Dhuntitë shpirtërore
1 Vëllezër, lidhur me dhuntitë e Shpirtit të shenjtë, nuk dua të jeni të paditur. 2 Ju e dini se, kur ishit prej kombeve, të mashtruar, tërhiqeshit prej idhujve të pagojë. 3 Prandaj dua ta dini se asnjë nuk mund të flasë i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë e të thotë: «Mallkuar qoftë Jezui!» dhe asnjë nuk mund të thotë: «Zoti Jezu», nëse nuk është i udhëhequr nga Shpirti i shenjtë.
4 Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt. 5 Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot. 6 Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë.
7 Secilit i shfaqet Shpirti për të mirën e të gjithëve. 8 Dikujt Shpirti i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i jep dhuntinë për të folur me dituri. 9 Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar, 10 dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve. 11 Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij.
Një trup, shumë gjymtyrë
12 Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti. 13 Edhe ne, qofshim judenj apo helenë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt për t'u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt.
14 Trupi nuk ka një gjymtyrë, por shumë. 15 Nëse këmba do të thoshte: «Ngaqë nuk jam dorë, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? 16 E nëse veshi do të thoshte: «Ngaqë nuk jam sy, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? 17 Nëse i gjithë trupi do të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja? 18 Por Perëndia i vuri gjymtyrët në trup një nga një, ashtu siç deshi.
19 Nëse të gjitha do të ishin një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? 20 Por tani ka shumë gjymtyrë dhe një trup. 21 Syri nuk mund t'i thotë dorës: «Nuk ta kam nevojën» e as koka nuk mund t'u thotë këmbëve: «Nuk jua kam nevojën». 22 Përkundrazi, ato gjymtyrë të trupit që duken më të papërfillshmet, janë më të nevojshmet. 23 Ne kujdesemi më shumë për gjymtyrët që i vlerësojmë më pak dhe përpiqemi t'i zbukurojmë sa më shumë gjymtyrët më të pahijshme, 24 gjë që nuk e kanë të nevojshme gjymtyrët e hijshme.
Por Perëndia e ndërtoi trupin duke u dhënë më shumë nderim gjymtyrëve më të papërfillshme, 25 që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët të kujdesen për njëra-tjetrën. 26 Nëse njëra gjymtyrë vuan, atëherë vuajnë të gjitha me të. Nëse njëra gjymtyrë nderohet, të gjitha gëzohen me të.
27 Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij. 28 Prandaj Perëndia i caktoi disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj ata me dhuntitë për të bërë mrekulli, të shërimeve, të përkujdesjes, të drejtimit e të larmive të gjuhëve. 29 A mos janë të gjithë apostuj, apo mos janë të gjithë profetë? A mos janë të gjithë mësues, apo mos kanë të gjithë dhuntinë për të bërë mrekulli? 30 A mos kanë të gjithë dhuntinë e shërimeve, apo mos flasin të gjithë shumë gjuhë? A mos janë të gjithë shpjegues gjuhësh? 31 Por kërkoni me zell dhuntitë më të larta.
Dashuria
Unë po ju tregoj udhën më të lartë.
KAPTINA XII.
1 Edhe për dhunëtiat shpirtënishte, o vëllazën, s’due të jeni të paditunë.
2 E dini se ishitë kombe, tue u tërhequnë sikurse tërhiqeshitë mbas idhujvet qi janë të pagojë.
3 Përandai u diftoj juve, se kush flet me Shpirt të Perëndisë, nuk’ i thotë Iesuit, qoftë mallëkuem; edhe kurkushi s’mundetë me thanë, se Iesui ashtë Zot, veç prei Shpirtit Shenjt.
4 Edhe janë të dame dhunëtiash, por Shpirti asht ’ ai vetë;
5 edhe janë të dame shërbesash, por Zoti asht’ ai vetë.
