Ruhuni nga hipokrizia
1 Atëherë, ndërsa mijëra njerëz ishin mbledhur turmë, aq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jezui filloi t'u fliste më parë dishepujve të vet: «Ruhuni nga tharmi i farisenjve që është hipokrizia. 2 Nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet dhe asnjë të fshehtë që s'do të merret vesh. 3 Prandaj, çfarëdo që keni thënë në errësirë, do të dëgjohet në dritë e çfarë keni pëshpëritur me dyer të mbyllura, do të shpallet nga çatitë».
Mos kini frikë
(Mt 10.28-31)
4 «Miqtë e mi, unë po ju them: mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por pastaj nuk mund të bëjnë asgjë më tepër. 5 Ja cilin duhet të kini frikë: atë që pas vdekjes ka pushtetin t'ju hedhë në Gehenë. Po, po ju them, nga ky të keni frikë.
6 A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? Megjithatë Perëndia nuk lë në harresë asnjërin prej tyre. 7 Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela».
Të dëshmosh për Krishtin
(Mt 10.32-33Mt 12.32Mt 10.19-20)
8 «Unë po ju them se kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë atë para engjëjve të Perëndisë. 9 Por, kush më mohon para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta mohojë atë para engjëjve të Perëndisë. 10 Kush flet kundër Birit të njeriut do të falet, por ai që do të fyejë Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet.
11 Kur t'ju dërgojnë para sinagogave, krerëve e pushtetarëve, mos u shqetësoni sesi do të mbroheni apo se çfarë do të thoni. 12 Shpirti i shenjtë do t'ju mësojë se çfarë të thoni në atë çast».
Pasaniku i pamend
13 Pastaj dikush nga turma i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua». 14 Por Jezui i tha: «Kush më vuri mua gjykatës apo ndarës mes jush, o njeri?». 15 Pastaj u tha: «Kini kujdes! Ruhuni nga çdo dëshirë për pasuri, se jeta e njeriut nuk varet nga pasuria e tij».
16 Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë: «Toka e një pasaniku dha shumë prodhim. 17 Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”. 18 Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia. 19 E do t'i them shpirtit tim: shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”. 20 Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t'i mbeten?”.
21 Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete e nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë».
Kujdesjet dhe shqetësimet
(Mt 6.25-34Mt 19—21)
22 Jezui u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. 23 Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. 24 Shikoni korbat! As mbjellin, as korrin, as kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët. 25 Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 26 Nëse ju, pra, nuk mund të bëni një vogëlsi si kjo, pse shqetësoheni për të tjerat? 27 Shikoni si rriten zambakët. Ata as nuk punojnë e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni në gjithë madhështinë e tij nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 28 Nëse Perëndia vesh barin e fushës që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë?
29 Mos u shqetësoni se çfarë do të hani e çfarë do të pini e mos u brengosni. 30 Janë kombet e botës që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj e di se ju keni nevojë për këto. 31 Kërkoni mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë dhe ai do t'jua japë edhe ato.
32 Mos ki frikë, grigjë e vogël, se Atit i ka pëlqyer t'jua japë mbretërinë. 33 Shitini pasuritë tuaja e jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen e mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë. 34 Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj».
Shërbëtorët e kujdesshëm
(Mt 24.45-51)
35 «Ngjishini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur. 36 Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t'i hapur derën sapo të trokasë. 37 Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët e do t'u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë e do t'u shërbejë. 38 Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata! 39 Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. 40 Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut».
41 Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?». 42 Atëherë Zoti i tha: «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 43 Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. 44 Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. 45 Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë e të dehet, 46 atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë. 47 Ai shërbëtor që e di se çfarë dëshiron i zoti, por nuk është gati të veprojë sipas dëshirës së të zotit, do të marrë shumë të rrahura. 48 Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra për të cilat meriton të rrihet, do të rrihet më pak.
