1 «Vëllezër dhe etër, dëgjoni mbrojtjen time!». 2 Kur dëgjuan se po u fliste hebraisht, u bë qetësi edhe më e madhe. Atëherë ai tha: 3 «Unë jam jude. Kam lindur në Tars të Kilikisë dhe jam rritur këtu në Jerusalem. Kam pasur si mësues Gamalielin dhe jam edukuar pikë për pikë sipas ligjit të etërve tanë, me zell për Perëndinë, sikurse jeni të gjithë ju sot. 4 Unë i kam përndjekur deri për vdekje ata që i përkasin Udhës së Zotit Jezu. Kam lidhur burra e gra dhe i kam futur në burg. 5 Për mua mund të dëshmojnë kryeprifti e tërë pleqësia. Ata më dhanë edhe letra për vëllezërit judenj në Damask, që më ngarkonin për t'i lidhur ata që ishin atje e për t'i sjellë në Jerusalem që të ndëshkoheshin».
Pali tregon sesi u bë i krishterë
(Vp 9.1-19Vp 26.12-18)
6 «Kur isha rrugës për në Damask, teksa po i afrohesha qytetit, rreth mesditës, shndriti nga qielli një dritë e fortë rreth meje. 7 Unë rashë përtokë dhe dëgjova një zë që më tha: “Saul, Saul, përse më përndjek?”. 8 Unë u përgjigja: “Kush je ti, o Zot?”. Ai më tha: “Unë jam Jezui i Nazaretit që ti po e përndjek”. 9 Ata që ishin me mua e panë dritën , por nuk e dëgjuan zërin e atij që po më fliste. 10 Unë pyeta: “Zot, ç'duhet të bëj?”. Zoti më tha: “Ngrihu e shko në Damask. Atje do të të thonë gjithçka që të është caktuar të bësh”. 11 Meqë nuk mund të shihja për shkak të shkëlqimit të asaj drite, ata që ishin me mua më morën për dore e më çuan në Damask. 12 Një burrë me emrin Hananiah, njeri i përkushtuar ndaj ligjit e për të cilin judenjtë që jetonin aty flisnin mirë, 13 erdhi tek unë, qëndroi përbri meje e tha: “Vëlla Saul, shih përsëri”. Në atë çast m'u hapën sytë dhe e pashë. 14 Atëherë ai tha: “Perëndia i etërve tanë të ka zgjedhur që të njohësh vullnetin e tij, që të shohësh të Drejtin e të dëgjosh zërin e tij. 15 Ti do të jesh dëshmitar i tij para të gjithë njerëzve, dëshmitar i asaj që ke parë e ke dëgjuar. 16 Dhe tani ç'pret? Ngrihu, pagëzohu e pastrohu nga mëkatet duke thirrur emrin e Zotit”».
Pali çon ungjillin te kombet
17 «Pasi u ktheva në Jerusalem, ndërsa po lutesha në tempull, pata një vegim 18 dhe pashë Jezuin që më tha: “Nxito e largohu shpejt nga Jerusalemi, se ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua”. 19 Dhe unë thashë: “Zot, ata e dinë se në çdo sinagogë unë kam futur në burg dhe kam rrahur ata që besuan në ty. 20 Edhe kur u derdh gjaku i dëshmorit tënd Stefanit, unë isha aty, e miratova vrasjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që po e vrisnin”. 21 Atëherë Zoti më tha: “Shko, se do të të dërgoj larg, te kombet”».
Pali dhe kryemijësi
22 Deri këtu turma e dëgjoi, por pastaj bërtitën me zë të lartë: «Zhdukeni nga dheu këtë njeri. Ai nuk e meriton të jetojë». 23 Turma bërtiste, hidhte rrobat lart e ngrinte pluhur në ajër.
24 Atëherë kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë e u tha ta marrin në pyetje duke e fshikulluar, që të gjenin arsyen pse judenjtë bërtisnin kështu kundër tij.
25 Por, pasi e lidhën me rrobat e tij, Pali i tha kryeqindësit që rrinte pranë: «A ju lejohet të fshikulloni një qytetar romak pa i bërë gjyqin?». 26 Kur e dëgjoi këtë, kryeqindësi shkoi te kryemijësi e i tha: «Kujdes çfarë po bën! Ky njeri është qytetar romak». 27 Kryemijësi erdhi dhe e pyeti Palin: «Më thuaj, a je romak?». Pali i tha: «Po». 28 Kryemijësi u përgjigj: «Mua më ka kushtuar shumë para që ta merrja qytetarinë romake». Pali i tha: «Ndërsa unë kam lindur i tillë».
29 Ata që do ta merrnin në pyetje u larguan menjëherë prej tij. Edhe kryemijësit i hyri frika kur mori vesh se Pali ishte qytetar romak, sepse e kishte lidhur.
Pali para sinedrit
30 Ai donte të dinte me saktësi arsyen se përse po e padisnin judenjtë Palin, prandaj të nesërmen e liroi dhe urdhëroi kryepriftërinjtë e mbarë sinedrin që të mblidheshin. Pastaj solli edhe Palin dhe e nxori para tyre.
KAPTINA XXII.
1 - O burra vëllazën edhe atënë, pa ndëgjoni mue ç’fjalë u ap juve tashti.