6 Jan’ edhe të dame punësh, por Perëndia asht’ ai vetë qi punon të gjitha mbë të gjithë.
7 Edhe të shpërfaqunit’ e Shpirtit i epetë gjithë-se-cillit për të mirënë.
8 Sepse njianit i epetë fjalë ditunie prei Shpirtit, e tietërit fjalë mendëje, prei ati Shpirtit vetë;
9 edhe tietërit besë, prei ati Shpirtit vetë; edhe tietërit dhunëtia të shëndoshunash, prei ati Shpirtit vetë;
10 edhe tietërit punë mërekulliash, e tietërit profezi, e tietërit të sgjidhuna frymash, e tietërit qish do farë gjuhënash, e tietërit të këthyemë gjuhënash;
11 edhe të gjitha këto i punon njiani edhe ai Shpirti vetë, tue ia damë gjithë-se-cillit tietërazi, si të detë.
12 Sepse sikurse korpi ashtë nji, edhe ka shumë copa, edhe gjithë copat’ e nji korpi ndonëse janë shumë, por ashtë nji korp, kështu edhe Krishti.
13 Sepse na të gjithë jemi pagëzuem prei nji Shpirti mbë nji korp, a Iudej, a Grekë, a shërbëtorë, a të lirë; edhe të gjithë jemi ujitunë mbë nji Shpirt.
14 Sepse edhe korpi s’ashtë nji copë, por shumë.
15 Ndë thashtë kamba: Sepse s’jam dorë, s’jam prei korpit; përandai vallë s’ashtë prei korpit?
16 Edhe ndë thashtë veshi: Sepse s’jam sy, s’jam prei korpit; përandai vallë s’ashtë prei korpit?
17 Ndë ishte gjithë korpi sy, ku do t’ishte të ndëgjuemitë? Ndë ishte gjithë të ndëgjuem, ku do t’ishte të marrët’ erë?
18 Por tashti Perëndia ka vumë copatë gjithë-se-cillënë prei asosh ndë korpt, si deshi.
19 Por ndë ishinë të gjithë nji copë, ku do t’ishte korpi?
20 Por tashti janë shumë copa, e nji korp.
21 Edhe s’mundetë syni me i thanë dorësë: Nukë më duhe; a për-së-ri krei me i thanë kambëvet: Nukë më duhi.
22 Por shumë ma tepër’ ato copat’ e korpit qi dukenë ma të doba, këto janë të nevojëshime;
23 edhe ato copat’ e korpit qi na dukenë se janë ma të panderëshime, këtyneve u apimë ma shumë nderë; edhe të shumtuemetë t’ona kanë ma tepërë hie; e të hieshimetë t’ona s’kanë nevojë.
24 Por Perëndia e bashkoi korpinë, e i dha ma tepërë nderë asai copësë qi ka të mangutë,
25 për mos me qenunë shqerrë ndë korpt, por copat’ e korpit të kenë kujdes njiana për tietërënë.
26 Edhe ndë pësoftë nji copë, gjithë copatë pësojnë bashkë me ate; a ndë u nderoftë nji copë, gjithë copatë gëzohenë bashkë me ate.
27 Edhe ju jeni korpi i Krishtit, edhe copa veç e veç.
28 Edhe Perëndia vuni ndë kishët të parën’apostuj, të dytënë profetën, të tretënë mieshtra, mbasandai mërekullia, mbasandai dhunëtia të shëndoshunash, ndifma, guvernia, qish do farë gjuhënash.
29 Mos jan’ apostuj të gjithë? Mos janë profetën të gjithë? Mos janë mieshtra të gjithë?
30 Mos bajnë mërekulli të gjithë? Mos kanë dhunëtia të shëndoshunash të gjithë? Mos flasinë gjuhëna të gjithë? Mos këthejnë gjuhëna të gjithë?
31 Por lypni me zemërë të përvëlutë ato dhunëtiatë ma të miratë, edhe do t’ u diftoj juve nji udhë shumë ma të naltë.