Disa gra shoqërojnë Jezuin
1 Pas këtyre gjërave Jezui shkoi nëpër qytete e fshatra duke predikuar e duke shpallur ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe të dymbëdhjetët ishin me të. 2 Ishin edhe disa gra që Jezui i kishte shëruar nga shpirtrat e këqij e nga sëmundjet: Maria, që quhej Magdalenë, prej së cilës ishin dëbuar shtatë djaj, 3 Joana, gruaja e Kuzait, kujdestarit të pasurisë së Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që kishin vënë pasuritë e veta në shërbim të Jezuit e të dishepujve.
Mbjellësi
(Mt 13.1-9Mk 4.1-9)
4 Kur u mblodh një turmë e madhe me njerëz që vinin tek ai nga qytete të ndryshme, Jezui foli me shëmbëlltyra: 5 «Një mbjellës doli për të mbjellë farën. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe njerëzit i shkelën e zogjtë e qiellit i hëngrën. 6 Disa të tjera ranë në gurishtë e sapo mbinë, u thanë se nuk kishin ujë. 7 Disa të tjera ranë ndër ferra. Ferrat u rritën së bashku me to e ua zunë frymën. 8 Por disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, kur u rritën, prodhuan njëqindfish». Pastaj tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
(Mt 13.10-17Mk 4.10-12)
9 Pastaj dishepujt e pyetën se çfarë kuptimi kishte kjo shëmbëlltyrë. 10 Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa të tjerëve u flas me shëmbëlltyra, që
të kenë sy
e të mos shohin
dhe të dëgjojnë
e të mos kuptojnë ».
Shpjegimi i shëmbëlltyrës
(Mt 13.18-23Mk 4.13-20)
11 «Shëmbëlltyra është kjo: fara është fjala e Perëndisë. 12 Farat që ranë në rrugë janë ata që e dëgjojnë atë. Pastaj vjen djalli dhe e rrëmben fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen. 13 Farat që ranë në gurishtë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë me gëzim, por nuk e lënë të zërë rrënjë. Ata besojnë vetëm për pak dhe në kohën e sprovës e braktisin besimin. 14 Fara që ra ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por gjatë udhës ua zënë frymën shqetësimet, pasuria e kënaqësitë e jetës dhe frytet e tyre nuk piqen. 15 Fara që bie në tokë të mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në një zemër të ndershme e të mirë. Këta mbesin besnikë e japin fryte».
Drita nën magje
(Mk 4.21-25)
16 «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje apo nën shtrat. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 17 Asgjë e fshehur nuk do të mbetet pa u zbuluar dhe asnjë e fshehtë nuk do të mbetet pa u njohur e pa dalë në dritë. 18 Kini kujdes sesi dëgjoni, se atij që ka do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka do t'i merret edhe ajo pak që mendon se ka».
E ëma dhe vëllezërit
(Mt 12.46-50Mk 3.31-35)
19 E ëma dhe vëllezërit e Jezuit shkuan për ta takuar, por nuk mundën të arrinin tek ai për shkak të turmës. 20 Atëherë i thanë Jezuit: «Nëna jote e vëllezërit e tu janë përjashta dhe duan të të shohin». 21 Por ai u tha: «Nëna ime e vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Perëndisë».
Fashitja e stuhisë
(Mt 8.23-27Mk 4.35-41)
22 Një ditë Jezui hipi në një varkë me dishepujt e u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër të liqenit». Kështu u nisën. 23 Ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi. Papritur filloi një erë e fortë mbi liqen. Varka po mbushej me ujë e ata ishin në rrezik. 24 Dishepujt iu afruan Jezuit, e zgjuan e i thanë: «Mësues, mësues, po mbytemi». Ai u zgjua dhe qortoi erën e dallgët kërcënuese, të cilat pushuan. Pastaj u bë bunacë. 25 Jezui u tha dishepujve: «Ku është besimi juaj?». Ata ishin të trembur e të mahnitur e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që urdhëron edhe erërat, edhe ujin e ata i binden?».