Kujt i është dhënë shumë, do t'i kërkohet shumë. Kujt i është besuar shumë, do t'i kërkohet edhe më shumë».
Shkak ndarjeje
(Mt 10.34-36)
49 «Unë erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa shumë dëshiroj të ndizet! 50 Kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem e me sa padurim e pres të përmbushet. 51 Mos vallë mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo paqe, po ju them, por përçarje. 52 Që tani e tutje nëse në një shtëpi do të jenë pesë veta, do të ndahen tre kundër dyve e dy kundër treve. 53 Do të ndahen
ati nga i biri
dhe biri nga i ati,
nëna nga e bija
dhe bija nga e ëma,
vjehrra nga nusja
dhe nusja nga e vjehrra».
Shenjat e kohës
(Mt 16.2-3)
54 Pastaj u tha turmave: «Kur shihni renë që ngrihet në perëndim, ju menjëherë thoni se do të bjerë shi e kështu ndodh. 55 Kur shihni se po fryn juga, ju thoni se do të bëjë i nxehtë i madh e kështu ndodh. 56 Hipokritë! Dukuritë e tokës e të qiellit dini t'i shpjegoni, po si nuk ditkeni të dalloni kohën e tanishme?».
Pajtimi me kundërshtarin
(Mt 5.25-26)
57 «Pse nuk gjykoni vetë se ç'është e drejtë? 58 Nëse je rrugës për te gjykatësi bashkë me kundërshtarin tënd, përpiqu të merresh vesh me të rrugës, që kur të dalësh para gjykatësit, ai mos të të dorëzojë te roja e pastaj roja të të fusë në burg. 59 Unë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».
KAPTINA XII.
1 Ndërmiet këtyne fjalëve , kur ishinë mbëledhunë shumicat’ e gjindëjesë, kaqi sa shkelshinë njiani tietrinë, filloi me u thanë dishepujvet vet: Përpara rueni vetëvetëhenë prei brumit Farisevet, qi ashtë hipokrisi.
2 Por nuk’ ashtë gja e mbulutë qi s’ka me u sbuluem; edhe e mpshefëtë, qi s’ka me u marrë vesht.
3 Përandai sa thatë nd’errësinë, kanë me u ndëgjuem ndë dritë; edhe qish folët ndër vesh ndëpër dhomat, kanë me u leçitunë mbi pulasat.
4 Edhe po u thom juve, miqt’ e mi: Mos droni ata qi vrasinë korpinë, edhe mbasandai s’kanë se qish me bamë gja ma tepërë.
5 Por kam me u diftuem juve cillinë me drashunë: Droni ate qi ka pushtet, mbassi të vrasi, të hedhi ndë xhehenem; për të vërtet po u thom juve, këte droni.
6 Nukë shitenë pesë zoq për dy astër? Edhe nji prei atyneve nuk’ asht’ i harruem përpara Perëndisë,
7 por edhe qimet’ e kresë tuei janë ngjefunë të gjitha. Mos droni pra: ju dani prei shumë zoqsh.
8 Edhe po u thom juve: Kushdo qi të më rrëfejë përpara nierëzëvet, edhe i bir’ i nieriut ka me e rrëfyem përpara engjujvet Perëndisë.
9 Edhe kushdo qi të më mohojë përpara nierëzëvet, ka me u mohuem përpara engjujvet Perëndisë.
10 Edhe kushdo qi të thotë fjalë kundrë të birit nieriut, ka me iu falunë, por ati qi të vlasfimojë kundrë Shpirtit Shenjt , s’ka për me iu falunë.
11 Edhe kur të u bienë juve ndëpër synagogat e ndëpër urdhënat e ndëpër pushtetet, mos kini gaile se kush, a se si të përgjegjeni, a qish të thoni,
12 sepse Shpirti Shenjt ka me u mësuem juve nd’ate orë qish duhetë me thanë.
