Çështja e divorcit
(Mt 19.1-12)1 Jezui u largua që andej e shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit, e përsëri turmat u mblodhën pranë tij. Ai filloi përsëri t'i mësonte, siç e kishte zakon. 2 Disa farisenj iu afruan dhe, për ta zënë në kurth, e pyetën: «A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan?». 3 Jezui u përgjigj: «Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?». 4 Ata i thanë: «Moisiu ka lejuar t'i shkruhet gruas fletëndarja e të lihet ». 5 Jezui u tha: «Ai jua ka shkruar këtë urdhërim për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj, 6 por që nga fillimi i krijimit Perëndia bëri mashkullin e femrën. 7 Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e vet 8 dhe të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk do të jenë më dy, por një trup i vetëm. 9 Prandaj atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!».
10 Kur u kthyen në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën përsëri për këtë gjë. 11 Ai u tha: «Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore ndaj saj, 12 dhe kushdo që e ndan burrin e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore».
Bekimi i fëmijëve
(Mt 19.13-15Lk 18.15-17)13 Atëherë i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta, por dishepujt i qortuan. 14 Kur i pa, Jezui u zemërua e u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, se mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. 15 Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të». 16 Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.
Njeriu i pasur
(Mt 19.16-30Lk 18.18-30)17 Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». 18 Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. 19 Ti i njeh urdhërimet: mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero atin tënd e nënën tënde! ». 20 Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». 21 Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 22 Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri. 23 Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!». 24 Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë . 25 Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 26 Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 27 Jezui i vështroi e tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur».
28 Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje». 29 Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që lanë shtëpi, vëllezër a motra, nënë ose atë, fëmijë ose ara për shkakun tim dhe për shkak të ungjillit 30 nuk do të mbetet pa marrë, tani, në këtë kohë, së bashku me përndjekjet, njëqindfish, shtëpi, vëllezër, motra, nënë, fëmijë e ara, dhe jetën e amshuar në botën e ardhshme. 31 Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit e të fundit do të jenë të parët».
Paralajmërimi sërish i Pashkës
(Mt 20.17-19Lk 18.31-34)32 Rrugës për në Jerusalem Jezui u printe dishepujve. Dishepujt ishin të tmerruar, ndërsa të tjerët që i ndiqnin kishin frikë. Si i mori përsëri mënjanë të dymbëdhjetët, Jezui filloi t'u tregonte çfarë do t'i ndodhte: 33 «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje e do t'ua dorëzojnë kombeve. 34 Këta do ta tallin e do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngjallet».
Mbretërimi si shërbim
(Mt 20.20-28)35 Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan e i thanë: «Mësues, duam të bësh për ne gjithçka që të kërkojmë». 36 Ai u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». 37 Ata i thanë: «Na lejo që në lavdinë tënde të ulemi njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde». 38 Por Jezui u tha: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë apo të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem unë?». 39 Ata iu përgjigjën: «Mundemi». Jezui u tha: «Kupën që do të pi unë do ta pini edhe ju e do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem edhe unë, 40 por që të uleni në të djathtën a në të majtën time, nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre për të cilët janë përgatitur». 41 Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me Jakobin e me Gjonin. 42 Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se ata që e mbajnë veten si krerë të kombeve sundojnë mbi to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi to. 43 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj, 44 dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve, 45 sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi t'i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».
Shërimi i Bartimeut
(Mt 20.29-34Lk 18.35-43)46 Kështu arritën në Jeriko. Ndërsa po nisej që andej bashkë me dishepujt e me një turmë të madhe, një lypës i verbër, Bartimeu, biri i Timeut, rrinte ulur në anë të rrugës. 47 Kur dëgjoi se po kalonte Jezui i Nazaretit, ai nisi të bërtiste: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 48 Shumë veta e qortonin që të heshtte, por ai thërriste edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 49 Jezui ndaloi e tha: «Thirreni!». Ata e thirrën të verbrin e i thanë: «Merr zemër! Ngrihu! Ai po të thërret». 50 Ai hodhi tej gunën, brofi më këmbë e shkoi te Jezui. 51 Jezui i tha: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». I verbri iu përgjigj: «Mësues, dua që të shoh përsëri». 52 Atëherë Jezui i tha: «Shko! Besimi yt të shpëtoi». Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit.
KAPTINA X.
1 Ende si u ngrit prej andej, vien ndë synoret të Iudesë, për përtej Iordanit; ende prap shkojnë bashkë ke ai gjindëje; ende sikundrë e kishte zakon, prap i mësonte.
