Tradhtia dhe arrestimi
(Mt 26.47-56Mk 14.43-50Lk 22.47-53)1 Si tha këto, Jezui doli bashkë me dishepujt e shkoi përtej përroit të Kedronit. Atje ishte një kopsht ku ai hyri me dishepujt. 2 Atë vend e njihte edhe Juda, ai që e tradhtoi, sepse Jezui mblidhej shpesh atje me dishepujt. 3 Kështu, Juda shkoi te kopshti pasi kishte marrë me vete kohortën dhe disa roja, nga kryepriftërinjtë e farisenjtë, me fenerë, pishtarë dhe armë në duar. 4 Jezui, duke ditur gjithçka që do t'i ndodhte, u doli para e u tha: «Kë kërkoni?». 5 Ata iu përgjigjën: «Jezuin e Nazaretit». Ai u tha: «Unë jam». Me ta ishte edhe Juda, ai që e tradhtoi. 6 Kur Jezui u tha: «Unë jam», ata u zmbrapsën e ranë përdhe. 7 Atëherë Jezui i pyeti përsëri: «Kë kërkoni?». Ata i thanë: «Jezuin e Nazaretit». 8 Jezui u përgjigj: «Ju thashë se unë jam. Nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë». 9 Kështu u vërtetua fjala që kishte thënë: «Nuk humba asnjë nga ata që më ke dhënë».
10 Simon Pjetri kishte një shpatë. E nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. 11 Atëherë Jezui i tha Pjetrit: «Fute shpatën në mill! Të mos e pi kupën e vuajtjeve që më dha Ati?».
Te kryeprifti
(Mt 26.57-58Mk 14.53-54Lk 22.54)12 Atëherë kohorta, kryemijësi dhe rojat e judenjve e kapën Jezuin, e lidhën 13 dhe e çuan së pari te Hanahu, vjehrri i Kajafës. Kajafa ishte kryeprifti i atij viti. 14 Kishte qenë ky që i kishte këshilluar judenjtë se ishte më mirë që një njeri të vdiste për popullin.
Mohimi i Pjetrit
(Mt 26.69-70Mk 14.66-68Lk 22.55-57)15 Jezuin e ndoqën Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër. Dishepulli tjetër ishte një i njohur i kryepriftit, prandaj hyri bashkë me Jezuin në oborrin e pallatit të kryepriftit. 16 Por Pjetri mbeti jashtë te porta. Atëherë dishepulli tjetër, i njohuri i kryepriftit, doli jashtë t'i fliste shërbëtores që ruante derën dhe e futi Pjetrin brenda. 17 Shërbëtorja që ruante derën i tha Pjetrit: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e atij njeriu?». Ai tha: «Nuk jam».
18 Shërbëtorët e rojat bënë një zjarr me qymyr dhe qëndronin rreth tij e ngroheshin, sepse bënte ftohtë. Edhe Pjetri rrinte me ta e ngrohej.
Marrja në pyetje
(Mt 26.59-66Mk 14.55-64Lk 22.66-71)19 Atëherë kryeprifti e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për mësimin e tij. 20 Jezui u përgjigj: «Unë i kam folur hapur botës. Gjithmonë kam mësuar njerëzit nëpër sinagoga e në tempull ku mblidhen gjithë judenjtë e nuk kam folur kurrë fshehtas. 21 Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar fjalët që kam folur. Ata e dinë çfarë kam thënë». 22 Kur Jezui tha këto fjalë, një nga rojat që ndodhej atje, i ra me shuplakë e i tha: «Kështu i përgjigjesh kryepriftit?». 23 Jezui u përgjigj: «Nëse fola keq, më thuaj ku qëndron e keqja, por nëse fola mirë, përse më godet?». 24 Atëherë Hanahu e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa.
Pjetri e mohon sërish
(Mt 26.71-75Mk 14.69-72Lk 22.58-62)25 Ndërsa Simon Pjetri rrinte e ngrohej, ata i thanë: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?». Ai e mohoi e tha: «Nuk jam». 26 Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij të cilit Pjetri i kishte prerë veshin, i tha: «A nuk të pashë në kopsht me të?». 27 Pjetri e mohoi përsëri dhe atë çast këndoi gjeli.
