Porositë dhe përshëndetjet
1 Është hera e tretë që do të vij te ju, se çdo padi duhet të jetë e mbështetur në fjalën e dy apo tre dëshmitarëve. 2 Ata që kanë mëkatuar dikur dhe të gjithë të tjerët i kisha paralajmëruar kur isha me ju për herë të dytë dhe po i paralajmëroj edhe tani që nuk jam aty, se nëse vij përsëri nuk do të kursej askënd. 3 Me sa duket ju kërkoni një provë që Krishti flet përmes meje. Dijeni, pra, se Krishti nuk u tregua i dobët mes jush, por i fuqishëm. 4 Vërtet ai u kryqëzua për shkak të dobësisë, por jeton prej fuqisë së Perëndisë. Ne jemi të dobët bashkë me të, por prej fuqisë së Perëndisë do të jetojmë bashkë me të, mes jush.
5 Shqyrtojeni veten për të parë nëse po jetoni me besim. Vëreni veten në provë. A nuk e kuptoni se në ju jeton Jezu Krishti? Nëse nuk e kuptoni këtë, atëherë nuk e keni kaluar provën. 6 Shpresoj se do ta merrni vesh se ne e kemi kaluar provën. 7 Megjithatë ne i lutemi Perëndisë që të mos bëni asnjë të keqe, jo që të duket se ne e kaluam provën, por që ju të bëni çfarë është e drejtë, edhe pse mund të duket se ne dështuam.
8 Ne nuk mund të bëjmë asgjë kundër së vërtetës, por vetëm për të vërtetën. 9 Ne gëzohemi kur ne jemi të dobët e ju jeni të fortë dhe lutemi që ju të përsoseni. 10 Këto gjëra po i shkruaj ndërsa jam larg, që, kur të vij, të mos më duhet të jem i rreptë dhe pushtetin që më ka dhënë Zoti ta përdor për të ndërtuar e jo për të shkatërruar.
11 Së fundi, vëllezër, gëzohuni, ndrequni, ngushëlloni njëri-tjetrin, jini të një mendjeje, jetoni në paqe dhe Perëndia i dashurisë e i paqes qoftë me ju. 12 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Ju përshëndesin të gjithë të shenjtët.
13 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia me Shpirtin e shenjtë qofshin me ju të gjithë!
KAPTINA XIII.
1 E treta herë ashtë këjo qi vij te ju: “qish do fjalë ka me qindruem mbë gojë dy deshmitarëve a treve”.
2 U thashë juve ma pari, edhe po u thom ma pari, porsikur me qenunë ngjat të dytënë herë, edhe tashti qi jam lark u shkruej atyneve qi kanë fëjyem përpara, edhe gjithë të tierëvet, se ndë arthsha për-së-ri, s’kam me u kursyem,
3 sepse kërkoni provimin e ati Krishtit qi flet me anë t’eme, i cilli s’asht’ i dobë mbë ju, por asht’ i fortë ndër ju.
4 Sepse ndonëse u kryqëzue prei dobësinësë, por rron prei Perëndisë; sepse edhe na jemi të dobë mb’ate, por kemi me rruem bashkë me ate mbë ju prei fuqisë Perëndisë.
5 Shikoni vetëhenë tuei, ndë jeni ndë besët; provoni vetëhenë tuei, apor s’e ngjifni vetëhenë tuei se Iesu Krishti ashtë ndër ju? Veç ndë qofshi të paprovueshim.
6 Edhe shpërej se keni me ngjofunë, se na s’jemi të paprovueshim, por qi të bani ju të mirënë, e na të jemi të paprovueshim.
7 Edhe i lutem Perëndisë qi të mos bani ndonji gja të keqe, jo qi të dukemi na të provueshim, por qi të bani ju të mirënë, e na të jemi porsi të paprovueshim.
8 Sepse s’mundemi me bamë gja kundrë së vërtetësë, por për të vërtetënë.
9 Sepse gëzohemi kur na jemi të dobë, e ju jeni të fortë, edhe për këte lutemi, do me thanë , për të kulluemit tuei.
10 Përandai shkruej këto, kur jam lark, qi të mos u za me të keq, kur të jemi ngjat, mbas ati pushtetit qi më ka dhanë Zoti, për të ndërtuem, e jo për të prishunë.
11 Gëzohi pra, o vëllazën, bahi të kullutë, ngushullohi, kini nji mend, kini paqtim; edhe Perëndia i dashunisë edhe i paqtimit ka me qenunë bashkë me ju.
12 Përshëndetni njiani tietërinë me të puthëme të shenjtënueshime; u falenë juve me shëndet gjithë shenjtënitë.
13 Hiri i Zotit Iesu Krisht, edhe dashunia e Perëndisë, edhe shoqënia e Shpirtit Shenjt qoftë bashkë me gjithë ju, Amen.
(Letëra) e dytë mbë Korinthianët u shkrue kah Filippet’ e Makedonisë, (edhe u dërgue) me anë të Titos’ e të Lukësë .