Përshëndetje
1 Pali e Timoteu, shërbëtorë të Krishtit Jezu, po ju shkruajmë të gjithë të shenjtëve në Krishtin Jezu, peshkopëve e dhjakëve që janë në Filipi: 2 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
Lutja për filipianët
3 E falënderoj Perëndinë tim sa herë ju kujtoj. 4 Në çdo lutje që bëj, gjithmonë, lutem me gëzim për ju të gjithë, 5 për pjesëmarrjen tuaj në dobi të ungjillit nga dita e parë deri tani. 6 Jam i sigurt se ai që nisi një vepër të mirë mes jush, do ta përfundojë deri në ditën kur do të vijë Krishti Jezu.
7 Është e drejtë që unë të mendoj kështu për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër. Ju të gjithë merrni pjesë në hirin që m'u dha mua për të mbrojtur e për të dëshmuar ungjillin, si tani që jam në pranga, ashtu edhe atëherë kur isha i lirë. 8 Kam Perëndinë për dëshmitar sesi digjem nga malli për ju të gjithë me dhembshurinë e Krishtit Jezu.
9 Unë lutem që dashuria juaj të rritet gjithnjë e më shumë e të pasurohet me dije e me aftësi për të kuptuar, 10 që të jeni në gjendje të dalloni më të mirën dhe të jeni të dëlirë e të pafajshëm në ditën e ardhjes së Krishtit, 11 të mbushur plot me frytet e drejtësisë që vijnë prej Jezu Krishtit, për lavdinë e lavdërimin e Perëndisë.
Krishti është jeta ime
12 Tani, o vëllezër, dëshiroj ta dini se ajo që më ka ndodhur mua, ka ndihmuar më shumë në përparimin e ungjillit. 13 Kështu, mbarë pretoriumi dhe gjithë të tjerët e kanë kuptuar qartë se unë jam në pranga për Krishtin. 14 Pjesa më e madhe e vëllezërve morën zemër në Zotin nga prangat e mia dhe e shpallën fjalën e Perëndisë më me guxim e pa frikë.
15 Është e vërtetë që disa e predikojnë Krishtin me smirë e sedër të sëmurë, por disa të tjerë e predikojnë nga vullneti i mirë. 16 Këta e shpallin Krishtin nga dashuria, sepse e dinë se jam ngarkuar nga Perëndia për të mbrojtur ungjillin, 17 ndërsa ata të tjerët e predikojnë Krishtin nga sedra e sëmurë, pa sinqeritet, duke menduar se kështu i shtojnë më tepër vuajtje prangosjes sime . 18 Ç'rëndësi ka? Sido që të jetë, me hipokrizi a me sinqeritet, Krishti predikohet e për këtë gëzohem. Dhe përsëri do të gëzohem, 19 sepse e di se përmes lutjeve tuaja dhe me ndihmën e Shpirtit të Jezu Krishtit kjo gjë do të sjellë shpëtimin tim. 20 Këtë pres me padurim e shpresoj të mos turpërohem në asgjë, por me shumë guxim, si gjithmonë, edhe tani, e madhëroj Krishtin në trupin tim, si përmes jetës, edhe përmes vdekjes.
21 Sa për mua jeta është Krishti dhe vdekja është fitim. 22 Por, nëse jeta ime në trup jep fryte të dobishme, atëherë nuk di ç'të zgjedh. 23 Jam ndërdyshas: nga njëra anë dua të largohem nga kjo botë e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjëja më e mirë; 24 nga ana tjetër, nëse qëndroj në trup, kjo është më e nevojshme për ju. 25 Për këtë jam i bindur dhe e di se do të qëndroj në këtë botë e do të vazhdoj të jem me ju të gjithë, që t'ju ndihmoj të përparoni e të gjeni gëzimin që sjell besimi. 26 Kështu prania ime mes jush do t'ju bëjë edhe më krenarë për besimin në Krishtin Jezu.
27 Por ju, jetoni në mënyrë të denjë për ungjillin e Krishtit, që edhe nëse vij e ju shoh, edhe nëse jam larg jush e dëgjoj për ju, të dëgjoj se qëndroni të fortë në një shpirt dhe se përpiqeni së bashku me një mendje, për besimin e ungjillit.
28 Mos u frikësoni aspak nga kundërshtarët. Kjo gjë tregon se ata po shkojnë drejt humbjes, ndërsa ju drejt shpëtimit që vjen prej Perëndisë. 29 Juve ju është dhënë hiri t'i shërbeni Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe që të vuani për të, 30 sepse ju po bëni të njëjtën betejë, që më keni parë edhe mua duke bërë e për të cilën po dëgjoni se e bëj edhe tani.
KAPTINA I.