Te Pilati
(Mt 27.1-2, Mt 11-14Mk 15.1-5Lk 23.1-5)28 Pastaj Jezuin e çuan nga Kajafa në pretorium. Ishte mëngjes herët dhe judenjtë nuk hynë në pretorium që të mos ndyheshin e që të mund të hanin Pashkën.
29 Atëherë Pilati doli përjashta e u tha: «Çfarë padie ngrini kundër këtij njeriu?». 30 Ata iu përgjigjën: «Po të mos ishte keqbërës ky njeri, nuk do të ta dorëzonim ty». 31 Pilati u tha: «Atëherë merreni ju e gjykojeni sipas ligjit tuaj». Judenjtë i thanë: «Neve nuk na lejohet të vrasim njeri». 32 Kjo, që të vërtetohej fjala që kishte thënë Jezui kur kishte treguar se me ç'vdekje do të vdiste.
33 Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezuin e i tha: «A je ti mbreti i judenjve?». 34 Jezui u përgjigj: «Këtë e thua nga vetja apo ta kanë thënë të tjerë?». 35 Pilati i tha: «Mos jam jude unë? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?». 36 Jezui u përgjigj: «Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime prej kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos bija në dorë të judenjve. Por mbretëria ime nuk është prej këtej». 37 Atëherë Pilati i tha: «Pra, ti qenke mbret?». Jezui u përgjigj: «Ti vetë po e thua se unë jam mbret. Unë prandaj kam lindur e kam ardhur në botë, që të dëshmoj të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës e dëgjon zërin tim». 38 Pilati i tha: «Çfarë është e vërteta?».
Dënimi me vdekje
(Mt 27.15-31Mk 15.6-20Lk 23.13-25)Pasi tha këto fjalë, Pilati doli përsëri e u tha judenjve: «Unë nuk gjej asnjë shkak për ta dënuar. 39 Ju keni zakonin t'ju liroj për Pashkë një të dënuar. A doni, pra, t'ju liroj mbretin e judenjve?». 40 Ata thirrën përsëri: «Jo këtë, por Barabën». Baraba ishte kusar.
Krie e tetëmbëdhjetëtë
1 Si tha këto Iisui, dolli bashkë me mathitit’ e tij përteje nga proi i Qedhronit, tek një kofshtë, e mb’atë hiri ai, edhe mathitit’ e tij.
2 E këtë vënd e dij edhe Iudha që duaj ta prodhos atë, sepse shumë herë kish vaturë Iisui atje bashkë me mathitit’ e tij.
3 E Iudha si mori trimatë, edhe kopij nga të parët’ e priftëret e nga farisejtë, vate atje me fanarë, e me llambadha, e me armë.
4 Ma Iisui që i dij gjith’ ato që do t’i vijnë sipër, dolli përpara, e u thot’ ature: Cilinë kërkoni?
5 Ju përgjegjnë atij: Iisunë Nazarinonë. U thot’ ature Iisui: Unë jam. E qe me ata bashkë edhe Iudha, që e paradhoste atë.
6 E poqë u tha ature, se unë jam, u hoqnë mbë të prapë, e ranë mbë dhe.
7 Përsëri pa i pieti ata: Cilë kërkoni? E ata i thanë: Iisunë Nazarinonë.
8 U përgjegj Iisui: U thaçë juvet, unë jam. Ndë kërkoni adha mua, liri këta të venë.
9 Që të paguhetë fjala që tha, se nga ata që më dhe, nukë humba ndonjë.
10 Ma Simon Petrua si kish thikë, e nxori atë nga milli e goditi kopiln’ e së parit së priftëret, e i preu atij veshn’ e djathëtë. E ëmër’ i kopilit qe Malho.
11 Po Iisui i thotë Petrosë: Vurë thikënë tënde ndë mill. Potirë që më dha mua babai, të mos e pi atë?
12 E trimatë, edhe Hiliarhu, edhe kopijt’ e çifutet e zunë Iisunë e e lidhnë.
13 E protoparë e shpunë atë te Anna, sepse ishte vjehëri i Kaiafësë, e kij qe mb’atë mot i Parë i priftëret.
14 E Kaiafa ishte ai që u dha çifutet nasihat, se është pun’ e vëjierë të humbasë një njeri për gjithë llaonë.
15 E Simon Petrua vij pas Iisuit, edhe tjatëri mathiti. E kij mathiti qe i njohurë me të parin’ e priftëret, e hiri bashkë me Iisunë ndë Avlli të së parit së priftëret.
