Ngjallja
(Mk 16.1-8Lk 24.1-12Gjn 20.1-10)
1 Pas së shtunës, në mëngjes herët, Maria Magdalena dhe Maria tjetër erdhën për të parë varrin. 2 Papritur ra një tërmet i fortë dhe një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, rrokullisi gurin e u ul mbi të. 3 Fytyra e engjëllit shndriste si vetëtima e rrobat i kishte të bardha si dëbora. 4 Rojat i zuri një frikë aq e madhe, saqë u drodhën e mbetën si të vdekur. 5 Engjëlli foli e u tha grave: «Mos kini frikë! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuarin. 6 Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë. Ejani e shihni vendin ku qe vënë .
7 Shkoni shpejt e u thoni dishepujve të tij se ai u ngjall prej të vdekurve dhe se do të shkojë përpara jush në Galile. Atje do ta shihni. Këto kisha për t'ju thënë».
8 Ato u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt. 9 Dhe ja, Jezui u doli përpara e u tha: «Ju përshëndes!». Ato iu afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. 10 Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni e u thoni vëllezërve të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin».
Dëshmia e rojave
11 Ndërsa gratë ishin rrugës, disa roja shkuan në qytet e u treguan kryepriftërinjve gjithçka që kishte ndodhur. 12 Kryepriftërinjtë e pleqtë u mblodhën e pasi ranë në një mendje, u dhanë ushtarëve një shumë të madhe parash 13 e u thanë: «Ju duhet të thoni se dishepujt e tij erdhën gjatë natës kur ju po flinit dhe e vodhën trupin e tij. 14 Po ta marrë vesh qeveritari, do ta bindim ne e nuk do të lejojmë që ju të ndëshkoheni». 15 Ata morën paratë e bënë siç i mësuan.
Kështu këto fjalë janë përhapur ndër judenjtë deri në ditët e sotme.
Porosia
(Mk 16.14-18Lk 24.36-49Gjn 20.19-23Vp 1.6-8)
16 Të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në malin që u kishte thënë Jezui. 17 Kur e panë Jezuin, e adhuruan, por disa prej tyre dyshuan. 18 Jezui iu afrua e u tha: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë, 19 prandaj shkoni e mësojini të gjitha kombet dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të shenjtë. 20 Mësojini të zbatojnë gjithë sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarim të botës».
KAPTINA XXVIII.
1 Edhe si shkoi e shëtuna, kur filloi me sbardhun’ e diela e para dit’ e javësë, erdhi Maria Magdalena, edhe Maria tietër, për me vum’ ore vorrinë.
2 Edhe qe tek u ba nji tërmet i math, sepse engjull’ i Zotit sdrypi prei qiellit, edhe erdhi e rrokulloi gurinë prei derësë vorrit , edhe rrinte sipër ati.
3 Edhe faqeja e ati ishte porsi vetimë, edhe petku i ati i bardhë porsi borë.
4 Edhe ata qi ruejshinë u drothnë prei frikës’ ati, edhe u banë porsi të vdekunë.
5 Edhe engjulli u përgjeq, e u tha gravet: Mos frikohi ju, sepse e dij se kërkoni Iesunë, qi u kryqëzue.
6 Nuk’ ashtë këtu, sepse u ngjall, sikurse pat thanë. Eni, shifji vendinë ku qe Zoti.
7 Edhe shkoni shpeit, e u thoni dishepujvet ati, se u ngjall prei së vdekunish; edhe qe te po shkon ma përpara se ju ndë Galile; atie keni me e pamë, qe tek u thashë juve.
8 Edhe ato duelnë shpeit prei vorrit bashkë me frikë, edhe me gëzim të math; e u tuerrnë me u dhanë za dishepujvet ati.
9 Edhe tue votunë me u dhanë za dishepujvet ati, qe Iesui te hasi me ato, e u tha: Falemi. Edhe ato i erthnë për-anë, e i kapnë kambët’, edhe e adhuruenë.
10 Atëherë Iesui u thot’ atyneve: Mos kini frikë, shkoni, e nepni za vëllazënavet mi, qi të shkojnë ndë Galile, edhe atie kanë me më pamë.
11 Edhe ato tue shkuem, qe disa prei rueitësavet tek erthnë ndë qytet, e u dhanë za Krye-priftënavet për gjithë se qish u banë.
12 Edhe ata si u mbëlothnë bashkë me pleqt, edhe muern’ e dhanë këshille, u dhanë ushtëtorëvet argjanda miaft,
13 tue thanë: Thoni, se: - Dishepujt’ e ati erthnë natënë, edhe e vothnë, tue fjetunë na.
14 Edhe ndë u ndëgjoftë këjo prei guvernatorit, na kena me i mbushunë mendien’, edhe kena me u bamë juve mos me pasunë gaile.
15 Edhe ata mbassi muernë argjandatë, banë sikurse u mësuenë; edhe këjo fjalë u dha ndëpër Iudeit deri mbë ditë të sotshime.
16 Edhe të nji-mbë-dhetë dishepujtë voitnë ndë Galile, nd’ate mal ku i pat porositunë Iesui.
17 Edhe kur pan’ ate, e adhuruenë, por disa vetë ishinë me dy mendesh.
18 Edhe Iesui erdhi për-anë, e u foli atyneve, tue thanë: M’u dha çdo urdhënë ndë qiell, edhe mbë dhe.
19 Shkoni pra, e mësoni gjithë kombetë, edhe i pagëzoni mb’emënë të Atit, e të Birit, e të Shpirtit Shenjt;
20 edhe i mësoni me rueitunë gjithë sa u kam porositunë juve; edhe qe unë te jam bashkë me ju gjithë ditt, deri mbë të mbaruemen’ e jetësë. Amen.