1 «Jua thashë këto që të mos bini. 2 Do t'ju përjashtojnë nga sinagogat. Madje, po vjen ora kur kushdo që do t'ju vrasë do të mendojë se i shërben Perëndisë. 3 Dhe do t'i bëjnë këto, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua. 4 Por këto gjëra jua thashë që, kur të vijë koha, t'ju kujtohet që unë jua kam thënë».
Vepra e Shpirtit të shenjtë
«Nuk jua thashë këto që në fillim, se isha me ju. 5 Por tani po shkoj tek ai që më dërgoi dhe asnjëri nga ju nuk po më pyet “ku po shkon?”. 6 Madje, zemra juaj është mbushur me trishtim ngaqë ju thashë këto gjëra. 7 Por unë po ju them të vërtetën: është më mirë për ju që unë të shkoj, se po nuk shkova unë, Ngushëlluesi nuk do të vijë te ju, ndërsa po të shkoj, atëherë do t'jua dërgoj. 8 Kur të vijë, ai do ta bindë botën se është fajtore në lidhje me mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin. 9 Në lidhje me mëkatin, sepse nuk beson në mua. 10 Në lidhje me drejtësinë, sepse unë po shkoj tek Ati e nuk do të më shihni më. 11 Në lidhje me gjykimin, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.
12 Kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë, por tani nuk mund t'i mbani. 13 Por kur të vijë Shpirti i së vërtetës, ai do t'ju drejtojë tek e gjithë e vërteta. Ai nuk do të flasë nga vetja, por do të flasë ato që do të dëgjojë e do t'ju njoftojë gjërat që do të ndodhin. 14 Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë nga gjërat e mia e do t'jua lajmërojë. 15 Gjithçka që ka Ati është e imja, prandaj ju thashë se do të marrë nga të miat e do t'jua lajmërojë».
Gëzim në trishtim
16 «Edhe pak e nuk do të më shihni më. Edhe pak pastaj e do të më shihni sërish ». 17 Disa nga dishepujt i thanë njëri-tjetrit: «Ç'është kjo që na thotë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më; edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”, apo: “Unë po shkoj tek Ati”?». 18 Ata thoshin: «Ç'është kjo, “edhe pak”, që thotë? Nuk po kuptojmë çfarë thotë!». 19 Jezui e kuptoi se donin ta pyesnin, prandaj u tha: «Po diskutoni me njëri-tjetrin se thashë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më; edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”?. 20 Me të vërtetë po ju them se do të qani e do të vajtoni, ndërsa bota do të gëzohet. Ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim.
21 Kur gruaja është duke lindur, hidhërohet, se i erdhi ora e dhimbjeve, por kur lind foshnja, ajo e harron vuajtjen nga gëzimi se ka lindur një njeri në botë. 22 Kështu dhe ju tani jeni të hidhëruar, por kur t'ju shoh përsëri, do t'ju gëzohet zemra dhe askush nuk do t'jua marrë gëzimin. 23 Atë ditë nuk do të më pyesni për asgjë. Me të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, do t'jua japë. 24 Deri tani nuk keni kërkuar asgjë në emrin tim. Kërkoni e do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë».
E kam mundur botën
25 «Këto gjëra jua thashë me përngjasime, por po vjen koha kur nuk do t'ju flas më me përngjasime, por do t'ju flas hapur për Atin. 26 Atë ditë do të kërkoni në emrin tim e nuk ju them se do t'i lutem Atit për ju. 27 Vetë Ati ju do, sepse më keni dashur mua dhe keni besuar se unë kam dalë prej Perëndisë. 28 Unë kam dalë prej Atit e kam ardhur në botë. Po e lë përsëri botën e po kthehem tek Ati».
29 Dishepujt i thanë: «Ja, tani ti po flet hapur e nuk po thua asgjë me përngjasime. 30 Tani e dimë se ti di gjithçka e nuk ke nevojë që ndokush të të pyesë. Prandaj besojmë se ke dalë prej Perëndisë». 31 Jezui u përgjigj: «Tani besoni? 32 Ja ku po vjen ora, e madje ka ardhur, kur ju do të shpërndaheni secili në shtëpi të vet e do të më lini vetëm. Por unë nuk jam vetëm, se Ati është me mua. 33 Jua thashë këto që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngime, por kini guxim! Unë e kam mundur botën!».
KAPTINA XVI.
1 U fola juve këto, qi të mos shkandalizoheni.
2 Kanë me u bamë juve jashtë synagogësë, por vien nji orë, qi kushdo t’u vrasi juve, me iu dukunë se bije lutëje te Perëndia.