2 Ende si erthnë për-anë Fariseitë, e pytnë, tue ngam’ ate: Ndë qoftë se asht’ e udhësë burri me lishumë grunë?
3 Ende ai u përgjeq, e u tha atyne: Qish u ka porositunë juve Moiseu?
4 Ende ata thanë: Moiseu na la me shkrumë letër së dameje, ende me e lishumë.
5 Ende Iesui u përgjeq, e u tha atyne: Për zemërën’ e ashpërë tujën’ u shkroi juve këte porosi.
6 Po çë ndë krye të herësë, çë kur se ashtë krijumë bota, Perëndia bani ata mashkull ende femënë.
7 “Për këte punë nieriu ka me lanë të i atin’ ende t’amënë, ende ka me u ngjitunë mbas grusë vet;
8 ende kanë me qenë të dy ndë nji mish”, kaqi sa nuk janë ma dy, po nji mish.
9 Ate pra qi Perëndia bani parë, nieriu le të mos e dajë.
10 Ende dishepujt’ e ati e pytnë prap ndë shtëpit për ate punë .
11 Ende ai u tha atyne: Kush të lishojë grun’ e vet, ende të martohetë me tietër, kurvënon mb’atë.
12 Ende gruja ndë lishoftë burrin’ e vet, ende të martohetë me tietër, kurvënon.
13 Atëherë i prunë çuna të vogjilë, për me i prekunë; ende dishepujtë qirtojin’ ata qi i bijinë.
14 Po Iesui kur pa, u zemëru, ende u tha atyne: Leni çunat’ e vogjilë me ardhunë ke unë, ende mos i ndalni, sepse për kësish ashtë mbëretënia e Perëndisë.
15 Me të vërtet po u thom juve: Kush të mos presi mbëretënin’ e Perëndisë posi nji çun të vogëlë, s’ka me hymë mb’ate.
16 Ende si i mur n’grykë, vuni durët mbi ata, ende i bekoi.
17 Ende ai tue dalë mb’udhë, nji nieri u lishu me vrap, ende ra mbë gjunjë përpara ati, ende e pyste: Mieshtër i mirë, qish të baj qi të trashigoj jetën’ e pa-sosëme?
18 Ende Iesui i tha: Ç’më thu i mirë? Askushi s’asht’ i mirë, për-veç nji Perëndie.
19 I di porositë: “Mos kurvënojsh. Mos vrasish. Mos viedhish. Mos bajsh deshmi mbë rrenë. Mos bajsh dam. Ndero t’ët at’ e t’ët amë”.
20 Ende ai u përgjeq, e i tha: Mieshtër, gjithë këto i kam ruitunë çë mbë të rit t’em.
21 Ende Iesui shtiu sytë mb’ate, ende e deshi, ende i tha: Nji gja të mengon: shko, e shit sa ke, ende epua të vobegjëvet, ende do të kesh thesore ndë qill; ende eja, ngre kryqinë, e më merr mbrapa,
22 Po ai tristoi për fjalënë, e shkoi idhënumë, sepse kishte gja shumë.
23 Ende Iesui si vuni ore rreth, u tha dishepujvet vet: Sa me të vështirë kanë me hymë ndë mbëretënit të Perëndisë ata qi kanë gja!
24 Ende dishepujtë tëmeroheshinë për fjalët e ati. Po Iesui prap u përgjeq, e u tha atyne: Dielm, sa e vështirë ashtë me hymë ndë mbëretënit të Perëndisë ata qi kanë shpëresënë mbë gjat!
25 Ma kollai ashtë me shkumë kamilla ndëpër brimë të gjylpanësë, se i pasuni me hymë ndë mbëretënit të Perëndisë.
26 Ende ata mërekulloheshinë tepërë, tue thanë me vetëvetëhenë: Vallë cilli mundetë me u shpëtumë?
27 Ende Iesui si shtiu sytë mb’ata, tha: Për-anë nierëzish asht’ e pamuntshime, po për-anë Perëndisë jo, sepse të gjitha janë të muntshime për-anë Perëndisë.
