Pali e Barnaba në Ikon
1 Në Ikon, Pali e Barnaba hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në një mënyrë të tillë saqë një numër i madh judenjsh e helenësh besuan në Jezuin. 2 Por judenjtë që nuk besuan, i mbushën me ligësi shpirtrat e johebrenjve dhe i ngritën kundër vëllezërve. 3 Megjithatë Pali e Barnaba ndenjën aty për shumë kohë, duke folur me guxim për Zotin. Zoti u jepte atyre fuqinë që të bënin shenja e mrekulli, duke dëshmuar kështu se predikimi i tyre për hirin e tij ishte i vërtetë.
4 Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë, disa me apostujt. 5 Kur kombet dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, shestuan që t'i keqtrajtonin e t'i vrisnin me gurë, 6 apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth. 7 Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.
Pali e Barnaba në Listër
8 Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë. 9 Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej, 10 i tha me zë të lartë: «Ngrihu më këmbë!». Atëherë ai u ngrit më këmbë e filloi të ecte.
11 Kur panë se ç'bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në trajtë njeriu!». 12 Ata e quajtën Barnabën Zeus, ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë.
13 Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte jashtë qytetit, solli dema e kurora te dyert dhe së bashku me turmat donin t'u kushtonin flijime. 14 Kur e dëgjuan këtë gjë dy apostujt, Barnaba e Pali, grisën rrobat dhe dolën me vrap te turmat duke bërtitur: 15 «O burra, çfarë po bëni kështu? Ne jemi njerëz si ju. Ne ju sjellim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, që krijoi qiellin, tokën, detin e gjithçka gjendet në to. 16 Në kohën e breznive të kaluara i ka lejuar të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre. 17 Megjithatë ai ka dhënë dëshmi për veten e tij, duke bërë vepra të mira. Ju ka dhënë shi nga qielli e stinë të begata, duke ju dhënë ushqim e duke i gëzuar zemrat tuaja».
18 Edhe pas këtyre fjalëve i mbajtën me vështirësi turmat që të mos u kushtonin flijime.
19 Por aty erdhën disa judenj nga Antiokia e Ikoni dhe i bënë turmat për vete. Atëherë e goditën Palin me gurë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit, duke menduar se kishte vdekur. 20 Kur dishepujt u mblodhën përreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.
Kthimi në Antiokinë e Sirisë
21 Pasi e shpallën ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki. 22 Aty ua forcuan shpirtrat dishepujve e u dhanë zemër që të vazhdonin në besim, duke u thënë: «Duhet të kalojmë shumë mundime për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë». 23 Në çdo kishë ata zgjodhën pleqtë drejtues dhe me agjërim e lutje ia paraqitën Zotit, në të cilin kishin besuar.
24 Pastaj kaluan nëpër Pisidi dhe arritën në Pamfili. 25 Atëherë e predikuan fjalën e Zotit në Pergë e shkuan në Atali. 26 Që aty lundruan për në Antioki, në qytetin ku Perëndia u kishte besuar hirin për veprën që kishin përfunduar.
27 Kur arritën, e mblodhën kishën, i treguan gjithçka kishte bërë me ta Perëndia dhe sesi ai u kishte hapur derën e besimit kombeve. 28 Pali e Barnaba ndenjën atje me dishepujt për shumë kohë.
KAPTINA XIV.
1 Edhe ndë Ikoni, kur hynë bashkë ata ndë synagogët të Iudevet, edhe folnë kështu, kaqi sa besuenë shumë gjindëje prei Iudevet e prei Grekëvet.
2 Por ata Iudeitë qi s’besojinë, shtyjinë mbë të keq shpirtënat’ e kombevet kundrë vëllazënavet.
3 Mëjaft kohë pra ndejnë atie , tue folunë me sy çelë për Zotinë, qi deshmonte mbë fjalën’ e hirit vet, edhe epte me u bamë shenje e mërekullia me anë të duervet atyne.