Shërimi i gerasenit
(Mt 8.28-34Mk 5.1-20)
26 Pastaj arritën në krahinën e gerasenëve , që është nga ana tjetër e liqenit, përballë Galilesë. 27 Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ai ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por nëpër varre. 28 Kur pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!», 29 sepse Jezui e kishte urdhëruar shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu. Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë. 30 Atëherë Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai u përgjigj: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. 31 Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. 32 Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t'i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi. 33 Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa u turr nga humnera në liqen e u mbyt.
34 Kur panë çfarë ndodhi, rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra. 35 Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në vend. Ata i zuri frika.
36 Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli. 37 Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye. 38 Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi e i tha: 39 «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui.
Prekja shëruese
(Mt 9.18-26Mk 5.21-43)
40 Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin. 41 Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, 42 se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeçe, ishte duke vdekur.
Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët. 43 Në grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka kishte pasur e askush nuk kishte mundur ta shëronte 44 iu afrua nga pas, i preku cepin e gunës dhe menjëherë iu ndal hemorragjia. 45 Atëherë Jezui tha: «Kush më preku?». Meqenëse të gjithë e mohuan, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë ». 46 Por Jezui tha: «Dikush më preku, sepse ndjeva fuqinë që doli prej meje». 47 Atëherë gruaja, kur pa se nuk mund të fshihej, erdhi duke u dridhur, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekur Jezuin e si ishte shëruar menjëherë. 48 Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe».
49 Ndërsa po fliste, erdhi dikush nga shtëpia e kryetarit të sinagogës e i tha: «Jot bijë vdiq. Mos e shqetëso më mësuesin». 50 Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Mos ki frikë, vetëm beso e ajo do të shpëtojë». 51 Kur arriti te shtëpia, nuk lejoi askënd të hynte me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, të atit e të ëmës së vajzës. 52 Të gjithë po e qanin dhe e vajtonin, por Jezui tha: «Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle». 53 Por ata e përqeshën, sepse e dinin se kishte vdekur.
54 Atëherë Jezui e mori për dore e thirri: «Vashëz, ngrihu!». 55 Asaj iu kthye shpirti e u ngrit menjëherë. Pastaj Jezui u tha t'i jepnin për të ngrënë. 56 Prindërit e saj u mrekulluan, por ai i urdhëroi të mos i tregonin askujt për çfarë kishte ndodhur.
KAPTINA VIII.
1 Edhe mbasandai ai bante udhë qytet mbë qytet, e katund mbë katund, tue predikuem e tue dhanë zanin’ e mirë për mbëretënin’ e Perëndisë; edhe të dy-mbë-dhetët’ishinë bashkë me ate,
2 edhe disa gra qi ishinë shëndoshunë prei frymash këqia e prei sëmundash; Maria qi quhei Magdalenë, prei të cillësë pat nxierrë shtatë djemën,
3 edhe Ioanna grueja e Huzait kujdestarit Herodit, edhe Susanna, edhe shumë të tiera, të cillat’ i shëbejshinë me pasëjen’ e atyne.
4 Edhe si u mbëloth shumë gjindëje, edhe vijshinë tek ai prei çdo qyteti, foli me parabullë:
5 Duel mbiellësi me mbiellë farën’ e vet; edhe ai tue mbiellë disa ra për-an’ udhësë; edhe u shkel, edhe shpendët’ e qiellit e hangrën.
6 Edhe tietra ra mbi gur; edhe si bini, u tha, sepse s’kishte vlagë.
7 Edhe tietra ra ndë miedis të drizavet; edhe si binë drizatë bashkë me ate, e mbytnë.
8 Edhe tietra ra mbi dhe të mirë; edhe si bini, bani pemë për nji nji qind. Këto tue thanë, bërtiste: Kush të ketë veshë me ndëgjuem, le të ndëgjojë.
9 Edhe dishepujt’ e ati e pyetshinë, tue thanë: Qish mundetë me qenunë këjo parabullë?
10 Edhe ai tha: Juve ashtë dhanë me ngjoftunë të mpshefëtat’ e mbëretënisë Perëndisë, por të tierëvet me parabulla; qi tue pamë të mos shofinë, edhe tue ndëgjuem të mos marrinë vesht.
11 Edhe parabulla ashtë këjo: Fara ashtë fjala e Perëndisë.
12 Edhe ata qi mbillenë për-an’ udhësë, jan’ ata qi ndëgjojnë, mbasandai vien dialli edhe ngre fjalënë prei zemërës’ atyne, qi të mos besojnë, e të shpëtohenë.