13 Edhe nji prei gjindëjes’ i tha: Mieshtër, thuei t’em-vëlla të dajë trashigiminë bashkë me mue.
14 Por ai i tha: O nieri, kush më vuni gjyqtar, a damës mbi ju?
15 Mbasandai u tha atyne: Veni ore, edhe ruhi prei lakmimit, sepse ndë pastë tepërë kushi, jeta e ati nukë varetë prei gjas’ati.
16 Edhe u tha atyne nji parabullë, tue thanë: Nji nieriu të pasuni i erdhi mbarë ara,
17 edhe mendohei me vetëvetëhenë, tue thanë: Qish të baj, se s’kam ku të mbëleth pemët e mia?
18 Mbasandai tha: Këte kam me bamë, do të prish grunarët’ e mi, edhe do t’i ndërtoj ma të mëdhej, edhe do të mbëleth atie gjithë drithinë t’em, edhe të mirat’ e mia.
19 Edhe do t’i thom shpirtit t’em: O Shpirt, ke shumë të mira qi gjindenë për shumë viet; prahu, e ha, e pi, e gëzohu.
20 Por Perëndia i tha: I marrë, këte natë kanë me lypunë prei tejet shpirtinë tand; edhe sa bane gati, kuit do të jenë?
21 Kështu ka me qenun’ ai qi mbëleth thesorë për vetëvetëhenë, e nuk’ asht’ i pasunë te Perëndia.
22 Mbasandai u tha dishepujvet vet: Përandai po u thom juve - Mos keni gaile për jetënë tuei, qish të hani; as për korpinë tuei, qish të veshni.
23 Jeta ashtë ma e ndershime se ushqimi, edhe korpi se të veshunitë.
24 Veni ore korbënitë, se nukë mbiellinë, as nukë korrinë; ata s’kanë qur, as grunar; edhe Perëndia i ushqen; sa ma tepërë dani ju prei shpendëvet?
25 Edhe cilli prei jush ka gaile, mundetë me shtuem nji kut mbë moshë të vet?
26 Kur ju pra s’mundeni as për ma të vogëlënë, përse keni gaile për të tierat?
27 Veni ore luletë si rritenë, se nukë mundohenë, as nukë dredhinë; edhe po u thom juve, se as Solomoni me gjithë laftin’ e vet s’ishte veshunë si nji prei kësosh.
28 Por ndë qoftë se barinë qi sot ashtë nd’arë, edhe nesër hidhetë ndë furrë, Perëndia e vesh kështu, sa ma tepërë juve, o besë-pakë?
29 Edhe ju mos kërkoni qish të hani, a qish të pini; as mos ini me dy mendesh.
30 Sepse kombet’ e botësë kërkojnë gjithë këto; edhe Ati juei e di se u lypsenë këto.
31 Por kërkoni mbëretënin’ e Perëndisë, edhe gjithë këto kanë për me u shtuem juve.
32 Mos ki frikë, o trum’ e vogëlë; sepse Atit tuei i pëlqeu me u dhanë juve mbëretëninë.
33 Shitni pasëjetë tueja, edhe nepni limoshënë. Bani për vetëhenë tuei kuleta qi nukë vietërohenë, thesore ndë qillt qi nukë mungon, atie ku kursari s’afrohetë, as krymbi s’e prish.
34 Sepse ku ashtë thesori juei, atie ka me qenun’ edhe zemëra juei.
35 Le të jenë miedizatë tuei ngjeshunë, edhe kandiletë ndezunë;
36 edhe ju ini gati porsi nierëzitë kur presinë të zotin’ e vet, kur do të këthehetë prei darsmash, qi t’i çelinë përnjiherë, kur të vijë me trokulluem.
37 Lum ata shërbëtorë, të cillëtë, kur të vijë i zoti, ka me i gjetunë qutë. Për të vërtet po u thom juve, se do të përvishetë, e do t’i vejë me ndenjunë ndë mësallë, edhe do të vijë për-anë, e do t’u shërbejë atyne.
