Pjetri e Gjoni para Sinedrit
1 Kur Pjetri e Gjoni po i flisnin popullit, priftërinjtë, kryeroja i tempullit e saducenjtë, iu afruan 2 të zemëruar që ata po mësonin popullin e po shpallnin se të vdekurit do të ngjallen përmes Jezuit. 3 Atëherë i kapën e i mbajtën në burg deri të nesërmen, meqë tashmë ishte mbrëmje. 4 Shumë prej atyre që e kishin dëgjuar fjalën e Pjetrit, besuan dhe numri i burrave që besuan arriti në rreth pesë mijë.
5 Të nesërmen krerët e judenjve, pleqtë e shkruesit, u mblodhën në Jerusalem 6 me kryepriftin Hanah, me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin e të gjithë ata të familjes kryepriftërore. 7 Ndërsa Pjetri e Gjoni qëndronin në këmbë në mes tyre, ata i pyetën: «Me ç'fuqi apo në emër të kujt e bëtë këtë gjë?». 8 Atëherë Pjetri, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, u tha: «Krerë të popullit e pleq të Izraelit, 9 ju po na merrni në pyetje sot për një vepër të mirë që i kemi bërë një të sëmuri dhe doni të dini sesi u shërua ky njeri. 10 Dijeni, pra, të gjithë ju e mbarë populli i Izraelit se ky njeri që po qëndron para jush, është shëruar në emrin e Jezu Krishtit të Nazaretit, të cilin ju e kryqëzuat e Perëndia e ngjalli prej të vdekurve. 11 Jezui është
guri që ju ndërtuesit e hodhët tej
e që u bë guri i qoshes.
12 Shpëtimi nuk vjen nga askush tjetër dhe njerëzve nuk u është dhënë asnjë emër tjetër nën qiell, përmes të cilit do të mund të shpëtoheshim».
13 Kur panë guximin e Pjetrit e të Gjonit dhe kur u kujtuan se këta ishin njerëz pa shkollë e të thjeshtë, ata u habitën, sepse i njihnin dhe e dinin se kishin qenë me Jezuin. 14 Pastaj panë se njeriu që ishte shëruar po rrinte me ta, por nuk kishin çfarë të thoshin. 15 Megjithatë, i urdhëruan të dilnin nga sinedri e filluan të këshilloheshin me njëri-tjetrin 16 e të thoshin: «Ç'të bëjmë me këta njerëz? Të gjithë banorët e Jerusalemit e dinë mirë se përmes tyre është bërë një shenjë që duket qartë dhe ne nuk mund ta mohojmë. 17 Por, që kjo gjë të mos përhapet më shumë në popull, t'i kërcënojmë që të mos u flasin më njerëzve në emër të Jezuit». 18 Atëherë i thirrën dhe i urdhëruan që të mos flisnin e të mos mësonin kurrsesi njerëzit në emër të Jezuit. 19 Por Pjetri e Gjoni u përgjigjën: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë para Perëndisë t'ju dëgjojmë ju apo Perëndinë? 20 Ne nuk mund të rrimë pa folur për ato që kemi parë e dëgjuar».
21 Ata, pasi nuk gjetën arsye për t'i dënuar, i kërcënuan dhe i lanë të lirë për shkak të popullit, sepse të gjithë e përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur. 22 Njeriu që ishte shëruar përmes kësaj shenje ishte mbi dyzet vjeç.
Lutja e kishës
23 Pasi u lanë të lirë, Pjetri e Gjoni shkuan te të tjerët e u treguan gjithçka që u kishin thënë kryepriftërinjtë e pleqtë. 24 Kur dëgjuan këtë gjë, ata iu lutën Perëndisë të gjithë bashkë e thanë: «O Zot , ti që ke bërë qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat që janë në to, 25 ti i ke thënë paraardhësit tonë Davidit, shërbëtorit tënd, përmes Shpirtit të shenjtë:
përse u zemëruan kombet
e popujt thurin shestime të kota?
26 Mbretërit e tokës janë përgatitur
e princat janë mbledhur së bashku
kundër Zotit e kundër Krishtit të tij.