13 Edhe ata përmbi gur, jan’ ata qi, kur ndëgjojnë, presinë fjalënë me gëzim; por ata s’kanë rranjë, sepse ata besojnë për disa kohë, por ndë kohë të ngasëjesë largohenë.
14 Edhe ajo qi ra ndë drizat, këta janë sa ndëgjuenë, por prei gailesh e prei gjasë e prei pëlqimevet e kësai jetësë, shkojn’ e mbytenë, edhe nukë bajnë pemë.
15 Edhe ajo qi ra ndë dhe të mirë, këta jan’ ata qi ndëgjojnë fjalënë, edhe e mbajnë ndë zemërë të bukër’ e të mirë, edhe bajnë pemë me durim.
16 Edhe kurkushi, kur ndes kandilinë, nuk’ e mbulon me anë, as e ve rëposh shtratit; por e ve mbi kandilier për me pamë dritën’ ata qi hyjnë.
17 Sepse s’ashtë ndonji gja e mbulueme, qi s’ka për me u sbuluem; as ndonji gja e mpshefëtë, qi s’ka për me u marrë vesht, e për mos me dalunë për faqe.
18 Vështroni pra si ndëgjoni, sepse ai qi të ketë, ka me iu dhanë; edhe qi ai të mos ketë, edhe ate qi duketë se ka, ka me u marrë prei ati.
19 Edhe erthnë tek ai e ama edhe të vëllazënit’ e ati, edhe s’mundeshinë me iu afruem prei gjindëjesë.
20 Edhe i dhanë za, tue thanë: Jot amë edhe t’yt vëllazën kanë ndenjunë jashtë, e duenë me të pamë.
21 Por ai u përgjeq, e u tha atyne: Ama eme edhe vëllazënit’ e mi janë këta qi ndëgjojnë fjalën’ e Perëndisë, edhe e bajnë.
22 Edhe nji ditë ai hyni ndë lundrë bashkë me dishepujt’ e vet, edhe u tha atyne: Le të shkojmë përtej lëqenit. Edhe u ngritnë.
23 Edhe ata tue lundruem, e muer gjumi, edhe sdripi nji thëllim ere ndë lëqent, edhe po mbushei me ujë lundra , edhe ishinë ndë rrezik.
24 Edhe ata erthnë për-an’ ati, edhe e çuenë, tue thanë: Mieshtër, mieshtër, po hupimë. Edhe ai u çue, e qirtoi erën’, edhe valët’ e ujit, edhe pushuenë, e u ba bunacë.
25 Edhe u tha atyne: Ku ashtë besa juei? Edhe ata u frikuen’ e u mërekulluenë, tue thanë, njiani tietrit: Vallë kush ashtë kyi qi urdhënon edhe erënat’ edhe ujëtë, edhe i ndëgjojnë?
26 Edhe u hodhnë ndë vend të Gadarenvet, qi ashtë përtej kundruell Galilesë.
27 Edhe kur duel ai mbë tokë, i duel përpara nji nieri prei qytetit, i cilli kishte djemën prei shumë motsh, edhe nukë vishte petka, edhe nukë rrinte ndë shtëpi, por ndëpër vorret.
28 Edhe kur pa Iesunë, bërtiti, e i ra ndër kambë, edhe tha me za të madh: Qish ke me mue edhe ti, Iesu, i Bir’ i Perëndisë naltë? Të lutem, të mos më mundojsh.
29 Sepse ai porositi frymën’ e ndytë me dalunë prei nieriut, sepse shumë kohë e kishte rrëmbyem, edhe lidhei me vargje, edhe ruhei ndë trambuk, por ai këpuste të lidhunatë, edhe bihei prei djemënish ndëpër shkretina.
30 Edhe Iesui e pyeti, tue thanë: Si ta quejn’ emninë? Edhe ai i tha: Legion, sepse kishinë hymë shumë djemën tek ai.
31 Edhe i lutei të mos i urdhënojë ata me shkuem ndë abyssë.
32 Edhe atie ishte nji tub’ e madhe thish tue kullotunë ndë mal, edhe i luteshinë t’i lajë me hymë tek ata. Edhe ai i la.
