Përshëndetje
1 Unë, Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që jetoni në dhe të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini, që jeni zgjedhur 2 sipas qëllimit të Perëndisë dhe jeni shenjtëruar nga Shpirti për t'iu bindur Jezu Krishtit dhe për t'u stërpikur me gjakun e tij: hiri dhe paqja u shtoftë ndër ju!
Shpresa e gjallë
3 Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na rilindi nga mëshira e tij e madhe, nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve, që të kemi shpresën e gjallë dhe 4 trashëgimin e paprishshëm, të panjollë e të pavyshkur, që është ruajtur në qiej për ju.
5 Ju jeni ruajtur nga fuqia e Perëndisë, nëpërmjet besimit, për shpëtimin që është gati të zbulohet në kohët e fundit. 6 Gëzohuni për këtë, edhe nëse do të duhet të hidhëroheni për pak kohë nga tundime të ndryshme. 7 Kështu sprova e besimit tuaj, që është më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me zjarr, të jetë për lëvdimin, lavdinë dhe nderin tuaj kur të shfaqet Jezu Krishti.
8 Ju e doni atë, megjithëse nuk e keni parë; dhe besoni në të, megjithëse tani nuk e shihni. Prandaj ju gëzoni me një hare të papërmbajtshme, që nuk mund të shprehet me fjalë, 9 sepse po fitoni qëllimin e besimit, shpëtimin e shpirtrave. 10 Këtë shpëtim kërkuan profetët e për të patën hulumtuar. Ata profetizuan për hirin që ju është dhënë juve 11 e u përpoqën të gjenin kohën dhe rrethanat që Shpirti i Krishtit brenda tyre u paralajmëronte për vuajtjet e Krishtit e për lavdinë që do të vinte më pas. 12 Profetëve iu zbulua se ato që thoshin nuk ishin për ata vetë, por për ju. Pikërisht këto gjëra ju i keni dëgjuar tashmë nëpërmjet atyre që ju shpallën ungjillin në Shpirtin e shenjtë të dërguar prej qiellit. Këto do të donin t'i shihnin edhe engjëjt.
Thirrje për shenjtëri
13 Prandaj, bëhuni gati shpirtërisht , rrini zgjuar dhe shpresoni plotësisht në hirin që do t'ju jepet kur të shfaqet Jezu Krishti. 14 Si bij të bindur, mos jetoni sipas dëshirave të mëparshme, që i kishit kur ishit në padije. 15 Përkundrazi, gjithë sjellja juaj të jetë e shenjtë, sikurse është i shenjtë edhe ai që ju thirri. 16 Sepse është shkruar: jini të shenjtë, se unë jam i shenjtë.
17 Nëse e quani Atë Perëndinë që gjykon gjithsecilin sipas veprave, pa mbajtur anë, atëherë kalojeni shtegtimin tuaj mbi tokë me druajtje ndaj Perëndisë. 18 Ju e dini se nuk u shpenguat nga jeta e kotë që trashëguat prej etërve tuaj me gjëra që prishen, siç janë argjendi apo ari, 19 por me gjakun e çmuar të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë. 20 Flijimi i Krishtit ishte caktuar nga Perëndia që përpara se të krijohej bota, por për ju u shfaq në këto kohët e fundit. 21 Nëpërmjet tij ju besoni në Perëndinë që e ngjalli atë prej të vdekurve dhe i dha lavdi. Kështu, besimi dhe shpresa juaj janë në Perëndinë.
22 Tani që ju i keni pastruar shpirtrat duke iu bindur së vërtetës dhe i keni dashur sinqerisht vëllezërit, ta doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt e me zemër të pastër! 23 Ju nuk keni rilindur nga fara që prishet, por nga fara që nuk prishet, nga fjala e Perëndisë së gjallë e të amshuar. 24 Sepse thuhet:
çdo njeri është si bari
dhe gjithë lavdia e tij
është si lulja e barit.
Bari u tha
e lulja u vyshk,
25 ndërsa fjala e Zotit
mbetet në amshim.
Kjo fjalë është ungjilli që ju është shpallur juve.
KAPTINA I.
1 Pietri apostulll’ i Iesu Krishtit mb’ata qi rrinë ndë dhe të huej shpërdamë ndëpër Pont, e ndëpër Galati, e ndëpër Kappadoki, e ndëpër Asi e ndëpër Bithyni,
2 të sgjedhunitë mbas të parangjofëmesë Perëndisë Atit, me anë të shenjtënimit Shpirtit, për ndëgjim e për të stërpikunë të gjakut Iesu Krishtit: hir edhe paqtim u shumoftë mbë ju.