4 Edhe shumica e qytetit u da dyshë , e disa ishinë me anë të Iudevet, e disa me anë të apostujvet.
5 Edhe kur u turrnë kombet’ e Iudeitë bashkë me të parët’ e vet, me i shamë e me i rrafunë me gurë,
6 e muernë vesht, edhe iknë ndëpër qytetet e Lykaonisë, ndë Lystrë e ndë Derbë e rreth atyne katundevet;
7 edhe atie ishinë tue ungjillëzuem.
8 Edhe ndë Lystrë po rrinte ni nieri qi s’mundei prei kambësh, sepse ishte çal çë prei barkut s’amësë vet, edhe s’kishte ecunë kurrë ndonji herë.
9 Kyi po ndëgjonte Paulinë tue folunë, i cilli shtiu sytë mb’ate, edhe pa se kishte besë për me u shpëtuem,
10 tha me za të math: Ngreu mbë kambë dreitë. Edhe ai hofte përpietë e ecëte.
11 Edhe gjindëja kur panë se qish bani Pauli, ngritnë zanin’ e vet, tue thanë Lykaonisht se : Perëndinat’ u përgjaitnë porsi nierës, e sdrypnë te na.
12 Edhe queitnë Barnabën’ Ejte, edhe Paulinë Merkur; sepse ai ishte qi tërhiqte fjalënë.
13 Atëherë prifti i Ejtesë qi ishte përpara qytetit atyneve, pruni dema e kunora përpara dyervet, e donte me bamë kurban bashkë me gjindëjenë.
14 Edhe kur ndëgjuen’ apostujtë Barnaba edhe Pauli, shqornë petkat’ e veta, edhe karcyenë ndë miedis të gjindëjesë, tue bërtitun’ e tue thanë:
15 Përse bani këto, o burra? Edhe na jemi nierës qi pësojmë porsi ju, tue predikuem juve të këthehi prei këtyne të kotash mbë Perëndin’ e gjallë, qi bani qiellin’, e dhen’, e detin’ e gjithë qish janë nd’ato,
16 i cilli ndë brezat qi shkuenë la gjithë kombetë me ecunë nd’udhët të veta.
17 Ndonëse nuk e la vetëvetëhenë pa bamë deshmi, tue bamë mirë, e tue dhanë prei qiellit shinë e kohëna plot me pemë, qi mbushinë zemëratë t’ona me ushqim e me gëzim.
18 - Edhe tue thanë këto, memëzi ndalnë gjindëjenë për mos me u bam’ atyne kurban.
19 Edhe erthnë disa Iudei prei Andiohisë e prei Ikonisë, edhe si u mbushnë mendienë gjindëjesë, edhe rrafnë me gurë Paulinë, e tërhoqnë jashtë qytetit, sepse kujtuenë se vdiq.
20 Por dishepujtë kur e rrethuenë, u ngrit, e hyni ndë qytet; edhe ndë nesëret duel bashkë me Barnabënë ndë Derbë.
21 Edhe mbassi predikuen’ ungjillinë nd’ate qytet, edhe banë shumë dishepuj, u këthyenë ndë Lystrë e ndë Ikoni e ndë Andiohi,
22 tue forcuem shpirtënat’ e dishepujvet, e tue shtym’ ata me qindruem ndë besët, edhe tue u than’ atyne se me shumë shtrëngime duhetë me hymë ndë mbëretënit të Perëndisë.
23 Edhe si u urdhënuen’ atyne pleq mbë çdo kishë, edhe u falnë me agjinime, i lanë mbi Zotinë qi i kishinë besuem.
24 Edhe si kaluenë Pesidinë, erthnë ndë Pamfyli.
25 Edhe si folnë fjalënë ndë Pergë, sdrypnë ndë Attali;
26 edhe prei andyj lundruenë për Andiohi, atie ku ishinë dhanë ndë hir të Perëndisë për punënë qi mbaruenë.
27 Edhe kur erthnë, mbëlothnë kishënë, edhe u diftuenë’ atyne gjithë sa bani Perëndia me anë t’atyneve, edhe se çeli derën’ e besësë ndër kombet.
28 Edhe ndejnë atie shumë kohë bashkë me dishepujt.