38 Edhe ndë arthtë ndë të dytënë ruejtie edhe ndë të tretënë ruejtie ndë arthtë, edhe t’i gjejë kështu, të lumunë jan’ ata shërbëtorë.
39 Edhe këte e dini, se ndë qoftë se e dinte i zoti i shtëpisë mbë ç’orë vien kursari, kishte për me ndenjunë qutë, edhe s’kishte për me lanë me u biruem shtëpia e ati.
40 Edhe ju pra bahi gati, sepse i bir’ i nieriut vien mb’ate orë qi s’e mendoni.
41 Edhe Pietri i tha: Zot, neve e thue këte parabullë, apor të gjithëve?
42 Edhe Zoti tha: Vallë cilli asht’ ai kujdestar besënik edhe i mentshim, qi ta vejë i zoti mbi shërbëtorët e vet, për me u dhanë me kohë masën’ e grunit?
43 Lum ai shërbëtuer, të cillinë, kur të vijë i zoti, ka me e gjetunë tue bamë kështu.
44 Për të vërtet po u thom juve, se ka me e vumë mbi gjithë pasëjen’ e ati.
45 Por ndë thasht’ ai shërbëtuer ndë zemërë të vet, se: Em-zot qelletë me ardhunë; edhe të fillojë me rrafunë shërbëtorët’ e shërbëtoretë, e me ngran’ e me pim’ e me u dejtunë;
46 i zoti ati shërbëtorit’ ka me ardhunë nd’atë ditë qi s’e pret, edhe nd’ate orë, qi s’e di, edhe ka me e damë, edhe ka me vumë piesën’ e ati bashkë me të pabesëtë.
47 Edhe ai shërbëtori qi e dinte andën’ e të zotit vet, edhe nukë bani gati vetëhenë , as nukë bani mbas andës’ ati, ka me u rrafunë shumë.
48 Por ai qi s’e diti, edhe bani punë për me u rrafunë, ka me u rrafunë pak. Edhe gjithë-se-kuit qi iu dha shumë, shumë ka me u kërkuem prei ati; edhe ati qi i lanë shumë, kanë me i lypunë ma tepërë.
49 Erdha me vumë ziarrm mbë dhet, edhe ç’ tietër gja due, ndë qoftë se u ndes tashti?
50 Edhe kam nji pagëzim për me u pagëzuem; edhe sa shtrëngohem ngjysh sa të mbarohetë!
51 Kujtoni se kam ardhunë me dhanë paqtim mbë dhet? Jo, po u thom juve, por veç të damë.
52 Sepse tashti e mbaskëndai kanë me qenunë pesë vetë ndë nji shtëpi damë, tre kundrë dyve, edhe dy kundrë treve.
53 Ka për me u damë i ati kundrë të birit; edhe i biri kundrë të i atit; e ama kundrë së bijësë, edhe e bija kundrë s’amësë; vieherra kundrë nusesë vet, edhe nuseja kundrë së vieherrësë.
54 Edhe u thoshte edhe gjindëjesë: Kur shifni renë se del prei së perënduemesë diellit, përnjiherë thoni - Po vien shi; edhe bahetë kështu.
55 Edhe kur fryn erë mies-dite, thoni, se ka me u bamë vapë; edhe bahetë.
56 Hipokritëna, faqen’ e dheut edhe të qiellit dini me e provuem; por këte kohë si nuk’ e provoni?
57 Si nukë gjukoni edhe të dreitënë prei vetëhesë tuei?
58 Kur të veç pra tek urdhënari bashkë me kundrë-gjyqësinë tand, mundohu mb’udhë me shpëtuem prei ati; se mos të tërheqi te gjyqtari, edhe gjyqtari të api ndër duer të shërbëtorit, edhe shërbëtori të hedhi mbrenda ndë burk.
59 Po të thom, s’ke me dalë prei andej, ngysh sa të laish edhe astrin’ e mbrapëm.