Çështja e divorcit
(Mk 10.1-12)
1 Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galilea dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit. 2 Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët. 3 Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?». 4 Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër? ». 5 Dhe tha: «Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën, për t'u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm. 6 Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!». 7 Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t'i jepet gruas fletëndarja e të lihet ». 8 Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. 9 Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore ». 10 Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri». 11 Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t'i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata, të cilëve u është dhënë. 12 Ka eunukë që nga lindja dhe ka eunukë të bërë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, të kuptojë».
Bekimi i fëmijëve
(Mk 10.13-16Lk 18.15-17)
13 Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta e të lutej, por dishepujt i qortuan. 14 Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata». 15 Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej.
Djaloshi i pasur
(Mk 10.17-31Lk 18.18-30)
16 Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç'të mirë duhet të bëj që të kem jetën e amshuar?». 17 Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën ? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet». 18 Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: «Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, 19 ndero atin tënd e nënën tënde dhe duaje të afërtin si veten !». 20 Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë . Ç'më mungon ende?». 21 Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 22 Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri. 23 Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve. 24 Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 25 Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 26 Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por për Perëndinë gjithçka është e mundur».
27 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç'do të bëhet?». 28 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që keni ardhur pas meje do të uleni në dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Dhe kushdo që ka lënë shtëpi, vëllezër a motra, atë a nënë, fëmijë ose ara për hir të emrit tim, do t'i marrë njëqindfish e do të trashëgojë jetën e amshuar. 30 Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët».
KAPTINA XIX.
1 Edhe Iesui kur mbaroi këto fjalë, u ngrit prei Galilesë, edhe erdhi ndë synoret e Iudesë, përtej Iordanit.
2 Edhe e muer mbrapa shumë gjindëje; edhe ai i shëndoshi atie.
3 Edhe erthnë tek ai Fariseitë, tue ngam’ atë, e tue thanë: Nd’asht’ e udhësë mbë nierinë me lishuem gruen’ e vet për çdo shkaik?
4 Edhe ai u përgjeq, e u tha atyneve: S’keni kënduem, se ai qi bani ata çë ndë krye të herësë, i bani mashkull’ edhe femënë?
5 Edhe tha: “Nieriu ka me lanë të atin’ edhe t’amënë për këte punë, edhe ka me u ngjitunë mbas gruesë vet, edhe të dy kanë me qenë nji mish?”.
6 Kaqi sa nukë janë ma dy, por nji mish. Ate pra qi Perëndia e bani parë, nieriu le të mos e dajë.
7 I thonë: Përse pra Moiseu ka porositunë me dhanë letër së dameje, edhe me e lishuem?
8 U thot’ atyneve: Sepse Moiseu ua la juve me lishuem gratë tueja për zemër-ashpërënë tuei, por ndë krye të herësë s’ka qenë kështu.
9 Edhe po u thom juve, se ai qi të lishojë gruen’ e vet, përveç punë kurvënie, edhe të martohetë me tietër, kurvënon; edhe ai qi të martohetë me grue të lishuemë, kurvënon.
10 Dishepujt’ e ati i thonë: Ndë qoftë kështu pun’ e nieriut me gruenë, nuk’ ashtë mirë me u martuem.
11 Por ai u thot’ atyneve: Nukë mundenë të gjithë me pritunë këte fjalë, por ata, qi ashtë dhanë mb’ata.
12 Sepse janë të tredhunë, qi kanë lemë kështu prei barkut s’amësë; edhe janë të tredhunë, qi u trothnë prei nierëzish; edhe janë të tredhunë, qi trothnë vetëvetëhenë për mbëretënin’ e qillvet. Ai qi mundetë me pritunë këte , le ta presi.
13 Atëherë i prunë disa çuna të vogjilë me vumë duertë përmbi ata, edhe me i uruem; edhe dishepujt’ i qirtuenë.
14 Por Iesui tha: Lini çunat’ e vogjilë, edhe mos i ndalni me ardhunë tek unë, sepse mbëretënia e qillvet ashtë për kësish.
15 Edhe si vuni duertë përmbi ata, iku prej andej.
16 Edhe qe tek i erdhi përanë nji nieri , e i tha: Mieshtër i mirë, ç’të mirë të baj për me pasunë jetë të pasosëme?
17 Edhe ai i tha: Ç’më thue i mirë? Kurkushi s’asht’ i mirë, përveç nji Perëndie. Por ndë daç me hymë ndë jetët, ruei porositë.
18 I thotë: Cillatë? Edhe Iesui i tha këto: “Mos vrasish. Mos kurvënojsh. Mos viedhish. Mos apish dëshmi mbë rrenë.
19 Ndero t’ët at’ e t’ët’ amë. Edhe: Të duesh të afërminë tand porsi vetëhenë tande”.
20 Dialoshi i thotë: Këto të gjitha i kam rueitunë çë mbë të rit t’em, por qish më mungon ma?
21 Iesui i tha: Ndë daç me u bam’ i kulluem, shko, e shit gjanë tande, e nepua të vobegjëvet, edhe ke me pasunë thesore ndë qiell; edhe eja, e më merr mbrapa.
22 Por dialoshi kur ndëgjoi këte, iku idhënueshim, sepse kishte shumë gja.
23 Edhe Iesui u tha dishepujvet vet: Për të vërtet po u thom juve, se i pasuni ka me hymë me të vështirë ndë mbëretënit të qillvet.
24 Edhe përsëri po u thom juve, se : Ma kollai ashtë me shkuem kamilla ndëpër birë të gjylpanësë, se i pasuni me hymë ndë mbëretënit të Perëndisë.
25 Edhe dishepujt’ e ati kur ndëgjuenë, habiteshinë fort, e thoshinë: Vallë cilli mundetë me u shpëtuem?
26 Por Iesui i vuni ore, e u tha atyneve: Për-anë nierëzish këjo ashtë punë qi s’mundetë; por për-anë Perëndisë të gjitha mundenë me u bamë .
27 Atëherë Pietri u përgjeq, e i tha: Qe na te lam të gjitha, edhe të muerm mbrapa; vallë qish ka me qenë mbë ne?
28 Edhe Iesui u tha atyneve: Për të vërtet po u thom juve, se ju qi më muertë mbrapa, ndë krijesë të re, kur të rrijë i bir’ i nieriut mbë shkamp të laftit vet, keni me ndenjun’ edhe ju mbë dy-mbë-dhetë shqembe, tue gjukuem dy-mbë-dhetë farat’ e Israelit.
29 Edhe kushdo qi la shtëpia, a vallëzën, a motëra, a atë, a amë, a grue, a dielm, a ara, për punë të emënit t’em, ka me marrë nji qind për nji, edhe ka me trashiguem jetën’ e pasosëme.
30 Por shumë të parë kanë me qenë të mbrapëm, edhe të mbrapmitë të parë.