1 O vëllezër, e dëshiroj me gjithë zemër shpëtimin e Izraelit dhe për këtë i lutem Perëndisë. 2 Unë dëshmoj se ata kanë zell për Perëndinë, por zelli i tyre nuk mbështetet në njohurinë e vërtetë. 3 Ata nuk donin të kuptonin se është vetëm Perëndia ai që i bën të drejtë njerëzit, por kërkuan të bëhen të drejtë me veprat e tyre. Kështu ata nuk iu nënshtruan Perëndisë që mund t'i bënte të drejtë. 4 Krishti i jep fund ligjit me qëllim që të bëhet i drejtë kushdo që beson në të.
Shpëtimi për të gjithë
5 Moisiu shkruan sesi njeriu mund të bëhet i drejtë përmes ligjit dhe thotë: njeriu që i zbaton urdhërimet e ligjit do të jetojë prej tyre.
6 Ndërsa për atë që bëhet i drejtë përmes besimit, Moisiu thotë kështu: mos thuaj në zemrën tënde: «Kush do të ngjitet në qiell?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të zbriste poshtë. 7 As mos thuaj: «Kush do të zbresë në humnerë?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të ngjallej prej të vdekurve.
8 Por çfarë thotë, pra?
Fjala është pranë teje,
në gojën e në zemrën tënde.
Kjo është fjala e besimit që ne predikojmë. 9 Nëse rrëfen me gojë se Jezui është Zot dhe nëse beson me zemër se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, ti do të shpëtohesh. 10 Sepse njeriu beson me zemër dhe Perëndia e bën të drejtë, rrëfen me gojë dhe Perëndia e shpëton.
11 Shkrimi thotë: kush beson në të, nuk do të turpërohet. 12 Sepse nuk ka dallim ndërmjet judeut e helenit: Zoti është i njëjtë për të gjithë dhe është zemërgjerë me të gjithë ata që e thërrasin emrin e tij. 13 Sepse: kush thërret emrin e Zotit, do të shpëtohet.
14 Por, si do ta thërrasin atë të cilit nuk i besuan? Dhe si mund t'i besojnë atij për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë nëse nuk ka njeri t'u predikojë? 15 Dhe si mund të predikojnë nëse nuk janë dërguar? Sikurse është shkruar: sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajme të mira ! 16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit. Isaia thotë: o Zot, kush i besoi lajmit tonë?
17 Pra, besimi vjen nga dëgjimi dhe dëgjimi vjen përmes fjalës së Krishtit . 18 Por unë pyes: Mos vallë nuk kanë dëgjuar ata? Patjetër që kanë dëgjuar:
zëri i tyre u përhap
në të gjithë tokën
dhe fjalët e tyre
deri në skajet e botës.
19 Përsëri pyes: Mos vallë nuk kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari:
unë do t'ju bëj të keni zili
një komb që nuk është fare komb;
do t'ju bëj të zemëroheni
me një komb të pamend.
20 Isaia pati guximin të thotë:
ata që nuk më kërkonin,
më gjetën;
iu shfaqa
atyre që nuk më kërkonin.
21 Por për Izraelin ai thotë:
gjithë ditën i shtriva dorën
një populli të pabindur e kundërshtues.
KAPTINA X.
1 Vëllazën, dëshërimi i zemrësë s’eme, edhe lutëja qi baj mbë Perëndinë për Israelinë, ashtë për shpëtim t’atyneve .
2 Sepse deshmoj për ata, se u përvëlohetë zemëra për Perëndinë, por jo mbas së ngjofëmesë.
3 Sepse tue mos ngjofunë dreitënin’ e Perëndisë, edhe tue kërkuem me ngrefunë dreitënin’ e vet, nuk’ ulnë vetëhenë ndë dreitëni të Perëndisë.
4 Sepse të mbaruemit’ e ligjës’ ashtë Krishti për dreitëni te cilli-do qi beson.
5 Sepse Moiseu shkruen për atë dreitëninë qi ashtë prei ligjësë, tue thanë : “Se ai nieri qi ban këto, ka me rruem prei atyneve”.
6 Por ajo dreitënia qi ashtë prei besësë thotë kështu: “Mos thuesh ndë zemërë tande: Kush ka me hipunë ndë qiellt?” Do me thanë, për me sdripunë Krishtinë;
7 a: “Kush ka me sdripunë ndë abysset?” Do me thanë, për me prumë nalt Krishtinë prei së vdekunish.
8 Por qish thotë? “Fjala ashtë ngjat teje, ndë gojët tande, e ndë zemërët tande”, do me thanë, fjala e besësë qi predikojmë,
9 se ndë rrëfefsh me gojët tande Zotinë Iesu, edhe ndë besofsh me zemërët tande, se Perëndia e ngjalli prei së vdekunish, ke me shpëtuem,
10 sepse me zemërë besohetë për dreitëni, edhe me gojë rrëfehetë për shpëtim,
11 sepse shkronja thotë: “Gjithë-kush t’i besojë ati, s’ka me u turpënuem”.
12 Sepse s’ka të damë ndërmiet Iudeu e Greku, sepse ai Zoti vetë asht’ i të gjithëve, i pasunë mbi gjith’ ata qi e thërresinë.
13 Sepse gjithë-kush të thërrasi emënin’ e Zotit, ka me shpëtuem.
14 Si pra kanë me thirrun’ ate qi s’i kanë besuem? Edhe si kanë me i besuem ati qi s’kanë ndëgjuem për ate? Edhe si kanë me ndëgjuem pa qenun’ ai qi predikon?
15 Edhe si kanë me predikuem, ndë mos u dërgofshinë? Sikurse ashtë shkruem: “Sa të bukura janë kambët’ e atyneve qi apinë zanin’ e mirë për paqtim , edhe atyneve qi ungjillëzojënë për të mirat”.
16 Por të gjithë nuk’ i ndëgjuen’ ungjillit, sepse Isaia thotë: “Zot, kush i besoi predikimit t’ynë?”
17 Besa pra ashtë prei së ndëgjuemesë, edhe e ndëgjuemeja prei fjalësë Perëndisë.
18 Por thom: Mos nukë ndëgjuenë? Po, “zani i atyneve duel mbë gjithë dhenë, edhe fjalët’ e atyneve deri mbë skanjet të botësë”.
19 Por thom: Mos nuk’ e ngjofi Israeli? I pari ashtë Moiseu qi thotë: “Unë kam me u shtimë juve ndë zmir me ata qi nukë janë komp, edhe kam me u bamë juve të zemërohi me nji komp pa mend”.
20 Por Isaia kuxon ma tepërë, e thotë: “U gjeta për-an’ atyneve qi nukë më kërkojnë, u duka përpara atyneve qi nukë pyesinë për mue”.
21 Por për Israelinë thotë: “Gjithë ditënë shtrina duert’ e mia te nji popull qi nukë bindetë, e qi flet kundrë”.