Kryeprifti i besëlidhjes më të mirë
1 Kryesorja e gjërave që po themi është kjo: kemi një kryeprift të tillë, i cili u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë së madhërishëm në qiej. 2 Ai shërben në shenjtërore dhe në tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Zoti e jo njeriu.
3 Çdo kryeprift caktohet për të kushtuar dhurata e flijime. Kështu ishte e nevojshme që edhe kryeprifti ynë të kishte diçka për të kushtuar. 4 Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit. 5 Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: tani, bëj gjithçka sipas gjedhes që t'u tregua në mal. 6 Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira.
7 Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë. 8 Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha:
ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti,
kur do të bëj një besëlidhje të re
me shtëpinë e Izraelit
e me shtëpinë e Judës.
9 Ajo nuk do të jetë si besëlidhja
që bëra me etërit e tyre,
ditën kur i mora për dore
për t'i nxjerrë nga Egjipti.
Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime,
prandaj unë i braktisa, thotë Zoti.
10 Besëlidhja që do të lidh
me shtëpinë e Izraelit
pas atyre ditëve, thotë Zoti,
është kjo:
unë do t'i shtie ligjet e mia
në mendjen e tyre
e do t'i shkruaj
në zemrat e tyre.
Unë do të jem Perëndia i tyre
e ata do të jenë populli im.
11 Askush nuk do të mësojë më tjetrin
dhe vëllait të vet
askush nuk do t'i thotë më:
«Njih Zotin!»,
se do të më njohin të gjithë,
nga më i vogli te i madhi.
12 Unë do të jem i mëshirshëm
me paudhësitë e tyre,
mëkatet e tyre
nuk do t'i kujtoj më.
13 Kur Perëndia tha «besëlidhja e re », ai e vjetroi të parën. Ajo që vjetrohet e plaket është afër zhdukjes.
KAPTINA VIII.
1 Edhe me thanë shkurt për sa folëm, kemi kësi prifti, qi ndenji prei së diathtësë shkambit madhënisë ndë qijet,
2 punëtori i shenjtënavet, edhe të vërtetësë tendë, të cillën’ e nguli Zoti, e jo nieriu.
3 Sepse qish-do krye-prift vihetë për me prumë dhunëtia e kurbane, përandai ashtë nevojë me pasun’ edhe kyi ndonji gja qi ta bierë kurban .
4 Sepse ndë ishte mbi dhet, nukë do të ishte prift, sepse ishin priftën ata qi bijshinë dhunëtiatë mbas ligjësë,
5 të cillëtë punoishinë mbas shëmbëllëtyrës’ e mbas hiesë punëvet qiellore, sikurse i pat thanë Perëndia Moiseut, kur kishte për me ndërtuem tendënë, sepse thotë: “Shiko t’i bajsh të gjitha mbas formësë qi t’u diftue ndë malt”.
6 Por tashti Krishti fitoi nji punë ma të mirë, sa ma shumë asht’ edhe laimës nji dhiate ma të mirë, e cilla u vu ligjë mbi ma të mira të zotueme.
7 Sepse ndë ishte pa palavi ajo e para, nukë do të kërkohej vend për të dytënë,
8 sepse tue gjetunë faj Perëndia mb’ata thotë: “Qe te vinë ditt, thotë Zoti, edhe kam me bamë nji dhiatë të re mbë shtëpin’ e Israelit edhe mbë shtëpin’ e Iudesë,
9 jo mbas dhiatësë qi bana mb’atënit e atyne, ate ditë kur i rroka për dore me i nxierrë prei dheut Egjyptit, sepse ata nukë qindruenë ndë dhiatët t’eme, edhe unë s’i vuna ore, thotë Zoti.
10 Sepse këjo ashtë dhiata qi kam me bamë mbë shtëpin’ e Israelit mbas atyne ditvet, thotë Zoti, kam vumë ligjat’ e mia ndë mend t’atyne, edhe kam me i shkruem mbi zemërat t’atyne, edhe kam me qenunë tek ata për Perëndi, edhe ata kanë me qenunë tek unë për popull.
11 Edhe s’ka me mësuem gjithë-se-cilli t’afërmin’ e vet, edhe gjithë-se-cilli vëllan’ e vet, tue thanë: Njif Zotinë; sepse të gjithë kanë me më ngjofunë çë prei së vogëlit atyneve, deri së madhit atyneve.
12 Sepse kam me qenun’ i përdëllyeshim mbë të shtrembëtat e atyne, edhe s’kam me kuituem ma fajet’ e atyne, edhe paligjëniat’ e atyne”.
13 Me të thanë “të re”, bani të vietërë të parënë; edhe ajo gja qi vietërohet’ e plaketë, ashtë ngjat prishëjesë.