Për shkatërrimin e tempullit
(Mt 24.1-2Lk 21.5-6)1 Kur dolën nga tempulli, njëri prej dishepujve i tha: «Mësues, shiko ç'gurë e ç'ndërtesa!». 2 Jezui i tha: «A i sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Fillimi i fundit
(Mt 24.3-14Lk 21.7-19)3 Kur u ul në malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni e Andrea e pyetën Jezuin veçmas: 4 «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se të gjitha ato do të përmbushen?». 5 Atëherë Jezui filloi t'u thoshte: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri. 6 Shumë veta do të vijnë në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz.
7 Kur të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. 8 Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Në disa vende do të ketë tërmete e zi buke . Ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. 9 Por kini kujdes për veten, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju rrahin nëpër sinagoga. Për shkakun tim do t'ju nxjerrin të dëshmoni para princave e mbretërve. 10 Por më parë ungjilli duhet t'u predikohet të gjitha kombeve. 11 Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çfarë do të thoni, por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, se nuk do të jeni ju ata që flisni, por Shpirti i shenjtë.
12 Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. 13 Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtohet».
Shkretimi i madh
(Mt 24.15-28Lk 21.20-24)14 «Por kur të shihni tmerrin e shkretimit që qëndron atje ku nuk i takon, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. 15 Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! 16 Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! 17 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! 18 Lutuni që kjo të mos ndodhë në dimër, 19 sepse në ato ditë do të bjerë një mjerim i paparë ndonjëherë deri më sot, që kur Perëndia krijoi gjithçka, e të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. 20 Po të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të atyre që ka zgjedhur, ai i shkurtoi ato ditë. 21 Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. 22 Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë që do të bëjnë shenja e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit. 23 Por kini kujdes! Unë ju paralajmërova për të gjitha».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mt 24.29-31Lk 21.25-28)24 «Në ato ditë, pas pikëllimit,
dielli do të errësohet
e hëna nuk do të ndriçojë.
25 Yjet do të bien nga qielli
e pushtetet që janë në qiell
do të tranden.
26 Pastaj do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet të madh e me lavdi. 27 Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër anët, prej skajeve të dheut deri te skajet e qiellit».
Shëmbëlltyra e fikut
(Mt 24.32-35Lk 21.29-33)28 «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. 29 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. 30 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 31 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Dita dhe ora
(Mt 24.36-44Lk 19.12-20)32 «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. 33 Kini kujdes e rrini zgjuar , se nuk e dini kur do të vijë koha. 34 Kjo është si puna e atij njeriut që niset për rrugë. Ai largohet nga shtëpia, i cakton secilit shërbëtor punën e vet dhe e urdhëron rojtarin e derës të rrijë zgjuar. 35 Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë, në mbrëmje a në mesnatë, në agim a në mëngjes, 36 që nëse vjen befasisht, të mos ju gjejë në gjumë. 37 Atë që ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!».
KAPTINA XIII.
1 Ende ai tue dalunë prei tempullit, i thoshte nji prei dishepujvet ati: Mieshtër, shif çfarë gurësh të mëdhej, ende çfarë ndërtesash të mëdha!
2 Ende Iesui u përgjeq, e i tha: Shef këto ndërtesa të mëdha? S’ka me mbetunë gur mbi gur qi nukë do të rrenohetë.
3 Mbasandai ai tue ndenjunë ndë Malt të Ullivet, kundruell tempullit, Pietri ende Iakobi ende Gjionni ende Andreu e pysinë veç-anë:
4 Na thui, kurë kanë me u bamë këto? Ende ç’shenjë ka me qenë kur të mbarohenë këto të gjitha?
5 Ende Iesui tue u përgjegjun’ atyne filloi me thanë: Veni ore mos u gënjejë kushi juve,
6 sepse shumë vetë kanë me ardhunë mb’emënit t’em, tue thanë, se - Unë jam; ende kanë me gënjymë shumë vetë.
7 Ende kur të ndëgjoni luftëna, ende zana luftënash, mos droni, sepse duhenë me u bamë këto ; po ende nuk’ asht’ e mbrapmeja.
8 Sepse ka me u ngritunë komp kundrë kombi, ende mbëretëni kundrë mbëretënie; ende kanë me u bamë tërmetëna vende mbë vende, ende kanë me u bamë zina për bukë , e të përzime; këto janë të fillumet’ e të vështiravet.
9 Po ju veni ore vetëhenë tui, sepse kanë me u dhanë juve ndë durë ndëpër bashkë-ndejtie, ende ndëpër synagoga; keni me u rrafunë, ende keni me ndenjunë përpara guvernatorëve, e mbëretënave, për punë të meje për deshmi mb’ata.