28 Ende Pietri filloi me i thanë: Ngje na ke lam të gjitha, ende erthmë mbrapa teje.
29 Ende Iesui u përgjeq, e tha: Me të vërtet po u thom juve, se askushi s’asht ai qi la shtëpi, a vëllazën, a motëra, a atë, a amë, a gru, a dielm, a ara, për punë t’eme ende të ungjillit,
30 qi të mos marri nji qind për nji ndashti ndë këte kohë, shtëpia, e vëllazën, e motëra, a ama, a dilem, a ara, bashkë me të ndiekuna; ende ndë jetët qi vien, jetë të pasosëme.
31 Po shumë të parë kanë me qenë të mbrapëm; ende të mbrapmitë të parë.
32 Ende ishinë mb’udhë tue hypunë ndë Ierusalem; ende Iesui ishte tue primë përpara atyneve; ende ata mërekulloheshinë, ende e merrinë mbrapa tue pasunë frikë; ende ai mur për-anë pra të dy-mbë-dhitët’, e filloi me u than’ ato punë qi kishinë për me u bamë mb’ate.
33 Se ngje ke po hypimë ndë Ierusalem; ende i bir’ i nieriut ka me u dhanë ndër durë të Krye-priftënavet, ende të Shkruisavet; ende kanë me e gjukumë për vdekë, ende kanë me e dhanë ndër durë të kombevet:
34 ende kanë me luitunë me ate, ende kanë me e rrafunë ndë fallake, ende kanë me e pështymë ndër sy, ende kanë me e vramë; ende të tretënë ditë ka me u ngjallë.
35 Ende atëherë vinë ke ai Iakobi ende Gjionni, të bijt’ e Zebedeut, tue thanë: Mieshtër, dumë me na bam’ ate qi të lypimë.
36 Ende ai u tha atyne: Qish doni me u bam’ unë juve?
37 Ende ata i thanë: Epna për me ndenjunë nji prei së diathtësë s’ate, e nji prei së mangjëtësë s’ate, ndë laft tand.
38 Po Iesui u tha atyne: S’dini se qish lypni; mundeni me pim’ ate potirinë qi pij unë, ende me u pagëzumë me ate pagëziminë qi pagëzohem unë?
39 Ende ata i thanë: Mundemi. Edhe Iesui u tha atyne: Atë potirinë qi pij unë, keni me e pimë, ende me ate pagëziminë qi pagëzohem unë keni me u pagëzumë;
40 po me ndenjunë prei së diathtësë s’eme, e prei së mangjëtësë s’eme, nuk’ ashtë puna eme me e dhanë, po ka me u dhan atyneve qi ashtë bamë gati për ata.
41 Ende të dhitëtë kur ndëgjunë, fillunë me u zemërumë për Iakobin’ e për Gjionninë.
42 Po Iesui si i thirri për-anë, u thot’ atyne: E dini se ata qi dukenë se urdhënojnë kombetë, pushtojn’ata; ende të mëdhejt’ e atyneve urdhënojnë ata. 43 Po s’ka me qenë kështu ndër ju; po kush të detë me u bam’ i math ndër ju, ka me qenë shërbëtori jui.
44 Ende kush të detë prei jush me u bam’ i parë, ka me qenë shërbëtori i të gjithëve.
45 Sepse ende i bir’ i nieriut nuk’ erdhi me u shërbymë, po me shërbymë, ende me dhanë jetën’ e vet shpërblim për shumë.
46 Mbasandai vinë ndë Ieriho; ende ai si dul prei Ierihosë bashkë me dishepujt’ e vet, ende miaft gjindëje, Bartimeu i verbëtë, i bir’ i Timeut, rrinte për-an’ udhësë tue lypunë.
47 Ende kur ndëgjoi se ashtë Iesu Nazoreasi, filloi me bërtitun’ e me thanë: Iesu, i bir’ i Davidit, përdellemë.
48 Ende shumë vetë e qirtojinë qi të pushonte, po ai shumë ma tepërë bërtiste: I bir’ i Davidit, përdëllemë.
49 Ende Iesui qindroi, e tha me u thirrunë. Ende ata thërrasinë të verbëtin’, e i thonë: Merr zemërë, çohu; po të thërret.
50 Ende ai si hodhi petkun’ e vet’, u ngrit e erdhi ke Iesui.
51 Ende Iesui u përgjeq, e i tha: Qish do me të bamë unë ? Ende i verbëti i tha: Mieshtër, qi të çel sytë.
52 Ende Iesui i tha: Shko, besa jote të shpëtoi. Ende përnjiherë çeli sytë, ende e merrte mbrapa Iesunë mb’udhë.