3 Edhe kanë me u bamë juve këto, sepse s’ngjofnë Atinë, as mue.
4 Por u fola juve këto, qi t’i kujtoni, kur të vijë ora, se un’ u thashë juve. Edhe nuk’ u thashë juve këto çë përpara herësë, sepse ishiem bashkë me ju.
5 Por tashti vete tek ai qi më dërgoi, edhe as ndonji prei jush nukë më pyet: Ku vete?
6 Por sepse u fola juve këto, idhënimi mbushi zemrënë tuei.
7 Por unë po u thom juve të vërtetënë, se ashtë mirë për ju me ikun’ unë, sepse ndë mos iksha, Ngushullimtari s’ka me ardhunë te ju; por mbassi të vete, kam me e dërguem te ju.
8 Edhe ai kur të vijë, ka me qirtuem botënë për faj, edhe për dreitëni, edhe për gjyq:
9 për faj, sepse nukë më besojnë;
10 edhe për dreitëni, sepse vete tek em Atë, edhe nukë më shifni ma;
11 edhe për gjyq, sepse urdhënari i kësai botës’ u gjukue.
12 Edhe kam shumë me u thanë juve, por tashti nukë mundeni me i bartunë.
13 Por kur të vijë ai, Shpirti i së vërtetësë, ka me u tërhekun udhënë juve mbë gjithë të vërtetënë, sepse s’ka me folunë prei vetiut, por ka me folunë sa të ndëgjojë; edhe ka me u diftuem juve ato punëra qi do të vijnë.
14 Ai ka me më lavduem, sepse ka me marrë prei s’emesë, edhe ka me u diftuem juve.
15 Gjithë sa ka Ati, janë të miatë, përandai thashë, se ka me marrë prei s’emesë, edhe ka me u diftuem juve.
16 Edhe pak, edhe nukë më shifni; edhe prap edhe pak, edhe keni me më pamë, sepse unë po vete tek ai.
17 Atëherë disa prei dishepujsh ati i thanë njiani tietrit: Qish ashtë këjo qi na thotë - Edhe pak, edhe nukë më shifni; edhe prap edhe pak, edhe keni me më pamë? Edhe, se: - Unë vete tek Ati?
18 Thoshinë pra: Qish ashtë këjo qi thotë - Këjo edhe pak? Nukë dimë qish flet.
19 Iesui pra muer vesht se dojshinë me e pyetunë, edhe u tha atyne: Për këte haheni njiani me tietrinë, se thashë - Edhe pak, edhe nukë më shifni; edhe prap edhe pak, edhe keni me më pamë?
20 Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve, se ju keni me qjamë, e keni me bamë vaje, por bota ka me u gëzuem; edhe ju keni me u idhënuem, por idhënimi juei ka me u bamë për gëzim.
21 Grueja kur piell, ka idhënim, se i erdhi ora; por si të pielli foshnjenë, s’kujton ma shtrëngiminë, për gëziminë se leu nji nieri ndë botët.
22 Edhe ju pra tashti keni idhënim, por për-së-ri kam me u pamë juve, edhe zemëra juei ka me u gëzuem, edhe askushi nukë ngre gëziminë tuei prei jush.
23 Edhe nd’ate ditë s’keni me lypun’ asgja prei mejet. Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve, se sa t’i lypni Atit mb’emënit t’em, ka me u dhanë juve.
24 Qysh tashti nukë lypet asgja mb’emënit t’em; lypni, edhe keni me marrë, qi të jetë plot gëzimi juei.
25 U fola juve këto me të përgjaituna, por vien nji orë, qi atëherë s’kam me u folunë juve ma me të përgjaituna, por kam me u diftuem juve mballa-faqe për Atinë.
26 Nd’atë ditë keni me lypunë mb’emënit t’em; edhe nuk’ u thom juve, se unë kam me iu lutun’ Atit për ju,
27 se ai Ati u do juve, sepse ju më patët dashunë, edhe patët besuem se unë dola prei Perëndisë.
28 Dola prei Atit, edhe erdha te bota; prap la botënë, edhe vete tek Ati.
29 Dishepujt’ e ati i thonë: Qe tashti te flet mballa-faqe, edhe nukë thue as ndonji të përgjaitëme.
30 Tashti e ngjoftëm se i di të gjitha, edhe s’ke nevojë me të pyetunë kushi, përandai besojmë se dole prei Perëndisë.
31 Iesui u përgjeq atyne: Tashti besoni?
32 Qe te vien nji orë, edhe tashti ka ardhunë, qi të shpërndaheni gjithë-se-cilli mbë të vetat, edhe të më lini vetëmë, por s’jam vetëmë, sepse Ati ashtë bashkë me mue.
33 U fola juve këto qi të keni paqtim mbë mue. Keni me pasunë shtrëngim ndë botët, por kini zemërë; un’ e kam mundunë botënë.