij e le të blejë thikë.
37 Sepse u thom juvet, se duhetë të paguhetë mbë mua edhe këjo që është shkruarë, që: edhe me të panomtë u nëmërua; sepse punëtë që qenë për mua janë mbë të sosurë të ture.
38 Edhe ata i thanë: Zot, ja di thikëra këtu. Edhe ai u tha ature: Sado është.
39 E si dolli, vate sikundrë kish adetnë ndë mal t’Ullinjet. E i vanë pas atij edhe mathitit’ e tij.
40 E poqë vate ndë vënd, u thot’ ature: Faluni që të mos hini ndë piraksi.
41 E ai u largua nga ata sa të shtieç një gur, e ra mbë gjunjë, e falej.
42 E thoshte: Baba, ndë do largo nga meje këtë potir; ma le të mos bënetë thelima ime, po jotea.
43 E u duk nde ai një Ëngjëll nga Qielli, për të forcuarë atë.
44 E si erdhi mbë shtrëngim, falej më nëndurë. E ju bë tjers’ e tij posi pika gjakut që bijnë mbë dhe.
45 E si u ngre nga të falturitë e erdhi ndë mathitit’ e tij, i gjeti ata fleturë nga helmi.
46 E u tha ature: Pse fliri? Ngrihi, e faluni, të mos hini ndë piraksi.
47 E pa sosurë edhe ai fjalënë, na e arriu një turmë njerëzet, edhe ai që thuhej Iudhë, që qe një nga të dimbëdhjetë, vinte përpara ature, e u afërua nde Iisui, e duan ta puth atë.
48 Edhe Iisui i tha atij: Iudhë, me një të puthurë paradhos të bir’ e njeriut?
49 E si pan’ ata që qenë rrotull’ atij, atë që do të bënej, i than’ atij: Zot, do t’u biemë me thikë?
50 E një nga ata i ra me thikë kopilit të së parit së priftëret, e i preu atij veshn’ e djathëtë.
51 E Iisui u përgjegj, e tha: Sado ngjera këtu. E zuri veshn’ e atij e ja shëroi atë.
52 E u thotë Iisui të parëvet së priftëret, e të parëvet së Ieroit, e pleqet që qenë ardhurë mbë të: Posi mbë një kusar dualltë, armatosurë me thikëra e me shkopinj?
53 Kur gjëndeshë unë me juvet bashkë ngadita ndë Iero, nukë shtitë duartë mbë mua. Po këjo është koha juaj, edhe fuqi e erësirësë.
54 E si e zunë atë, e shpun’ atë brënda ndë shtëpi të së parit së priftëret’ e Petrua vij pas si për së largut.
55 E dheznë zjar ndë mes të vathit, e ndëjnë ata, ndënji edhe Petrua ndë mes të ture.
56 E poqë e pa atë një kopile që rrijte mb’anë të zjarit, e vështroi atë mirë, e tha: Edhe kij me atë bashkë qe.
57 E ai e arnisi atë, e tha: Nuk’ e di, o grua, atë.
58 E për një çikë, si e pa atë një tjatër, tha: Edhe tij nga ata je. E Petrua tha: S’jam, o njeri.
59 E si shkoi afër një sahat e pastaje, veveos një tjatër, e thoshte: Vërtet edhe kij qe me ata, sepse është Galileo.
60 E Petrua i thotë: Njeri, nukë di se ç’thua. E atë çast pa sosur’ ai këtë fjalë, këndoi kokoshi.
61 E Zoti si u kthie vështroi Petronë, e Petrua u kujtua fjalësë Zotit, që i tha atij, se pa kënduarë dhe kokoshi, do të m’arniseç tri herë.
62 E si dolli jashtë Petrua, qau me pikëllim.
63 E ata burra që mbaijnë Iisunë lidhurë, e përqeshnë atë e e rrihnë.
64 E i mbuloijnë sit’ e tij, e i bijnë shuplaka faqevet, e e pietnë, e i thoshnë: Profiteps se cili ësht’ ai që të ra.
65 Edhe të tjera vllasfimira thoshnë kondrë tij.
66 E si u kdhi e u bë ditë, u mbëjodh gjithë pleqësia e llaoit, e të parët’ e priftëret, e grammatejtë, e e shpunë atë ndë mbëjedhëjë të ture.
67 E i thoshnë: Ndë je ti Krishti thuajna edhe navet. E u thot’ ature: Nd’ua thafça juvet, ju do mos më besoni.
68 Edhe ndë ju pietça, do të mos më përgjegjeni, as do të mos më lëshoni.
69 Ma ndashti e pastaje, do të rrijë i Biri njeriut mb’anë të djathëtë të fuqisë Perndisë.
70 E i thanë të gjithë: Ti adha je i biri i Perndisë? Edhe ai u tha ature: Juvet thoi se unë jam.
71 Edhe ata thanë: Ç’na duhetë më martiria, navet digjuam nga vetë goj’ e tij.