Ngjallja e Krishtit
1 Vëllezër, dua t'ju kujtoj ungjillin që ju kam predikuar, të cilin e keni pranuar dhe në të cilin qëndroni. 2 Nëpërmjet tij shpëtoheni, nëse e ruani siç jua kam predikuar, përndryshe keni besuar kot.
3 Para së gjithash ju kam shpallur të vërtetën
që m'u dha edhe mua,
se Krishti,
sipas Shkrimeve,
vdiq për mëkatet tona,
4 u varros
dhe u ngjall ditën e tretë,
po sipas Shkrimeve.
5 Ai iu shfaq Kefës
dhe pastaj të dymbëdhjetëve.
6 Pastaj iu shfaq njëherësh
mbi pesëqind vëllezërve,
nga të cilët disa kanë vdekur,
por shumica jeton ende.
7 Më pas iu shfaq Jakobit
e pastaj të gjithë apostujve.
8 Në fund, m'u shfaq edhe mua, dështakut. 9 Unë jam më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë, 10 por me hirin e Perëndisë jam ai që jam dhe hiri i tij për mua nuk ka shkuar kot. Unë jam munduar më shumë se të gjithë ata, jo unë vetë, por hiri i Perëndisë bashkë me mua. 11 Edhe unë, edhe ata, këtë kemi predikuar dhe këtë keni besuar edhe ju.
Ngjallja e të vdekurve
12 Nëse predikojmë se Krishti u ngjall prej të vdekurve, si mund të thonë disa prej jush se të vdekurit nuk do të ngjallen? 13 Nëse të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. 14 Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë edhe predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj është i kotë. 15 Kështu, qenkemi dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmojmë kundër tij dhe themi se ka ngjallur Krishtin, të cilin nuk e paska ngjallur, po të jetë se të vdekurit nuk u ngjallkan.
16 Nëse nuk ngjallen të vdekurit, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. 17 Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë besimi juaj është i kotë dhe ju jeni ende në mëkatet tuaja. 18 Atëherë kanë humbur edhe ata që kanë vdekur e kanë besuar në Krishtin. 19 Nëse shpresojmë në Krishtin vetëm për këtë jetë, atëherë jemi njerëzit më të mjerë.
20 Por tani Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë risia e ngjalljes së të vdekurve. 21 Ashtu siç erdhi vdekja nëpërmjet një njeriu, ashtu erdhi edhe ngjallja e të vdekurve nëpërmjet një njeriu. 22 Ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit për shkak të lidhjes me Adamin, ashtu do të marrin jetë të gjithë për shkak të lidhjes me Krishtin. 23 Secili sipas radhës: në fillim Krishti dhe pastaj, kur ai të kthehet, të gjithë ata që janë të tijët. 24 Pastaj do të vijë fundi, kur Krishti t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit, pasi të ketë shkatërruar çdo sundim, pushtet e fuqi.
25 Ai duhet të mbretërojë derisa t'i nënshtrojë nën këmbë të gjithë armiqtë. 26 Armiku i fundit që do të shkatërrohet do të jetë vdekja. 27 Se gjithçka e nënshtroi nën këmbët e tij. Kur u tha «iu nënshtrua gjithçka», do të thotë gjithçka, përveç Perëndisë që bëri që Krishtit t'i nënshtrohet gjithçka. 28 Kur gjithçka t'i jetë nënshtruar Krishtit, atëherë edhe vetë Biri do t'i nënshtrohet Perëndisë që bëri t'i nënshtrohet atij gjithçka, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.
29 Nëse nuk është kështu, përse disa pagëzohen për të vdekurit? Nëse qenka e vërtetë se të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë përse pagëzohen disa për ta? 30 Përse e vëmë edhe ne veten në rrezik në çdo çast? 31 Unë ndeshem me vdekjen çdo ditë, o vëllezër, dhe këtë e them nga krenaria që kam për ju, falë Krishtit Jezu, Zotit tonë. 32 Nëse në Efes qenkam ndeshur me bishat për arsye njerëzore, ç'dobi më solli kjo? Nëse të vdekurit nuk ngjallen, atëherë:
le të hamë e le të pimë,
se nesër do të vdesim.
