Besimi, fitorja mbi botën
1 Kush beson se Jezui është Krishti, ka lindur prej Perëndisë dhe kush e do të atin, do edhe fëmijët e tij. 2 Ja si e dimë se i duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. 3 Dashuria e Perëndisë është të zbatojmë urdhërimet e tij dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda, 4 sepse kush ka lindur prej Perëndisë e mund botën dhe fitorja që mundi botën është besimi ynë. 5 Kush e mund botën? Vetëm ai që beson se Jezui është Biri i Perëndisë.
Dëshmia për Birin
6 Jezu Krishti është ai që erdhi nëpërmjet ujit të pagëzimit të tij dhe nëpërmjet gjakut të vdekjes së tij në kryq, jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Ai që dëshmon është Shpirti dhe ai është e vërteta. 7 Tre janë ata që dëshmojnë : 8 Shpirti, uji e gjaku, dhe që të tre japin të njëjtën dëshmi.
9 Ne pranojmë dëshminë e njerëzve, por dëshmia e Perëndisë është më e madhe dhe ajo është dëshmia që dha për Birin e tij. 10 Ai që beson në Birin e Perëndisë e ka këtë dëshmi. Ai që nuk beson në Perëndinë, e ka bërë atë gënjeshtar, pasi nuk i ka besuar dëshmisë që Perëndia dha për Birin e vet. 11 Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e amshuar dhe kjo jetë është në Birin e tij. 12 Ai që ka Birin, ka jetën. Ai që nuk e ka Birin e Perëndisë, nuk e ka as jetën.
Jeta e amshuar
13 Këto gjëra jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, në mënyrë që ta dini se keni jetën e amshuar . 14 Kjo është siguria që kemi para Perëndisë: nëse i kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon. 15 Meqenëse e dimë se ai i dëgjon kërkesat tona, atëherë e dimë edhe se do të na plotësohen.
16 Nëse dikush shikon vëllanë e vet të bëjë mëkat që nuk të çon në vdekje, le t'i lutet Perëndisë dhe ai do t'i japë jetë. Këtë e them për ata që nuk bëjnë mëkate që të çojnë në vdekje. Ka edhe mëkat që të çon në vdekje, por nuk ju them të luteni për këtë mëkat. 17 Çdo padrejtësi është mëkat, por ka edhe mëkate që nuk të çojnë në vdekje.
18 E dimë se kush ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton, sepse atë e ruan Biri i Perëndisë dhe i ligu nuk mund ta prekë. 19 Ne e dimë se jemi prej Perëndisë dhe se e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut. 20 Dimë edhe se Biri i Perëndisë erdhi e na dha dijen për të njohur Perëndinë e vërtetë. Ne jemi të bashkuar me Perëndinë e vërtetë përmes Birit të tij Jezu Krisht. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e amshuar.
21 Bijtë e mi, ruani veten nga idhujt.
KAPTINA V.
1 Gjithë kush beson se Iesui ashtë Krishti, ka lemë prei Perëndisë, edhe gjithë kush të det’ ate qi e ka piellë, don edhe ate qi ka lemë prei ati.
2 Prei kësai e ngjofimë se duemë dielmt’ e Perëndisë, kur të demi Perëndinë, edhe të rueimë porosit’ e ati.
3 Sepse këjo ashtë dashunia e Perëndisë, qi të rueimë porosit’ e ati, edhe porosit’ e ati nukë janë të randa.
4 Gjithë qish ka lemë prei Perëndiet e mund botënë, edhe këjo ashtë fitoreja qi mundi botënë, do me thanë besa jonë.
5 Cilli asht’ ai qi mund botënë, veç ai qi beson se Iesui asht’ i Bir’ i Perëndisë.
6 Kyi asht’ ai qi erdhi prei ujit edhe prei gjakut, Iesu Krishti; jo prei ujit vetëmë, por edhe prei ujit edhe prei gjakut; edhe Shpirti asht’ ai qi deshmon, edhe Shpirti asht’ e vërteta.
7 Sepse tre jan’ ata qi deshmojënë ndë qiell: Ati, Fjala, edhe Shpirti Shenjt, edhe këta të tre janë nji.
8 Edhe tre jan’ ata qi deshmojënë ndë dhet: Shpirti, edhe ujëtë, edhe gjaku, edhe të tre janë mbë nji.
9 Ndë marrshim deshmin’ e nierëzëvet, deshmia e Perëndisë ashtë ma e madhe, se këjo ashtë deshmia e Perëndisë qi ka deshmuem për Birin’ e vet.
10 Ai qi i beson të Birit Perëndisë, ka deshmi ndë vetëvetëhet; ai qi nuk’ i beson Perëndisë, e ka bam’ ate rrenës, sepse nuk’ i besoi deshmisë qi deshmoi Perëndia për Birin’ e vet.
11 Edhe këjo ashtë deshmia, se Perëndia na dha jetë të pasosëme, edhe këjo jeta ashtë mbë Birin’ e ati.
12 Ai qi ka Birinë, ka jetënë; ai qi s’ka Birin’ e Perëndisë, s’ka jetënë.
13 Këto u shkrova juve qi besoni mb’emënit të Birit Perëndisë, qi ta dini se keni jetë të pasosëme, edhe qi të besoni mb’emënit të Birit Perëndisë.
14 Edhe kyi ashtë kucimi qi kemi tek ai, se, ndë lypshim gja mbas dashunimit ati, na ndëgjon.
15 Edhe ndë e ditshim se na ndëgjon, qish të lypimë, e dimë se marrimë të lypunatë qi kemi lypunë prei ati.
16 Ndë paftë kushi vëllan’ e vet se fëjen faj jo për vdekë, ka me lypunë, edhe Perëndia ka me i dhanë jetë, atyneve qi nukë fëjejënë për vdekë. Ashtë faj për vdekë, nukë thom të lutetë për ate faj .
17 Qish-do shtrembëni ashtë faj, edhe ashtë faj jo për vdekë.
18 E dimë se gjithë kush ka lemë prei Perëndiet nukë fëjen, por ai qi ka lemë prei Perëndiet ruen vetëvetëhenë, edhe i keqi nuk’ e përket.
19 E dimë se jemi prei Perëndiet, edhe gjithë bota gjindetë mbë të keqenë.
20 E dimë se i Bir’ i Perëndisë erth, edhe na dha mend për me ngjofunë të vërtetinë; edhe jemi mbë të vërtetinë, mbë të Birin’ e ati Iesu Krishtinë? Kyi asht’ i vërteti Perëndi, edhe jeta e pasosëme.
21 Dielmthit’ e mi , rueni vetëhenë tuei prei idhujsh. Amen.