U shfaqet shtatë dishepujve
1 Më pas Jezui iu shfaq përsëri dishepujve pranë liqenit të Tiberiadës dhe iu shfaq kështu: 2 Simon Pjetri, Thomai, që e quanin Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy dishepuj të tjerë ishin bashkë. 3 Simon Pjetri u tha: «Po shkoj të peshkoj». Ata i thanë: «Po vijmë edhe ne me ty». Shkuan e hipën në varkë, por atë natë nuk zunë asgjë.
4 Kur kishte zbardhur tashmë, Jezui po qëndronte në breg, por dishepujt nuk e njohën që ishte ai. 5 Atëherë Jezui u tha: «Djem, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata iu përgjigjën: «Jo». 6 Ai u tha: «Hidhni rrjetën në të djathtë të varkës dhe do të kapni peshq». E hodhën rrjetën dhe nuk mund ta tërhiqnin nga numri i madh i peshqve. 7 Dishepulli që Jezui e donte i tha Pjetrit: «Është Zoti». Kur dëgjoi se ishte Zoti, Simon Pjetri veshi rrobat, se ishte i zhveshur, e u hodh në liqen. 8 Erdhën edhe dishepujt e tjerë me varkë duke tërhequr rrjetën e peshqve. Ata ishin rreth njëqind metra larg nga bregu.
9 Kur dolën në tokë, panë një zjarr me prush mbi të cilin ishin vënë peshk e bukë. 10 Jezui u tha: «Sillni nga peshqit që sapo zutë!». 11 Simon Pjetri hipi në varkë dhe nxori në tokë rrjetën të mbushur plot me njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.
12 Jezui u tha: «Ejani të hani!». Asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: «Kush je ti?», sepse e dinin që ishte Zoti. 13 Atëherë Jezui u afrua, mori bukën e ua dha. Po kështu bëri edhe me peshkun.
14 Kjo ishte tashmë hera e tretë që Jezui u ishte shfaqur dishepujve pasi ishte ngjallur prej të vdekurve.
Jezui dhe Pjetri
15 Kur mbaruan së ngrëni, Jezui i tha Simon Pjetrit: «Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta të tjerët?». Pjetri i tha: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti qengjat e mi!».
16 Jezui i tha përsëri për herë të dytë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri iu përgjigj: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Ruaji delet e mia!».
17 Jezui e pyeti për herë të tretë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri u trishtua që e pyeti për herë të tretë «A më do?», prandaj i tha: «Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti delet e mia! 18 Me të vërtetë po të them se kur ishe i ri, e ngjishje rripin në brez e shkoje ku të doje, por kur të plakesh do të shtrish duart dhe dikush tjetër do të ta ngjeshë rripin e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje».
19 Këtë e tha për të treguar se me ç'vdekje do të përlëvdonte Pjetri Perëndinë. Pastaj i tha: «Më ndiq!».
Jezui dhe dishepulli i dashur
20 Pjetri u kthye dhe pa se po i ndiqte edhe dishepulli që Jezui e donte, ai që ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezuit gjatë darkës dhe i kishte thënë: «Zot, kush është ai që po të tradhton?». 21 Pjetri, kur e pa, i tha Jezuit: «Zot, po me të ç'do të bëhet?». 22 Jezui i tha: «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet? Ti më ndiq!». 23 Atëherë midis vëllezërve u përhap fjala se ai dishepull nuk do të vdiste, por Jezui nuk kishte thënë se ai nuk do të vdiste, por «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet?».
24 Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që i shkroi ato. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
25 Ka edhe shumë gjëra të tjera që bëri Jezui që, po të shkruheshin një nga një, them se do të bëheshin aq libra sa as bota e tërë nuk do t'i nxinte.
KAPTINA XXI.
1 Mbaskëndai Iesuiu diftoi vetëvetëhenë prap dishepujvet mbë det të Tiberiadësë; edhe e diftoi kështu:
2 Ishinë bashkë Simon Pietri, edhe Thomai qi thohei Binjok, edhe Nathanaeli qi ishte prei Kanasë Galilesë, edhe të bijt’ e Zebedeut, edhe dy të tierë prei dishepujvet ati.
3 Simon Pietri u thot’ atyne: Vete me gjueitunë për peshk. I thonë: Vim’ edhe ne bashkë me tyi. Duelnë edhe hypnë përnjiherë ndë lundrët; edhe ate natë nukë zunë asgja.
