Gruaja samaritane
1 Kur Jezui mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar që ai po bënte më shumë dishepuj se Gjoni dhe se po pagëzonte, 2 ndonëse nuk pagëzonte Jezui vetë, por dishepujt e tij, 3 la Judenë e shkoi përsëri në Galile. 4 Për të arritur atje, i duhej të kalonte nëpër Samari. 5 Kështu mbërriti në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, pranë arës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të tij. 6 Atje ndodhej pusi i Jakobit. Jezui, i lodhur nga rruga, u ul te pusi. Ora ishte rreth dymbëdhjetë e drekës.
7-8 Ndërkohë që dishepujt kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime, një grua nga Samaria erdhi për të mbushur ujë.
Jezui i tha: «Më jep të pi!». 9 Gruaja samaritane i tha: «Ti që je jude, si kërkon të pish ujë nga unë që jam grua samaritane?». Dihet se judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët. 10 Jezui u përgjigj: «Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe atë që po të kërkon për të pirë, atëherë ti do të kërkoje prej tij e ai do të të jepte ujë të gjallë». 11 Gruaja i tha: «Zotëri, ti nuk ke kovë e pusi është i thellë. Ku do ta gjesh ujin e gjallë? 12 Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë e me bagëtitë».
13 Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, 14 por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar». 15 Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje e të mos vij më këtu për të mbushur ujë». 16 Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd e kthehu këtu». 17 Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë». Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë, 18 se ke pasur pesë burra e ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën». 19 Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet. 20 Etërit tanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem».
21 Atëherë Jezui i tha: «Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. 22 Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. 23 Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në Shpirt e në të vërtetë, se të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. 24 Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në Shpirt e në të vërtetë». 25 Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka». 26 Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas».
27 Atëherë mbërritën dishepujt e tij e u çuditën që po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?» apo: «Përse flet me të?».
28 Gruaja la shtambën e shkoi në qytet për t'u thënë njerëzve: 29 «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?». 30 Kështu ata dolën nga qyteti e shkuan te Jezui.
31 Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!». 32 Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni». 33 Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?». 34 Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi e të përmbush veprën e tij. 35 Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj e vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t'u korrur!”. 36 Ai që korr merr shpërblimin e grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, edhe mbjellësi, edhe korrësi. 37 Sepse është e vërtetë fjala “njëri mbjell e tjetri korr”. 38 Unë ju dërgova të korrni atë për çka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan e ju gëzuat frytet e mundimit të tyre».
39 Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë». 40 Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë. 41 Edhe më shumë njerëz besuan në të kur dëgjuan fjalët e tij. 42 Ndërsa gruas i thoshin: «Tani nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, sepse e dëgjuam vetë dhe e dimë se ky është me të vërtetë shpëtimtari i botës!».
Shërimi i djalit të nëpunësit
(Mt 8.5-13Lk 7.1-10)
43 Pas këtyre dy ditëve, Jezui iku prej andej e shkoi në Galile. 44 Vetë ai kishte thënë se asnjë profet nuk nderohet në vendlindjen e tij, 45 por kur mbërriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë gjithçka kishte bërë gjatë festës në Jerusalem, pasi edhe ata kishin qenë atje për festë.
46 Jezui shkoi përsëri në Kanë të Galilesë, ku kishte kthyer ujin në verë. Një nëpunës mbretëror, që kishte të birin sëmurë në Kafarnaum, 47 kur dëgjoi se Jezui kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi e i kërkoi të zbriste deri në Kafarnaum e t'i shëronte të birin që ishte duke vdekur. 48 Atëherë Jezui i tha: «Ju nuk besoni nëse nuk shikoni shenja e mrekulli». 49 Nëpunësi i tha: «Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija». 50 Jezui i tha: «Shko në shtëpi! Yt bir do të jetojë». Ai u besoi fjalëve të Jezuit e shkoi.
51 Duke zbritur për në shtëpi, shërbëtorët i dolën para e i thanë se djali i tij ishte mirë. 52 Atëherë ai i pyeti për orën kur u bë më mirë djali e ata i thanë: «Dje, në orën një të drekës e lanë ethet». 53 Atëherë i ati e kuptoi se ajo ishte ora kur Jezui i kishte thënë: «Yt bir do të jetojë». Kështu besoi ai vetë e të gjithë ata të shtëpisë së tij.
