Pjetri para kishës në Jerusalem
1 Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe kombet e kishin pranuar fjalën e Perëndisë. 2 Kur Pjetri shkoi në Jerusalem, besimtarët e rrethprerë e sulmuan me fjalë 3 e i thanë: «Ti hyre në shtëpinë e njerëzve të parrethprerë e hëngre me ta».
4 Atëherë Pjetri u tregoi hollësisht çfarë i kishte ndodhur: 5 «Isha në qytetin e Jopës e po lutesha kur, i rrëmbyer nga Shpirti i shenjtë, pashë një vegim. Diçka si një pëlhurë e madhe po zbriste dhe, e mbajtur në të katër cepat, ulej nga qielli deri tek unë. 6 Kur e vështrova nga afër, vura re e pashë katërkëmbësha të tokës, egërsira, rrëshqanorë e shpendë të qiellit. 7 Atëherë dëgjova një zë që më tha: “Ngrihu, Pjetër. Ther e ha”. 8 Por unë thashë: “Kurrsesi, o Zot, se nuk kanë hyrë asnjëherë në gojën time gjëra të papastra e të ndyra”.
9 Pastaj zëri nga qielli më tha për të dytën herë: “Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!”. 10 Kjo gjë u përsërit tri herë, pastaj të gjitha u ngritën përsëri në qiell. 11 Menjëherë tre burra, që i kishin dërguar tek unë nga Cezareja, erdhën te shtëpia ku po rrinim ne. 12 Shpirti më tha të shkoja me ta pa ngurruar. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu. 13 Ai na tha se kishte parë një engjëll që i ishte shfaqur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: “Dërgo njerëz në Jopë të marrin Simonin që e thërrasin Pjetër. 14 Ai do të të thotë fjalët me të cilat ti e shtëpia jote do të shpëtohen”.
15 Kur fillova të flisja, Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta sikurse kishte zbritur mbi ne në fillim. 16 Atëherë m'u kujtua fjala e Zotit, që tha: “Gjoni pagëzon me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë”. 17 Nëse Perëndia u dha kombeve të njëjtën dhuratë që na ka dhënë neve kur besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?».
18 Kur dëgjuan këto gjëra, ata u qetësuan dhe e përlëvduan Perëndisë duke thënë: «Atëherë Perëndia ua ka dhënë edhe kombeve pendimin që udhëheq drejt jetës».
Kisha në Antioki
19 Ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi pas vdekjes së Stefanit, shkuan deri në Fenikë, në Qipro e Antioki, por ua shpallnin fjalën e Zotit vetëm judenjve e askujt tjetër. 20 Mes tyre ishin edhe disa burra nga Qipro dhe Kirena, të cilët, rrugës për në Antioki, ua shpallën ungjillin, Zotin Jezu, edhe judenjve greqishtfolës. 21 Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh besuan e u kthyen te Zoti. 22 Lajmi për këtë gjë arriti në vesh të kishës në Jerusalem dhe ata dërguan Barnabën të shkonte deri në Antioki.
23 Kur ai arriti atje dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua e i porositi të gjithë që t'i qëndronin besnikë Zotit, me gjithë zemër. 24 Barnaba ishte njeri i mirë, i mbushur me Shpirtin e shenjtë e me besim. Kështu, një numër i madh njerëzish besoi në Zotin.
25 Pastaj Barnaba shkoi në Tars për të kërkuar Saulin. 26 Kur e gjeti, e solli në Antioki. Ata qëndruan aty një vit të tërë me kishën dhe mësuan shumë njerëz. Në Antioki dishepujt u quajtën të krishterë për herë të parë.
27 Në ato ditë, në Antioki erdhën disa profetë nga Jerusalemi. 28 Njëri prej tyre, që quhej Hagab, tregoi me anë të Shpirtit se do të binte një zi e madhe buke në tërë botën, gjë që ndodhi në kohën kur perandor ishte Klaudi. 29 Atëherë dishepujt vendosën që secili prej tyre, sipas mundësive që kishte, të jepte diçka për të ndihmuar vëllezërit që ishin në Jude. 30 Dhe ashtu bënë. Ndihmën ua dërguan pleqve të kishës me Barnabën e Saulin.
KAPTINA XI.
1 Edhe apostujt’ edhe vëllazënitë qi ishinë ndë Iude, ndëgjuenë se edhe kombetë pritnë fjalën’ e Perëndisë.
2 Edhe Pietri kur hypi ndë Ierusalem, haheshinë me ate ata qi ishinë prei rreth-presiesë,
3 tue thanë, se hynë ndër nierës të pa-rreth-premë, e hangrë bashkë me ata.
