Shërimi i të paralizuarit
(Mt 9.1-8Lk 5.17-26)1 Pas disa ditësh, kur Jezui u kthye në Kafarnaum, u hap fjala se ai ishte në një shtëpi. 2 Atje u mblodhën aq shumë njerëz, saqë nuk kishte më ku të rrinin, as edhe te dera. Ai u predikonte fjalën.
3 Atëherë erdhën e i sollën një të paralizuar, të cilin e mbartnin katër burra. 4 Meqë nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, hapën çatinë sipër tij dhe ulën poshtë vigun ku gjendej i paralizuari. 5 Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Biri im, të janë falur mëkatet». 6 Disa shkrues që rrinin aty filluan të mendonin në zemrat e tyre: 7 «Përse flet kështu ky njeri? Ai po fyen Perëndinë. E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». 8 Jezui e kuptoi menjëherë në shpirtin e tij se ata po mendonin kështu, prandaj u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? 9 Çfarë është më e lehtë, t'i thuhet të paralizuarit “të janë falur mëkatet” apo t'i thuhet “ngrihu, merre vigun tënd dhe ec”? 10 Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, 11 po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi». 12 Ai u ngrit, mori menjëherë vigun e doli para të gjithëve. Të gjithë u mahnitën dhe përlëvduan Perëndinë e thanë: «Nuk kemi parë asnjëherë diçka të tillë».
Thirrja e Levit
(Mt 9.9-13Lk 5.27-32)13 Jezui doli përsëri në breg të liqenit. Gjithë turma u mblodh rreth tij e ai i mësonte. 14 Teksa po ecte më tej, pa Levin e Alfeut, që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas.
15 Ndërsa ishte ulur për të ngrënë, në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës e mëkatarë u ulën me Jezuin e me dishepujt e tij. Ata që e ndiqnin ishin shumë. 16 Kur panë se po hante me mëkatarët dhe tagrambledhësit, shkruesit e farisenjve u thanë dishepujve: «Përse ha ai me tagrambledhësit e mëkatarët?». 17 Jezui e dëgjoi këtë e tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët ».
Çështja e agjërimit
(Mt 9.14-17Lk 5.33-39)18 Dishepujt e Gjonit dhe farisenjtë po agjëronin. Disa prej tyre shkuan e i thanë Jezuit: «Përse dishepujt e Gjonit dhe të farisenjve agjërojnë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». 19 Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Jo, nuk mund të agjërojnë për sa kohë kanë dhëndrin. 20 Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në atë ditë, do të agjërojnë.
21 Askush nuk qep një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, se arna prej copës së re e gris rrobën e vjetër dhe grisja bëhet më e madhe.
22 Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera i çan kacekët e kështu humbasin edhe vera, edhe kacekët. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj».
Jezui dhe e shtuna
(Mt 12.1-8Lk 6.1-5)23 Një të shtunë po ecnin përmes një fushe me grurë. Tek po kalonin andej, dishepujt e tij filluan të këpusnin kallinj gruri 24 dhe farisenjtë i thanë: «Ja, përse po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?». 25 Por Jezui u tha: «A e keni lexuar ndonjëherë çfarë bëri Davidi kur u gjet ngushtë dhe e kishte marrë uria, atë dhe ata që ishin me të? 26 Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, kur ishte kryeprift Abiatari dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve dhe sesi ua dha edhe atyre që ishin me të?». 27 Pastaj u tha: «E shtuna është bërë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Kështu Biri i njeriut është Zot edhe i të shtunës».
KAPTINA II.
1 Ende mbas disa ditsh për-së-ri hyni ndë Kapernaum; ende u ndëgju se ashtë ndë shtëpi.
2 Ende përnjiherë u mbëlothnë shumë vetë kaqi sa as ato vendetë për-anë derësë s’i nxijinë ma; ende ai u predikonte fjalënë.
3 Atëherë vinë ke ai, e bijenë nji ulok, ngritunë prei katër vetësh.
4 Ende mbassi s’mundeshinë me u afrumë ke ai prei gjindëjesë, sbulunë pulasinë ku ishte ai , ende si banë brimë, sdripnë shtratinë qi dirgjei ulogu mb’ate.
5 Ende Iesui kur pa besën’ e atyneve, i thot’ ulogut: Dial, t’u falnë fajet’ e tua.
6 Ende disa prei Shkruisish ishin’ atie tue ndenjun’, ende tue mendumë ndër zemërat veta:
7 Ç’flet kyi kështu vlasfimia? Cilli mundetë me falunë faje, veç nji, Perëndia?