54 Kjo ishte shenja e dytë që bëri Jezui kur u kthye nga Judeja në Galile.
KAPTINA IV.
1 Zoti pra si e muer vesht se Fariseitë ndëgjuenë, se Iesui ban edhe pagëzon ma tepërë
dishepuj se Gjionni,
2 (ndonëse Iesui vetë nukë pagëzonte, por dishepujt’ e ati),
3 la Iudenë, edhe vote prap ndë Galile.
4 Edhe duhei me shkuem ndëpër Samarinë.
5 Vien pra ndë nji qytet të Samarisë qi thohetë Sihar, afër’ asai arësë qi ia dha Iakobit Iosefit të birit vet.
6 Edhe atie ishte pusi i Iakobit. Iesui pra mbassi ishte lodhunë prei udhësë, kështu ndejti mbi pust; edhe ora ishte afër gjashtë.
7 Vien nji grue kah Samaria me nxierrë ujë. Iesui i thot’ asai: Më nep me pimë.
8 (Sepse dishepujt’ e ati kishinë votunë ndë qytet, për me blemë ushqime).
9 Grueja Samaritaneja i thotë pra: Qysh ti, tue qenunë Iude, lypën me pimë prei mejet qi jam nji grue Samaritane. - Sepse Iudeitë s’apin’ e s’marrinë me Samaritanët.
10 Iesui u përgjeq e i tha asai: Ndë qoftë se dije dhunëtin’ e Perëndisë, edhe cilli asht’ ai qi të thotë - Më nep me pimë, - ti kishie me lypunë prei ati, edhe kishte me të dhan’ ujë të gjallë.
11 Grueja i thotë: Zot, as kovë s’ke, edhe pusi asht’ i thellë; prei kah e ke ti pra ujët e gjallë?
12 Mos je ti ma i math se ati ynë Iakobi, i cilli na ka dhanë këte pus, edhe ai vetë pinte prei këti, edhe të bijt’ e ati, edhe bagëtit’ e ati?
13 Iesui u përgjeq e i tha asai: Gjithë-kush pi prei këti ujit, ka me i ardhun’ et prap,
14 por ai qi pi prei ujit qi kam me i dhan’ unë, s’ka me i ardhun’ et për gjithë jetënë, por ai ujë qi kam me i dhan’ unë, ka me iu bamë krue qi rrieth ndë jetë të pasosëme.
15 Grueja i thotë: Zot, më nep këte ujë, qi të mos më vijë et, as të mos vij këtu me nxierrë ujë.
16 Iesui i thot’ asai: Shko, e thirr burrinë tand, edhe eja këtu.
17 Grueja u përgjeq e tha: Nukë kam burr. Iesui i thot asai: Mirë the, se - Nukë kam burr,
18 - sepse pate pesë burra; edhe ate qi ke tashti, nuk’ asht’ burri yt; këte e fole me të vërtet.
19 Grueja i thotë: Zot, po shof se ti je profet.
20 Atënitë t’anë adhuruenë mbë këte mal; e ju thoni se vendi, qi duhetë me adhuruem, ashtë ndë Ierusalem.
21 Iesui i thot’ asai: Grue, besomë, se vien ora qi s’keni me adhuruem Atin’ as mbë këte mal, as ndë Ierusalem.
22 Ju adhuroni ate qi nukë dini; na adhurojm’ ate qi dimë, se shpëtimi ashtë prei Iudevet.
23 Por vien ora, edhe tashti ashtë, kur adhurëtorët’ e vërtetë kanë me adhuruem Atinë me frymë e me vërtetëni, sepse edhe Ati kësish kërkon me e adhuruem.
24 Perëndia ashtë frymë, edhe ata qi e adhurojnë, duhetë me e adhuruem me frymë e me vërtetëni.
25 Grueja i thotë: E dij se vien Messia, qi thohetë Krisht; ai kur të vijë, ka me na dhanë za për të gjitha.
26 Iesui i thot’asai: Unë jam ai qi të flas.
27 Edhe mbi këto fjalë erthnë dishepujt’ e ati, edhe u mërekulluenë, se po fliste me grue, por askushi s’tha: Qish kërkon? A qish flet me ate?
