1 Përderisa u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni gjërat që janë lart në qiej, atje ku ai rri ulur në të djathtën e Perëndisë. 2 Mendoni për gjërat që janë lart në qiej dhe jo për ato që janë këtu poshtë në tokë. 3 Sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj qëndron e fshehur me Krishtin te Perëndia. 4 Kur të shfaqet Krishti, jeta juaj , atëherë do të shfaqeni edhe ju bashkë me të në lavdi.
5 Bëjini të vdesin gjërat tuaja tokësore: kurvërinë, ndyrësinë, epshet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari. 6 Për shkak të këtyre gjërave do të vijë zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. 7 Dikur edhe ju ecnit kësaj udhe, kur jetonit me këto gjëra. 8 Por tani, hidhini tej të gjitha: zemërimin, mërinë, ligësinë, sharjet dhe fjalët e ndyra që nxirrni nga goja. 9 Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse e keni zhveshur njeriun e vjetër, bashkë me sjelljet e tij, 10 dhe keni veshur njeriun e ri, që përtërihet vazhdimisht, sipas shëmbëllimit të Perëndisë që e krijoi, që ta njihni plotësisht Perëndinë. 11 Prandaj, nuk ka më helenë e judenj, të rrethprerë dhe të parrethprerë, barbarë, skitas, shërbëtorë e të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në çdo gjë.
12 Perëndia ju ka thirrur, ju ka bërë të shenjtë dhe ju ka dashur, prandaj, vishuni me dhembshuri, me mirësi, me përulësi, me zemërbutësi dhe me zemërgjerësi. 13 Durojeni dhe faleni njëri-tjetrin sa herë që dikush të ketë ankesë kundër ndonjë tjetri. Falni ashtu si edhe Zoti ju ka falur. 14 Mbi të gjitha, kini dashuri, sepse dashuria do t'ju bashkojë në mënyrë të përsosur.
15 Paqja e Krishtit , në të cilën Perëndia ju ka thirrur të jeni të bashkuar si një trup i vetëm, mbretëroftë në zemrat tuaja. Jini mirënjohës! 16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me gjithë begatinë e saj. Mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me urti! Këndojini me gjithë zemër Perëndisë psalme, himne e këngë shpirtërore! 17 Gjithçka që thoni e gjithçka që bëni, ta bëni në emër të Zotit Jezu, duke falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë.
Detyrimet shoqërore
18 Ju gra, nënshtrojuni burrave, siç ka hije në sytë e Zotit!
19 Ju burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini të ashpër me to!
20 Ju bij, bindjuni prindërve në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit!
21 Ju etër, mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra!
22 Ju skllevër, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj tokësorë, jo sa për sy e faqe për t'u pëlqyer njerëzve, por me thjeshtësi zemre dhe duke iu druajtur Zotit ! 23 Gjithçka që bëni, bëjeni me shpirt si ta bënit për Zotin e jo për njerëzit, 24 sepse ju e dini se prej Zotit do të merrni si shpërblim trashëgimin e mbretërisë së tij. Në të vërtetë ju i shërbeni Zotit Krisht. 25 Ai që bën padrejtësi do të shpaguhet për padrejtësinë që bëri. Perëndia nuk mban anë.
KAPTINA III.
1 Ndë qofshi ngjallunë pra bashkë me Krishtinë, kërkoni të naltatë, atie ku ashtë ndenjunë Krishti ndë të diathtë të Perëndisë.
2 Kini ndër mend ato qi janë nalt, mos ato qi janë mbi dhet.
3 Sepse vdiqtë, edhe jeta juei ashtë mshefunë bashkë me Krishtinë te Perëndia;
4 kur të diftohetë Krishti qi ashtë jeta jonë, atëherë edhe ju bashkë me atë keni me u diftuem ndë laft.
5 Bani pra të vdekuna mishnat’ e korpit tuei qi janë të dheut, kurvëninë, ndynësinënë, pësiminë, dëshërimin’ e keq, edhe lakëmiminë, qi asht’ idhullatri;
6 prei atyneve vien zemërimi i Perëndisë përmbi të bijt e të pabindëmesë,
7 mbë të cillat edhe ju ecëtë njiherë, edhe shkuetë jetë ndër ato.
8 Por tashti hithni të gjitha këto edhe ju, mëninë, zemëriminë, të keqenë, të nemunitë, fjalët’ e ndyta prei gojësë tuei.
9 Mos gënjeni njiani tietërinë, mbassi sveshët nierin’ e vietërë bashkë me punët e ati,
10 edhe veshët të rinë qi përtërihetë mbë të ngjofunë mbas shëmbëllesës’ ati qi e ka ndërtuem,
11 atie ku s’ashtë Grek e Iudë, rreth-presëje e parreth-presëje, barbar, Shqyth, shërbëtuer, i lirë, por të gjitha edhe mbë të gjitha ashtë Krishti.
12 Vishni pra, si të sgjedhunit’ e Perëndisë qi jeni , shenjtëna edhe të dashunë, zemër-përdëllimesh, mirëninë, mendien’ e ulëtë, butësinënë, zemërën’ e gjanë;
13 tue duruem njiani tietërinë, edhe tue ia falunë njiani tietërit, ndë pastë kushi të qjahetë kundrë ndonjianit, sikurse edhe Krishti ua fali, kështu edhe ju.
14 Edhe përmbi gjithë këto vishni dashuninë, e cilla ashtë lidhëja e të kulluemit.
15 Edhe paqtimi i Perëndisë le të mbëretënojë ndër zemërat tueja, mbë të cillin’ edhe jeni thirrunë mbë nji korp, edhe bahi asish qi e dini për nderë.
16 Fjala e Krishtit le të rrijë mbë ju me pasëje, me qish do farë ditunie: tue mësuem e tue porositunë njiani tietërinë me psallmë e me hymën e me kankë shpirtënishte, tue kënduem me hir ndë zemërat tueja mbë Zotinë;
17 edhe qish do qi të bani me fjalë e me punë, të gjitha t’i bani mb’emënë të Zotit Iesu, tue i falunë ndersë Perëndisë edhe Atit me anë t’ati.
18 Ju gratë, ulni kryetë burravet tuei, sikurse duhetë mbë Zotinë.
19 Ju burratë, doni gratë tueja , edhe mos ini të idhëtë tek ato.
20 Ju dielmtë, ndëgjoniu përintvet tuei mbë të gjitha, sepse këjo asht’ e pëlqyeshime te Zoti.
21 Ju atënitë, mos i nxeni dielmtë tuei, qi të mos u prishetë zemëra.
22 Ju shërbëtorëtë, ndëgjoniu zotënavet e mishit tuei mbë të gjitha, mos punoni për faqe porsi ata qi duenë me u pëlqyem te nierëzit, por me zemërë të thieshtë, tue pasunë frikë Perëndinë.
23 Edhe gjithë qish të bani, punoni me gjithë shpirt, porsi Zotit, e jo porsi nierëzëvet,
24 tue ditunë se keni me e marrë pagën’ e trashëgimit prei Zotit, sepse i punoni Zotit Krisht.
25 Por ai qi punon shtrembëtë ka me marrë pagën’ e shtrembënisë, sepse s’ka të mbaitunë kraha.