1 Kështu pra, bëhuni shkërbim i Perëndisë, se jeni bijtë e tij të dashur. 2 Jetoni me dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten për ne, si kushtim e fli erëkëndshme për Perëndinë.
3 Por kurvëria e çdo ndyrësi a lakmi as të mos përmenden ndër ju, se kështu u ka hije të shenjtëve. 4 As nuk duhet të thoni fjalë të ndyta, të marra e të pështira, që nuk ju kanë hije, por, përkundrazi, thoni fjalë që falënderojnë Perëndinë. 5 Ta dini mirë: asnjë kurvar, asnjë i fëlligësht e asnjë lakmitar, gjëra të cilat janë idhujtari, nuk do të kenë trashëgim në mbretërinë e Krishtit e të Perëndisë.
Jetoni si bij të dritës
6 Askush të mos ju mashtrojë me fjalë të zbrazëta, sepse për shkak të këtyre gjërave vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. 7 Prandaj mos kini asgjë të përbashkët me ta.
8 Dikur ishit në errësirë, ndërsa tani që besoni në Zotin jeni në dritë. Jetoni, pra, si bij të dritës, 9 sepse fryti i dritës është mirësia, drejtësia dhe e vërteta. 10 Përpiquni të kuptoni se çfarë është e pëlqyeshme për Zotin. 11 Mos merrni pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por, përkundrazi, paditini. 12 Gjërat që ata bëjnë në fshehtësi është turp edhe të zihen në gojë, 13 por kur dalin në dritë, bëhen të dukshme. 14 Çdo gjë që bëhet e dukshme, bëhet dritë. Prandaj thuhet:
Zgjohu, o ti që fle!
Ngrihu prej të vdekurve
e Krishti do të shndritë mbi ty.
15 Prandaj kini kujdes si jetoni. Mos jetoni si të marrë, por jetoni si të mençur. 16 Përdoreni mirë kohën, se po jetojmë ditë të këqija. 17 Mos u bëni të marrë, por kuptoni se cili është vullneti i Zotit. 18 Mos u dehni me verë, në të cilën gjendet shthurja, por mbushuni me Shpirtin, 19 duke kënduar mes jush psalme, himne e këngë shpirtërore, duke kënduar e duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, 20 duke e falënderuar Perëndinë Atë gjithmonë e për gjithçka, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht.
Bashkëshortët
21 Nënshtrojuni njëri-tjetrit, për shkak të druajtjes që keni ndaj Krishtit. 22 Gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre sikurse Zotit, 23 sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës dhe është shpëtimtar i trupit, domethënë i kishës. 24 Por, sikurse kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka.
25 Burrat t'i duan gratë, sikurse edhe Krishti e deshi kishën dhe e dha veten për të, 26 me qëllim që ta shenjtërojë duke e pastruar me larjen e ujit dhe me anë të fjalës, 27 që ta paraqesë kishën të lavdishme para vetes, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por të shenjtë e të patëmetë.
28 Kështu edhe burrat duhet t'i duan gratë e veta, ashtu siç duan trupat e tyre. Kush e do gruan e vet, do veten. 29 Askush nuk e ka urryer ndonjëherë trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, ashtu siç kujdeset edhe Krishti për kishën, 30 sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij . 31 Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një trup i vetëm. 32 Kjo e fshehtë është e madhe. Por këtë po e them në lidhje me Krishtin dhe kishën. 33 Megjithatë edhe secili prej jush ta dojë gruan e vet siç do veten. Po ashtu edhe gruaja ta nderojë burrin e saj.
KAPTINA V.
1 Merrni mbrapa pra Perëndinë, si dielm të dashunë,
2 edhe ecëni ndë dashuni, sikurse edhe Krishti na deshi, edhe dha vetëvetëhenë për ne dhunëti e kurban te Perëndia për erë të mirë.