28 Grueja pra la shtambën’ e vet, edhe vote ndë qytet, edhe u thotë nierëzevet:
29 Ejani, e shifni nji nieri, qi më tha gjithë sa kam bamë; mos ashtë kyi Krishti?
30 Duelnë pra prei qytetit, edhe erthnë tek ai.
31 Edhe ndërmiet këtyne fjalëve dishepujt’ i luteshinë, tue thanë: Rabbi, ha.
32 Por ai u tha atyne: Unë kam të ha nji të ngranë, qi ju nuk’ e dini,
33 Dishepujtë pra i thoshinë njiani tietrit: Mos i pruni kushi me ngranë?
34 Iesui u thot’ atyne: Të ngranëtë t’em ashtë me bamë dashunimin’ e ati qi më ka dërguem, edhe me mbaruem punët’ e ati.
35 Nukë thoni ju, se jan’ edhe katër muej, edhe vien të korrëtë? Qe te po u thom juve: Ngreni përpietë sytë tuei, edhe shifni aratë, se janë të bardha për me u korrë tashti.
36 Edhe ai qi korr merr pagë, edhe mbëleth pemë për jetën’ e pasosëme, qi të gëzohetë bashkë edhe ai qi mbiell, edhe ai qi korr.
37 Sepse për këte fjalë del e vërtetë, se tietër asht’ ai qi mbiell, edhe tietër asht ai qi korr.
38 Un’ u dërgova juve me korrë atë qi s’jeni munduem; të tierë u munduenë, edhe ju hytë ndë mundiet t’atyneve.
39 Edhe prei ati qyteti shumë vetë kah Samaritanët’ i besuenë për fjalën’ e gruesë qi deshmoi, se: Më tha gjithë sa kam bamë.
40 Samaritanëtë pra si erthnë tek ai, i luteshinë me mbetunë për-an’ atyneve; edhe mbeti atie dy ditt.
41 Edhe shumë ma tepërë besuenë për fjalën’ e ati,
42 edhe i thoshinë gruesë, se: Nukë besojmë ma për fjalënë tande, sepse na e ndëgjuem, edhe e ngjoftëm se kyi ashtë për të vërtet Krishti, Shëlbuesi i botësë.
43 Edhe mbas dy ditsh duel prei andej, edhe vote ndë Galile.
44 Sepse ai Iesui deshmoi, se as ndonji profet s’ka nder ndë dhe të vet.
45 Kur erdhi pra ndë Galile, Galileanët’ e pritnë, mbassi kishinë pamë gjithë sa bani ndë Ierusalem për ditë feste, sepse edhe ata kishin’ ardhunë për ditë feste.
46 Iesui pra erdhi prap ndë Kana të Galilesë, atie ku bani ujëtë venë. Edhe ishte nji nieri mbëretënie qi kishte sëmunë të birinë ndë Kapernaum.
47 Kyi kur ndëgjoi se Iesui erdhi prei Iudesë ndë Galile, vote tek ai, edhe i lutei me srdypun’ e me shëndoshunë të birin’ e ati, sepse kishte për me vdekunë.
48 Iesui pra i tha : Ndë mos pafshi shenje e mërekullia, s’keni me besuem.
49 Nieriu i mbëretënisë i thotë: Zot, sdryp para se të vdesi çuni em
50 Iesui i thotë: Shko, se yt bir rron. Edhe nieriu i besoi fjalësë qi i tha Iesui, edhe iku.
51 Edhe ai kur po sdrypte tashti, shërbëtorët’ e ati hasnë me ate, edhe i dhanë za, tue thanë, se: Diali yt rron.
52 I pyeti pra me marrë vesht mbë ç’orë u ba ma mirë. Edhe i thanë, se die mbë shtatë orë e lan’ ethetë.
53 I ati pra e muer vesht, se mb’ate orë qi i tha Iesui, se: Yt bir rron, - edhe besoi ai, edhe gjithë shtëpia e ati.
54 Këte mërekulli të dytë bani për-së-ri Iesui, si erdhi prei Iudesë ndë Galile.