33 Edhe djemënitë si duelnë prei nieriut, hynë ndër thit; edhe tuba e thivet u tuerr prei shkrepit e u hoth ndë lëqent, edhe u mbyt.
34 Edhe ata qi i kullotshinë kur panë se qish u ba, iknë, edhe shkuen’ e dhanë za ndë qytet e ndëpër arat.
35 Edhe duelnë me pamë se qish u ba; edhe erthnë te Iesui, edhe gjetnë nierinë, prei të cillit kishinë dalunë djemënitë, tue ndenjunë për-anë kambëvet Iesuit, veshun’ e urtuem; edhe u frikuenë.
36 U diftuen’ atyne pra edhe ata qi kishinë pamë, se si u shpëtue i diallosuni.
37 Edhe gjithë shumica e nahijesë Gadarenvet iu lutunë me ikunë prei asish, sepse kishinë frikë të madhe; edhe ai hyni ndë lundrët, e u këthye.
38 Edhe ai nieriu qi kishinë dalunë djemënitë prei ati, i lutei me qenunë bashkë me ate, por Iesui e lishoi, tue thanë:
39 Këthehu ndë shtëpit tande, edhe difto gjithë sa bani Perëndia te ti. Edhe ai shkoi, tue leçitunë ndëpër gjithë qytetinë sa bani Iesui tek ai.
40 Edhe Iesui kur u këthye, gjindëja e priti me gëzim , sepse të gjithë ishinë tue pritun’ ate.
41 Edhe qe tek erdhi nji nieri qi e kishte emninë Iair (edhe ai ishte i pari synagogësë), e ra ndër kambë të Iesuit, e i lutei me hymë ndë shtëpi t’ati,
42 sepse ai kishte nji bijë të vetëme, afërë dy-mbë-dhetë vieç, edhe ajo po vdiste. Edhe ai kur ishte tue votunë, gjindëja po e shtrëngonte.
43 Edhe nji grue qi hiqte prei të rriedhunit e gjakut dy-mbë-dhetë viet, e cilla kishte prishunë gjithë gjanë ndëpër mjekësit, por s’kishte muftunë me u shëndoshun’ e as prei ndonjianit,
44 u afrue mbrapazë, edhe preku shqepin’ e petkut ati; edhe përnjiherë iu ndal të rriedhunit’ e gjakut.
45 Edhe Iesui tha: Kush qe ai qi më preku? Edhe kur mohuenë të gjithë, Pietri edhe ata qi ishinë bashkë me ate thanë: Mieshtër, gjindëja të pushtojn’ e të shtrëngojn’, edhe ti thue: Kush qe ai qi më preku?
46 Por Iesui tha: Më preku nji nieri , sepse unë mora vesht fuqinë qi duel prei mejet.
47 Edhe grueja kur pa se s’mpshifetë, erdhi tue u dridhunë, edhe i ra ndër kambë, e i diftoi përpara gjithë popullit për çfarë pune e preku, edhe se u shëndosh përnjiherë.
48 Edhe ai i tha: Ki zemërë, bijë, besa të shpëtoi; shko ndë paqtim.
49 Edhe ai kur po fliste, vien nji nieri prei të parit synagogësë, e i thotë, se: Jot-bijë vdiq; mos e mundo mieshtrinë.
50 Por Iesui kur ndëgjoi, iu përgjeq, tue thanë: Mos ki frikë, veç beso, edhe ka me shpëtuem.
51 Edhe si hyni ndë shtëpit, nukë la kurkend me hymë mbrenda , veç Pietrin’ edhe Iakobin’ edhe Gjionnin’ edhe të i atin’ e vaizës’ edhe t’amënë.
52 Edhe të gjithë po qjajshinë, e po ndukeshinë për ate. Edhe ai tha: Mos qjani; se nukë vdiq, por po fle.
53 Edhe ata e qeshshinë, sepse e dijshinë se vdiq.
54 Por ai si nxuer jashtë të gjithë, e kapi për dore, edhe bërtiti, tue thanë: O vaizë, çohu.
55 Edhe asai i erdhi fryma prap, edhe u ngjall përnjiherë; edhe ai urdhënoi t’i apinë me ngranë.
56 Edhe përint’ e asai duelnë jashtë menç, por ai i porositi mos i thonë kurkuit se qish u ba.