1 Pauli edhe Timotheu, shërbëtorët’ e Iesu Krishtit, mbë gjithë shenjtënit mbë Iesu Krishtinë qi janë ndë Filippe bashkë me episkopët e me xhakonat:
2 qoftë mbë ju hir edhe paqtim prei Perëndisë Atit t’ynë, edhe prei Zotit Iesu Krisht.
3 I falem ndersë Perëndisë t’em gjithë sa herë u kuitoj juve,
4 përherë edhe mbë gjithë lutëjenë t’eme lutem me gëzim për gjithë ju,
5 për piesënë tuei qi keni mbë ungjillinë, çë prei së parësë ditë, deri tashti,
6 sepse m’u ka mbushunë mendia për këte, se ai qi filloi mbë ju me bamë punë të mirë, ka me e mbaruem, deri mbë ditë të Iesu Krishtit.
7 Sikurse ashtë me udhë tek unë të kem ndër mend këte për gjithë ju, sepse u kam ndë zemërë t’eme , edhe ju të gjithë jeni edhe ndë të lidhunat e mia, edhe ndë të dhanënë fjalë, edhe ndë të vërtetuemen’ e ungjillit, piesëtarë shokët’ e mi ndë hirt,
8 sepse deshmitari em ashtë Perëndia, se fort mall kam për gjithë ju ndë zemërë të Iesu Krishtit;
9 edhe për këte falem për me tepruem dashunia juei edhe ma shumë e ma shumë ndë të ngjofun’ e ndë qish do të ndime,
10 qi të shqyeni ju ato qi dajnë njiana prei tietëret , edhe të jeni zemër-këthiellët’ e të pa-rrëshqitunë deri ndë ditë të Krishtit,
11 plot me pemë dreitënie qi janë me anë të Iesu Krishtit, për laft e për nderë të Perëndisë.
12 Edhe due ta dini, o vëllazën, se sa punë gjaitnë tek unë, sa shumë shkuenë mbarë për ungjillinë,
13 kaqi sa duelnë për faqe të lidhunat’ e mia për Krishtinë mbë gjithë pretorin’ e mbë gjithë të tierët;
14 edhe ma të shumët’ e vëllazënavet mbë Zotinë tue shpëryem mbë të lidhunat e mia, ma tepërë kucojnë me folunë fjalënë pa frikë.
15 Disa prei zmirit e prei qartësë, edhe disa prei dashunisë predikojnë Krishtinë.
16 Ata pra predikojnë Krishtinë prei zmirit, jo me zemërë të këthiellëtë, sepse kuitojnë se bijen’ acërim mbë të lidhunat e mia,
17 e këta prei dashunisë, sepse e dinë se gjindem për me dhanë fjalë për ungjillinë.
18 Por qish ashtë? Veçe me qish do mëndyrë, a me shkak, a me të vërtetë, Krishti predikohetë; edhe për këte gëzohem, por edhe kam për me u gëzuem.
19 Sepse e dij, se këjo ka për me më dalunë për shpëtim me anë të lutëjesë tuei, edhe me anë të ndifmësë Shpirtit Iesu Krishtit,
20 mbas së pritëmesë pa durim, edhe mbas shpëresësë s’eme, se s’kam për me u turpënuem as për ndonji gja, por ndër sy të gjithëve, sikurse përherë, edhe tashti ka me u madhënuem Krishti ndë korpt t’em, a prei së rruemesë, a prei vdekësë.
21 Sepse e rruemëja tek un’ashtë Krishti, edhe vdeka fitim.
22 Por ndë rrofsha ndë korp, këjo ban pemë pune tek unë, edhe qish me sgjedhunë, nukë dij,
23 sepse shtrëngohem prei së dyjash, dëshërimin’ e kam me ikunë, edhe me qenunë bashkë me Krishtinë, sepse ashtë shumë ma mirë,
24 por qi të mbes ndë misht, ashtë ma e nevojëshime për ju.
25 Edhe këte e dij tue shpëryem, se kam me mbetun’ e kam me qindruem bashkë me gjithë ju, për mbarësinë tuei edhe për gëzimin’ e besësë,
26 qi të tepërojë prei mejet të mbushunitë tuei mbë Iesu Krishtinë, prei së ardhëmesë s’eme për-së-ri te ju.
27 Veçe të biheni sikurse vëjen për ungjillin’ e Krishtit, qi të ndëgjoj për ju, a kur të vij e t’u shof juve, a për së largut kur s’jam, se qindroni me nji frymë, tue luftuem me nji shpirt për besën’ e ungjillit;
28 edhe të mos tremi as për ndonji punë prei atyneve qi rrinë kundrë, qi ajo difton të hupunit’ e atyneve për ata, e për ju shpëtim, edhe këjo prei Perëndisë,
29 sepse mbë ju ashtë falunë këjo për Krishtinë, jo vetëmë qi t’i besoni ati, por edhe të pësoni për ate,
30 tue pasunë ate luftënë qi patë mbë mue, edhe qi ndëgjoni tashti se ashtë mbë mue.