27 Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht, 28 që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin. 29 E tani, o Zot, shikoji kërcënimet e tyre dhe bëj që shërbëtorët e tu ta flasin fjalën tënde me plot guxim. 30 Shtrije dorën tënde për të shëruar e bëj që të ndodhin shenja e mrekulli përmes emrit të Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë».
31 Kur u lutën ata, vendi ku ishin mbledhur së bashku u trand. Atëherë u mbushën me Shpirtin e shenjtë dhe shpallën me guxim fjalën e Perëndisë.
Besimtarët ndajnë të mirat
32 Të gjithë ata që kishin besuar, ishin në një zemër e në një shpirt dhe askush nuk i quante të vetat gjërat që kishte, por gjithçka e kishin të përbashkët. 33 Apostujt dëshmonin me shumë fuqi për ngjalljen e Zotit Jezu dhe Perëndia u jepte shumë hir të gjithëve. 34 Mes tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse ata që kishin toka apo shtëpi, i shisnin dhe fitimin e sillnin 35 e ua dorëzonin apostujve. Pastaj apostujt i jepnin secilit sipas nevojës.
36 Edhe Jozefi, një levit i lindur në Qipro, të cilit apostujt i kishin vënë emrin Barnabë, që do të thotë «Bir i ngushëllimit», 37 shiti një arë të vetën dhe paratë i solli e ua dorëzoi apostujve.
KAPTINA IV.
1 Edhe ata kur po i flisinë popullit, erthnë mbi ata priftënit’ edhe i pari i tempullit edhe Saddukeitë, tue u idhënuem,
2 sepse ata mësojinë popullinë, edhe epinë za për të ngjallëmenë prei së vdekunish me anë të Iesuit.
3 Edhe vunë duertë mbi ata, e i vunë mbë të rueitunë, deri mbë të nesërmet, sepse atëherë ishte mbramie.
4 Edhe shumë vetë prei atyneve qi ndëgjuenë fjalënë, besuenë; edhe u mbush numëri i nierëzëvet afër pesë mijë.
5 Edhe mbë të nesërmet u mbëlothnë ndë Ierusalem të parët’ e atyneve, edhe pleqtë, edhe shkruisitë,
6 edhe Anna krye-prifti, edhe Kaiafa, edhe Gjionni, edhe Aleksandri, edhe gjithë sa ishinë prei farësë krye-priftënisë.
7 Edhe si i vunë ndë miedis, i pyesinë: Me çfarë fuqie, a me të kuit emënë batë këte ju?
8 Atëherë Pietri, u mbush me Shpirtinë Shenjt, e u tha atyne: O të parët’ e popullit, edhe pleqt’ e Israelit,
9 ndë pyetemi na sot për të mirën’ e nji nieriu të sëmunë, prei çfarë fuqie u shëndosh kyi;
10 le të bahet’e ditunë mbë gjithë ju, edhe mbë gjithë popullin’ e Israelit, se mb’emënit të Iesu Krishtit Nazoreasit, të cillinë ju e kryqëzuetë, por Perëndia e ngjalli prei së vdekunish, me anë të këti rri kyi tashti përpara jush i shëndoshë.
11 Kyi asht’ ai guri qi u hoth poshtë prei jush qi ndërtoni, i cilli u vu ndë krye të sqepit.
12 Edhe nuk’ ashtë shpëtim prei as-ndonji tietëri, sepse as emënë tietër ndënë qiellt nuk’ ashtë dhanë mbë nierëzit, qi duhetë me u shpëtuem na prei ati.
13 Edhe kur vun’ ore kuximin’ e Pietrit edhe të Gjionnit, edhe muernë vesht se ishinë nierës të paditunë letëra edhe idiotë, mërekulloheshinë; edhe i ngjifinë se kishinë qenunë bashkë me Iesunë.
