Përshëndetje
1 Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu nga vullneti i Perëndisë, dhe vëlla Timoteu, 2 po ju shkruajmë të shenjtëve e vëllezërve që besojnë në Krishtin dhe që janë në Kolos: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë !
Falënderimi për kolosianët
3 E falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, sa herë lutemi për ju, 4 sepse kemi dëgjuar për besimin tuaj në Krishtin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët. 5 Këtë besim e këtë dashuri e keni për shkak të shpresës që ju pret në qiej, për të cilën keni dëgjuar më parë në predikimin e të vërtetës së ungjillit.
6 Ky ungjill mbërriti te ju e po jep fryt e po përparon në mbarë botën, sikurse ndër ju, që nga dita kur e dëgjuat dhe njohët me të vërtetë hirin e Perëndisë. 7 Këtë ungjill jua mësoi Epafrai, bashkëpunëtori ynë i dashur, që është shërbëtor besnik i Krishtit për ju. 8 Ai na foli për dashurinë që ju ka dhënë Shpirti.
Krishti dhe vepra e tij
9 Prandaj edhe ne, që nga dita kur e morëm vesh këtë gjë, nuk reshtim së luturi për ju dhe i kërkojmë Perëndisë t'ju japë urtinë e mençurinë shpirtërore që ta njihni plotësisht vullnetin e tij. 10 Kështu do të mund të bëni një jetë të denjë për Zotin dhe, ashtu si i pëlqen atij, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë e duke shtuar njohuritë për Perëndinë. 11 Ju do të forcoheni me fuqinë që vjen nga pushteti i lavdishëm i Perëndisë, që të përballoni gjithçka me durim e që me gëzim 12 të falënderoni Atin që ju bëri të denjë të keni pjesën tuaj në trashëgiminë e të shenjtëve në dritë. 13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës e na futi në mbretërinë e Birit të tij të dashur, 14 në të cilin kemi shpengimin , faljen e mëkateve.
15 Biri është shëmbëllimi
i Perëndisë së padukshëm,
i lindur përpara çdo krijese.
16 Sepse nga ai u krijua gjithçka
në qiej
e në tokë,
të dukshmet
e të padukshmet,
fronet,
zotërimet,
sunduesit
e pushtetet.
Gjithçka u krijua përmes tij e për të.
17 Ai është përpara çdo gjëje,
gjithçka e krijuar qëndron në të.
18 Ai është kreu i trupit,
domethënë i kishës,
fillimi i jetës së re,
i pari që u ngjall
prej të vdekurve ,
që të jetë i pari në gjithçka.
19 Sepse Perëndisë i pëlqeu
që në Birin të banojë
e gjithë plotësia e vetë Perëndisë
20 e të pajtojë me veten e tij,
nëpërmjet Birit,
gjithçka mbi tokë
a në qiej,
duke vendosur paqen
me anë të gjakut
që Biri derdhi në kryq.
21 Edhe ju dikur ishit të huaj për Perëndinë dhe armiq të tij për shkak të mendimeve e veprave tuaja të liga. 22 Por tani Biri ju pajtoi me Perëndinë me anë të vdekjes në trupin e tij njerëzor, që t'ju paraqesë para tij të shenjtë, të patëmetë e të paqortueshëm. 23 Por duhet të qëndroni të fortë në besim, të qëndrueshëm e të palëkundur në shpresën që jep ungjilli që dëgjuat. Ky ungjill i është predikuar gjithë krijesës nën qiell dhe unë, Pali, jam bërë shërbëtor i tij.
Pali i shërben kishës
24 Tani, gëzohem që vuaj për ju dhe që po plotësoj në trupin tim njerëzor atë që u mungon vuajtjeve të Krishtit për trupin e tij, domethënë për kishën. 25 Kësaj kishe i shërbej edhe unë sipas detyrës që më ngarkoi Perëndia për ju, që t'ju predikoj të plotë fjalën e tij. 26 Kjo fjalë është shestimi i Perëndisë, që ka qenë i fshehur gjatë shekujve për të gjitha breznitë, por që tani iu shfaq të shenjtëve. 27 Perëndia donte t'u bënte të njohur atyre pasurinë e lavdisë së këtij shestimi të fshehtë për të gjitha kombet. Ky plan i fshehtë është Krishti në ju, i cili është shpresa juaj për lavdinë që do të vijë.
28 Këtë Krisht predikojmë edhe ne, duke këshilluar e duke mësuar çdo njeri me gjithë urtinë që kemi, me qëllim që të gjithë njerëzit t'i paraqesim të përsosur përmes Krishtit para Perëndisë. 29 Prandaj unë mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së Krishtit që vepron fuqishëm brenda meje.
KAPTINA I.