10 Ende duhetë me u predikum’ ungjilli ma përpara ndëpër gjithë kombet.
11 Po kur t’u bijënë juve për me u dhanë juve ndër durë, mos kini gaile përpara se qish keni me folunë, as mos pisatoni, po qish t’u epetë juve nd’ate ore, këte flitni, sepse s’jeni ju ata qi flitni, po Shpirti Shenjt.
12 Ende i vëllai ka me dhanë ndë durë të vëllanë për vdekë, ende i ati të birinë; ende dielmtë kanë me ngritunë krye kundrë përindvet, ende kanë me i vramë.
13 Ende keni me qenë të marrë mëni prei së gjithëve për emninë t’em, po kush të durojë ngjer së mbrapmi, kyi ka me u shpëtumë.
14 Ende kur të shifni “të ndytët’ e së shkretumesë”, qi ashtë thanë prei profetit Daniel, ndenjun’ atie ku s’duhetë (ai qi këndon le të marri vesht), atëherë ata qi të jenë ndë Iude, le t’ikinë ndëpër malet;
15 ende ai qi të jetë mbi majët të shtëpisë, le të mos sdrypi ndë shtëpi, as le të mos hyjë me marrë gja prei shtëpisë vet;
16 ende ai qi të jetë nd’arë, le të mos këthehetë mbrapa me marrë petkun’ e vet.
17 Po mjer mb’ato qi janë të mbarsëme, ende mb’ato qi kanë foshënjë për gji nd’ato ditt!
18 Ende faluni për mos me u bamë të ikunitë tui ndë dimënë.
19 Sepse nd’ ato ditt ka me qenë i këtillë shtrëngim, qi nuk’ ashtë bamë kështu çë kurë se ashtë fillumë krijesa qi krijoi Perëndia, ngjer ndashti, ende as s’ka me u bamë.
20 Ende Zoti ndë mos i kishte pasë shkurtum’ ato ditt, s’kishte për me pështum’ as ndonji korp, po për të sgjedhunit, qi i ka sgjedhunë, shkurtoi ditt.
21 Ende atëherë ndë u thashtë juve kushi: Ngje ku ashtë Krishti këtu; a: Ngje ku asht’ atie; të mos mbesoni,
22 sepse kanë me u ngritunë krisht-rrenësa, e profet-rrenësa, ende kanë me banë shenjë, e mërekullia, për me gënjym’ ende të sgjedhunitë ndë mufshinë.
23 Po ju veni ore. Ngje ku u thashë juve të gjitha çë përpara.
24 Po nd’ato ditt, mbas ati shtrëngimi, dilli ka me u errunë, ende hana s’ka me dhanë dritën’ e vet,
25 ende yjet’ e qillit kanë me ranë, ende fuqiatë qi janë ndë qillt kanë me u tundunë.
26 Ende atëherë kanë me pamë të birin’ e nieriut tue ardhunë ndër re me shumë fuqi, ende me laft.
27 Ende atëherë ka me dërgum’ engjujt’ e vet, ende ka me mbëledhunë të sgjedhunit’ e vet prei së katër erash, prei kantit dheut ngjer mbë kant të qillit.
28 Ende prei drusë fikut mirrni vesht parabullënë: Kur t’i bahetë ndashti asai dega e butë, ende të nxierri gjethetë, dinia se ashtë ngjat të korrëtë;
29 kështu ende ju, kur të shifni këto se bahenë, dinia se ashtë ngjat mbi dyrët.
30 Me të vërtet po u thom juve, se kyi bres s’ka me shkumë, ngjer sa të bahenë gjithë këto.
31 Qilli ende dheu kanë me shkumë, po fjalët’ e mia s’kanë me shkumë.
32 Ende për ate ditë, e për ate orë askushi s’e di, as engjujtë qi janë ndë qill, as Biri, po veç Ati.
33 Veni ore, rrini qutë, ende faluni, sepse nukë dini kurë ashtë koha.
34 Sepse kjo ka me qenë posi nji nieri dalunë ndë dhe të huj, i cilli la shtëpin’ e vet, ende dha pushtetinë ndër shërbëtorët e vet, ende mbë gjithë-se-cillinë punën’ e vet, ende porositi portarinë me ndenjunë qutë.
35 Rrini qutë pra (sepse s’dini kurë vien i zoti i shtëpisë ndë të ngrysunit, a ndë mies-natë, a ndë këndim të gjelit, a ndë mëngjest);
36 drui se mos vien befas, e u gjen’ juve tue fjetunë.
37 Ende ato qi po u thom juve, ua thom të gjithëve: Rrini qutë.