4 Por Pietri filloi, e u diftoi gjithë qish kishinë koditunë nji ka nji, tue thanë:
5 Un’ ishiem ndë qytet të Ioppësë tue u falunë, edhe pashë nji të pame ndë jangi, Sikur sdrypte nji anë, porsi nji pëlhurë e madhe, lidhunë prei së katër anësh, e lishoi poshtë prei qiellit, edhe erdhi deri tek unë;
6 kur çova sytë mb’ate, vuna ore e pashë shtazëtë katër-kambiet’ e dheut, e bishat’, e shtërpijt’, e shpendët’ e qiellit.
7 Edhe ndëgjova nji za qi më thoshte: Ngreu, Pietër; ther, e ha.
8 Por unë thashtë: Qoftë lark, o Zot, se çdo gja e ndytë a e pugatë askurrë s’ka hymë ndë gojët t’eme.
9 Por zani m’u përgjeq për së dyti prei qiellit: Ato qi ka qiruem Perëndia, ti mos i quej të ndyta.
10 Edhe këjo u ba tri herë; edhe prap u tërhoqnë të gjitha ndë qiell.
11 Edhe qe përnjiherë tek e mbërrinë tre burra mb’ate shtëpi qi ishiem, dërguem prei Kaisariet tek unë.
12 Edhe Shpirti Shenjt më tha me votunë bashkë me ata, pa mos pasunë ndonji farë mendie. Edhe erthnë bashkë me mue edhe këta gjashtë vëllazën, edhe hym ndë shtëpit t’ati nieriut;
13 edhe ai na diftoi, si pa engjullinë ndë shtëpi të vet, se ndenji e i tha: Dërgo nierës ndë Ioppë, e thirrë Simoninë qi quhetë përmbi emënë Pietër,
14 i cilli ka për me të folunë fjalë, qi prei atyne fjalëvet ke me u shpëtuem ti, edhe gjithë shtëpia jote.
15 Edhe unë porsa fillova me folunë, ra Shpirti Shenjt mbi ata, sikurse edhe mbë ne herën’ e parë.
16 Atëherë më ra ndër mend fjala e Zotit, qi thoshte: “se Gjionni pagëzoi me ujë; por ju keni me u pagëzuem me Shpirtinë Shenjt”.
17 Ndë qoftë pra se Perëndia u dha dhunëtinë si nji-nji, sikurse edhe neve, sepse i besuenë Zotit Iesu-Krisht; unë ç’i zoti ishiem me ndalunë Perëndinë?
18 Edhe ata si ndëgjuenë këto fjalë , pushuenë, edhe lavduenë Perëndinë, tue thanë: Perëndia pra u pasëka dhan’ edhe kombevet pendesënë për jetë.
19 Ata pra qi ishinë shpërdamë prei ndiekëjesë qi qe bamë për Stefaninë, shkuenë deri ndë Fenikë, e ndë Kyprë e ndë Antiohi, edhe s’flisinë fjalën’ as mbë ndonji, por veç mbë Iudeit.
20 Edhe disa prei atyneve ishinë nierës Kypreanë e Kyreneanë, të cillëtë kur hynë ndë Antiohi, flisinë te Greqishtarët, tue dhanë zanin’ e mirë për Zotinë Iesu.
21 Edhe dora e Zotit ishte bashkë me ata; edhe shumë numërë nierëzish besuenë, e u këthyenë mbë Zotinë.
22 Atëherë u ndëgjue fjala për ata ndë veshët të kishësë qi ishte ndë Ierusalem; edhe dërguenë Barnabënë me shkuem deri ndë Antiohi.
23 I cilli kur erdhi, edhe pa hirin’ e Perëndisë, u gëzue, edhe shtynte të gjithë me qindruem me zemërë të dreitë te Zoti.
24 Sepse ishte nieri i mirë edhe plot me Shpirtinë Shenjt e me besë. Edhe u shtue miaft gjindëje mbë Zotinë.
25 Atëherë Barnaba duel ndë Tarsë për me kërkuem Saulinë;
26 edhe si e gjeti, e pruni ndë Antiohi. Edhe nji vit të tanë mbëlidheshinë ndë kishë, edhe mësojinë miaft gjindëje. Edhe dishepujt’ u queitnë të Krishtenë përpara ndë Antiohi.
27 Edhe ndër ato ditt sdrypnë profetën prei Ierusalemit ndë Antiohi.
28 Edhe u ngrit nji prei atyneve qi quhei Agab, e shënoi me anë të Shpirtit Shenjt , se do të bahetë nji zi e madhe mbë gjithë dhenë; edhe u ba mbë ditë të Klaudiut Kaisarit.
29 Përandai dishepujt’ urdhënuenë gjithë-se-cilli prei atyneve, mbas pasiesë vet qi kishte , të dërgojnë ndifmë te vëllazënit qi rrijinë ndë Iude;
30 sikurse edhe e banë, e ua dërguenë pleqvet me dorë të Barnabës’ e të Saulit.