33 Mos u mashtroni:
shoqëritë e këqija
prishin doket e mira.
34 Ejani në vete e mos mëkatoni, se disa prej jush nuk e njohin Perëndinë dhe këtë e them për turpin tuaj.
Trupi në ngjallje
35 Dikush do të thotë: «Si do të ngjallen të vdekurit? Çfarë trupi do të kenë?». 36 O i marrë! Fara që mbjell në arë, nuk merr jetë po nuk vdiq më parë. 37 Ti nuk mbjell trupin që do të ketë bima në të ardhmen, por një kokërr të zhveshur gruri ose të ndonjë fare tjetër. 38 Pastaj trupin ia jep Perëndia, ashtu siç dëshiron, dhe çdo farë ka trupin e vet. 39 Jo çdo trup është i njëjtë me një trup tjetër. Tjetër është trupi i njeriut, tjetër trupi i kafshëve, tjetër trupi i shpendëve dhe tjetër ai i peshqve. 40 Ka trupa qiellorë, ashtu siç ka edhe trupa tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i trupave qiellorë dhe tjetër shkëlqimi i trupave tokësorë. 41 Tjetër është shkëlqimi i diellit, tjetër shkëlqimi i hënës dhe tjetër shkëlqimi i yjeve, sepse ylli nga ylli ndryshon në shkëlqim.
42 Kështu ndodh edhe me ngjalljen e të vdekurve: trupi mbillet në kalbje e ngjallet në moskalbje, 43 mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi, mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi, 44 mbillet trup tokësor e ngjallet trup shpirtëror. Ashtu siç ka trup tokësor, ka edhe trup shpirtëror.
45 Prandaj është shkruar: njeriu i parë, Adami, u bë qenie tokësore, ndërsa Adami i fundit, Krishti, u bë shpirti që jep jetë. 46 Nuk ishte njeriu shpirtëror i pari, por ai tokësor. Njeriu shpirtëror erdhi më pas. 47 Njeriu i parë u bë nga dheu dhe është lëndor, ndërsa njeriu i dytë erdhi nga qielli. 48 Ashtu siç është njeriu i bërë nga dheu, ashtu janë edhe lëndorët, dhe, ashtu siç është njeriu që erdhi nga qielli, ashtu janë edhe qiellorët. 49 Ashtu siç jemi në përngjasim me njeriun lëndor, do të jemi edhe në përngjasim me njeriun qiellor.
50 Ja se ç'dua të them, o vëllezër: njerëzit prej mishi dhe prej gjaku nuk mund ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë e as kalbja nuk mund të trashëgojë moskalbjen. 51 Po ju them një të fshehtë: nuk do të vdesim të gjithë, por të gjithë do të shndërrohemi. 52 Në çast, sa hap e mbyll sytë, kur të bjerë trumbeta e fundit, të vdekurit do të ngjallen në moskalbje, ndërsa ne do të shndërrohemi. 53 Sepse ky trup i kalbshëm duhet të veshë moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm duhet të veshë pavdekësinë. 54 Kur ky trup i kalbshëm të ketë veshur moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm të ketë veshur pavdekësinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e shkruar:
vdekja u përpi nga fitorja.
55 O vdekje, ku është fitorja jote?
O vdekje, ku është thumbi yt?
56 Thumbi i vdekjes është mëkati, ndërsa fuqia e mëkatit është ligji.
57 Por le të falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren nëpërmjet Zotit tonë, Jezu Krishtit. 58 Kështu, o vëllezër të dashur, qëndroni të fortë e të palëkundur dhe përparoni përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj për Zotin nuk do të shkojë dëm.
KAPTINA XV.
1 Edhe tashti , o vëllazën, u diftoj juve ungjillinë qi ungjillëzova juve, të cillin’ edhe e muertë, edhe qindroni mb’ate,
2 edhe shpëtohi me anë t’ati, ndë e mbaitshi fjalënë, sikurse ua ungjillëzova juve, veç ndë paçi besuem kot.
