Delja e humbur
(Mt 18.12-14)1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët po i afroheshin Jezuit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë dhe shkruesit murmurisnin e thoshin: «Ky pranuaka mëkatarët e ha me ta». 3 Atëherë Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 4 «Cili nga ju, nëse ka njëqind dele e njëra prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë për të kërkuar atë që ka humbur, derisa ta gjejë? 5 Dhe, kur e gjen, e ngarkon mbi shpatulla i gëzuar. 6 Pasi kthehet në shtëpi, mbledh miqtë e vet e të afërmit e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta delen që më kishte humbur”. 7 Unë po ju them se kështu ndodh edhe në qiell. Aty ka më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë të pendohen».
Monedha e humbur
8 «Ose, përsëri, nëse një grua ka dhjetë monedha argjendi dhe njëra i humb, a nuk shkon e ndez një kandil për të ndriçuar shtëpinë, që të kërkojë me kujdes derisa ta gjejë? 9 E pasi e ka gjetur, thërret shoqet e saj e fqinjat e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta monedhën që më kishte humbur”. 10 Unë po ju them: kështu gëzohen edhe engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet».
Djali plëngprishës
11 Pastaj Jezui tha: «Një njeri kishte dy djem. 12 Më i vogli i tha të atit: “Atë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon”. Kështu i ati ua ndau pasurinë djemve.
13 Pas pak ditësh më vonë djali i vogël mblodhi gjithçka kishte e shkoi në një vend të largët. Atje e çoi dëm pasurinë duke jetuar pa kokëçarje. 14 Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë. 15 Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat. 16 Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. 17 Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim eti kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie. 18 Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t'i them: atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. 19 Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu”.
20 Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. 22 Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë. 23 Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë, 24 se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin.
25 Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi e iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle. 26 Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte. 27 Ai iu përgjigj: “Vëllai yt është këtu dhe yt atë theri viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë”. 28 Atëherë ai u zemërua e nuk pranoi të hynte. I ati doli përjashta për t'iu lutur, 29 por ai iu përgjigj: “Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër, megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi. 30 Ndërsa kur u kthye yt bir, ai që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë”. 31 Por i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja. 32 Por ne duhet të festojmë e të gëzohemi, se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”».
KAPTINA XV.
1 Edhe gjithë publikanët’ e fajtorët’ iu afruenë për me e ndëgjuem.
2 Edhe Fariseit’ e Shkruisitë murmurojshinë, tue thanë, se: Kyi pret fajtorë, edhe ha bashkë me ata.
3 Edhe ai u tha atyne këte parabullë, tue thanë:
4 Cilli nieri asht’ ai prei jush qi të ketë nji qind dhen, edhe ndë huptë nji prei atyneve, nukë le të nandë-dhet’ e nandatë ndë shkretinë, edhe vete me kërkuem ate qi ka hupunë, ngjysh sa ta gjejë?
5 Edhe si ta gjejë, e merr mbi krahat’ e vet tue u gëzuem.
6 Edhe kur vien ndë shtëpit, thërret miqt’ edhe fëqijtë, e u thot’ atyne: Gëzohi bashkë me mue, se gjeta delenë t’eme qi pat hupunë.
7 Po u thom juve, se kështu ka me qenunë gëzim edhe ndë qiell për nji fajtuer qi pendohetë, se për nandë-dhet’ e nandë të dreitë, të cillëtë s’kanë nevojë për pendesë.
8 A cilla grue asht’ ajo qi ka dhetë drehemë, ndë i huptë nji drehem, nukë ndes kandilin’, edhe mpshin shtëpinë, edhe kërkon me kujdes, ngjysh sa ta gjejë?
9 Edhe si ta gjejë, thërret mikneshat’ e fëqijtë, tue thanë: Gëzohi bashkë me mue, se gjeta dreheminë qi hupa.
10 Kështu, po u thom juve, bahetë gëzim përpara engjujvet Perëndisë për nji fajtuer qi pendohetë.
11 Për-së-ri tha: Nji nieri kishte dy bij;
12 edhe ma i vogëli prei asish i tha të i atit: Atë, më nep piesën’ e gjasë qi më bije me marrë . Edhe ai u dau gjanë atyne.
13 Edhe mbas pak ditsh ma i vogëli bir mbëloth gjithë se qish pat, edhe iku ndë dhe të huej, mbë nji vend të largë, edhe atie shpërdau gjan’ e vet, tue shkuem jetë si plank-prishës.
14 Edhe ai si prishi të gjitha, u ba nji zi e madhe mb’ate vend, edhe ai filloi me pasunë të mangutë.
15 Atëherë voiti e u ngjit mbas nji qytetari t’ati vendi; edhe ai e dërgoi nd’arat e veta me kullotunë thitë.
16 Edhe dëshëronte me mbushunë barkun’ e vet me harupat qi hajshinë thitë, por kurkushi s’i nepte.
17 - Edhe ai si erdhi mbë vetëvetëhenë, tha: Sa punëtorëve të t’im et u tepërojnë bukëtë; e unë po vdirem prei uniet!
18 Do të ngrihem e do të vete tek em atë, edhe do t’i thom: O Atë, fëjeva ndë qiell, edhe përpara tejet,
19 edhe nukë jam ma i vëjefshim me u queitunë biri yt: banmë porsi nji prei punëtorëvet tu.
20 Edhe u ngrit e erdhi tek i ati vet. Edhe ai kur ishte edhe lark, i ati e pa, edhe iu dhimti; edhe u tuerr e ra mbë shit t’ati, edhe e puthi.
21 Edhe i biri i tha: O Atë, fëjeva ndë qiell, edhe përpara tejet, edhe nukë jam ma i vëjefshim me u queitunë biri yt.
22 Por i ati u tha shërbëtorëvet vet: Nxirni jashtë stolin’ e parë, edhe ia veshni; edhe i veni unazënë n’dorë, edhe këpucëtë ndë kambët;
23 edhe bini viçin’ e ushqyeshim, edhe thernia; edhe le të ham’ e le të gëzohemi,
24 sepse kyi em bir qe i vdekun’, e u ngjall për-së-ri; edhe qe i hupun’, e u gjind. Edhe filluenë me u gëzuem.
25 Edhe i bir’ i ati ma i madhi ishte nd’arë; edhe kur erdhi e u afru ndë shtëpit, ndëgjoi kankë e valle.
26 Edhe thirri nji prei shërbëtorëvet, edhe e pyeste qish janë këto punë.
27 Edhe ai i tha, se: Ka ardhun yt vëlla. Edhe yt atë theri viçin’ e ushqyeshim, sepse e priti të shëndoshë.
28 Edhe ai u zemërue, edhe s’donte me hymë mbrenda. I ati pra duel, e i lutei.
29 Edhe ai u përgjeq, e i tha të i atit: Qe te po të shërbej kaqi viet, edhe as ndoni herë s’ta kapërceva urdhëniminë; edhe kurrë ndonji herë s’më dhe nji eth, qi të gëzohem bashkë me miqt e mi.
30 Por kur erdhi kyi yt bir qi hangër gjanë tande bashkë me kurvat, i there viçin’ e ushqyeshim.
31 Edhe ai i tha: O dial, ti je përherë bashkë me mue, edhe gjithë të miatë janë të tuatë.
32 Edhe duhei me u gazëmuem e me u gëzuem, sepse kyi yt vëlla qe i vdekun’, e u ngjall për-së-ri; edhe qe i hupun’ e u gjind.