Përshëndetje
1 Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë po ju shkruaj të shenjtëve që janë në Efes dhe që besojnë në Krishtin Jezu: 2 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
Bekimet shpirtërore
3 Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht! Ai na ka bekuar përmes Krishtit duke na dhënë çdo bekim shpirtëror e qiellor. 4 Perëndia na zgjodhi përpara themelimit të botës, përmes Krishtit, që të jemi të shenjtë e të patëmetë para tij. Në dashurinë e tij, 5 Perëndia na paracaktoi për të na birësuar përmes Jezu Krishtit, me pëlqimin e vullnetin e tij, 6 që ne ta përlëvdojmë për hirin e tij të lavdishëm që na e dhuroi përmes Birit të tij të dashur.
7 Perëndia na shpengoi përmes gjakut të Birit të tij e na i fali paudhësitë përmes hirit të tij të begatë. 8 Këtë hir ai na e dha me tepri, bashkë me çdo urti e mençuri. 9 Ai na bëri të njohur shestimin e fshehtë të vullnetit të vet që me pëlqimin e tij kishte vendosur që më parë ta kryente përmes Krishtit. 10 Këtë shestim ai do ta përmbushte në kohën e caktuar, për t'i vënë të gjitha gjërat nën pushtetin e Krishtit, si ato që janë në qiej, edhe ato që janë në tokë.
11 Të bashkuar me Krishtin, ne u zgjodhëm edhe për t'u bërë trashëgimtarë të Perëndisë, sepse ishim paracaktuar sipas vendimit të tij. Ai të gjitha gjërat i bën sipas qëllimit të vullnetit të vet, 12 në mënyrë që ne që kemi shpresuar në Krishtin, të jemi ata që do të përlëvdojmë lavdinë e tij. 13 Kur u bashkuat me Krishtin, ju dëgjuat edhe fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj. Ju besuat në të e Perëndia ju vulosi me Shpirtin e shenjtë që kishte premtuar. 14 Ky Shpirt është kapari i trashëgimisë sonë, për shpengimin e atyre që i përkasin Perëndisë, në mënyrë që të përlëvdojmë lavdinë e tij.
Lutja e Palit
15 Prandaj edhe unë, që kur dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët, 16 nuk resht së falënderuari Perëndinë për ju, duke ju përmendur në lutjet e mia. 17 Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, ju dhëntë Shpirtin e urtisë, që do t'ju zbulojë si ta njihni plotësisht atë. 18 Ai ju ndriçoftë sytë e zemrave tuaja, që të njihni se cila është shpresa për të cilën ju thirri, sesa e pasur dhe e lavdishme është trashëgimia e tij për të shenjtët 19 dhe sesa madhështore dhe e pashoqe është fuqia e tij ndaj nesh që besojmë në të. Kjo fuqi është e njëjta forcë vepruese e pushtetit të Perëndisë, 20 me të cilën ai ngjalli Krishtin prej të vdekurve dhe e uli në të djathtë të fronit të tij në qiej, 21 duke e vënë përmbi çdo sundim e pushtet, përmbi çdo fuqi e zotërim dhe mbi çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme. 22 Perëndia e nënshtroi gjithçka nën këmbët e Krishtit dhe e bëri atë kreun e kishës, përmbi çdo gjë. 23 Kisha është trupi i Krishtit, është plotësia e atij që me praninë e tij bën gjithçka të plotë.
KAPTINA I.
1 Pauli apostulli i Iesu Krishtit me dashunimin’ e Perëndisë, mbë shenjtënit qi janë ndë Efesë, edhe mbë besëtarët mbë Iesu Krishtinë:
2 hir edhe paqtim qoftë mbë ju prei Perëndisë Atit t’ynë, edhe prei Zotit Iesu Krisht.
3 I bekuem qoftë Perëndia edhe Ati i Zotit t’ynë Iesu Krishtit, qi na bekoi me qish do bekim shpirtënie ndë punët të qiellit me anë të Krishtit,
4 sikurse na sgjodhi me anë t’ati para se të ngrifei bota, qi të jemi shenjtën edhe faqe-bardhë përpara ati me anë të dashunisë;
5 na urdhënoi çë përpara për birënin’ e zanë mbë vetëhen’ e ati me anë të Iesu Krishtit,
6 mbas së pëlqyemesë dashunimit vet , për nderin’ e laftit të hirit vet, qi me ate na pëlqeu me anë të dashunit vet;
7 qi prei ati kemi të shpërblemitë me anë të gjakut ati, ndiesën’ e fajevet, mbas pasëjesë hirit ati;
8 qi e teproi mbë ne me qish do dituni e urti.
9 Sepse bani të ngjofimë pshefësinën’ e dashunimit vet mbas së pëlqyemesë vet, qi e pat vumë ndër mend me vetëhen’ e ati,
10 ndë guverni të mbushëmesë kohënavet të përmbëledhi të gjitha mbë Krishtinë, edhe ato qi janë ndë qijet, edhe ato qi janë mbë dhet;
11 mb’ate muerëm edhe shortë, urdhënuem çë përpara sikurse e pat vumë ndër mend ai qi vepëron të gjitha mbas andësë dashunimit vet,
12 për me qenunë na qi shpëryem çë përpara mbë Krishtinë për nderin’ e laftit ati;
13 mb’ate shpëryet’ edhe ju qi ndëgjuetë fjalën’ e së vërtetësë, ungjillin e shpëtimit tuei; edhe si i besuet’ ati, u bulosët me Shpirtinë Shenjt të të zotuemesë,
14 qi ai ashtë kapar’ i trashigimit t’anë, deri mbë të shpërblemen’ e ati popullit qi u fitue, për nderin’ e laftit ati.
15 Përandai edhe unë ndëgjova besënë tuei mbë Zotinë Iesu, edhe dashuninë qi keni mbë gjithë shenjtënit,
16 nukë pushoj tue iu falunë ndersë Perëndisë për ju, e tue u përmendunë juve mbë të falunat e mia, qi të u api.
17 Perëndia i Zotit t’ynë Iesu Krishtit, Ati i laftit, shpirt ditunie edhe sbulesë, për me ngjofun’ ate.
18 Syt’ e mendiesë tuei të jenë ndritunë, për me ngjofunë cilla ashtë shpëresa e së thërritëmes’ ati, edhe cilla ashtë pasëja e laftit trashigimit ati mbë shenjtënit,
19 edhe cilla ashtë e tepëra madhëni e fuqisë ati qi vepëroi mbë ne qi besoimë, mbas të vepëruemit të pushtetshimesë fuqis’ ati,
20 të cillën’ e vepëroi mbë Krishtinë, kur e ngjalli prei së vdekunish, edhe e vuni me ndenjunë ndë të diathtët vet mbë vendet e qijevet,
21 përsipër qish do urdhëni e pushteti e fuqie e zotënie; edhe përsipër qish do emëni qi emënohetë, jo vetëmë mbë këte jetë, por edhe mb’ate qi vien;
22 edhe të gjitha ia vuni ndënë kambët t’ati, edhe e bani krye sipër të gjithëve mbë kishët,
23 qi ajo ashtë korpi i ati, të mbushunitë qi mbush të gjitha mbë të gjitha.