14 Edhe mbassi shifin’ atë nierinë qi ishte shëndoshunë tue ndenjunë bashkë me ata, s’kishinë se qish me thanë kundrë.
15 Por, mbassi i urdhënuenë me dalunë jashtë bashkë-ndejtiesë, muernë e dhanë njiani me tietrinë,
16 tue thanë: Qish t’u bajmë këtyne nierëzëvet? Sepse ç’mërekulli u ba e ditunë prei atyneve, ashtë për faqe gjith’ atyneve qi rrinë ndë Ierusalem; edhe nukë mundemi me e mohuem,
17 por qi të mos hapetë ma tepërë ndë popull, le t’u shtiemë frikënë shtrëngueshim, të mos i flasinë ma as ndonji nieriu mb’emënit të këti
18 Edhe si i thirrnë, i porositnë mos me lëgjiruem kreit, as mos me mësuem mb’emënit të Iesuit.
19 Por Pietri edhe Gjionni u përgjeqnë atyneve, e thanë: Ndë qoftë me udhë përpara Perëndisë, gjukoni.
20 Sepse na s’mundemi mos me folunë për sa pam e ndëgjuem.
21 Edhe ata mbassi u shtinë frikënë prap, i lishuenë; sepse nukë gjejinë se si me i munduem, prei popullit, sepse të gjithë lavdojinë Perëndinë për ate punë qi u ba.
22 Sepse ai nieri qi i koditi këjo mërekullia e të shëndoshunit, ishte ma tepërë se katërdhetë vieç.
23 Edhe si u lishuenë, erthnë te të vetët, edhe dhanë za për gjithë sa u thanë krye-priftënit’ edhe pleqtë.
24 Edhe ata kur ndëgjuenë, ngritnë zaninë te Perëndia me nji zemërë, edhe thanë: O Zotëni, ti je Perëndia qi bane qiellinë, edhe dhenë, edhe detinë, edhe gjithë sa janë nd’ato;
25 ti qi ke thanë me anë të gojësë Davidit shërbëtorit tand: “Përse shfryitnë kombetë, edhe popujtë shkuenë ndër mend punë të kota?
26 Mbëretënit’ e dheut ndejtnë, edhe të parët’ u mbëlothnë bashkë kundrë Zotit, edhe kundrë të lyemit ati”.
27 Sepse për të vërtetë u mbëlothnë kundrë shenjtit dialit tand Iesuit, të cillin’ e leve, edhe Herodi, edhe Pilat Pontiu bashkë me kombet, edhe me popujt e Israelit,
28 për me bamë sa urdhënoi çë ndë krye të kohësë dora jote edhe anda jote për me u bamë.
29 Edhe tashti, o Zot, ven ore frikatë qi shtien’ ata , edhe epu shërbëtorëvet tu me folunë fjalënë tande me gjithë kuxim,
30 tue shtrimë dorënë tande me shëndoshunë; edhe me u bamë shenje e mërekullia me anë të emënit shenjtit dialit t’yt Iesuit.
31 Edhe si u lutnë ata, u tund ai vend qi ishinë mbëledhunë, edhe u mbushnë të gjithë me Shpirtin Shenjt, edhe flisinë fjalën’ e Perëndisë me kuxim.
32 Edhe zemëra e shpirti i shumicësë qi kishinë besuem ishte nji; edhe askushi nukë thoshte për ndonji gja prei pasëjes’ atyneve se asht’ e veta, por të gjitha i kishinë rëndom.
33 Edhe apostujt’ epinë deshmin’ e së ngjallëmesë Zotit Iesu me fuqi të madhe; edhe ishte hir i math mbë gjith’ ata.
34 Sepse askushi nuk’ ishte i nevojëshim ndër ata, sepse gjithë sa ishinë të zotënit’ e aravet e shtëpiavet, i shisin, e bijinë të çimuemit’ e të shitunavet,
35 edhe i vejinë për-anë kambëvet apostujvet; edhe ua dajinë njiani tietrit mbas nevojësë qi kishte gjithë-kushi .
36 Edhe Ioseu, i cilli u queit përmbi emënë Barnabë prei apostujsh (qi këthyem, do me thanë, i Bir’ i ngushullimit), ishte Levit, Kyprianë prei kombit,
37 i cilli shiti arënë qi kishte, edhe pruni astrëtë, e i vuni për-anë kambëvet apostujvet.