3 Sepse un’ u dhashë juve ma pari ate qi mora edhe unë, se Krishti vdiq për fajet t’ona, mbas shkronjash;
4 edhe se u vorrue, edhe se u ngjall të tretënë ditë, mbas shkronjash;
5 edhe se iu duk Kefait, mbasandai të dy-mbë-dhetëvet;
6 mbasandai u duk sipër mbë pesë qind vëllazën me nji herë, edhe prei asish ma të shumëtë rrojnë deri sot, e disa kanë vdekunë;
7 mbasandai iu duk Iakobit, mbasandaj gjith’ apostujvet;
8 edhe së mbrapëni të gjithëve m’u duk edhe mue, porsi mbë të tremunë.
9 Sepse unë jam ma i vogëli i apostujvet, qi s’jam i zoti me u queitun’ apostull, sepse ndoqa kishën’ e Perëndisë.
10 Por me hirin’ e Perëndisë jam qish jam, edhe hiri i ati qi u dha mbë mue, nuk’ u ba i kotë, por u mundueshë ma tepërë se ata të gjithë, por jo unë, por hiri i Perëndisë qi ashtë bashkë me mue.
11 A unë pra, a ata, kështu predikoimë, edhe kështu besuetë.
12 Edhe ndë predikohetë Krishti se u ngjall se vdekunish, si disa vetë ndër ju thonë, se s’ashtë të ngjallunë së vdekunish?
13 Edhe ndë mos qoftë të ngjallunë së vdekunish, as Krishti nuk’ u ngjall;
14 edhe ndë mos u ngjall Krishti, vallë predikimi ynë asht ’i kotë, edhe besa juei asht’ e kotë.
15 Edhe u gjetëkëshim edhe deshmitar-rrenësit’ e Perëndisë, sepse deshmuem për Perëndinë, se ngjalli Krishtinë, të cillinë s’e pasëka ngjallunë, ndë qoftë kështu se nukë ngjallenë të vdekunitë.
16 Sepse ndë mos ngjallenë të vdekunë, as Krishti nuk’ u ngjall,
17 por ndë mos u ngjall Krishti, besa juei asht’ e kotë, edhe jeni por ndë fajet tueja;
18 vall’ edhe ata qi vdiqnë mbë Krishtinë, u vdornë.
19 Ndë shpërefshim mbë Krishtinë veç mbë këte jetë, jemi ma të mjerë se gjithë nierëzitë.
20 Por tashti Krishti u ngjall së vdekunish, edhe u ba pem’ e parë e atyneve qi kanë vdekunë.
21 Sepse sikurse vdeka erdhi prei nieriut, kështu edhe të ngjallunitë së vdekunish erdhi prei nieriut.
22 Sepse sikundrë të gjithë vdesinë mb’Adaminë, kështu edhe të gjithë kanë me marrë jetë mbë Krishtinë.
23 Por gjithë-se-cilli ndë rregullë të vet: Krishti ashtë pem’ e parë, mbasandai sa janë të Krishtit mbë të ardhunit t’ati për së dyti ;
24 mbasandai ka me qenun’ e nbrapëna, kur t’api mbëretëninë n’dorë të Perëndisë edhe Atit, kur të prishi qish do parësi e qish do pushtet e fuqi.
25 Sepse duhetë të mbëretënojë ai, deri sa të vejë gjith’ anëmiqtë ndënë kambët t’ati.
26 I mbrapëni anëmik qi do të prishetë ashtë vdeka.
27 Sepse “të gjitha i vuni poshtë ndënë kambët t’ati”; edhe kur të thotë, se “të gjitha janë vumë poshtë”, mirretë vesht se veç ati qi ia vuni poshtë të gjitha.
28 Edhe kur t’i ulinë kryetë ati të gjitha, atëherë edhe ai biri vetë ka me i ulunë kryetë ati qi ia vuni poshtë të gjitha, qi të jetë Perëndia të gjitha mbë të gjithë.
29 Sepse qish kanë me bam’ ata qi janë pagëzuem për të vdekunit? Ndë qoftë se për të vërtetë nukë ngjallenë të vdekunitë, përse pagëzohenë pra për të vdekunit?