3 Qoftë bekuem Perëndia edhe Ati i Zotit t’ynë Iesu Krishtit, qi mbas përdëllimit vet të shumit na puell për së dyti ndë nji shpëresë të gjallë me anë të ngjallëmesë prei së vdekunish të Iesu Krishtit,
4 për nji trashigim të pavdierrë e të papugamë e të pavyshkunë, qi ashtë rueitunë ndë qijet për ne,
5 qi me fuqin’ e Perëndisë ruhemi me anë të besësë, për shpëtim të gatishim të sbulohetë ndë kohë të mbrapënë.
6 Për ate gëzohi, ndonëse tashi pakëzë (nd’u dashtë) idhënohi mbë qish-do farë të ngamesh, qi të gjindetë provimi i besësë tuei ma i çimueshim se ari qi prishetë,
7 ndonëse provohetë prei ziarrmit për lavdim e për nder e për laft, kur të sbulohetë Iesu Krishti,
8 të cillinë ndonëse s’e keni pamë, e doni, edhe ndonëse nuk’ e shifni tashi, por tue i besuem, gëzohi me gëzim të lavdueshim qi flitetë me gojë,
9 tue marrë të mbrapënën’ e besësë tuei, shpëtimin’ e shpirtënavet,
10 qi për ate shpëtim kërkuen’ edhe vështruenë profetëtë, qi profetizuenë për ate hirinë qi do t’ ipei mbë ju,
11 tue kërkuem mbë cillin’ a mbë qish farë kohet shpërfaqte Shpirtin’ e Krishtit qi ishte mb’ata, kur bante deshmi çë përpara për pësimet e Krishtit, edhe për laftet e mbasandaishime,
12 qi mb’ata u sbulue jo për vetëhen’ e atyne, por për ne i punoishin’ ato punë , qi u diftuenë tashi mbë ju me anë t’atyneve qi ungjillëzuen’ ungjillinë mbë ju me Shpirtinë Shenjt qi u dërgue prei qiellit, për të cillat’ engjujtë dëshërojënë të kurrusenë me pamë .
13 Përandai si të ngjishni miedizat’ e mendimit tuei, rrini esullë, shpëreni thiesht mbë hirinë qi vien mbë ju, kur të sbulohetë Iesu Krishti;
14 si dielm të ndëgjueshim, mos shkoni mbas dëshërimevet para qi baishitë pa ditunë,
15 por sikurse ashtë shenjt ai qi u thirri juve, kështu edhe ju bahi shenjtëna ndë gjithë jetënë qi shkoni,
16 sepse ashtë shkruem: “Bahi shenjtëna, sepse unë jam shenjt”.
17 Edhe ndë qjueitshi Atë ate qi gjukon pa mbaitun’ anë mbas vepërësë gjithë-se-cillit, shkoni kohënë me frikë ndë këte dhe të huej qi rrini,
18 tue ditunë se nuk’ u shpërblyetë me gja qi vdiretë, si me argjand a me ar, prei asai të kotësë jetësë tuei qi u kanë lan’ atënitë,
19 por me gjakun’ e paçimueshim të Krishtit, porsi qengjit pa palavi e pa të shgryem,
20 i cilli qe urdhënuem para se të ngrifei bota, e u shpërfaq ndë kohënat të mbrapëna për ju,
21 qi i besoni me anë t’ati Perëndisë qi e ngjalli prei së vdekunish, edhe i dha laft, andai besa juei edhe shpëresa të jetë mbë Perëndinë.
22 Si të qironi pra shpirtënatë tuei me ndëgjimin’ e së vërtetësë me anë të Shpirtit, për dashunimin’ e vëllazënisë pa hipokrisi, doni fort njiani tietërinë me zemërë të këthiellëtë,
23 sepse keni lemë për së dyti jo prei farësë qi vdiretë, por prei së pavdierrësë, me anë të fjalësë Perëndisë qi rron e mbet për gjithë jetënë.
24 Sepse “qish-do mish ashtë porsi bar, edhe qish-do laft nieriu porsi lule bari: u tha bari, edhe luleja e ati ra,
25 por fjala e Zotit mbet për gjithë jetënë”. Edhe këjo asht’ ajo fjala qi u ungjillëzue mbë ju.