8 Ende Iesui përnjiherë si e mur vesht prei shpirtit vet, se po mendohenë me vetëvetëhenë kështu, u tha: Përse mendoni këto punë ndër zemërat tuja?
9 Qish ashtë ma kollai me i than’ ulogut: T’u falnë fajetë; apo me i thanë: Çohu, e ngre shtratinë tand, ende ecë?
10 Po qi ta dini, se i bir’ i nieriut ka urdhënë me falunë faje mbi dhet (i thot’ ulogut):
11 Të thom: Çohu’ e ngre shtratinë tand, ende shko ndë shtëpit tande.
12 Ende ai u çu përnjiherë, ende ngriti shtratinë, e dul përpara të gjithëve; kaqi sa të gjithë mërekulloheshin’, ende lavdojinë Perëndinë, tue thanë, se: Askurrë s’kemi pamë kështu.
13 Mbasandai Iesui dul për-së-ri ndaj detinë; ende gjithë gjindëja vinte ke ai, ende ai i mësonte.
14 Ende tue shkumë, pa Levinë të birin’ e Alfeut tue ndenjunë mbë duganë, ende i thotë: Merr-më mbrapa, ende ai u ngrit, e voiti mbrapa ati.
15 Ende ai kur po rrinte ndë mësallë ndë shtëpit t’ati, ishin’ ulunë ndë mësallë ende shumë publikanë e fajtorë bashkë me Iesun’ e me dishepujt e ati, sepse ishinë shumë vetë , ende voitnë mbrapa ati.
16 Ende Shkruesit’ ende Fariseitë kur pan’ ate tue ngranë bashkë me publikanët e me fajtorët, u thoshinë dishepujvet ati: Përse ha e pi ai bashkë me publikanët e me fajtorët?
17 Ende Iesui kur ndëgjoi, u thot’ atyne: Të shëndoshëtë s’kanë nevojë për mëjekës, po ata qi kanë keq; s’kam ardhunë me thirrunë të dreitëtë ndë pendim, po fajtorëtë.
18 Ende dishepujt’ e Gjionnit ende të Farisevet agjinojinë; ende vin’ e i thonë: Përse dishepujt’ e Gjionnit edne të Farisevet agjinojnë, po dishepujt’ e tu s’agjinojnë?
19 Ende Iesui u tha: Mos munden’ ata qi thërrasinë për darsmë me agjinumë, ngjer sa të jetë dhandërri bashkë me ata? Sa kohë kanë dhandërrinë bashkë me vetëvetëhenë, s’mundenë me agjinumë.
20 Po kanë me ardhunë ditt, kur të mirretë dhandërri prei asish, ende atëherë kanë me agjinumë nd’ato ditt.
21 Ende askushi s’qep arën pëlhurë të bardhë mbë petk të vietërë, sepse ndë qoftë, heq të mbushëmen’ e ati të renë prei së vietrësë, ende bahetë ma e keqe e shqyme.
22 Ende askushi s’ve venë të re ndë rrëshiqa të vietërë, sepse ndë qoftë, ven’ e re gris rrëshiqatë, ende vena derdhetë, ende rrëshiqatë prishenë, po duhetë me vumë venën’ e re ndë rrëshiqa të rij.
23 Ende ai kur po shkonte për nji ditë të shëtunash ndëpër ara të mbiella, dishepujt’ e ati fillunë me shkoqunë kallëza, tue bam’ udhë.
24 Ende Fariseit’ i thoshinë: Shif qish bajnë për ditë të shëtunash, ate qi s’asht’ e udhësë?
25 Ende ai u thoshte atyne: Askurrë s’keni këndumë qish bani Davidi, kur pat nevojë, ende i erdhi u ati, ende atyne qi ishinë bashkë me atë?
26 Qysh hyni ndë shtëpit të Perëndisë ndë ditë të Abiathar krye-priftit, ende hangër bukët’ e paravumiesë, të cillatë s’ishte e udhësë me i ngranë tietër-kush , veç priftënavet, ende u dha ende atyneve qi ishinë bashkë me atë?
27 Mbasandai u thoshte atyne, se : E shëtuna ashtë bamë për nierinë, po jo nieriu për të shëtunënë;
28 përandai i bir’ i nieriut asht’ i zoti ende të shëtunësë.