4 Por tashti si u ba mëngjesie, Iesui ndenji ndë buzë të detit, por dishepujtë nuk’ e ngjofnë se ashtë Iesui.
5 Iesui pra u thot’ atyne: Dielmthit’ e mi , mos keni ndonji bylmet për me ngranë ? Iu përgjeqnë: Jo.
6 Edhe ai u tha atyne: Hidhni rrietënë mb’anë të diathtë të lundrësë, edhe keni me gjetunë. E hothnë pra, edhe s’muftnë ma me e tërhekunë prei shumice të peshqvet.
7 Ai dishepulli pra, qi donte Iesui, i thotë Pietrit: Ashtë Zoti. Edhe Simoni kur ndëgjoi se ashtë Zoti, u mpështuell me petkunë (sepse ishte lakuriq), edhe hodhi vetëvetëhenë ndë det.
8 Edhe dishepujt’ e tierë erthnë me lundrëzënë (sepse nuk’ ishinë lark tokësë, por afër dy qind kutë), tue tërhekunë rrietën’ e peshqvet.
9 Si sdrypnë pra mbë tokët, shofinë ku ishte ndezunë nji ziarrm, edhe vumë mbi ate peshq edhe bukë.
10 Iesuiu thot’ atyne: Bini prei atyne peshqvet qi zutë tashti.
11 Simon Pietri hypi, edhe tërhoqi rrietënë mbi tokë plot me peshq të mëdhej, nji qind e pesë-dhet’ e tre; edhe ndonëse ishinë kaqi, nuk’ u shqye rrieta.
12 Iesui u thot atyne: Ejani me ngranë drekë. Por as ndonji prei dishepujvet nukë kuxonte me e pyetunë: Cilli je ti? Sepse e dijshinë se ashtë Zoti.
13 Vien pra Iesui, edhe merr bukënë, e ua nep, edhe peshkunë por kështu.
14 Këjo asht’ e treta herë qi u diftue tashti Iesui mbë dishepujt’ e vet, mbassi u ngjall prei së vdekunish.
15 Mbassi hangrën drekë pra, Iesui i thotë Simon Pietrit: Simon i bir’ i Ionait, a më do ma tepërë se këta? I thotë: Po, Zot; ti e di se të due. I thotë: Kullot qingjat’ e mi.
16 I thotë prap për së dyti: Simon i bir’ i Ionait, a më do? I thotë: Po, Zot; ti e di se të due. I thotë: Bahu bariu i dhenvet mia.
17 I thotë për së treti: Simon i bir’ i Ionait, a më do? U idhënue Pietri, se i tha për së treti - A më do? Edhe i tha: Zot, ti di të gjitha; ti e ngjef se të due. Iesui i thotë: Kullot dhent’ e mia.
18 Me të vërtet, me të vërtet po të thom: Kur ishie ti ma i ri, ngjishie vetëvetëhenë, edhe ecëje ku doje, por kur të plakesh, ke me shtrimë duert’ e tua, edhe tietër kushi ka me të ngjeshunë, edhe ka me prum’ atie ku nukë do.
19 Edhe tha këte, tue shënuem me çfarë vdeke kishte me lavduem Perëndinë. Edhe si tha këte, i thotë: Merrmë mbrapa.
20 Edhe Pietriu këthye, e shef ate dishepullinë qi donte Iesui tue i votunë mbrapa, i cilli i pat ran’ edhe mbë krahanuer t’ati ndë darkët, e i tha: Zot, cilli asht’ ai qi ka me të trathtuem?
21 Pietri kur pa këte, i thotë Iesuit: Zot, por kyi qish do ?
22 Iesui i thotë: Ndë daça me mbetun’ ai qysh sa të vij, ti qish ke ? Ti merrmë mbrapa.
23 Duel pra këjo fjalë ndë vëllazënit, se ai dishepulli nukë vdes, por Iesui nuk’ i tha, se: Nukë vdes; por: Ndë daça me mbetun’ ai qysh sa të vij, ti qish ke?
24 Kyi asht’ ai dishepulli qi deshmon për këto, edhe qi shkroi këto; edhe e dimë, se deshmia e ati asht’ e vërtetë.
25 Jan’ edhe shumë të tiera, sa bani Iesui, të cillatë ndë shkruheshinë nji për nji, kujtoj se as ajo bota nukë do të nxinte libratë qi kishinë me u shkruem. Amen.