16 E Petrua qëndroi jashtë afër portësë. Dolli dha mathitiu tjatër, ai që qe i njohurë te i pari i priftëret, e i tha portarësë, e e kalli Petronë brënda.
17 E kopilea portare i tha Petrosë: Mos je vallë edhe tij nga mathitit’ e këtij njeriut? E ai u përgjegj: Nukë jam.
18 E shërbëtorëtë edhe kopijtë panë bërë zjar, e rrijnë e ngrohishnë, sepse qe të ftohëtë. Rrij edhe Petrua me ta bashkë e ngrohej.
19 E pieti adha i pari i priftëret Iisunë për mathitit’ e tij edhe për dhidhahi të tij.
20 E Iisui ju përgjegj atij: Unë faqeza kuvëndova ndë botë, unë dhidhaksa kurdo ndë Sinaguaj edhe ndë Iero tek mbëjidhenë nga çdo anë çifutë, e ndë të fshehurë nukë thaçë ndonjë fjalë.
21 Përse më piet mua? Piet këta që digjuanë se ç’u thaçë ature. Ja, këta e dinë se ç’thaçë unë.
22 E si tha këto, një nga shërbëtorëtë që gjëndeshinë atje i dha një shuplakë Iisuit, e i tha: Kështu përgjegje nde i pari i priftëret?
23 Ju përgjegj atij Iisui: Ndë fola likshtë, dëftomë të ligënë; ma ndë fola mirë, pse më rreh?
24 E Anna pa e dërgoi atë lidhurë te Kaiafa i pari i priftëret.
25 E Simon Petrua rrijte, e ngrohej. I thanë dha atij: Vallë mos je edhe ti nga mathitit’ e tij? E ai e arnisi e tha: Nukë jam.
26 Thotë një nga shërbëtorët’ e priftit së parë, që qe gjëri i atij që i preu veshnë Petrua: Nukë të paçë unë ti me atë bashkë ndë kofshtë?
27 E Petrua e arnisi përsëri, e atë çast këndoi kokoshi.
28 E bienë dha Iisunë nga Kaiafa ndë Pretuar. E qe mëngjes. E ata nukë hinë ndë pretuar, që të mos pëgëhishnë, po që të haijnë pashkënë.
29 Dolli adha Pillatua jashtë mb’ata, e u tha: Ç’kallëzi kini kondrë këtij njeriut?
30 Ju përgjegjnë, e i than’ atij: Të mos qe kij njeri që bën të keq, nukë ta keshëm dhënë mbë duar të tua.
31 U thot’ adha ature Pillatua: Merrie atë juvet e gjukonie atë sikundrë kini nomnë tuaj. Ma çifutë i than’ atij: s’është ndëjierë ndë nevet të vrasëmë ndonjë.
32 Që të paguhej fjala që tha Iisui, që shënon me çfarë vdekëjë duaj të vdis.
33 E Pillatua hiri përsëri ndë pretuar e thirri Iisunë, e i tha atij: Ti je mbreti i çifutet?
34 Ju përgjegj atij Iisui: Nga vetiu e thua ti këtë? A të tjerë të thanë ti për mua?
35 U përgjegj Pillatua: Mos jam unë çifut? Filia ote edhe të parët’ e priftëret të dhanë tij mbë duar të mia. Ç’bëre ti?
36 U përgjegj Iisui: Mbretëria ime s’është nga këjo botë. Të qe nga këjo botë mbretëria ime, trimat’ e mi do të lëftoijnë që të mos bie ndë duar të çifutet, po ndashti mbretëria ime s’është këteje.
37 I thotë dha atij Pillatua: Mbret adha je ti? Ju përgjegj Iisui: Ti e thua që jam unë mbret. Unë për këtë punë u lindçë, e për këtë arçë ndë botë, që t’ap martiri mbë të vërtetë. Ai që është nga e vërteta, digjon zënë tim.
38 I thot’ atij Pillatua: Ç’ësht’ e vërteta? E poqë tha këtë, dolli përsëri të gjen çifutë, e u thot’ ature: Unë nukë gjej ndonjë faj mbë të.
39 Ndashti kini një adet, që t’u lëshoj një njeri ndë pashkë. Doi adha t’u lëshoj juvet Mbretn’ e çifutet?
40 Thirrë pa gjithë njeri pas jatërit, e thanë: Jo këtë, po Varavanë. E Varavai ish një kusar.