1 Pauli apostulli i Iesu Krishtit prei dashunimit Perëndisë, edhe Timotheu vëllai:
2 mbë shenjtënit edhe mbë vëllazënit besëtarë mbë Krishtinë qi janë ndë Kolosse, hir edhe paqtim qoftë mbë ju prei Perëndisë Atit t’ynë, edhe prei Zotit Iesu Krisht.
3 I falemi ndersë Perëndisë edhe të Atit Zotit t’ynë Iesu Krishtit, tue u falunë përherë për ju,
4 kur ndëgjuem për besënë tuei qi keni mbë Iesu Krishtinë, edhe për dashuninë qi keni mbë gjithë shenjtënit,
5 për shpëresënë qi ruhetë për ju ndë qijet, të cillën’ e keni ndëgjuem përpara ndë fjalët të vërtetënisë ungjillit,
6 qi erdhi mbë ju, sikurse edhe mbë gjithë botënë, edhe ban pemë, sikurse edhe mbë ju, çë mb’ate ditë qi ndëgjuet’ edhe ngjoftë hirin’ e Perëndisë me vërtetëni,
7 edhe sikurse e muertë vesht prei Epafrait të dashunit shërbëtorit shoqit t’ynë, i cilli ashtë për ju besëtar shërbëtor’ i Krishtit,
8 edhe ai na diftoi dashuninë tuei ndë Shpirt.
9 Përandai edhe na çë mb’ate ditë qi ndëgjuem, nukë pushoimë tue u falunë për ju, edhe tue lypunë qi të mbusheni prei së ngjofëmesë dashunimit ati me qish do dituni, e me urti shpirtënie,
10 qi të ecëni sikurse vëjen për Zotinë mbë qish do pëlqim, tue bamë pemë ndë qish do farë pune të mirë, edhe tue u rritunë mbë të ngjofunit të Perëndisë;
11 tue marrë fuqi me qish do farë fuqie mbas pushtetit laftit ati, mbë qish do durim e zemërë të gjanë bashkë me gëzim;
12 tue iu falunë ndersë Atit qi na bani të zotënitë ndë piesë të shortësë shenjtënavet ndë dritë,
13 i cilli na shpëtoi prei pushtetit errësinësë, edhe na pruni ndë mbëretënit të Birit dashunisë vet,
14 mb’ate kemi shpërbliminë me anë të gjakut ati, ndëjesën’ e fajevet,
15 i cilli ashtë shëmbëllëtyr’ e të padukunit Perëndi’, para-lem’ i gjithë krijesësë,
16 sepse prei ati janë krijuem të gjitha, sa janë mbi qijet, edhe sa janë mbi dhet, sa duken’ edhe sa s’dukenë, a shqembe, a zotëni, a urdhëna, a pushtete, të gjitha janë krijuem me anë t’ati edhe për ate.
17 Edhe ai ashtë para të gjithëve, edhe të gjitha qindrojnë mb’ate.
18 Edhe ai ashtë kryet’ e korpit kishësë, ai asht’ e filluemeja, para-lemë prei së vdekunish, qi të bahet’ ai i parë mbë të gjitha.
19 Sepse mb’ate pëlqen Ati qi të rrijë qish do të mbushunë,
20 edhe me anë t’ati të paqtohenë të gjitha mbë vetëhet t’ati, sepse bani paqtim me anë të gjakut kryqit ati, me anë t’ati, sa janë mbi dhet, a sa janë ndë qijet.
21 Edhe ju qi ishitë njiherë të huej edhe anëmiq prei mendiesë me punët e këqia,
22 por tashti u paqtoi juve me korpin’ e mishit ati me anë të vdekësë, qi t’u nxierri juve përpara ati shenjtëna e faqe-bardhë e të pazanë me fjalë;
23 ndë qofshi ndë besët themeluem e ngulunë, e të mos lueni vendit prei shpëresës’ ungjillit qi ndëgjuetë, edhe qi u predikue mbë gjithë krijesënë qi ashtë ndënë qiell, të cillit ungjill u bashë shërbëtuer unë Pauli.
24 Tashti gëzohem ndë pësimet e mia për ju, edhe mbush të mangunat’ e shtrëngimevet Krishtit ndë mish t’em për korpin’ e ati, qi ashtë kisha;
25 asai u bash’ unë shërbëtuer mbas kujdesit Perëndisë qi m’u dha për ju, qi të mbush fjalën’ e Perëndisë,
26 mysterinë qi ishte mshefunë prei jetëvet e prei faravet, edhe tashti u diftue mbë shenjtënit e ati;
27 atyneve Perëndia deshi me diftuem, cilla ashtë pasëja e laftit këti mysteri mbë kombet, i cilli ashtë Krishti mbë ju, shpëresa e laftit,
28 qi ate na predikoimë, tue porositunë qish do nieri, e tue mësuem qish do nieri me qish do farë ditunie qi të nxierrimë përpara Iesu Krishtit qish do nieri të kullutë;
29 për këte punë edhe mundohem tue luftuem mbas së vepëruemes’ ati qi vepëron tek unë me fuqi.