30 Përse rrezikoim’ edhe na për gjith’ orë?
31 Përditë vdes, baj be për lavdiminë tuei qi kam mbë Zotinë t’anë Iesu Krishtinë.
32 Me folunë si nieri, ndë luftova me bisha ndë Efesë, qish më vëjefti, ndë mos u ngjallshinë të vdekunitë? “Le të ham’ e le të pimë, sepse nesër vdesimë”.
33 Mos gënjehi, sepse “ligjëratat’ e këqia prishinë zakonet’ e mira”.
34 Çohi dreitë, e mos fëjeni, sepse disa vetë nuk’ e ngjofnë Perëndinë, për turp tuei po ua thom këte .
35 Por ka me thanë kushi: Si ngjallenë të vdekunitë? Edhe me qish farë korpi vinë?
36 O nieri i pamend, ate qi mbiell ti, nukë merr jetë, ndë mos vdektë;
37 edhe ate qi mbiell, nukë mbiell ate korpinë qi do të bahetë, por nji koqe gruni të sveshunë, ndë qoftë, a ndonji tietër farë.
38 Por Perëndia i ep korp si të detë, edhe gjithë-se-cillësë farë korpin’ e vet.
39 Qish do korp nuk’ ashtë nji korp, por tietër ashtë korp nierëzish, e tietër korp bagëtish, e tietër peshqish, e tietër shpendësh.
40 Jan’ edhe korpëna qielli, edhe korpëna dheu, por tietër ashtë lafti i atyneve të qiellit, e tietër i atyneve të dheut.
41 Tietër ashtë lafti i diellit, e tietër lafti i hanësë, e tietër lafti i yjevet, sepse ylli prei yllit dan ndë laft.
42 Kështu edhe të ngjallunitë prei së vdekunish: mbilletë ndë prishëje, e çohetë ndë pa-prishëje;
43 mbilletë ndë panderëni, e çohetë ndë laft; mbilletë ndë ligështi, e çohetë ndë fuqi;
44 mbilletë korp fryme, e çohetë korp shpirti; ashtë korp fryme, edhe ashtë korp shpirti.
45 Kështu asht’ edhe shkruem: I pari nieri Adam “qe bamë frym’ e gjallë”, i mbrapëni Adam, shpirt qi ep jetë.
46 Edhe nuk’ u ba ma parë ajo e shpirtit, por ajo e frymësë, mbasandai ajo e shpirtit.
47 Nieriu i parë ashtë prei dheut, i baltësë; nieriu i dytë ashtë Zoti prei qielli.
48 Si asht’ i baltti, kësish jan’ edhe të balttëtë, edhe si ashtë qiellori, kësish jan’ edhe qiellorëtë;
49 edhe sikurse veshëm figuren’ e të balttit, kemi me veshun’ figuren’ e qiellorit.
50 Edhe këte e thom, o vëllazën, se mish edhe gjak s’mundetë me trashiguem mbëretënin’ e Perëndisë, as prishëja trashigon paprishëjenë.
51 Qe te po u thom juve nji mpshefësinë: Të gjithë s’kemi me vdekunë, por të gjithë kemi me u ndërruem përnjiherë,
52 sa çel e mbyll sytë, ndë trumbetë të mbrapëme, sepse ka me ranë trumbeta, edhe të vdekunitë kanë me u ngjallunë të paprishunë, edhe na kemi me u ndërruem.
53 Sepse kyi korp qi prishetë duhetë me veshunë paprishëjenë, edhe kyi korp qi vdes duhetë me veshunë pavdekënë.
54 Edhe kyi korp qi prishetë kur të veshi paprishëjenë, edhe kyi korp qi vdes kur të veshi pavdekënë, atëherë ka me u bamë fjala qi ashtë shkruem: “U përpi vdeka prei fittoresë”.
55 “Ku asht’ , o vdekë, thumbi yt, ku asht’ , o vorr, fittoreja jote?”
56 Edhe thumbi i vdekës’ ashtë faji, edhe fuqia e fajit ashtë ligja.
57 Por falemi ndersë Perëndisë qi na dha fittorenë me anë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit.
58 Përandai, o vëllazënit’ e mi të dashunë, qindroni, e mos tundi, tue tepëruem përherë ndë punë të Zotit, sepse e dini se mundimi juei s’asht’ i kotë mbë Zotinë.