3 Edhe kurvëni, e qish do ndynësi, a lakëmim, as të mos qjuhetë ndër ju, sikurse duhetë mbë shenjtënit.
4 Edhe turpëni e fjalë të marra a fjalë për gas, të cillatë s’kanë hie, por ma tepërë të falunë ndersë.
5 Sepse këte e dini, se qish do kurvar, a ndynës, a lakëmues, i cilli asht’ idhullatër, s’ka trashigim ndë mbëretënit të Krishtit, e të Perëndisë.
6 Askushi le të mos u gënjejë juve me fjalë të kota, sepse për këto punë vien zemërimi i Perëndisë mbë të bijt’ e të pabindëmesë.
7 Mos kini piesë pra me ata.
8 Sepse njiherë ishit’ errësinë, por tashti jeni dritë mbë Zotinë, ecëni si dielmt’ e dritësë
9 (sepse pem’ e Shpirtit ashtë mbë qish do mirëni, e dreitëni, e vërtetëni),
10 tue provuem qish asht’ e pëlqyeshime te Zoti.
11 Edhe mos kini shoqëni bashkë me punët e errësinësë qi janë pa pemë, por ma tepër’ i qartoni.
12 Sepse ato qi punohenë pshefazë prei atyneve, ashtë turp me i zan’ edhe me gojë.
13 Por gjith’ ato punë qi janë për me u qartuem, shpërfaqenë prei dritësë,
14 sepse qish do punë qi shpërfaqet’ ashtë dritë. Përandai thotë: Çohu ti qi fle, e ngreu prei së vdekunish, edhe Krishti ka me të ndritunë.
15 Shikoni pra si të ecëni me kujdes, jo si të paditshim, por si të ditshim,
16 tue shpërblemë kohënë, sepse dittë janë të këqia.
17 Përandai mos bahi të marrë, por merrnia vesht qish ashtë dashunimi i Zotit.
18 Mos dehi me venë, qi mb’ate ashtë plank-prishie, por mbushuni me Shpirtinë Shenjt ,
19 tue ligjëruem ndër vetëhenë tuei me psallmë, e me hymën, e me kankë shpirtënie, tue kënduem e tue psallunë ndë zemërët tuei mbë Zotinë,
20 tue iu falunë ndersë përherë për të gjitha Perëndis’ edhe Atit mb’emënë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit.
21 Tue iu përungjunë njiani tietërit me frikë të Perëndisë.
22 Ju gratë, u përungji burravet tuei, porsi Zotit,
23 sepse burri ashtë kryet’ e gruesë, sikurse edhe Krishti ashtë kryet’ e kishësë, edhe ai ashtë shëlbuesi i korpit.
24 Por sikurse kisha i përungjetë Krishtit, kështu edhe gratë le t’u përungjenë burravet vet mbë qish do punë .
25 Ju burratë, doni gratë tueja, sikurse edhe Krishti deshi kishënë, edhe dha vetëvetëhenë për ate,
26 për me e shenjtënuem e për me u qiruem me të lamit’ e ujit me anë të fjalësë,
27 qi ta nxierri përpara vetëvetëhesë kishë të lavdueshime, pa pasunë palavi, a rrudhë, a ndonji këso farë gjaje, por qi te jetë shenjte e faqe-bardhë.
28 Kështu kanë detyrë burratë me dashunë grat’ e veta, porsi korpin’ e vet; ai qi do gruen’ e vet, do vetëvetëhenë.
29 Sepse askushi ndonjiherë s’e muer mëni mishin’ e vet, por e ushqen edhe e ngrof, sikurse edhe Zoti kishënë.
30 Sepse jemi anët’ e korpit ati, prei mishit ati, edhe prei eshtënavet ati.
31 “Përandai nieriu ka me lanë t’atin’ edhe t’amënë, edhe ka me u ngjitunë mbas gruesë vet, edhe të dy kanë me qenunë nji mish”.
32 Kyi myster asht’ i madh, por unë thom këte për Krishtin’ edhe për kishënë.
33 Por edhe gjithë-se-cilli prei jush kështu le ta detë gruen’ e vet, edhe grueja le ta ketë frikë burrinë.