2 (Edhe kur ndëgjuenë se u foli mbë gjuhë Hebraishte, pushuenë ma tepërë; edhe tha:)
3 Unë jam nji nieri Iude, lemë ndë Tarsë të Kilikisë, edhe rritunë ndë këte qytet për anë kambëvet Gamalielit, mësuem shtrëngueshim ndë ligjë qi na kanë lan’ atënitë, edhe ishiem zelltar për Perëndinë, sikurse ju të gjithë jeni sot;
4 edhe këte udhë e ndoqa mbrapa deri mbë vdekë, tue lidhunë me hekura e tue vumë ndë burk burra e gra,
5 sikurse edhe krye-prifti deshmon për mue, edhe gjithë pleqësia; prei atyneve mora edhe letëra për vëllazënit, e vota ndë Damaskë, për me prumë lidhunë ndë Ierusalem edhe ata qi ishin’ atie, qi të mundohenë.
6 Edhe kur po shkojem udhësë, edhe ishiem ngjat Damaskësë ndë mies-ditë, befas shkrepi rreth meje nji drit’ e madhe prei qiellit;
7 edhe unë rashë mbë truell, edhe ndëgjova nji za qi më thoshte: Saul, Saul, përse më ndiek?
8 Edhe un’ u përgjegja: Cilli je ti , o Zot? Edhe ai më tha: Unë jam Iesu Nazoreasi, të cillinë ti ndiek.
9 Edhe ata qi ishinë bashkë me mue panë dritënë, edhe i muer frika; por zanin’ e ati qi më fliste nuk’ e ndëgjuenë.
10 Edhe unë thashë: Qish të baj, Zot? Edhe Zoti më tha: Ngreu, edhe shko ndë Damaskë; edhe atie ka për me t’u folunë për gjithë sa jan’ urdhënuem për tyi të bajsh.
11 Edhe mbassi nukë shifiem prei të ndritunit asai dritësë, erdha ndë Damaskë tue u tërhequnë për dore prei atyneve qi ishinë bashkë me mue.
12 Edhe nji farë Anania, nieri besëtar mbas ligjësë, për të cillin’ epei deshmi e mirë prei gjith’ atyne Iudevet qi rrijin’ atie ,
13 erdhi tek unë, edhe ndenji përpara, e më tha: Saul vëlla, çil sytë për-së-ri. Edhe unë nd’ate orë çela sytë, e pash’ ate.
14 Edhe ai tha: Perëndia i atënavet t’anë të urdhënoi me ngjofunë dashunimin’ e ati, edhe me pamë të Dreitinë, edhe me ndëgjuem za prei gojës’ ati,
15 sepse do të jesh deshmitar për ate mbë gjithë nierëzit, për sa pe, e ndëgjove.
16 Edhe tashti përse qelle? Ngreu, e u pagëzo, e lai fajet’ e tua, tue thërritun’ emënin’ e Zotit.
17 Edhe mbassi u këtheva ndë Ierusalem, kur ishiem tue u falunë ndë tempull, dola jashtë vetëhesë,
18 edhe pash ate tue më thanë: Nxito, edhe del shpeit prei Ierusalemit, sepse s’do ta presinë deshminë tande për mue.
19 Edhe unë thashë: Zot, ata e dinë, se unë qesh ai qi vejem ndë burk, edhe rrifiem ndëpër synagogat ata qi të besojnë tyi;
20 edhe kur derdhei gjaku i Stefanit martyrit t’yt, edhe unë vetë keshë ndenjunë përpara, edhe ishiem me nji fjalë për vrasëjen’ e ati, edhe ruejem petkat’ e atyneve qi e vrisinë.
21 Edhe më tha: Shko, sepse unë kam me të dërguem lark ndër kombe.
22 Edhe deri mbë këte fjalë e ndëgjuenë, edhe atëherë ngritnë zanin’ e vet, tue thanë: Ngreje prei dheut t’atillinë, sepse ai nukë duhetë me rruem.
23 Edhe ata kur bërtisinë, edhe shkundinë petkatë, edhe hedhinë pluhënë për erë,
24 kapitani urdhënoi me u prumë ndë kastëll, edhe tha me e pyetunë me të rrafëme, qi të marri vesht për ç’punë bërtisinë kështu kundrë ati.
25 Edhe si e shtrinë lidhunë me rrypa, Pauli i thot’ urdhën-qindësit qi ishte ndenjunë përpara: Vall’ asht’ e udhësë mbë ju me rrafunë nji nieri Roman, edhe pa gjukuem?
26 Edhe urdhën-qindësi kur ndëgjoi, vote, e i diftoi kapitanit, tue thanë: Shif mirë qish je tue bamë, sepse kyi nieri ashtë Roman.
27 Edhe kapitani erdhi, e i tha: Më thuei, a je ti Roman? Edhe ai tha: Po.
28 Edhe kapitani u përgjegj: Unë kam prishunë shumë astër për me fituem këte emënë qi të quhem Roman; edhe Pauli tha: Por un’ edhe kam lemë Roman.
29 Përnjiherë pra u tërhoqnë prei ati ata qi kishinë për me e munduem, por edhe kapitani u frikue, kur muer vesht se ashtë Roman, edhe sepse e kishte lidhunë.
30 Edhe ndë nesëret kur donte me marrë vesht të vërtetënë, për ç’punë përflitei prei Iudevet, e sgjidhi prei hekurash, edhe urdhënoi me ardhunë krye-priftënit’ edhe gjithë bashkë-ndejtia e atyneve; edhe sdrypi Paulin’, edhe qindroi përpara atyneve.