Shpëtimi i madh
1 Prandaj duhet të tregojmë më shumë kujdes për gjërat që kemi dëgjuar, që të mos dalim nga udha. 2 Nëse fjala që u tha nëpërmjet engjëjve, u vërtetua dhe çdo shkelje e mosbindje ndaj saj mori ndëshkimin e drejtë, 3 si do të shpëtojmë po të lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Këtë shpëtim në fillim e shpalli Zoti dhe më pas na e vërtetuan ata që e dëgjuan. 4 Për të dëshmoi edhe vetë Perëndia me anë shenjash e mrekullish dhe me dhuratat e Shpirtit të shenjtë, të ndara sipas vullnetit të tij.
Prijësi drejt shpëtimit
5 Perëndia nuk e vuri nën pushtetin e engjëjve botën e ardhshme për të cilën po flasim. 6 Diku dëshmohet:
ç'është njeriu,
që të kujtohesh për të?
Ç'është biri i njeriut,
që të kujdesesh për të?
7 Për pak kohë
e bëre më të vogël se engjëjt
dhe e kurorëzove me lavdi
e me nder .
8 Gjithçka e nënshtrove nën këmbët e tij.
Kur i nënshtroi gjithçka, nuk la asgjë pa i nënshtruar. Por tani ne ende nuk e shohim që gjithçka i është nënshtruar atij. 9 Jezuin, që për pak kohë u bë më i vogël se engjëjt, tani e shohim të kurorëzuar me lavdi e me nder për shkak të vdekjes së tij. Kështu, me hirin e Perëndisë, ai provoi vdekjen për të gjithë njerëzit.
10 Perëndia, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha gjërat, çoi shumë bij drejt lavdisë. Ai, pra, duhej ta bënte të përsosur kreun e shpëtimit të tyre nëpërmjet vuajtjeve. 11 Meqenëse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë nga i njëjti Atë, Jezuit nuk i vjen turp t'i quajë vëllezër 12 kur thotë:
emrin tënd
do t'ua tregoj vëllezërve të mi
e do të thur himne për ty
në mes të kishës.
13 Thotë edhe:
unë do të kem besim tek ai,
si dhe:
ja unë dhe bijtë që më dha Perëndia.
14 Meqenëse bijtë janë njerëz prej gjaku e mishi, atëherë Jezui mori të njëjtin trup njerëzor si ata, që nëpërmjet vdekjes të shkatërronte atë që kishte pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, 15 dhe të çlironte të gjithë ata që, nga frika e vdekjes, i ishin nënshtruar për gjithë jetën skllavërisë.
16 Duket qartë se ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por pasardhësve të Abrahamit. 17 Prandaj, ai duhej t'u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të bëhej i mëshirshëm dhe kryeprift besnik në shërbim të Perëndisë dhe kështu të shlyente mëkatet e popullit. 18 Meqenëse edhe ai vetë vuajti e u tundua, mund të ndihmojë edhe ata që tundohen.
KAPTINA II.
1 Përandai na duhetë me vumë vesh ma tepërë për ato qi ndëgjuem, qi të mos tërhiqemi mbë-nj-anë ndonji herë.
2 Sepse ndë qoftë se ajo fjala qi u fol me anë të engjujvet duel e vërtetë, edhe qish do kapërcim porosie e pandëgjimi muer pagë me udhë,
3 si kemi me shpëtuem na, ndë purtofshim për këte farë shpëtimi të madh? I cilli filloi me u folunë prei Zotit, e u vërtetue mbë ne prei atyneve qi e ndëgjuenë,
4 por edhe Perëndia bante deshmi bashkë me shenje e me mërekullia e me qish do farë fuqiash e me të dame dhunëtiash të Shpirtit Shenjt, mbas dashunimit’ vet.
5 Sepse nuk’ e vu ndënë kambë të engjujvet botënë qi vien, për të cillënë po flasimë.
6 Edhe cilli bani deshmi mbë ndonji vend, e tha: “Qish ashtë nieriu, qi ta kuitojsh, a i biri nieriut qi të veç me e pamë;
7 e bane pakëzë ma të vogëlë se engjujtë, me laft e me nderë e kunorove, edhe e vune përmbi punët e duervet tua;
8 të gjitha ia vune përposh kambëvet ati”, sepse si ia vu të gjithë ndënë kambët, nukë la gja pa i vumë ndënë kambët,
9 por tashti s’po shofimë të gjitha të jenë vumë ndënë kambët t’ati. Por shofimë kunoruem me laft e me nderë ate Iesunë qi qe bamë pakëzë ma i vogëlë se engjujtë për pësimin’ e vdekësë, qi të ngjënojë vdekë për qish do nieri me hirin’ e Perëndisë.
10 Sepse i duhei ati, qi për ate janë të gjitha, edhe prei ati u banë të gjitha, tue prumë shumë bij ndë laft, të bajë të kullutë të parin’ e shpëtimit atyneve me anë të pësimevet.
11 Sepse edhe ai qi shenjtënon, edhe ata qi shenjtënohenë, të gjithë janë prei nji gjaje , për ate punë s’turpënohetë, me i qjueitunë vëllazën,
12 tue thanë: “Kam me u diftuem emëninë t’em vëllazënavet mi, kam me të lavduem ndë miedis të kishësë”.
13 Edhe për-së-ri: “Unë kam me vumë shpëresënë mb’ate”. Edhe për-së-ri: “Qe un’ edhe ata çunatë qi më dha Perëndia”.
14 Edhe sepse çunatë kanë marrë bashkë mish edhe gjak, edhe ai muer piesë prei atyneve porsi ata, qi të prishi me anë të vdekës’ ate qi ka pushtetin’ e vdekësë, do me thanë, diallinë,
15 edhe të lirojë ata qi ishinë gjithë jetënë ndënë shërbëtyrë për frikën’ e vdekësë,
16 sepse për të vërtetë s’qenë zanë prei farës’ engjujvet, por qenë zanë prei farës’ Abrahamit.
17 Përandai duhei të u përgjante vëllazënavet mbë të gjitha, qi të bahei krye-prift i dhimtshim edhe besëtar mbë punët të Perëndisë, qi të ndëjejë fajet’ e popullit.
18 Sepse për qish ai pësoi kur u nga, mundetë me u ndimuem atyneve qi ngjitenë.